SULEJMAN MEHAZI-KËNAQUNI I DASHUR, EFENDI ÖMER TUĞRUL INANÇER, ME XHEMALIN E ALLAHUT XHELESHANUHU!

SULEJMAN MEHAZI-KËNAQUNI I DASHUR, EFENDI ÖMER TUĞRUL INANÇER, ME XHEMALIN E ALLAHUT XHELESHANUHU!

0 Comments

Kaloi në botën e përjetshme udhërrëfyesi ynë shpirtëror, mendimtari i urtë, arkitekti i përsosjes shpirtërore, përkujdesësi i pastërtisë së mendjes, diturisë, zemrës e shpirtit, Efendiu Ömer Tuğrul Inançeri.
Tani më kemi mbetur pa performancën fizike të Shejhit tonë, i cili na frymëzonte jo për dashuri të përkohshme tokësore, por për një dashuri tjetërfare sufike, të përjetshme e qiellore ndaj të Madhërishmit Allah dhe profetit më të dashur Muhamedit s.v s.
I dashuri i Allahut dhe Muhamedit a.s., Efendiu Ömer Tuğrul Inançer, na la neve në halvetin e vetmisë me zemra të djegura e të shkrira dhe shkoi ku donte ai vetë, në botën e përjetshme, të magjishme e transcedentale, në botën e harmonishme, të këndshme, të vargëzuar me melodira zikresh të ëmbla ritmike, të rimuara me përjetime arshore të 99 emrave të bukur të Allahut, me inspirime metafizike qiellore, me engjëj e hyrish frymëzuese, me lloje dhomash amfiteatrosh të teqeve parajsore, me frymëzime ushqyese shpirtërore, me pamje estetizuese të Xhemalit të bukurisë universale, me aromat e kopshteve të luleve të ngjyrosura e të parfumosura nga xhenetet e krijuara nga Allahu i Arshit, kurse neve ashikëve na le në brendi të halvetit të vetmisë kuptimore të alivanosur nga bukuria e kënaqësive të porositura nga shejhi ynë, Ömer Tuğrul Inançeri.
Nuri ndriçues e dashuror i Efendiut reflektonte aq sa në brendinë e thellë të zemrës së tij mbushur me iman e Allah, shihnim te ai shembullin e një dashnori të përflakur e të përdjegur për xhemalin e Allahut, dhe, na dukej se ishte njeriu më i afërt e më i dashuruari i pejgamerit të Allahut, Muhamedit a.s.
Shejhit tim e tonit, Ömer Tuğrul Inançerit, i digjej zemra dashurore flakë për Allahun, Pejgamerin e xhenetin, me largimin nga kjo botë fizike ai atje në botën e Allahut është i dehur me shijet e aromave hyjnore parajsore.

Pasi mohove këtë botë të përkohshme për botën e përjetshme të hairetit, kënaqu me bukuritë e hairetit!
Pasi për hir të xheneteve të Zotit të Madhërishëm pranove halvetin, vetminë e karantinosjen shpirtërore, tani e tutje kënaquni me xhenetet e bukura të krijuar enkas për ju i dashuri i im, Efendi Ömer Tuğrul Inançerit!
Pasi për hir të xhemalit të Allahut mohove jetën e kësaj bote njerëzore, tani e tutje kënaquni me xhemalin e Allahut xheleshanuhu!
Pasi dashuroje pakufi të dërguarin e Allahut, Muhamedin a.s., tani kënaquni në shoqëri me Muhamedin tuaj të dashur!
Pasi pakufi ishe i dashuruar me 99 emrat e bukur të Allahut, tani e tutje kënaquni në xhenet me 99 emrat e bukur të Tij!
*
“Dashuria nuk është çmenduri, është marrëzi…, është një sjellje e hijshme me edukatë; …dashuri quhet kur të mençurit i thonë lamtumirë mendjes dhe urdhërohet nga zemra. Të braktisësh mendjen me vullnet nuk është çmenduri. Kur ndodh pa vullnet, atëherë është sëmundje”.
Omer Tugrull Inançer,
BISEDA SHPIRTI, fq. 193.
“Dashuria nuk klasifikohet, është si kajmaku brenda qumështit. Kajmaku nuk ka shtresë të parë, të dytë, të tretë, ..të pestë; kajmaku është kajmak.”
Omer Tugrul inançer
“Biseda shpirti”, fq. 218.