(Dr. Kujtim Kasami, Përkthimi i parë i Kur’ani kerimit shqip – 40 vjet në duar të lexuesit shqiptarë 1985-2025, Kërçovë, 2025, f. 186).
Hyrje
Kur shfletohet historiku i përkthimeve të Kur’anit në gjuhën shqipe, vërehet se iniciativat e dijetarëve shqiptarë, për aq sa dihet deri më sot, kanë filluar që në shekullin XIX dhe kanë vazhduar edhe më pas. Në studime të ndryshme të studiuesve shqiptarë theksohet se kanë ekzistuar iniciativa për përkthimin e plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe edhe para më shumë se 40 vitesh, por këto përkthime nuk janë botuar deri më sot. Ndoshta ato mund të gjenden në të ardhmen nga ndonjë studiues dhe të publikohen.
Historia e përkthimit të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe shënon vitin 1985 si vitin e përkthimit të parë integral të Kur’anit në shqip nga Akademik Feti Mehdiu. Ai ishte ish-nxënës i Medresesë “Alaudin” në Prishtinë, ish-aktivist i Lëvizjes patriotike me qendër në Prishtinë, e njohur si “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, ish-profesor shumëvjeçar në Departamentin e Orientalistikës të Universitetit të Prishtinës, autor i shumë veprave në gjuhën shqipe dhe të përkthyera edhe në gjuhë të huaja, përkthyes dhe përgatitës i shumë librave, si dhe kontribuues në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kur i riu nga Zajazi i Kërçovës, Feti Mehdiu, erdhi në vitin 1959 për të vazhduar shkollimin e mesëm në Prishtinë, në Medresenë e atëhershme “Alaudin”, i veshur me kostum kombëtar me nuanca të Zajazit, shumë prej atyre që e takuan fillimisht ishin skeptikë se ai do të bëhej një nga studiuesit e shquar dhe përkthyesit e Kur’anit në gjuhën shqipe. Megjithatë, me kalimin e viteve, shokët e shkollës kuptuan se përkushtimi i tij i thellë ndaj dijes mund të sillte rezultate konkrete. Në fakt, në vitet e mëvonshme, rezultatet studimore të Feti Mehdiut u bënë të prekshme, ndërsa përkushtimi që e bëri sinonim të punës së tij mbeti përkthimi i plotë i Kur’anit në gjuhën shqipe, i botuar në vitin 1985 në Prishtinë.
Në këtë vështrim, nuk synohet të trajtohet gjerësisht jeta dhe veprimtaria e Akademik Feti Mehdiut, pasi për to është shkruar mjaft deri më sot nga studiues të ndryshëm. Qëllimi është të ndalemi te një përmbledhje punimesh dhe artikujsh për Feti Mehdiun, të shkruar nga autorë të ndryshëm dhe të tubuar e të përgatitur për botim nga Dr. Kujtim Kasami, me titull: “Përkthimi i parë i Kur’anit Kerim në shqip – 40 vjet në duart e lexuesit shqiptar (1985–2025)”, botuar në Kërçovë në vitin 2025.
40 vjet nga përkthimi i plotë i Kur’anit në shqip
Në vitin 1985, kur Kur’ani u përkthye dhe u botua i plotë në gjuhën shqipe, opinioni shqiptar – që nga besimtarët dhe ish-nxënësit e medresesë e deri te shtresat intelektuale – filloi të shfaqte interes të madh për ta pasur këtë përkthim. Disa intelektualë, si Engjëll Sedaj, shkruan në shtypin shqip në Prishtinë të asaj kohe, ndërsa më pas pasuan edhe shkrime të tjera nga studiues shqiptarë dhe nga autorë në gjuhën boshnjake në Sarajevë.
Në vitet jubilare që pasuan, puna e përkthyesit Feti Mehdiu u vlerësua gjithnjë e më shumë, ndërsa mediat e ndryshme treguan interes në rritje. Koha dhe përvoja kanë treguar se, kur shkrimet e botuara ndër vite nuk mblidhen dhe nuk publikohen, ato rrezikojnë të mbulohen nga pluhuri i harresës. Ndërkaq, kur këto shkrime evidentohen, mblidhen dhe botohen në formë përmbledhjeje, ato ruhen më lehtë dhe bëhen më të qasshme për studiuesit dhe të interesuarit.
Në këtë drejtim, puna e Dr. Kujtim Kasamit për evidentimin, tubimin dhe publikimin e shkrimeve për Feti Mehdiun është për t’u përshëndetur. Përveç parathënies, ku përgatitësi shpjegon qëllimin dhe procesin e përgatitjes së botimit, libri është ndarë në kapituj tematikë.
Kapitulli i parë, i titulluar “Informime dhe prezantime (1985–2010)”, përfshin shkrime të studiuesve dhe publicistëve që gjatë kësaj periudhe kanë trajtuar punën e Akademik Feti Mehdiut në përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe. Ndër autorët e përfshirë janë: Faik Miftari, Idriz Demiri, Darko Tanaskoviq, Engjëll Sedaj dhe Sadik Mehmeti.
Kapitulli i dytë, “2000–2025”, përmban shkrime dhe intervista të shkruara për Feti Mehdiun gjatë kësaj periudhe. Në këtë kapitull janë përfshirë autorë dhe kontribute nga Gëzim Ramazani, Mehas Alija, Rexhep Demiri, Munir Mehdiu, Muhamed Mufaku, Elez Ismaili, Elez Osmani, Abdulla Rexhepi, Ramadan Shkodra, Bashkim Aliu dhe vetë Kujtim Kasami.
Në të dy kapitujt, lexuesi gjen materiale me interes të veçantë për punën dhe rëndësinë e Akademik Feti Mehdiut në përkthimin e plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe. Ky botim përbën një gur të rëndësishëm në mozaikun jetësor të Akademik Feti Mehdiut dhe mbetet detyrë e përbashkët që ky mozaik të plotësohet edhe më tej me kontribute të reja, në mënyrë që në të ardhmen të marrë një formë sa më të plotë.
Përfundim
Duke e shfletuar librin e përgatitur nga Kujtim Kasami, mund të thuhet se, krahas rëndësisë së përkthimit të plotë të Kur’anit nga Feti Mehdiu, po aq të rëndësishme mbeten edhe vlerësimet dhe sugjerimet e studiuesve të ndryshëm për veprën e tij. Në këtë drejtim, ky botim fiton vlerë të veçantë.
Edhe pse sot qasja elektronike e ka lehtësuar hulumtimin shkencor, ky aspekt mbetet ende një sfidë për studiuesit shqiptarë, pasi shumë materiale, për shkak të rrethanave historike dhe institucionale, janë humbur ose janë ruajtur vetëm nga autorët apo studiues të veçantë. Prandaj, puna e Dr. Kasamit për t’i vënë këto materiale në dispozicion të një rrethi më të gjerë lexuesish e bën këtë botim veçanërisht të çmuar.
Ky publikim mund të shërbejë edhe si një lloj bibliografie për veprimtarinë shkrimore të Feti Mehdiut dhe për studimet rreth tij. Dr. Kasami, me materialet që ka sjellë deri më tani, nuk duhet të ndalet këtu, por të vazhdojë hulumtimet e mëtejshme për jetën dhe veprimtarinë e Akademik Feti Mehdiut, me synimin që në të ardhmen të kemi edhe një monografi të plotë studimore për të.
Me rastin e ndonjë ribotimi të ardhshëm, do të ishte e dobishme që përgatitësi të përfshijë edhe faksimile të shkrimeve të botuara më herët, sidomos atyre në shtyp, pasi një hap i tillë do ta pasuronte edhe më tej botimin. Megjithatë, edhe në këtë format, libri paraqet një ndihmesë të rëndësishme për të gjithë ata që dëshirojnë të merren me jetën dhe veprimtarinë e Feti Mehdiut dhe me historikun e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe te shqiptarët.
