0 Comments

Letërsia dhe realiteti apo teksti karshi kontekstit

Raporti ndërmjet letërsisë dhe kontekstit, sidomos atij social, historik e politik përbën një nga aspektet më komplekse të teorisë dhe të kritikës letrare. Kur një ndodhi historike zhvendoset dhe integrohet brendapërbrenda botës fiksionale, ajo pëson një metamorfozë ontologjike. Pas këtij ndryshimi, ajo pushon së funksionuari si fakt apo si referencë absolute ndaj së cilës kërkohet besueshmëri, duke iu nënshtruar plotësisht kodeve estetike letrare. Lidhur me këtë transformim, Shkllovski, gjatë analizës së romanit “Lufta dhe Paqja”, pati vënë re se Tolstoi anashkaloi qëllimisht ato fakte historike që nuk përputheshin dhe nuk kishin harmoni me estetikën e veprës. Sipas Shkllovskit, Tolstoi aplikoi teknikën e përçudnimit për të thelluar kontrastin ndërmjet rrëfimeve franceze dhe atyre ruse. Ai vjen në përfundim se romani “Lufta dhe Paqja” nuk është histori, por kanunizim i një legjende.  Megjithatë, kjo liri krijuese e autorit nuk nënkupton shkëputjen e tërësishme të letërsisë nga konteksti. Mund të konstatohet se nuk ekziston asnjë vepër fiksionale që nuk mbështetet në një realitet njerëzor apo që nuk ndërlidhet me një kontekst të caktuar. Kjo përkon me tezën e Ros Meklej se asnjë prodhim njerëzor nuk është ex-nihilo (nga asgjëja).  Duke u ndalur te specifikat e artit dhe të letërsisë në veçanti, David Fisher thotë se duhet bërë një dallim, pasi që historia e në këtë rast konteksti historik funksionon si një hulumtim i të vërtetave të jashtme, kurse letërsia operon në aspektin shpirtëror apo të brendshëm të ngjarjeve apo të personaliteteve historike.  Ky relacion ndërlikohet më tej kur në tekstin letrar ndërhyn autoriteti kulturor apo akademik i shkrimtarit. Ndodh shpesh që autorët, përmes ndërtimit të botëve fiksionale mbi një periudhë të caktuar historike apo epoke politike dhe ideologjike, të bartin mesazhe të fshehura, të cilat më pas instalohen në ndërdijen e masës së gjerë si të vërteta historike e politike.

Konteksti historik dhe politik në prozën e shkurtër të Adem Gashit 

Emri i Adem Gashit është i njohur në historinë e letërsisë shqipe si poet, por që shumë studiues atë e çmojnë si prozator. Profesor Emin Emini, e quan Adem Gashin si tregimtar të poetikës moderniste, ku me punën e tij prozaike ka dëshmuar se toka e begatë e tij është tregimtaria. Opusi prozaik i autorit përfshin gjashtë vepra: dy romane dhe katër vëllime me tregime.

Si reagim ndaj aparteidit kulturor dhe ekzistencial të Serbisë ndaj Kosovës, Adem Gashi krijoi dhe shfrytëzoi prozën e shkurtër për të ndërlidhur dhimbjen e së shkuarës me reflektimin ndaj së tashmes. Pikërisht trajtimi i tyre, krijon dy rrafshe kryesore kuptimore brenda krijimtarisë së tij, rrafshin historik, që kërkon një shqyrtim tekstual dhe kontekstual të mbështetur mbi ngjarjet dhe paradigmën e së kaluarës, dhe rrafshin politiko social, që kërkon trajtimin e ngjarjeve politike të kohës.

Që nga vepra e parë me tregime Vdekja e mixhës e botuar në vitin 1987, e hasim luftën e të resë me të vjetrën, apo antagonizmin traditë-modernitet, por që autori në asnjë rast nuk mëton t’i rrënojë metanarrativat, e aq më pak të bëhet gardian e thirrës i internacionalizmit. Përkundrazi, personazhi i Kaçak Cubit, edhe pse në dukje të parë mund të ngjasojë me personazhe partizane, ai nuk mbron narrativa politike, por mbron fytyrën dhe nderin, ashtu siç e parasheh kodi zakonor. Kjo ndeshje e konteksteve krijon një strukturë narrative, ku kodi zakonor funksionon si sistem vlerash që reziston ndaj ideologjizimit politik. Para së gjithash, autori paraqet një kohë historike, përpara se ta paraqesë atë si ideologji politike, e cila rrënonte rrëfime të mëdha, që për Gashin janë të pashkelshme e të paprekshme. 

Pikërisht, në kohën e vlimeve të mëdha politike dhe historike, Adem Gashi botoi librin me tregime Pëllumbi i paqes (1989). Në këtë vepër me titull simbolik, që del antitezë e kohës e shohim se si shpërfaqet ligësia njerëzore, ku ai që të ofron bukën, mund të ta dhurojë edhe vdekjen. Kësisoj, pasqyrohet realiteti jugosllav, ku nën petkun e mirëqenies cenohej institucionalisht identiteti kombëtar, ashtu siç u cenua edhe identiteti i pëllumbit si simbol paqeje. E gjithë ngjarja e këtij rrëfimi ecën përpara përmes dialogut mes njeriut dhe pëllumbit. Ky dialog, që shpeshherë mund ta shohim edhe si monolog mes të dy uneve të njeriut, kemi të pranishme trininë e tragjedisë: urinë, burgosjen dhe vdekjen. Autori nuk e le me kaq. Përtej një mimesisi, pra pasqyrimit të ngjarjeve reale në Kosovë, teksti mbart funksionin e parandjenjës a të profecisë, ku zhurma e stufës pas vrasjes së pëllumbit nga personazhi pa emër sugjeron apo paralajmëron ardhjen e një lufte.  Përmes kësaj, autori na kthen drejt një konteksti historik e po aq politik, duke përcjellë mesazhin se rrënimi i paqes, të cilën ai e quan paqe mortore  do të sjellë pashmangshmërisht konfliktin e armatosur. Kjo luftë që do të vijë paraqitet si vijimësi e një lufte të mëhershme, të cilën do ta shohim përmes personazheve të Donikë Kastriotit dhe Shotë Galicës, të cilat qëndruan përkrah me burrat e tyre drejt idealeve të mëdha.

Në librin Udhëtimi i fundit, i botuar pas përfundimit të luftës, autori ngre një sërë çështjes që doemos ndërlidhen me ngjarjet historike, por edhe me zhvillimet politike gjatë viteve të nëntëdhjeta. Si protagonist në shumë tregime kemi Esesin, pseudonimi i personazhit fiktiv Selman Sojeva. Selman Sojeva alias Esesi është personazhi shqiptar që i shërbeu së keqes duke punuar në Sekretarinë e Punëve të Brendshme. Kjo punë e tij e dehumanizoi atë, ku ai u bë më i largët e më i zvjerdhur  sidomos pas vitit 1981. Në tregimin Fol më, kemi dialogun e pakuptimtë të Selmanit me Dritonin, të cilin e akuzon për takimin me vetveten, e që përmes nëntekstit e shohim si takimin e Dritonit me idealet kombëtare, për të cilat edhe burgoset në fund të tregimit, pikërisht nga shoku i tij i dikurshëm. Brenda këtij tregimi kemi edhe paraqitjen e forcave të mëdha policore në rrugë. Këtu na del një ndërlidhje e aspektit historik, pra të ngjarjeve që kanë ndodhur, dhe në anën tjetër paraqet kontekstin politik e të gjithëbotshëm, ku diktatorët mundohen që dobësitë e tyre në udhëheqje dhe në mirëqenie t’i mbulojnë përmes pranisë së madhe të aparatit shtetëror, aty ku nuk është nevoja.

Në tregimin Gjurmët, kemi një rrëfim alegorik për dhunën dhe terrorin serb. Rrëfimi i Nuradinit, ku përmes vrasjes së luleve në qilim, apo siç thotë personazhi se e pashë gjakun e blertë nën gozhdët e çizmeve të huaja,  kemi vdekjen figurative të identitetit, ku çdo ditë këmbë të huaja shkelnin e shkaktonin gjak të ri e plagë të reja. Brenda këtij vëllimi shihet gjendja e Kosovës së pasluftës, që paraqitet përmes ndërrimit të emrave të rrugëve. Një rrugë që dikur quhej Bashkim-vëllazërim, tani ishte pagëzuar Gjashtë lisat e Likoshanit. Pikërisht ky emërtim i rrugëve tregon se te shqiptarët ndjenja nacionale është mbi atë ideologjike dhe partiake, edhe pse kjo e fundit kishte filluar të vendoste rrënjë, e që do të shihet në tregimin Kënga, ku shpërfaqen njerëz të cilët për përfitime personale shesin farsë duke pasur në gojë patriotizmin, e të cilën e fshehin pas petkut partiak. 

Libri i fundit me tregime Lakorja e fatit (2020) e që konsiderohet edhe kurora prozaike e Adem Gashit është e ndarë në tri cikle, e që paraprihet nga tregimi Pëllumbi i paqes, për të cilën u diskutua më herët. Pikërisht ky tregim del të jetë çelës edhe për këtë libër, të cilën autori e quan libër me tregime, rrëfenja dhe parabola.  Në ciklin Terr, i ndarë në tri rrëfime kemi paraqitjen e një periudhe të rëndë e të vështirë për Adem Gashin si narrator, personazh dhe autor, por mbi të gjitha si kolektivitet. Tregimi Lufta me tri pamje është i ndarë në tri pjesë dhe tregon fatin e tri personazheve të njohura historike e politike: Ibrahim Rugovës, Adem Demaçit dhe Rexhep Qosjes, të cilët përballen me armikun. Këto përballje dallojnë njëra prej tjetrës, por që të tri rrëfimet kishin emëruesin e përbashkët: sfidën se si do t’i gjykojë historia dhe masa për veprimet a mosveprimet e tyre.

Tregim për tregimin pararendës fillon me luftën e autorit me kritikët, të cilët e kritikojnë se ai nuk di të shkruajë tregime. Mbase, siç vëren edhe autori, por edhe një lexues i rëndomtë semantik, shihet se kritikat nuk qëndrojnë tek estetika, por te politika. Në këtë tregim, përmes asaj që autori e quan shndërrimin e tregimit në parabolë, e shohim se si u sha nga të tjerët dhe pësoi sulme nga ta, vetëm e vetëm pse në rrëfimin pararendës doli kundër idiolatrisë, apo krijimit të kultit të individit, ide që kishte filluar të zinte vend në Kosovë, duke zëvendësuar kultin e idesë së atdheut. Të njëjtën tematikë e vazhdon edhe në ciklin Dritë dhe mjegull, ku kemi personazhe reale nga jeta jonë politike e të fshehura përmes alegorisë, të cilat dalin të fragmentarizuara, por secila prej tyre është pjesë përbërëse e mozaikut politik real kosovar. Autori nuk ndalet vetëm në aktualitetin e Kosovës, por rikthehet në një të kaluar të afërt të Shqipërisë, ku kemi të pranishëm udhëheqësin e shtetit dhe bashkëpunimin me shkrimtarin, i cili shpeshherë për nevoja të të parit, duhet të paraqitej si desident, apo se Demoni i Madh kishte nevojë për dreqin e vogël.

Në Kryeqyteti në shtetrrethim kemi praninë e dalzotësve të atdheut, apo djemve dhe vashave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët në sytë e të tjerëve ishin gjigandë, edhe pse ishin njerëz të rëndomtë nga pamja. Vendndodhja e trimave të UÇK-së në Kodrën e Trimave është figurativ, siç janë figurative personazhet dhe ngjarjet në Lagjen e Vreshtave. Derisa në Lagjen e Vreshtave kishte festë, në lagjen tjetër kishte aksione guerile, e që lagjja nuk duhet kuptuar drejtpërdrejt si lagje, por si rajon brenda hapësirës së Kosovës, dhe tregimi fiksional duhet të kuptohet si fakt real.

Duke u nisur nga kjo, në prozën e shkurtër të Adem Gashit shohim një ndërveprim kompleks ndërmjet tekstit letrar dhe kontekstit historiko-politik, ku ngjarjet transformohen në strukturë estetike dhe semantike, apo thënë ndryshe rrëfimet letrare inkorporohen në epoka historike. Proza e Adem Gashit dëshmon se në poetikën prozaike të tij dominon paradigma historike mbi atë ideologjike, pra kombi para së gjithash, apo thënë ndryshe vetëdija historike qëndron mbi ideologjitë tjera. Edhe pse kemi ngjarje historike dhe si të tilla mund të jenë rrezik që vepra të kalojë në ideologjike, aspekti estetik dhe letrar është i lartë, sidomos vëllimi i fundit prozaik. Në këtë aspekt, proza e tij nuk reduktohet në mimesis të realitetit, por ndërton një diskurs letrar ku historia, politika dhe fiksioni ndërthuren në funksion të artikulimit estetik dhe kritik të përvojës kolektive shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts

LINDA SHAQIRI – TË FALA TY

Eca mbi zjarrin e kohës,Në greminë rashë, U dogja nga dëshmia e rrejshme,Më quajtën skllav, Të fala ty,Edhe pse gjakun ma ke nxi,E kuqja ngeli Lule Bozhuri,E unë të fala ty, Mbi flatrat e mia,Akullnajat…