XHELALEDIN RUMIU

XHELALEDIN RUMIU
Muhammed Xhelaluddin, përgjithësisht i njohur me nofkën
Rumi, kurse në mesin e ithtarëve dhe simpatizantëve i quajtur
edhe Meulana (mësuesi ynë), është lindur në Belh, në provincën
Horasan, qendër intelektuale dhe djep të kulturës dhe civilizimit
persian, në vitin 1207.
Jeta e Rumiut është aq e pasur dhe e ngarkuar me ngjarje të cilat
njëkohësisht zhvillohen në kontekst të dyfishtë kohor: historik
dhe metahistorik, historik dhe legjendar, ashtu që është fare
vështirë që në jetën e tij të dallosh legjendën nga realiteti
historik, dhe e kundërta, aq më parë kur shumë të dhëna mbi
jetën dhe punë e tij merret nga burime që dalin pas vdekjes së
Rumiut, ndërsa bartësit e të dhënave shumë shpesh janë njerëz
identiteti dhe origjina e cilëve nuk mund të konfirmohet lehtë.
Babai i tij gjithashtu ka qenë sufi i shquar, teolog i njohur dhe
mësues shpirtëror, e mbi të gjitha predikues interesant, i cili
kishte tubuar rreth vete një numër të konsiderueshëm nxënësish.
Ishte i njohur me emrin BehauddinVeled dhe me nofkën “Princi
i shenjtëve”. Nga frika prej sulmeve gjithnjë e më të ashpra të
Mongolëve në tokat e Persisë, ai me familje e braktisi qytetin e
lindjes dhe atdheun dhe u nis në drejtim të Azisë së Vogël në
vitin 1219. dhe vërtet, një vjet pas kësaj qyteti i tij u pushtua dhe
u shkatërrua me themel.