Edi (Shejh Musa) Juniku lindi në Gjakovë më 27 prill të vitit 2000. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, si dhe atë të mesme të mjekësisë. Rrjedh nga një familje me tradita fetare, ku fryma e tesavufit islam për shumë breza e ka shoqëruar prej fëmijërisë me emrat e mëdhenj të Junus Emresë, Mevlana Rumiut, Shemsi Tebriziut, Ibni Arabiut e shumë velinjëve të tjerë. Kjo ka qenë dhe arsyeja e frymezimit te tij për shkrimin e librit të tij të parë “Letër Ashku”, që ia dedikoi babait të tij, Shejh Musa Junikut, me rastin e shtatëdhjetë vjetorit të lindjes së tij. Libri përbëhet nga dyzet poezi, të cilat trajtojnë shumë momente e gjendje shpirtërore që Saliku apo Muridi i përjeton gjatë udhëtimit drejt udhës së Hakkut. Po ashtu, disa prej këtyre poezive janë dedikim për babain e tij, udhën e të cilit e ka pasur dhe vazhdon ta ketë admirim dhe pikësynim në jetë. Ai i ndjek studimet në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Filologjik në Departamentin e Orientalistikës, ku u njoh edhe më shumë me poetët e mëdhenj të orientit, të cilet aq shumë i kishte dëgjuar dhe vazhdon me mësimin e gjuhëve të orientit si gjuha turke, arabe dhe ajo perse e osmane. Njëkohësisht vazhdon dhe studimet në kolegjin AAB në Fakultetin Juridik, në degën Juridik i përgjithëshëm. Shumë prej poezive të tij botohen nga shtëpia botuese “Frymëzimi” në revistën Uji.