ABDULLAH KLINAKU-PERIUDHA OSMANE – BASHKËJETESË APO PERIUDHË E ERRËT
Mendimi historik, politik, intelektual e ideologjik gjatë historisë sonë i është nënshtruar ndikimeve të mëdha ideologjike, të cilat e kanë imponuar agjendën e tyre edhe në vlerësimin e dukurive, rrjedhave historike e ngjarjeve politike. Edhe në kontekstin tonë, pra, marrëdhëniet shqiptaro-turke u janë nënshtruar këtyre ndikimeve duke i trajtuar ato herë me pozitivitet e herë me ngativitet. Madje, herë pas here aq thellë ka shkuar mendimi antiturk, me këtë nënkuptojmë edhe antiosman, saqë fqinjët ballkanikë i kanë trajtuar më të afërt dhe kanë nxitur në vazhdimësi lidhjen me ta si aleatë kundër popullit turk/osman. Historia jonë sjell plotë fakte se bashkëngjitja e shqiptarëve me aleancat e mundshme ballkanike kundër Turqisë kanë qenë shumë të dëmshme për shqiptarët.Ashtu siç flasin faktet se fqinjët ballkanikë kanë qenë rrezik permanent për shqiptarët, po ashtu përmes tyre dëshmohet se Perandoria Osmane ka qenë mburojë dhe mundësia më e sigurt për kultivimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe ruajtjen e tij.
Aleancat me popujt fqinjë ballkanikë kanë qenë legjitimim i robërimit tonë. Në fakt, prej vitit 1196, kur ndodhi pushtimi i plotë i Kosovës së sotme nga Serbia mesjetare e deri në vitin 1389 shqiptarët i ishin ekspozuar një sundimi plotësisht konvertues në planin fetar dhe asimilues në atë etnik. Pra, lufta sistematike për asimilimin e shqiptarëve ishte platformë e mirëhartuar nga popujt fqinjë, sllavë e grekë. Janë shumë dëshmi përmes të cilave dëshmohet lufta për asimilimin e emrave latinë (katolikë), toponimeve, riteve e doktrinës fetare katolike, me qëllim zëvendësimin e tyre me doktrinën ortodokse. Ligji i car Dushanit që në fillimin e tij afirmonte synimin e “pastrimit” të fesë së ritit ortodoks nga riti katolik latin. Sipas burimeve kishtare serbe, Dushani gjatë viteve 1334-1336 kishte ndërmarrë një fushatë të egër të spastrimit të shqiptarëve të Dardanisë duke tentuar që t’i sllavizojë.
Krahas dhunës sistematike, përpjekjes për asimilim, luftës ndaj shqiptarëve e përpjekjes për dëbimin e tërësishëm të tyre, bashkëpunimi me sundimtarët osmanë ishte më se normal dhe i mirëpritur.
Në bazë të kësaj, rrjedhimisht historia shqiptaro-turke nis që nga viti 1371, përkatësisht që nga 26 shtatori i vitit 1371, kur trupat osmane nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë, Lala Shahin asha, korrën një fitore të rëndësishme ndaj trupave serbe në betejën e Çirmenit, pranë lumit Maricë. Në këtë luftë u vranë despotët serbë Uglesha dhe Gojko, gjithashtu u vra edhe vëllai i tyre, kral Vukashini. Pas kësaj disfate të thellë të kral Vukashinit dhe aleatëve të tij ballkanas, viset e rrafshit të Dukagjinit me qytetet Prizren dhe Pejë, deri në Krivarekë të Novobërdës, hynë nën sundimin e Balshajve. Balshajt dëbuan prej viseve lindore të Kosovës knjazin serb Llazar Hrebelanoviq, i cili zhvendosi selinë e tij në Krushec. Edhe selia e patrikanës serbe asokohe nga Peja qe vendosur në Zhiqë, aty ku edhe ishte para pushtimit të Kosovës.
Derisa jemi në këto vite historike që nisin të ndjekin një dinamikë të re ndryshimesh deri në vitin 1389, princërit shqiptarë herë pas here nisin bashkëpunimet me ushtrinë osmane, bashkëpunime të cilat ishin të vullnetshme dhe kishin synime për luftimin e rivalëve të tyre në atë kohë. Gjatë kohës së Muratit I, osmanët nuk ndërmorën ndonjë nismë që të shtinin në pushtetin e tyre Shqipërinë dhe Epirin. Megjithatë ata u ftuan nga princërit e këtyre vendeve. Despoti i Janinës, Tomasi, në vitin 1382 kërkoi nga osmanët ndihmë ushtarake kundër suliotëve. E dy vjet më vonë, pas vdekjes së Tomasit, shqiptarët me ndihmën osmane e rrethuan Janinën. Lufta civile, që u shkaktua nga e veja e Tomasit, u hapi rrugë osmanëve që të depërtonin deri në Gjirin e Artës. Të njëjtin bashkëpunim me ushtrinë osmane e kishte pasur edhe Karl Topia kur në vitin 1385 kishte kërkuar ndihmën e osmanëve për të sulmuar Balsha II, i cili ishte dëbuar nga Durrësi.
Këto bashkëpunime të herëpashershme të shqiptarëve me Perandorinë Osmane ishin njëfarë paralajmërimi se mund të ndodhte sundimi i të gjitha trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane. Ky bashkëpunim i herëpashershëm spontan e në lidhje interesash midis disa princave shqiptarë me ushtrinë osmane ishin fillet e bashkëpunimit shqiptaro-osman / turk.
Kthesa e madhe për shqiptarët ndodhi në vitin 1389, kur nisi sundimi i trojeve shqiptare nga osmanët, pjesë integrale e së cilës u bënë edhe shqiptarët. Kosova, përfundimisht dhe tërësisht ka rënë nën pushtetin osman në vitin 1455, kur u sundua nga Sulltan Mehmet Fatihu.
Me rënien e shqiptarëve nën sundimin osman nisi edhe periudha e re e ngritjes për shqiptarët. Kjo ngritje ishte shumë e natyrshme, sepse nisi një histori e re me një sundimtar i cili ishte kozmopolit, shumëkulturor e integrues. Shqiptarët, para ardhjes së Perandorisë Osmane, përveç dhunës sistematike sllave, ishin nën ndikimin edhe të perandorisë bizantine. Pra, një presion i dyfishtë për asimilimin e shqiptarëve. Krahas dhunës sllave e presionit bizantin, perandoria osmane e frenoi procesin asimilues sllav, grek, bullgar dhe bizantin ndaj shqiptarëve dhe kjo duke shkatërruar Perandorinë Bizantine i dha fund presionit të saj asimilues etnik (të ushtruar nga pozita e privilegjuar e sllavëve e grekëve) dhe krijoi mundësinë e çlirimit të përkohshëm të disa territoreve shqiptare, duke e dobësuar mbretërinë serbe, bullgare e greke e frenoi procesin e sllavizmit dhe greqizmit të shqiptarëve, edhe pse nuk e ndaloi plotësisht.
Perandoria Osmane ishte shumë tolerante në pikëpamje etnike. Presioni asimilues etnik osman ka qenë shumë më i vogël në krahasim me presionin e deriatëhershëm sllav dhe grek. Osmanologët perëndimorë dhe studiuesit e nacionalizmit Perandorinë Osmane e njohin dhe e cilësojnë si perandori shumë tolerante në pikëpamje etnike, ajo ishte me tepër një perandori universale, kozmopolite, një bashkësi shumëkulturore dhe shumëetnike që pranonte veten si të tillë dhe nuk përpiqej për unifikimin kulturor.
Po ashtu, Perandoria Osmane ishte shumë tolerante nga pikëpamja fetare, derisa ortodoksizmi i shqiptarëve bëhej me dhunë të egër fizike dhe ekonomike, islamizimi përgjithësisht bëhej mbi baza vullnetare, në praninë e dy dëshmitarëve, të gjykatësit etj., ose edhe nën presion ekonomik ndryshe nga dhuna me hekur të skuqur në fytyrë, konfiskimi i pasurisë dhe shtëpisë së çdo shqiptari nëse nuk konvertohej në ortodoks, sipas Kanunit të Dushanit. Islamizimi i shqiptarëve gjatë kohës së Perandorisë Osmane nuk do të thoshte osmanizim apo turqizim, siç ishte ortodoksizmi, i cili nënkuptonte dhe sllavizim dhe greqizim në të njëjtën kohë.
Perandoria osmane ishte mundësi për shqiptarët për faktin se administrata civile dhe ushtarake në Shqipëri nën Perandorinë Osmane ishte pothuajse tërësisht shqiptare. Kështu që gjatë gjithë sundimit osman u ruajt përbërja etnike shqiptare e tërë strukturës sociale të shoqërisë, si e shtresës drejtuese ashtu edhe shtresës së ulët.
Gjatë sundimit Perandoria Osmane linte të lirë ruajtjen dhe ushtrimin e traditave të vendit, të drejtës zakonore. Që nga shekulli XV e deri në hyrjen në fuqi të Kodit Civil të Ahmet Zogut, të vitit 1929, në Shqipëri vepronin paralelisht dy sisteme juridike, në qytete dhe në rrethinat afër tyre zbatohej e drejta osmane, ndërsa në krahinat autonome në veri dhe në jug të vendit zbatohej e drejta zakonore shqiptare. Zbatimi i këtyre të drejtave në territoret e banuara nga shqiptarët bëhej në mënyrë të pavarur ose me veprim të ndërsjellët.
Marrëdhëniet juridiko-civile në kohën e sundimit osman në territoret e banuara nga shqiptarët janë rregulluar mbi bazën e përkatësisë fetare të bashkëshortëve, bazuar në bashkekzistencën e disa rendeve juridike si:
a) rendit juridik osman, i cili nga ana e tij përbëhej nga sheriati (e drejta zakonore myslimane) dhe e drejta statusore e Perandorisë Osmane;
b) e drejta zakonore shqiptare si dhe
c) e drejta kanonike (kishtare) e ritit katolik dhe atij ortodoks.
Përgjithësisht, edhe gjatë sundimit osman, marrëdhëniet familjare për pjesën më të madhe të popullsisë së besimit fetar mysliman vazhduan të rregulloheshin nga e drejta zakonore, ndërsa e drejta myslimane (sheriati) u zbatua vetëm për një pjesë të shqiptarëve myslimanë, të cilët banonin në qytete ose në fshatra afër qyteteve.
Po ashtu gjatë kohës së Perandorisë Osmane ishte edhe koha kur Shqipëria arriti një zhvillim të rëndësishëm ekonomik deri në shekullin XVIII, të krahasueshëm me rajonet më të zhvilluara të Evropës së asaj kohe.
Perandoria Osmane e ka ruajtur paqen dhe ka nxjerr taksa, por nga ana tjetër ka toleruar dhe ka qenë thellësisht indiferente ndaj dallimeve fetare dhe kulturave mbi të cilat qeveriste. Në këtë kontekst Perandoria Osmane ishte një perandori shumëetnike dhe shumëfetare, në të cilën shqiptarët qenë ndier më të privilegjuar se kurrë, qenë transferuar nga tokat e tyre të ashpra në perëndim të Perandorisë dhe qenë bërë sundimtarë të shkëlqyer. Madje kishte raste kur kishin fituar aq shumë simpatinë e sulltanëve saqë qenë bërë edhe më të fuqishëm se sa vetë ata.
Burime të ndryshme osmane vënë në dukje se procesi i integrimit të shqiptarëve, në jetën politike-shoqërore, ekonomike-shoqërore, administrative, fetare e kulturore në Perandorinë Osmane ka ardhur duke u thelluar sidomos gjatë shek. XV dhe gjatë gjysmës së parë të shek. XVI. Në këtë periudhë kemi një numër të konsiderueshëm shqiptarësh të krishterë, të cilët u bënë pjesëtarë të formacioneve të ndryshme ushtarake dhe paraushtarake osmane dhe morën pjesë në luftëra të ndryshme bashkë me ushtarët turq dhe të tjerë, në cilësi të spahinjve, vojnikëve, jamakëve, derbenxhinjve, matrollozëve etj.
Shqiptarët e nisën ngritjen brenda Perandorisë Osmane menjëherë pas vitit 1389. Me të drejtë ish-ministri i jashtëm turk Ahmet Davutoglu, gjatë vizitës së tij në Prishtinë në vitin 2011, në xhaminë e madhe “Sulltan Mehmet Fatih” pati deklaruar se “shqiptarët kanë merita për çlirimin e Stambollit, sepse, nga këtu, pra nga xhamia “Sulltan Murat”, e ndërtuar në vitin 1393, u nisën ushtarë për ta çliruar Konstandinopojën”.
Perandoria osmane nuk ishte institucion vetëm i turqve, por i gjithë klasës sunduese të Perandorisë. Shqiptarët, grekët, boshnjakët, serbët etj. e ndienin si të tyren dhe ishin pjesë strukturale e saj.
Deri në pavarësimin e Shqipërisë nga Porta e Lartë (1912) në pozitën e kryeministrit të Perandorisë Osmane (sadriazem), që është pozita më e lartë shtetërore osmane, pas pozitës së Sulltanit, kanë arritur të ngrihen 44 shqiptarë, në pozitën e shejh-ul-islamit 5 shqiptarë; në pozitën e admiralit të flotës detare osmane (Kapudan-i-derya), 25 shqiptarë. Nga populli shqiptar po ashtu dolën rreth 400 poetë e shkrimtarë, shumë myderrizë, myftilerë, kadilerë, vezirë, pashallarë, velilerë, bejlerbej, myteselimë etj. Numri i kryvezirëve (kryeministrave) shqiptarë, sipas disa burimeve është 33, ndërsa i ministrave është 101. Por, fundja pa marrë parasysh saktësinë e pa e kontestuar, kjo është e vërteta e numrit të madh të shqiptarëve në udhëheqjen e Perandorisë Osmane.
Ferid Pashë Vlora ishte kryeministri i fundit shqiptar, i cili u emërua në këtë pozitë nga Sulltan Abdul Hamidi, duke e shkarkuar Said Pashën, për shkak të mosmarrëveshjes me të për trajtimin e shqiptarëve.
Ne nuk e shohim të kaluarën tonë shpirtërore si të errët e as me shkëputje. Ne besojmë dhe jemi të bindur se shteti mund të fuqizohet dhe të krijojë pavarësi nëse pajtohet me historinë, kulturën, besimin dhe vlerat e popullit të tij.