DRILON RAMABAJA-TARIKATI SAADI GJATË RILINDJES KOMBËTARE SHQIPTARE
1. Disa të dhëna për Tarikatin Saadi
Në mesin e tarikateve të cilat kanë qenë aktive dhe me veprimtarinë e tyre kanë ndikuar në formimin e jetës fetare, kulturore dhe shoqërore në viset ballkanike, në veçanti në shekujt XVIII dhe XIX, është edhe Tarikati Sadi. Tarikati Saadi, është themeluar nga Sadudin el-Xhibavij, sipas të cilit edhe e ka marrë emrin. Ai është lindur në fshatin Xhiba afër Damaskut. Sipas një varianti, ai ka vdekur në vitin 700 H./1300-301), ndërsa sipas një varianti tjetër, në vitin 736 H/133). Sadudin Xhibaviu ishte njëri nga sufinjtë e mëdhenj dhe piranët. Tarikatin e ka marrë nga Shejh Ebu Medjen el Magribiu. Vargu i mësuesve të tij buron nga grupi që lidhet me Xhunejd Bagdadiun, i lindur në Nihavend, vdekur në Bagdad në vitin 910. Gjatë jetës së themeluesit dhe pas vdekjes se tij, tarikati është përhapur në Siri dhe Egjipt, ndërsa në Perandorinë Osmane, Tarikati Sadi ka depërtuar në fillim të shekullit XVIII nëpërmjet themeluesit të degës Vefaijje, Shejh Ebu’l Vefa Shamiut dhe themeluesit të degës Selamijje të këtij tarikati, Sejjid Abdusselam Shejbaniut (v.1165/1751-52).
2. Shtrirja e tarikatit Saadi në arealin ballkanik shqiptar në fund të shek.XVIII – në fillim të shekullit XIX
Në shekullin XVIII, Tarikati Sadi ka qenë tejet i organizuar dhe nëpërmjet katër teqeve kryesore në Stamboll, Tashliburun, Mirza Baba, Kadem-i Sherif dhe Teqenë e Abdusselamit, ka arritur që të zër vend prijës në jetën sufike të Stambollit. Shejhët sadi të cilët kanë qenë postnishin të këtyre katër teqeve, me aktivitetin e tyre dhe me edukimin dhe arsimimin e shejhëve të ri kanë ndikuar në përhapjen e këtij tarikati në shumë vise të Ballkanit. Tarikati Sadi më vonë është degëzuar në dysh: në Ebu’l-vafai (themeluar nga Ibrahim Ebu-Vefa) dhe Abdu’s-selami. Nga dega e Ebulvefainjve është ndarë pastaj dega Axhizinjëve (themeluar nga Sylejman Axhiz Baba) dhe e Harabatinjëve. Dega (kolli) Harabati është i themeluar nga Sheh Sylejman Sabri Veli – Baba Sylejman Vranja, në bazë të të dhënave të cilat burojnë nga individët të cilët kanë pasur kontakt direkt me të, si dhe në bazë të shënimeve nga pasardhësit e tij të mëvonshëm, ishte me prejardhje nga Novobërda (tani Artana) e Kosovës. Sheh Sylejmani nga Vranja është i njohur si udhëheqës i kryengritjes shqiptare më 1830 në Nish dhe më 1844 në Vranjë.
Sadinjtë shqiptarë i përkasin degës Axhizije dhe Harabatije. Nga silsilenameja del se duke filluar nga nipi i Axhiz Babës, Shejh Haxhi Sylejmani kemi një lloj cenimi të autonomisë së degës Axhizije, meqë ky është i pari nga pasardhësit e Axhiza Babës që drejtohet për hilafet në portën e Pirit. Shejh Sylejman Axhiz Baba është themelues i degës Axhizije të tarikatit Sadi dhe njëri ndër poetët sufi të dalluar shqiptarë, që mund të krahasohet me Suzi Prizrenin (vd. 1525). Është lindur në Shkodër. Studimet i ka kryer në Stamboll, ndërsa mësimet speciale nga sufizmi i ka marrë nga shehu i tij Ibrahim Ebul Vefa, nga i cili edhe ka marrë hilafet (diplomë për sheh). Në vitin 1699 a 1700 Axhiz Baba vjen në Gjakovë, ku edhe fillon aktivitetin e tij për përhapjen tarikatit Sadi. Në Gjakovë gjen përkrahje nga familja gjakovare me autoritet dhe ndikim e Adem Pashës, djalit të Mehmet Agës. Adem Pasha ishte nga umeraja shqiptare dhe ka qenë mytesarrif në disa sanxhaqe. Në vitin 1694 ka qenë mytesarrif i Ohrit, në vitin 1696 mytesarrif i Elbasanit, në vitin 1697 përsëri mytesarrif i Ohrit, ndërsa në vitin 1699-700, (kur Axhiz Baba vjen në Gjakovë), Adem Pasha ishte mytesarrif i Shkodrës. Siç mësojmë nga silisilenameja, djali i Adem Pashës, Murat Begu është donatori (vakifi) i Teqes së Madhe në Gjakovë ndërtuar në vitin 1732-1733. Përveç Teqesë së Madhe, në Gjakovë kanë vepruar edhe dy teqe sadije: Teqeja e Zejnelabidinit dhe ajo e Shejh Eminit. Nëpër fshatrat e Gjakovës ka pasur edhe disa teqe sadije, të cilat kanë vepruar në koordinim me Teqenë e Madhe të Gjakovës. Axhiz Baba, para vitit 1730 vendoset në Prizren, duke marrë me vete njërin nga tre djemtë e tij, Vehabin”, ndërsa djalin e madh Danjallin dhe Lutfullahun i lë në Gjakovë. Sheh Danjalli përveç detyrës së shehut ka kryer edhe detyrën e imamit në Xhaminë e Hadimit, kurse vëllai i tij Lutfullahu atë të muezinit. Shejh Sulejmani në Prizren në vendin e quajtur Marash ka ndërtuar një teqe të re dhe për nga ana arkitektonike mjaft të bukur. Teqeja është rrënuar në vitin 1950 nga ana e sistemit komunist. Sot në vendin ku ka qenë teqeja, në Marash, në pjesën e pasme të Xhamisë së Maksut Pashës është Tyrbeja e Shejh Sulejman Axhizi Babës. Në Tyrben e Axhizi Babës ka një mbishkrim (kitabe) i cili në përkthim të lirë ka këtë kuptim:
“Shejh i përsosur, pir i takuar me Zotin dhe pasqyrë e reflektimit
Gjegjësisht Sulejman Efendiu është absorbues i sekretit të shkrirjes në Zotin
Shejh i vetëm i kohës së tij në shkencë dhe urti
Ruajtës i sekretit trashëgues i diturisë së pejgamberit të madh
Me përkujtim dhe meditim bëri lutjet Sadijje
Derisa arriti dhe njohu sekretin e Sadeddinit
Pasi u zbrit ajeti “Çdo gjë që është në të, është kalimtare”
Ai priste fjalën “kthehu tek Unë” me dëshir të plotë
Në fund e tërhoqi kah Vetja dashuria e të Dashurit
Ja Hu tha dhe u transferua në botën e përhershme dhe absolute
Zogu i shpirtit rrëshqiti prej trupit dhe me kënaqësi fluturoi andej
Sinqeriteti i tij e bëri të afërt me urdhrin e Zotit. Viti 1160\1747”
Në qytetin e Nishit halifi i Axhizi Babës, Shejh Mehmet Harabati Baba (v.1169/1755- 56), ka ndërtuar një teqe sadijje. Gjithashtu edhe Vranja dhe Leskoci kanë qenë dy qendra në Serbi në të cilat kanë vepruar sadijtë. Në viset shqiptare tarikati Sadi ëshë përhapur nëpërmjet Sulejman Efendi Shkodranit.
Sulejman Efendi Shkodrani, i njohur me nofkën “Axhizi”, ka lindur në Shkodër dhe pas mësimeve të para të fituara në vendlindje ka shkuar në Stamboll ku ka kryer medresenë dhe më vonë ka hyrë në tarikat, duke marrë dorë prej Shejhut Ibrahim Ebu’l-Vefa, i cili njëkohësisht është edhe themeluesi i degës Vefaijje të këtij tarikati. Axhiz Baba ka vdekur në Prizren dhe është varrosur në Marsh. Lidhur me datën e vdekjes nuk ka pajtim ndër biografët e tij. Mehmet Tahir Bursalliu mendon (gabimisht) se ai ka vdekur në vitin 1738 Në këtë autor mbështeten edhe Hasan Kaleshi e Xh. Çehajiçi.
Në të dyja silsilenamet thuhet se ka vdekur në vitin 1748-1749. Ndërsa në kronogramin e shkruar në formë të levhas në tyrben e tij, thuhet se ka vdekur në vitin 1160 H. / 1747, që mendoj se është më i saktë. Axhiz Baba ka qenë një poet i talentuar dhe i frytshëm. Ka lënë dy Divane, njëri ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ndërsa tjetri në bibliotekën personale të Shejh Ruzhdiut në Gjakovë. Divanin e dytë e ka kopjuar Murteza Sukuti Baba në vitin 1262 H./1845-1846, i cili po ashtu ka qenë poet. Divani që ruhet në fondet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ka poezi në të tri gjuhët orientale-islame, kurse divani tjetër është në gjuhën turke të vjetër. Përveç dy divanëve, ai ka lënë edhe një vepër mbi tesavufin përkatësisht gnostikën, që quhet “Arifane” dhe ruhet në bibliotekën Atik Valide në Yskydar. Axhiza Baba është autor dhe i disa trajtesave të cilave iu kanë humbur gjurmët.
Teqe e rëndësishme dhe gjithsesi me ndikim ka qenë teqeja e rendit sadi e sheh Eminit në Gjakovë. Teqeja e sheh Eminit është njëra nga më të bukurat në këtë pjesë të Ballkanit. Gabimisht është thënë se kjo teqe është themeluar në gjysmën e dytë të shekullit XIX, siç është shënuar në librin Starine Kosova (VIII, Prishtinë, 1987, fq. 74). Teqeja e sheh Eminit është e sigurt se është themeluar në shekullin XVIII, jo shumë kohë pas Teqesë së Madhe të Gjakovës. Kjo më së miri shihet nga renditja e shehëve të kësaj teqeje, siç është: sheh Zejnulabidini (ka vdekur më 1768/1769), sheh Mehmedi, i biri i Zejnulabidinit (ka vdekur më 1798/1799), sheh Emini (ka vdekur më 1811), sheh Hamdiu, i biri i sheh Eminit (ka vdekur më 1917/1918), sheh Shukriu, i vëllai i Hamdi babës (ka vdekur më 1940), sheh Zija baba, i biri i sheh Hamdi babës (ka vdekur më 1945), sheh Abdyl Shehu, sheh Ruzhdiu (eprori i tanishëm i teqesë).
Përveç rëndësisë kulturore dhe fetare të këtyre teqeve të rendit sadi, teqeja e Axhizebabës në Prizren dhe teqeja e sheh Eminit në Gjakovë kanë rëndësi historike dhe shoqërore, sepse aty janë mbajtur mbledhjet e rëndësishme të Lidhjes së Prizrenit. Për nga vjetërsia dhe ndikimi i gjerë, p.sh. në veri të Shqipërisë, është shquar teqeja e Sheh Banit në Gjakovë, të cilën e udhëheq profesori sheh Neki Shehu. Teqeja e sheh Banit, e sheh Eminit dhe Teqeja e Madhe në Gjakovë kanë ndikuar dukshëm në zhvillimin dhe zgjerimin e rendit sadi dhe teqeve të këtij rendi në Shqipëri.
Në Gjilan ekziston teqeja e sadive. Afër teqesë është edhe tyrbja ku janë varrosur tre shehë (Rrahimi, Emini dhe Tefiku) dhe dy vekilë (Jusufi dhe Ibrahimi). Ndërtesa e teqesë është përdhese dhe ka semahanen. Më herët e ka pasur edhe mejdan-dhomën (lokalin për ulje, për biseda të dervishëve dhe për pritje të mysafirëve). Teqeja është themeluar viteve të tetëdhjeta të shekullit XIX.
Gama e hierarkisë së rendit sadi në këtë territor të Kosovës, Serbisë e Maqedonisë, duke filluar nga shehu i Teqesë së Madhe të Gjakovës është si vijon: sheh Shefketi nga Teqeja e Madhe në Gjakovë, Hasani në Leskovc, Sulejmani në Vranjë, Xhaferi në Shkup, Huseini në Nesalcë, Teufiki në Gjilan. Shehu i teqesë së Gjilanit (Alihajdar Shehu) ofron një pasqyrë dhe një renditje tjetër, sigurisht më precize të shehëve të kësaj teqeje të vetme në Gjilan. Këta janë: shehu i parë, Islami, themelues i teqesë, i dyti, sheh Rrahimi (i varrosur në tyrbe), i treti është sheh Emini (gjithashtu i varrosur në tyrben sadi të Gjilanit), i katërti është shehu shumë i arsimuar, Hajdar efendiu (i cili më 1924 është shpërngulur në Turqi), i pesti është vekili Ibrahim nga Leskovci (i cili ka ardhur sipas rekomandimit të sheh Muharrem Mitrovicës), i gjashti, deri më 1975, është sheh Tefik Mustafa (i cili po në këtë vit ka vdekur). Dhe i fundit është sheh Alihajdari (i cili ka vdekur ne vitin 2006).
Një teqe tjetër, sigurisht e kohës së vjetër, është teqeja e rendit sadi në fshatin Nesalcë (Komuna e Bujanovcit). Eshtë më e saktë e dhëna se teqeja ekziston prej gjysmës së parë të shekullit XIX. Sipas sheh Alihajdarit kjo teqe e rendit sadi ekziston afërsisht që nga viti 1850. Mirëpo, duke u nisur nga faktet se themelues i teqesë është sheh Hysein Prishtina, i cili hilafetnamen e ka marrë nga sheh Sulejmani i Vranjes, mund të paramendohet se teqeja ka ekzistuar disa dekada (ose së paku disa vite) në gjysmën e parë të shekullit XIX. Teqeja i përket kollit harabat të rendit sadi. Ka qenë nën patronatin e teqesë së Vranjes. Themelues i degës harabat është sheh Sulejmani nga Vranja, i cili është i njohur si udhëheqës i kryengritjes shqiptare më 1830 në Nish dhe më 1844 në Vranjë. Nipi i sheh Sulejmanit ka qenë sheh Xhaferi nga Shkupi, i cili ka qenë sheh meshajih (sheh i shehëve) dhe krahas kësaj edhe revolucionar i shquar. Ka jetuar deri më 1924.
Në Kamenicë të Kosovës gjithashtu ekziston zavia, e cila është zhvilluar nga teqeja Ramabaja, përkatësisht Kitka afër Hogoshtit. Zavia edhe sot funksionon. Themelues i zavies (teqesë), siç e mbajnë mend të vjetrit e kësaj ane, është sheh Ahmed Efendiu, me fakultet të kryer, i cili më heret kishte qenë kadi dhe myfti në Sofje. Hilafetnamen e ka marrë te sheh Sulejmani i Vranjes. Këtu kanë punuar: sheh Idrizi (hilafetnamen e ka marrë në Shkup te sheh Sherifi, babai i sheh Xhaferit). Pas sheh Idrizit ka ardhur sheh Hyseini, i biri i tij. Edhe ky hilafetnamen e ka marrë te sheh Xhaferi në Shkup. Pas sheh Hysenit ka ardhur sheh Sabedini, i biri i sheh Hyseinit (hilafetnamen ky e ka marrë te sheh Hyseini i Nesalcës). Shehu pasues është sheh Bejtushi, i biri i Dervish Muratit (hilafetnamen ky e ka marrë nga sheh Alihajdari në Gjilan). Ashtu si edhe në meset e tjera, disa nga sadinjtë e kësaj ane (të Gjilanit, Bujanovcit dhe Preshevës) dhe të qendrave të tjera sadi me ndikim (p.sh. në Shkup) janë shquar si hartues të ilahive. Ilahi kanë shkruar: sheh Xhaferi e sheh Sulejmani nga Vranja (në gjuhën shqipe dhe turke), sheh Hajdar efendiu e dervish Sulejman Ashki nga Presheva e të tjerë. Teqetë e rendit sadi në rajonin Gjilan-Bujanovc dhe Preshevë rrjedhin nga Nishi. Themelues i sadive në Nish ka qenë sheh Sulejman Axhize-baba. I pari sheh në Nish ka qenë sheh Mehmet Harabati baba, i cili është varrosur në Nish më 1169 h. (g.1755-1756). Hilafetnamen e ka marrë në Prizren te Axhize baba. Qendra tjetër është Leskovci, në të cilin, përveç teqeve të tjera, nga vitet e tridhjeta të shekullit XIX ka vepruar kryesisht Teqeja e Madhe. Këtu janë varrosur një numër i konsiderueshëm i shehëve të këtij tarikati, nga vende të ndryshme. Në vitin 1873 është shquar Vranja, kurse prej këtij viti qendër e sadinjve bëhet Shkupi. Teqe Sadijje në Kosovë ka pasur edhe në fshatin Marevc të Gollakut.
Tarikati Sadi në Maqedoni ka depërtuar në fund të shekullit XIX me emigrimin e banorëve muslimanë të Vranjes dhe Leskocit prej Serbisë Jugore dhe vendosjen e tyre në Maqedoni. Vefa Baba kishte ardhur së bashku me emigrantët dhe në lagjen “Tabhane” të Shkupit ka themeluar një teqe Sadijje. Muridët e Shejh Axhizi Babës Tarikatin Sadi e kanë bartur edhe në Shqipëri dhe kanë themeluar teqe në Leskovik, Tepelenë, Gjirokastër, Tiranë, Tropojë, etj.