RREZARTA MORINA-VËSHTRIM STRUKTURAL: “LEGJENDA E VETMISË” – POLIEDRIZMI INTERTEKSTUAL E REFERENCIAL
Si kundërvënie ndaj pikëpamjeve teorike tradicionale dhe natyrës e trajtimit të tyre pozitivist në interpretimin e veprave letrare, krahas letërsive evropiane, strukturalizmi gjeti përhapjen edhe në letërsinë shqipe, si një pikëpamje teorike që u përqafua nga kritika e gradualisht edhe nga autorët, të cilët, sidomos në bashkëkohësi nisën ta theksojnë primatin e strukturës. Për një letërsi në të cilën rrethanat e konteksti historik kanë imponuar një histori të gjatë të aplikimit të poetikës esencialiste sipas strukturalizmit, vetëm kapërcimi në periudhën moderne e veçanërisht atë postmoderne të shqipes ka derivuar vëmendjen drejt strukturës dhe poetikës kondicionaliste.
Si autor i përfshirë në rrjedhat e postmodernizmit, Ridvan Dibra dhe opusi i tij krijues, duke thyer doksat e shabllonizimet letrare shqiptare kanë ofruar modele në të cilat vihen në spikamë mekanizmat e strukturalizmit. Mbështetja në kornizat herë tradicionale shqiptare e herë religjioze vetëm si frymë dhe intertekstualitet, por tejkalimi dhe transformimi i tyre në ide si autentiticitet hipertekstual i kanë dhënë poetikës së Dibrës një natyrë kondicionaliste, dhe pavarësisht përfshirjes brenda një rryme letrare edhe me autorë tjerë, kanë përcaktuar vulën autentike të Dibrës si krijues.
Mbi të njëjtën logjikë të autenticitetit hipertekstual si mbështetje në oralitetin shqiptar e literaturën evropiane, por që rigjeneron e transformohet në ide, del edhe teksti “Legjenda e vetmisë”. Mbi një rrjet arkitekstesh si arkitektonikë e romanit, për më tepër mbi vetë derivimin e ideve e motiveve të trajtuara që herët në literaturën ndërkombëtare e tradicionale shqiptare, Dibra krijon identitetin e vet letrar duke ndërtuar një strukturë tekstore që derivon polisemantikë e poliedrizëm prizmash. Siç e thekson edhe vetë në parathënien e tekstit, se është një tekst njëkohësisht për lexuesin e rëndomtë e lexuesin që depërton përtej denotacionit, brenda këtij teksti Dibra ndërfut double-codingun e Ekos dhe ndërton një strukturë të thjeshtë, por komplekse në ide njëkohësisht, për ta rreshtuar këtë tekst vetëdijshëm në gjirin e teorisë strukturale.
Dekodimi struktural e semiotik
Si shenja dhe kontakti i parë i lexuesit me veprën, titulli i këtij teksti është një projeksion i ngushtë sugjestiv që krijon një ide themelore për binomin formë – përmbajtje. Etiketimi i tekstit si “Legjenda e vetmisë” është një kontakt i parë me formën (legjendën) dhe manifestimin e saj si arkitekst dhe përmbajtjen – si manifestim i idesë që shtron teksti. Që në krye, kjo sintagmë emërore, krijon një ide themelore për lexuesin, i cili arrin ta deshifrojë se aplikimi i nominativës legjendë hap mundësinë që teksti të jetë i ndërtuar mbi një legjendë ose ta ketë formën e një legjende, pra një prefiks, truall intertekstual oral; në anën tjetër, përcaktori vetmi është shenjëzim i vetmisë si ide që hipotetikisht shtrohet në vepër. Mbi këto dy elemente që shpërfaq titulli, teksti për lexuesin kthehet në një dejavu që nis dekodimin me mënyrën se si shtrohen dhe modelohen shenjat që shtrihen në tekst, dy shenja kruciale prej të cilave veçse reflektohen në titull.
Ideja e vetmisë që shenjohet në mënyrë eksplicite në titull si hipotezë e mundshme, në situatën iniciale me të cilën hapet teksti nis artikulimin nëpërmjet toposit, simboleve dhe pozicionimit e marrëdhënieve me të cilën vendosen midis vete. Situata iniciale në të cilën ekspozeu i tekstit vendos protagonistin Balë në një topos si pylli, me elementin e gurit duke ia kundërvënë përballë livadhin e mbushur me bashkëmoshatarë, brenda kësaj mizanskene nis gradual të vetmisë. Botës së zhurmshme dhe aktive që simbolizon loja e të rinjve në livadh dhe vetë gjallërisë që simbolizon livadhi, i vihet si kundërpeshë misterioziteti, fshehtësia dhe vetmia e pyllit, ftohtësia që simbolizon guri dhe që të dy këto elemente të vëna bashkë si toposi ku kalon kohën protagonisti bëhen shenjim eksplicit i vetmisë.
“Se çdo moshë ka lojnat e veta”, flet Bala me Gurin e Zi, mikun e tij të vetëm tash dhjetë vjet. – thuhet në pjesën ekspozicionale të tekstit, me ç’rast strukturalisht imponohet informacion që jo vetëm se sforcon vetminë fizike të protagonistit (protagonistit i vihen përballë bashkëmoshatarët, mirëpo ai megjithatë bisedon me një gur, çka nënkupton vetminë, por edhe një mospranim, refuzim të realitetit dhe shoqërisë), por sinjalizon edhe një të kaluar më ndryshe, përcaktimi rrethanor kohor para dhjetë vjetëve që përmendet në sentencë është kufiri i një jete ndryshe, një identiteti ndryshe dhe si rrjedhojë është e natyrshme stisja e evokimit në tekst, për të kërkuar rrjedhojat e vetmisë. Ndaj, situata iniciale që prodhon vetminë si pasojë të temporalitetit aktual të protagonistit, nis artikulimin për të kërkuar shkakun, kështu në tekst gërshetohet multitemporaliteti (loja me kohën) që manifestohet si analepsë e shkallëzuar që evokon kujtimet dhe jetën e protagonistit që ecin prapa në kohë. Koha kur nis situata iniciale reprezenton Balën në moshën 18-vjeçare, që është edhe koha aktuale e tekstit, mirëpo përtej mizanskenës hyrëse si situatë iniciale, mosha e Balës zbret gradualisht gjer në moshën 8-vjeçare që bëhet pika kufitare ku ndërpritet zbritja e analepsës për t’u ngjitur gradualisht prapë në kohën aktuale të tekstit. Përgjatë kësaj zbritjeje graduale të moshës së Balës, enigma e vetmisë bëhet e qartë, shpërfaqen shkaqet e vetmisë dhe bashkë me vetminë ngjizet edhe opusi ideo-tematik eros-tanatos-hakmarrje.
Përballë Balës introvert që e shfaq situata iniciale, evokimi derivon një Balë ekstrovert e social me familjen e rrethin shoqëror: Deri para dhjetë vitesh kishte pasur shumë shokë. Ashtu siç kishte pasur edhe një babë – pohimi i asaj që kishte pasur Bala nëpërmjet selektimit të një kohë të kryer, tregon mungesat e së tashmes, por përpara shokëve të cilët lexuesit i servohen në fillim të tekstit dhe si të tillë nuk dalin si mungesë fizike por distancim fizik, figura e të atit mungon dhe prej këtu nis dekodimi i faktorit elementar të vetmisë. Mungesa fizike e figurës së babait nxit strukturalisht një shtresë të re të evokimit: kujtimeve me të atin, si rrjedhojë edhe kjo mungesë fizike përkthehet në mungesën shpirtërore. Komunikimi përmes pikturave, shëtitja në pyll, manifestimi i formave të ndryshme të afeksionit fizik, për më tepër ftohtësia e relacionit me të ëmën prodhojnë një intimitet të thellë sa fizik e shpirtëror mes Balës dhe babait të tij. Këtu nxjerr krye ideja e erosit, mirëpo jo thjesht në konturat e një erosi familjar, intimiteti që përshkruhet mes Balës dhe më vonë influenca destruktive që sjell vdekja e të atit te Bala shenjojnë një konotacion përtej thjesht figurës së të atit. I ati i Balës del një plotësim shpirtëror dhe vetë Bala – i ati dalin një përmbushje e njëri – tjetrit, (një dejalu e plotësimit shpirtëror që depërton si ide letrare që nga Epi i Gilgameshit e rigjenerohet edhe në kohët moderne), edhe informacioni plotësues se nuk është Bala i biri biologjik i atij që e mban për baba, në rrafshin denotativ inicon tradhtinë dhe përbuzjen e nderit e moralit, mirëpo në rrafshin konotativ, përforcon idenë se bëhet fjalë për një shenjë që kapërcen lidhjen e gjakut, dhe në vend të saj transformohet si pjesë identitare dhe ontike e personazhit.
Mizanskena e vdekjes së të atit është edhe strukturalisht strumbullari mbi të cilën lind ideja e vetmisë si një trajtë rudimentare, por që amplifikohet, manifestohet në disa forma deri në tëhuajësimin e plotë të protagonistit prej shoqërie. Në ditët e para pas vdekjes së atit, Bala qe ndjerë thjesht i mpirë. Në një ekzistencë të çuditshme, kur dukej se gjallonte vetëm trupi, ndërsa gjithçka tjetër – dëshirat, qeshjet, lotët, lodrat, fantazitë…ishin zhbërë e zhdukur s’di se ku – ndarja me të atin është faza e parë e formimit të rrethit të vetmisë që nis prej individit, mpirja trupore e Balës është mpirje shpirtërore që shtrihet strukturalisht nëpër kapitujt tjerë. Çdo kapitull i tekstit, ku ende vazhdohet natyra evokuese e memoareve, shtron një distancim të Balës dhe bëhet shenjim i zgjerimit të vetmisë: nën akuzat e një imoraliteti familjar Bala heq dorë nga shkolla, heq dorë nga librat, heq dorë nga e ëma dhe shtëpia dhe gjithë ky gradacion struktural bëhet gradacion përmbajtësor përmbi të cilin vetmia zgjerohet si introvertizëm shoqëror, për të kaluar në introvertizmin intelektual dhe së fundmi atë familjar, si tëhuajësim dhe refuzim kategorik.
Brenda kompleksit të këtij refuzimi shoqëror, jo rastësisht struktura e tekstit nxjerr toposin idilik – Pyllin e Bjeshkës. Pylli i Bjeshkës që si shenjues mund të interpretohet edhe si Bala i të atit (pra, një topos ku reflektohet fuqia e lidhjes mes Bales dhe figurës atërore, simbolikisht vetvetes, unit nëse merret parasysh ideja që ati është simbolikë e unit njerëzor) është toposi brenda të cilit kryhet kërkimi dhe kthimi drejt vetes. Largimi i Balës nga shtëpia dhe ikja drejt pyllit shenjon një polisemantikë kontrastive: pylli si intensifikim i vetmisë, me ç’rast pylli kthehet në kufirin ku mbaron shoqëria dhe bota njerëzore për Balën; pylli si gjetje e vetvetes, me ç’rast bëhet toposi ku realizohet përmbushja e identitare e Balës nëpërmjet evokimit të kujtimeve me të atin; pylli si rrëshqitje drejt së vërtetës dhe përballje me realitetin, si rrjedhojë brenda pyllit Bala bëhet i vetëdijshëm për vrasjen e të atit – mizanskena onirike ku shfaqet vrasja e të atit prej fqinjit e që prodhon si dejadi një mizanskenë të trajtuar edhe më herët në letërsinë evropiane (referenca shekspiriane e Halmetit), nxitë shfaqjen e motivit të gjakmarrjes. Figura e të atit edhe një herë bëhet katalizatori kyç i determinimit të fatit të protagonistit, që tash prej izolimit e shtyn drejt integrimit në shoqëri, por me një kauzë – të marrjes së hakut (hipotetikisht të konfirmimit të vetvetes), sepse marrja e hakut bëhet element që provon jonaivitetin e protagonistit, gjakmarrja bëhet konfirmim i vetvetes prej protagonistit)
Strukturalisht krijimi i distancës Balë – shtëpi transformohet në afri ani pse intencionale, por që intensifikon praninë më të madhe të dialogut në tekst, teksa intensifikohen edhe marrëdhëniet mes Balës, nënës e fqinjit si mjet për realizimin e gjakmarrjes.
Gjakmarrja që në rrafshin konotativ u tha se mund të shihet si afirmim i vetes para tjerëve, artikulohet si dështim dhe strukturalisht si suspansë për lexuesin, i cili sipas doksave letrare (rastit të Hamletit) prej të realizohet. Por, kjo thyerje e doksës i atribuohet linjës së hollë filozofike që inicon autori përgjatë gjithë romanit: Bala jo vetëm që nuk merr hak për vrasjen e të atit, por verbohet eksplicisht nga fqinji – njerk e në mënyrë implicite nga e ëma dhe ironikisht i verbër merr pjesë në dasmën e tyre.
Bala tash është qorr.
Por ani: të verbër shokët e pranojnë.
Edhe ai nuk ndihet aq i vetmuar si dikur. – është mbyllja e tekstit, një situim kontrastiv me fillimin: një Balë i vetmuar, por i shëndoshë në fillim të tekstit dhe një Balë i pranuar nga shoqëria, por i verbër në fund të tekstit është rrjedha filozofike në të cilën pavarësisht denotacionit të vetmisë, hakmarrjes, del natyra filozofike e tjetërsimit të vetvetes për t’u pranuar nga tjetri. Verbimi i syve që derivon nga tradita e lashtë si pjesë e oralitetit shqiptar e botëror është nënshtrim. Sytë shenjojnë njohjen eksplicite të botës, mbyllja simbolike e tyre është mosnjohje, padituri, nënshtrim dhe para së gjithash dobësi, ndaj pranimi i Balës prej shokëve, familjes atëherë kur verbohet është shenjë e pranimit prej shoqërisë në gjendje të mëshiruar, nën inferioritet të plotë.
Gjithë modelimi strukturor i tekstit i stisur midis semiozave botanike (pyllit, bjeshkes, gurit, livadhit), biologjike (syve), antropologjike (figura e të atit) ka lejuar derivimin e një morie motivesh ontike si motive parësore denotative, por që në thelb reflektojnë një odisejadë dhe luftën e njeriut që të mbijetojë në një shoqëri si un, individualitet.
E brenda gjithë kësaj odisejade, lexuesi gjen vetminë si idenë primare që shfaqet në tekst, por që amplifikohet duke u manifestuar në dy trajtat themelore: distancimin nga shoqëria si tëhuajësim që prek të gjitha rrafshet shoqërore (familje-shoqëri) e ontike (intelektuale e erotike); tëhuajësim nga vetvetja që manifestohet krejt në fund si përhumbje e vetvetes për t’u pranuar nga tjetri. Megjithatë që në të gjitha trajtat përjetohet si mungesë spirituale e figurës së të atit, që derivon këtu binomin ideor eros – gjakmarrje. E derisa erosi manifestohet si një shpërthim kontradiktor midis shpirtërores që simbolizon i ati dhe trupores, epshores që simbolizon episodat e paraqitjes të së ëmës e Martës, gjakmarrja inkuadrohet si ideja, mjeti ideor konotativ i gjurmimit të së vërtetës, për të atin, për vetveten. Ndaj, gjithë arsenali ideor që prezantohet përgjatë tekstit është rruga drejt zbulimit të odisejadës njerëzore që u përmend, ku e vetmja mënyrë për të mbijetuar në shoqëri është tjetërsimi i vetvetes dhe mëshirimi prej tjetrit, si ideja themelore e tekstit.
Intertekstualiteti oral si formë, rrëfim, simbolikë
Ideja që del në strukturalizëm se nuk mund të flitet për një vepër që s’është e ndikuar edhe prej veprave tjera apo se vepra vetë në thelb është një rrjet intetekstualitetesh sipas Kristevës reflektohet edhe brenda kësaj vepre në të cilën që në titull ndihet prania e oralitetit shqiptar. Legjenda që është shenja e parë identitare e veprës me të cilën ndeshet lexuesi që në titull, sinjalizon se teksti në fjalë ka në arkitektonikën e vet arkitekstin e një legjende.
“Nana djalin ka qorrue/Me gjaks t’burrit m’u martue” që vendoset si paratekst siç shpjegon edhe vetë autori është derivim i një legjende të moçme, që dëshmon se teksti ka trashëguar shtyllat kruciale të tradhtisë, hakmarrjes, verbimit. Si legjenda, edhe teksti niset nëpër të njëjtën hulli tematike e ideore, mirëpo pjesa linja filozofike që paraprakisht u përmend se lidhet me individin dhe unin e individit del si pjesa hipertekstuale e që manifestohet si origjinaliteti dhe autenticiteti i tekstit. Teksti përdor ide arkaike, që shtrihen edhe në literaturën evropiane, për të artikuluar edhe ide tjera universale me në qendër individin. Në këtë rast, domeni ideo-tematik me ngjyrim të legjendës shqiptare tejkalohet dhe merr natyrë universale, me ç’rast ndonëse shenjuesi Balë është etimologjikisht përcaktim kombëtar shqiptar, fryma e modelimit i jep natyrë universale.
Krahas si formë, specifikat e legjendës manifestohen edhe nëpërmjet mënyrës së të rrëfyerit, ngase pavarësisht kuptimeve konotative që reflekton teksti, rrëfimi mbi të cilin ndërtohet është eksplicit.
Derivuar nga prizmi i një narratori heterodiegjetik, mënyra e të rrëfyerit krijon përshtypjen e një rrëfimi gojor përballë një auditori. Si në legjendat popullore, edhe brenda këtij teksti shkrihet natyra eksplicite, dinamizmi dhe përdorimi rëndom rudimentar i gjuhës. Fjalitë e shkurtra, përshkrimet elementare pa shumë stërhollime, qartësia dhe preciziteti i shkojnë natyrës dhe formës së legjendës që paralajmërohet që në titull. Bala rri vetëm gjithmonë. Edhe pse nuk e pëlqen vetminë. Se është veç 18 vjeç. Shpeshherë struket mbas Gurit të Zi. – kjo thjeshtësi stilistike që e mbërthen tekstin fund e krye e që krijon relacione afrie me thjeshtësinë dhe drejtpërdrejtshmërinë orale, e bën po aq eksplicite receptimin denotativ të semantikës për tipin e lexuesve empirikë sipas Ekos.
Megjithatë, përzgjedhja stilistike e narrative nuk interferon në derivimet konotative që dalin prej tekstit, ngase brenda qartësisë në narracion, teksti integron elemente metagjuhësore që gjenerojnë polisemantikë. Këto elemente metagjuhësore, që në thelb burojnë nga oraliteti popullor, integrohen në tekst nisin që nga emri i protagonistit. Nominativa Balë është specifikë orale shqiptare që integrohet bashkë me frymën e legjendës, mirëpo që mbetet vetëm relikt i një trashëgimie etimologjike shqiptare, teksa ngjyrimi nacional shqiptar tejkalohet dhe nuk merr rol në rrafshin semantik. Prej emërtimit të Balës, elementet e tjera simbolike si Guri i Zi që në tekst besohet se ka zbritur prej qiellit duke e shtuar kështu intensitetin e ndikimit të legjendës, livadhi, Pylli i Bjeshkës bëhen simbole-topos që burojnë nga gjiri i popullit dhe që në tekst integrohen me po të njëjtën frymë dhe specifika eksternale popullore, por që të përshtatura si shenja brenda sistemit letrar, interpretohen si produkte që shkojnë përtej origjinës popullore orale dhe lidhen me vetminë. Guri i Zi që trashëgon në tekst natyrën popullore dhe ruhet si element popullor, duke funksionuar brenda sistemit, identiteti oral del më redundant, më recesiv përpara funksionit të ri që i jep teksti – simbol përmes të cilit përshkruhet vetmia e protagonistit. Edhe simbolet e tjera të kësaj natyre Pylli i Bjeshkës, Livadhi, verbimi i syve të vështruara jashtë sistemit si shenja, theksojnë më tepër tiparet dhe natyrën e tyre popullore, mirëpo funksionimi brenda sistemit, brenda rrjetit tekstor, i bën këto simbole të tejkalojnë përtej natyrës që kanë dhe të veshin një kuptim të ri, duke iu përshtatur linjës së thellë të natyrës filozofike që u përmend më herët. Kjo mbulesë e re semantike që fitojnë këto figura, në dukje shumë eksplicite dhe elementare, siguron kompleksitetin konotativ, për më tepër brenda tyre mishërohet autenticiteti i veprës, që ndonëse si arkitekst ka një formë e përmbajtje ideore të trajtuar më herët, arrin të derivojë një shtresë të re, një formë-përmbajtje të transformuar, rigjeneruar si hipertekstualitet.
Transtekstualiteti: Interferimi i literaturës botërore si referenca e aluzione tematike
Nuk është vetëm integrimi i elementeve popullore kombëtare dhe fryma orale që influencojnë identitetin e këtij teksti. Ideja se tekstet letrare e influencojnë njëra-tjetrën dhe pavarësisht këtij influencimi katalizojnë kuptime të reja përmes hipertekstualitetit funksionon brenda këtij teksti, ndaj vetë “Legjenda e vetmisë” shihet si prototip ku ravijëzojnë gjurmë periudhash letërsish të ndryshme. Gjurmë idesh që nga antikiteti grek, babilonas, humanizmi anglez e spanjoll, romantizmi francez e anglez, modernizmi italian e bashkëkohësia shqiptare reflektojnë si trualli kompleks mbi të cilin Dibra sipërvendos e derivon idetë e veta të gjeneruara dhe me një semantikë origjinale. Tekstet letrare që nga “Orestia”, “Medea”, “Hamleti”, “Epi i Gilgameshit”, “Don Kishoti”, veprat romantike, “Emri i trëndafilit”, “Qorrfermani”, “Pallati i ëndrrave” dalin disa prej referencave letrare që herë si dominante e herë recesive japin impaktin e vet në rrafshin përmbajtësor si pjesë e tematikës, ideve, personazheve e gjer në krijimin e imazheve skenike analoge mes vete, por që edhe brenda këtyre suazave të impaktit, teksti arrin ta shfaqë autenticitetin e vet. Njëkohësisht, diversiteti jo vetëm kohor, tematik, nacional, por edhe ai zhanror me praninë dramë, epikë e lirikë prodhon konceptin e transtekstualitetit si koncept i strukturalizmit.
Transtekstualiteti dramë – roman është më dominanti brenda këtij teksti dhe sjell referencat dominante në tekst në rrafshin përmbajtësor – tematik, në modelimin e personazheve dhe rikrijimin e disa skenave miniatureske, por esenciale për tekstet burimore.
Në rrafshin përmbajtësor, dy vargjet që vendosen në parahyrje, pavarësisht si intertekst i legjendave shqiptare, janë edhe një dejadi e paraqitur që në antikitetin grek me Orestian e më vonë në krijimet shekspiriane si tragjedia “Hamleti”. Fabula rudimentare ku i njohuri vret të atin, e ëma martohet me vrasësin dhe i biri synon hakmarrjen paraqitet që në antikitetin grek, në veprën e Eskilit “Orestia”, ndërkohë që po kjo ide e njëjtë trashëgohet edhe më vonë prej Hamletit, me disa ndryshime esenciale ku i dashuri i huaj i Klitemnestrës del bashkëshorti (kunat) i Gertrudës, dhe ku hakmarrja e Orestit kundrejt së ëmës, te Hamleti përkthehet si urrejtje kundrejt të ungjit. Midis këtyre dy versioneve, Dibra sjell ndryshimet e veta, del përtej duke sjellë fqinjin si të dashur dhe për më tepër duke shkëputur plotësisht lidhjet biologjike mes Balës dhe babait të tij – Bala nuk është i biri, e megjithatë fuqia dhe afeksioni për dashurinë e figurën atërore manifestohet me një intensitet të njëjtë si edhe në dramën eskiliane e hamletiane. Por, në ndryshim prej tyre, pavarësisht dromcave përmbajtësore me fqinjin e lidhjen biologjike që e dallojnë këtë tekst prej dy dramave të përmendura, është edhe zbërthimi semantik dhe konotacioni filozofik që merr lidhja e Balës me të atin, e që shton autenticitetin e veprës. Mbi këtë lidhje filozofike që shkon përtej promovimit të dashurisë familjare sikur në dy dramat antike qëndron edhe hipertekstualiteti i Legjendës, manifestohet origjinaliteti i saj në ide.
Krahas linjave përmbajtësore eros, tanatos, hakmarrje, Orestia e Hamleti krijojnë analogji edhe mbi modelimin e personazheve. Bala, sidomos në fazën e thurjes së hakmarrjes është një paraqitje gati analoge e Hamletit, por megjithatë origjinale. Ndonëse gjendja emocionale e Balës që i imponohet krejt pavetëdijshëm me vdekjen e të atit te Hamleti del si çrregullim psikologjik intencional, por pjesët ku Bala i afrohet familjes me intencën e zbatimit rapid të hakmarrjes është ngjashmëri e çmendurisë intencionale të Hamletit. Të dy funksionojnë mbi logjikën makiaveliane dhe për të dy realizimi i qëllimit të përafërt është thelbësor, dallon vetëm mjeti drejt arritjes së qëllimit, që te Bala është më tepër një çrregullim emocional e te Hamleti një çrregullim intencional mendor.
Analogji midis personazheve shfaqet edhe në modelimin e nënës së Balës, ashtu që Nora e Dibrës del një dejadi kombinim mes Medeas së Euripidit e Klitemnestrës së Eskilit. Analogjia që ndërtohet midis këtyre figurave është e thellë, si rrjedhojë egoizmi që përshkon dy figurat antike – i lidhur ngusht me intencën e realizimit të dashurisë dhe mbrojtjen e krenarisë si grua brumoset thellë edhe në personazhin e Norës. Tradhtia dhe intenca e arritjes së dashurisë edhe përmes një fatkeqësie që e karakterizon Klitemnestrën, trashëgohet edhe te Nora, e bashkë me të ngjizet edhe krenaria prej femre e Medeas, e cila vret të fëmijët në emër të përmbushjes së inatit e hakmarrjes. Mbi këtë logjikë funksionin edhe Nora, ani pse në vend të vrasjes eksplicite, Nora bëhet instrument implicit i verbimit të të birit si formë e rujtjes së nderit e krenarisë, para së gjithash dashurisë përpara shoqërisë (kur dihet intenca hakmarrëse e Balës kundrejt njerkut). Megjithatë, edhe brenda këtyre analogjive, e vendosur brenda sistemit të shenjave, njëjtë si Bala, edhe Nora merr kuptim më simbolik universal duke përfaqësuar prototipin që ka impakt në shkatërrimin e unit të një individi me verbimin që i bën të birit, duke e kthyer në inferioritet përballë supremacisë së shoqërisë.
Influenca e Hamletit të Shekspirit brenda këtij teksti do të shfaqet edhe në formë reminishencash skenike. Tri janë momentumet nëpërmjet të cilave shfaqet koncepti i dejalu-së, teksa vërehet ndikimi eksplicit prej Shekspirit. Ëndrra e takimit me të atin në pyll dhe paralajmërimi se fqinji është vrasësi; fantazma që endet nëpër pyll si aludim për të atin e vdekur të Balës; plani për ta vrarë fqinjin me verë të helmuar – janë tri momentume brenda të cilave frymëzimi dhe impakti prej momentumeve të ngjashme burimore te “Hamleti” është i madh. Megjithatë, përderisa te Hamleti intonohen si pika esenciale nëpër të cilat ecën struktura e tekstit, te Dibra dalin më tepër në funksionin e stolisë (në përjashtim të ëndrrës prej nga derivohet e vërteta për protagonistin), teksa gjithë mesazhi dhe esenca përmbajtësore kodohet në fund të tekstit me procesin e verbimit dhe verbërinë e protagonistit.
Në rrafshin e transtekstualitetit ep – roman, evokohet marrëdhënia e Gilgamesh – Enkiduj te “Epi i Gilgameshit” si një dejalu e marrëdhënies Bala – i ati. Afërsia shpirtërore, përmbushja që i ati shenjon për Balën shihet si evokim analog i përmbushjes që Enkiduji sjell për Gilgameshin (e që më vonë do të trashëgohet si ide edhe te Don Kishoti e Sançoja), ndaj edhe reagimi, revolta emocionale Gilgamesh – Balë shihet si një reagim analog i influencuar nga përhumbja e vetvetes, veçse në përballimin e humbjes qëndron autenticiteti i Legjendës.
Në rastin e influencimit prej teksteve të të njëjtit zhanër roman – roman, influencimi depërton në rrafshin e ideve dhe është i lidhur me dy prej romaneve të Kadaresë dhe “Emrin e trëndafilit të Ekos” që krijon njëfarë dejadie në rrafshin përmbajtësor. Edhe te “Qorrfermani” e “Pallati i ëndrrave” të Kadaresë ekziston ideja e verbimit të individit. Te e para e dhënë në mënyrë më eksplicite me hoxhën që nxjerr sytë e vet dhe te Pallati me nënpunësin që në mënyrë implicite simbolikisht paraqitet i verbuar – nënshtruar ndaj pushtetit, hetohet ideja e njëjtë e semantikës që ka verbimi. Në të tri rastet brenda verbimit mishërohet nënshtrimi i individit dhe tëhuajësimi brenda shoqërisë, pavarësisht konteksteve (rasti i kontekstit politik te Qorrfermani).
Lidhja në rrafshin ideor bëhet edhe me veprën e Ekos, mirëpo brenda këtij rrafshi kalohet në idenë e erosit. Përvoja erotike e Adsonit dhe mënyra e përjetimit e reagimit të këtij të fundit ndaj kësaj përvoje krijon një reminishencë me përvojën erotike të Balës me kamuflazhin e Martës. Reagimet instiktive, naiviteti dhe zgjimi i finesave të kureshtjes që reflektojnë të dy personazhet Balë – Adson krijon një përafrim të psikës, dominimit në botën mashkullore.
Krejt në fund, si lloji tjetër i transtekstualitetit është lidhja me lirikat romantike. Sado që përmes një analogjie më implicite edhe reminishencave të një intensiteti më të dobët, kjo lidhje manifestohet përmes kthimit të protagonistit në natyrë, pra evokimit të konceptit romantik të natyrës. Megjithatë, teksti i Dibrës e bën më kompleks dhe përtej suazave romantike çështjen e kthimit në natyrë, sepse toposi idilik bëhet i dashur për protagonistin jo për shkak të natyrës idilike, mirëpo për shkak të kujtimeve me të atin, pra është vend-përmbushje, reminishencë e personit dhe jo thjesht topos romantik. Brenda kësaj lidhjeje, kultivohet në vija të trasha ideja romantike e natyrës, mirëpo natyra që selekton autori merr kuptim më të sofistikuar filozofik.
Përgjithësisht, ani pse rrjeti intertekstual e referencial që përbën veprën është i gjerë, teksti arrin të ruajë autenticitetin. Trashëgohen e evokohen vijat e trasha ideore, përmbajtësore të influencave në fjalë, mirëpo rigjenerohen semantikisht e strukturalisht duke sjellë një varietet konotacionesh. Mbi një specifikë të tillë që rigjenerimit pavarësisht dendurisë së referencave ndërtohet identiteti poetik i veprës, e bashkë me të edhe i poetikës së Dibrës.
Ndaj, mund të përfundohet se duke vënë në funksion konceptin e bartjes së ideve letrare, duke rrëmuar nëpër tema e ide që qëndrojnë në shtresat primordiale njerëzore, për t’i gjeneruar me një konotacion universal, afirmohet Dibra si individum letrar dhe provohet origjinaliteti i tekstit letrar, që edhe mbi fabula, elemente e forma të njohura gjeneron një ide universale për një individ universal.