LEONORA HAJRA-TIPOLOGJIA E PERSONAZHIT NË ROMANIN “PESË QOSHET” TË MARIO VARGAS LLOSAS

LEONORA HAJRA-TIPOLOGJIA E PERSONAZHIT NË ROMANIN “PESË QOSHET” TË MARIO VARGAS LLOSAS

0 Comments

Tipizimi i personazhit, si kategori relevante në zhvillimin dhe eksplikimin e ngjarjeve që ndërtojnë subjektin e një vepre letrare, ka hyrë për herë të parë si çështje fundamentale në teoritë letrare me “Poetikën” e Aristotelit. Skemat që ka prezantuar Aristoteli këtu kanë shërbyer kaherë si pikënisje për zgjerimin e pikëpamjeve mbi këtë kategori, për ta pasuruar përherë e më tepër figurën e tij me impaktin e konteksteve të jashtme: ideve filozofike, politike, shoqërore dhe konteksteve të brendshme: përjetimeve personale të autorit, deri në modelimin e personazhit si identitet diversiv dhe referencial.

Qenësia e njeriut në një vazhdë kontinuale provokohet nga bota e tij ndjesore me tensionin psikologjik që shkakton ndeshja e internales me eksternalen. Objekt i autorit nobelist Llosës, duket të jetë pikërisht ky eksplorim i njeriut me identitetin e tij, duke sfiduar veten, shoqërinë e tjetrin. Fakti i përzier me fiksionin: ngjarjet historike të letrarizuara në rrugën e servimit të një ambienti represiv (me diktaturën e Fuxhimorit, atentatet, sulmet terroriste) dhe tjetërsimin e individit si kuadro e këtij ambienti (rrëfimi nga perspektiva e viktimës) krahas me ilustrimin e njeriut të apasionuar pas provimit të fantazive epshore dhe divergjimin e tij emocional gjatë këtij eksplorimi përbëjnë topikat që ndërtojnë rrëfimin te “Pesë qoshet”, “Lëvdatë për njerkën” dhe “Festa e cjapit” të Llosës.

“Pesë qoshet” jep tabllonë e një shoqërie elitë që ani pse shquhet me sfidimin e vazhdueshëm nga skandalet e shantazhet, përpiqet ta ruajë identitetin e saj brenda gjithë kaotikës së sistemit në një anë dhe vetë metodat e sistemit për të ruajtur pushtetin duke dhunuar intimitetin e figurave publike servuar si opium për popullin. Romani “Pesë qoshet” si vepër që shpalos gjithë skutat njerëzore shquhet për një diversitet personazhesh që i nënshtrohen një realizimi dinamik gjatë zhvillimit të ngjarjeve, duke dalë nga korniza e potencuar si konservatore, moraliste për të reflektuar karaktere ithtare të erosit, makiavelizmit e idealit të lirisë.

Torza socio-politike determinon raportet kauzale midis personazheve, sado që realizimi i saj nuk ruan strukturën analoge nga kapitulli në kapitull, ku vazhdimisht këmbehen individi, shoqëria dhe sistemi në raporte të ndryshme. Lexuesi përballet me gjithë fytyrat e njeriut si dashuria, nënshtrimi ndaj epshit, servilizmi, refuzimi, kundërvënia, hipokrizia, e që në thelb secila prej tyre shfaq intencën e njeriut për të mbijetuar, sado që rrugët e zgjedhura për të janë të ndryshme.

Prototipi i erosit dhe miqësisë

Observimi me marrëdhënien intime lesbike, me atë bashkëshortore deri në përmasa të orgjive përbëjnë pikat konektive që orientojnë në ndërtimin e prototipit të erosit në romanin “Pesë qoshet” të Llosës. Skena hapëse e romanit që vë në sfond marrëdhënien intime midis dy personazheve relevante të rrëfimit, Marisës dhe Çabelës, paralajmëron intensifikimin që do të marrë zhvillimi i aspektit erotik të personazhit në ngjarjet pasuese. Marrëdhënia midis tyre lind si rrjedhojë e tensionit fizik që rritet me prezencën dhe kontaktin e njëra-tjetrës dhe nevojës e dëshirimit që të eksplorohet më tepër me këtë provokim. Në këtë pikë erosi kultivohet si nevojë fizike, që stimulohet nga diçka e pakontrollueshme, e ndërdijshme, ndaj të cilës personazhet nënshtrohen me implusivitet dhe eufori.

Marisa del si personazh që pavarësisht asaj drojës që i shfaqet në fillim në marrëdhënien e krijuar me Çabelitën, evoulon dhe kalon në një eksploruese të ndjenjës erotike aq sa ta interferojë edhe vetë të shoqin, Kiken në një marrëdhënie triadike, një orgji atipike. Simpatia për Çabelën e kthyer në pasion erotik, xhelozia dhe dashuria për Kiken që stimulohet më tepër nga dëshira e saj që ta ruajë autoritetin në tjetrin, frika se ka humbur këtë prestigj për t’u shndërruar në brinaren më të famshme të Perusë, si pasojë e Kikes dhe orgjisë së Çosikës, dhe tërheqja e Kikes drejt një marrëdhënieje të përbashkët me të dhe Çabelën ndërtojnë atributet themelore të një personazhi në thelb prototip i erosit si kultivim epshor.

Krahas Marisës e cila nuk ka aq frikë që të kuptohet marrëdhënia e saj lesbike, pasi nuk e recepton si tradhti të pastër, por më tepër si një pasurim të jetës së tyre intime, si një marrëdhënie që i bashkërenditet asaj martesore, pa e dëmtuar atë organikisht, Çabela sado që ndërmerr hapin që lidhja e saj me Marisën të kalojë në një domen më realist (udhëtimi në Majami), duke pasur një burrë që e etiketon për konservator rrjedhimisht del si personazh që pushtohet nga frika ( e fut në ankth ideja se Kike mund të dijë për lidhjen e tyre, pjesa e fundit pastaj kur Lusiano insiston që t’u bashkohet në udhëtimin në Majami).

Këto janë personazhe që manifestojnë karakterin e tyre përmes dialogëve eliptik, veprimeve që intensifikojnë adrenalinën pasi janë të prira që të tejkalojnë limitet në marrëdhënie, emetuese të një jete pa ideale ato gjejnë në intimitetin gjallërinë që mungon në jetën e tyre. Nuk mund të thuhet se janë personazhe që i shërbejnë një ideologjie siç janë ato që ndërtojnë raportin me sistemin, më tepër mund të shihen si identifikuese të prototipit që provokon qenien e tij për të eksploruar në instancat më të larta ekstazën trupore, si plotësim i mungesës shpirtëore. Pamja fizike e këtyre dy personazheve derivon portretin estetik të femrës rëndom dhënë përmes finesave shquese në dy identitete: si flokëbjonde me sy të kaltër (Marisa) dhe flokëzezë me sy të zinj (Çabela).

Përtej ndjenjës së tyre erotike, ato kapërthehen edhe me një ndjenjë të miqësisë që shoqërohet me dhembshurinë dhe përkujdesin ndaj njëra-tjetrës. Krahas kësaj ndjenjë që ruan altruzimin dhe një emocion të shkëmbyeshëm, interferimi i Kikes në ketë triadë erotike në esencë njollos veshtrimin e miqësisë si idealitet, pasi raporti që ndërton me Çabelën, do vështruar eksplicisht si tradhti ndaj Lusianos. Kikja me pasionin e tij të shfrenuar për të realizuar fantazitë e tij erotike sakrifikon çdo moralitet: vetë miqësinë e çiltër me Lusianon, në kundërvenie me tensionin e tij psikologjik që rritet nga ideja se Lusiano mund të dijë diçka për marrëdhënien e tyre. Në këto situime ai është personazh kontradiktor i romanit, pasi në qenien e tij frika e humbjes (ndërgjegja ndaj Lusianos) konsumohet nga epshi (fantazitë e tij erotike). Kështu nëse në të parat, Marisën dhe Çabelën erosi shfaqet si plotësim i mungesës shpirtëore, te Kikja shprtërorja ekzistente konsumohet nga fizikja, kërkesat erotike.

Gjithë personazhin e Kikjes e përshkon një intensifikim emocional një un që sfidohet vazhdimisht me tjetërsimin e prestigjit të tij në syrin e tjetrit të identifikuar me shoqërinë. Me të luhet drama e njeriut që i rrezikohet humbja e identitetit, përjetimi ekstravert i kësaj humbjeje dhe rivendosja e harmonisë, relacionit me Marisën. Një episod i së kaluarës: orgjia me jugosllavin Kosut shpërfaq Kiken si një figurë me identitet të dyfishtë: një personazh që përshkruhet me drojën, modestinë e respektin deri në përulësi, krejt paradoksalisht del si një qenie me fantazi erotike, realizimin e të cilave e sheh si përmbushje të një ideali. Antipod i ndjeshmërisë romantike, erosi si ekzotizëm erotik në qenien e Kikes në një persistencë arrin të barazohet me vetë lumturinë.

Infantiliteti dhe makiavelizmi

Një ndër postulatet më eminente të Frojdit lidhet drejtpërdrejt me eksplikimin e infantilitetit si determinues në rrugën e formimit të karakterit të njeriut. Përjetimet e fëmijërisë kthehen në orientuese të njeriut që të kalojë nga pakënaqësia në kënaqësi, nga mungesa në plotësim. Parë nga kjo perspektivë në qendër të romanit “Pesë qoshe” venerohen tri personazhe, karakteri i të cilave është produkt i një fëmijërie të vështirë, reflektuar qoftë përmes mungesave sociale (Rolando Garro, Shkurtabiqja) qoftë edhe me modelimin konservator të familjes (Lusiano).

Rolando Garro përfaqëson një personazh tragjik në thelb, karakteri i ashpër i të cilit është përfitim i një fëmijërie pa prindër, i një jetë të vështirë sociale çka e ka shtyrë përherë që t’i shfrytëzojë edhe mundësitë më të vogla si mrekulli për të dalë nga kriza. Prej kësaj edhe është modeluar si një karakter oportunist, ambicioz e madje gjakftohtë ndaj shpirtit njerëzor. Revolta e tij del përmes rrënimit të idesë së perfeksionimit në jetën e tjetrit. Për dallim prej dy personazheve të para, Rolando si drejtor i një gazete (“Destapes”) që merr vëmendjen e njerëzve përmes publikimit të skandaleve të figurave publike është një personazh me ideale të zgjerimit e fuqizimit të pushtetit. Doktori, përfaqësues i sistemit diktatorial, shfytëzon natyrën e gazetës së Rolandos për të shpërndërruar kështu identitetin e figurave publike me qëllim shpërqëndrimin e vëmendjes së popullit nga kaosi i brendshëm politik. Rjedhimisht Rolando realisht portretizohet si mashë e sistemit totalitar që shfrytëzon gazetën e tij për ta kamufluar identitetin në thelb represiv. Impotenca e tij për ta përmbushur këtë ideal të fuqizimit e shtyn atë që të jetë impulsiv (publikimi i fotografive të Çosikës) dhe për konsekuencë tragjik (vritet makabrisht nga Doktori).

Me revoltën, mendjemprehtësinë e guximin, Shkurtabiqja e Llosës përbën një ndër personazhet më të veçanta të veprave të letërsisë së realizmit magjik. Karakteri i saj i fortë është produkt i raportit të saj me të atin, dëshirimit të saj kontinual që t’i dëshmojnë veten atij e ta bëjë krenar, si shpagim për një jetë të tij plot sakrifica për shkollimin e saj. Në esencë si personazh që tingëllon i ashpër në fillim me servilitetin dhe pasionin me të cilin ndjek urdhrat e Garros, tregon progres duke u bërë personazh kyç në realizimin e rrëfimit në pjesën e dytë të romanit, raporti i saj me Doktorin ka për konsekuencë përfundimin tragjik të këtij të fundit, rrënimin e vetë diktaturës. Kështu në disproporcion me përmasat e saja të vogla trupore, aksioni i saj i guximshëm që dinamizohet edhe më tepër kur vendoset vazhdimisht në përplasje me frikën, pasigurinë e mikut të saj, fotografit Seferino, merr përmasa sublime, madhështore. Ajo ka për idealitet të vërtetën, lirinë e shprehjes pa cenzurim, prandaj edhe përkundër pushtetit që i siguron Doktori-duke e bërë drejtoreshë të “Despates”-zgjedh t’i kundërvihet dhe ta demaskojë sistemin e tij duke rrezikuar qoftë edhe jetën për hir të idealit.

Mendjemprehtësia e këtij personazhi del në aftësinë e saj që situatat e disfavorshme t’i kthejë në terrene të favorshme të gjëllimit të saj. Në momentin kur veçse kataklizmat në jetën e saj duket sikur prekin klimaksin, ajo me një aftësi të pazakontë arrin që të gjejë një rrugëshpëtim, paradoksalisht duke e centralizuar veten jo duke u fshehur. Këtë e provon në dy raste: kur për ta shpëtuar veten nga një fat tragjik si ai i Garros, e bën publike rrezikimin e jetës së saj, për ta penguar tjetrin kështu që të ndërmarrë masa ndaj saj pa rrezikuar lirinë e tij dhe atëherë kur inçizon bisedat me Doktorin dhe arrin që të sigurojë dëshmi për krimet e tij e me këtë si rrjedhojë të çlirohet nga pushteti i tij.

Shkurtabiqja shquhet si personazh i brumosur me një ndjeshmëri romantike. Ajo ruan një dashuri të pastër për Rolando Garron, duke mos i shpalosur kurrë ndjenjat ndaj tij, duke e përjetuar botën ndjesore në introvertizmin e saj. Afeksioni i saj krijon mirëfilli tipin e dashurisë si mirënjohje, vlerësim e admirim, në një anë dhe atë të dashurisë si tërheqje fizike (tensioni fizik që përjeton ajo kur në një çast të dehjes Rolando i afrohet intimisht). Në konkordancë, Rolando Garro dhe Shkurtabiqja janë personazhe te të cilët ambienti ngulfatës, përjashtimi i vazhdueshëm nga shoqëria i ka bërë të egër ndaj tjetrit, vetë jetës, prandaj edhe angazhimi i tyre si gazetarë ka për qëllim që t’i bëjë të prekshëm e njerëzor ato që figura që qëndrojnë në piedestal për shkak të fatit të tyre të mirë o pasurisë.

Rritja e Lusianos brenda një ambienti konservator e ka shndërruar atë në një njeri i cili insiston në mbrojtjen e parimeve etiko-morale, në ruajtjen e një kornize brenda së cilave fushëvepron qenia e tij, pa provokuar limitet e ekzistencës së tij. Në pjesën më të madhe të rrëfimit, identiteti i tij del si antipod i tri personazheve tjera (Marisës, Çabelës dhe Kikes) me të cilët vihet në marrëdhënie, për dallim prej pjesës së fundit ku ai pëson një kthesë dinamike në karakterin e tij.

Relevanca e tij si personazh është se ai bëhet çelës për zbërthimin e një fundi që hipotetikisht mund të duket si i hapur, por realisht është aty i dhënë. Lusiano konservator kalon në anën e erosit, kalon në anën e provimit të epshit, gjë që zbulohet më së miri kur u thotë se do t’ju bashkangjitet edhe ai në përvjetorin e tretë të pushimeve të tyre në Majami. Lusiano emeton tipologjikisht rezultatet e psikanalizës së Frojdit ndaj personazhit produkt të infantilitetit kaotik. Ai del nga mungesa dhe afrohet te plotësimi. Mungesa këtu shenjon jetën e mbështetur në parime e ruajtjen e prestigjit në shoqëri, ndërsa plotësimi kthimi kah vetja, ekzotizmi me qenien e tij.Maksima e famshme e Makiavelit qëllimi arsyeton mjetin, aq shpesh e përdorur si ideostrukturim brenda veprave letrare, gjen zbatim funksional në identitetin e Doktorit. Ky personazh ideoproklamues i sistemit, me përdorimin e metodave sadiste , mbrojtjen me fanatizëm të sistemit si identitet totalitar mbi individin dhe shoqërinë bëhet instalues i kësaj ideologjie. Praktikimi i makiavelizmit, këtu si filozofi që kontrollon natyrën e veprimit të njeriut në shërbim të përmbushjes së idealeve, del si dhunim i identitetit autentik të individit. Në përmbushjen e këtij modelimi autori ndërton një personazh ambicioz e arrogant, të cilit i mungojnë atributet humane si dhembshuria, altruizmi, pasi që gjithçka ia nënshtron përfitimit vetjak të ideologjisë së tij. Ai përdor frikën e fuqinë (dhunën fizike) si instrumente përmes së cilave sistemi luan partiturën e tij të ideuar paradoksalisht si rrugë drejt konstruksionit utopik. Provokimi i tij ndeshet me kokëfortësinë, stabilitetin e individit në idenë e tejkalimit të ambientit të izoluar identifikuar me revoltën e Shkurtabiqes.

 Tragjiciteti i personazhit

Tema e njeriut të përndjekur (gjykuar) pa faj, si esencë për të dhënë transformimin e njeriut brenda sistemeve totalitare, pushtetin e tyre në psikën e njeriut realizuar në një masë sublime te “Procesi” i Kafkës, realizohet edhe te “Pesë qoshet” e Llosës sado që natyrshëm divergjon qasja ruhet esenca e individit viktimë e pushtetit represiv. Huan Peineta, një artist plak që vuan nga sëmundja e harresës, derivon një ithtar të kultivimit të artit të poezisë i cili ndërton një identitet që shpalos tragjicitetin e individit brenda një sistemi e shoqërie hipokrite.

Këtë personazh e karakterizon butësia, ndjeshmëria e altruizmi, si veçori tipike të një apasionuari pas poezisë. Zvetënimi i vlerave të artit në një shoqëri destruktive që ngre në piedestal antivlerat, del si proklamim ideor i autorit më figurën e Huan Peinetës dhe pjesëmarrjesë së tij në shfaqjen komike “Tre hokatarët”. Ky episod evokohet nga narratori i rrëfimit dhe përfton atë luhatjen midis materiales dhe shpirtërores, imponimit që ka njeriu shpesh të dalë nga vetja (shpirtërorja/identiteti sublim i artit) për hir të faktorëve të jashtëm (paraja dhe roli i saj krucial në sigurimin e një jetese më të mirë për gruan e tij).

Huan Peineta, kur flet për rolin e tij si anëtar te shfaqja “Tre hokatarët”, tregon për gjtihë presionin e tij psikologjik, tëhujaësimin nga ndjenja fisnike e artit dhe krijimit, për shkak të ndërgjegjes që ndjenjte se e kishte braktisur dashurinë dhe respektin ndaj poezisë duke u bërë aktant në vetë përqeshjen e diçkaje kaq sublime sa arti (pas recitimit të poezisë “Vargjet më të trishta mund të shkruajë këtë natë” të Nerudës pasonin paradoksalisht jo duartrokitjetet, por shuplaka si treguese e mjerimit shpirtëror të shoqërisë së Huanit). Duke akuzuar Rolando Garron për rrënimin e karrierës së tij me ankesat nëpër letra të ndryshme të vulosura me emrin e tij, ai kalon në një personazh obsesiv dhe një mjet të favorshëm për ta kamufluar fytyrën e vërtetë të sistemit. Tragjiciteti i tij qëndron pikërisht në këtë pikë, prestigji i tij i rrënuar e mllefi ndaj Rolandos potencohen si tregues së aftësisë së tij për ta kryer krimin, pra vrarë këtë të fundit dhe në shfrytëzimin e naivitetit e dobësisë së tij për ta shtyrë ta nënshkruajë deklaratën, pranuar krimin.

Seferino nga ana tjetër, spiktatet gjithashtu si një personazh që identifikohet me ndjenjën e frikës, ngulfatjes e humbjes së vetëkontrollit. Ai përfaqëson tipologjikisht qenien që ndodhet vazhdimisht nën ankth si pasojë e trysnisë së rrezikimit të ekzistencës. Tragjiciteti i tij qendron në paaftësinë për t’iu kundërvënë tjetrit, në konsumimin e qenies së tij brenda një ambienti klaustrofobik. Të dy dalin si reflektues të fytyrës tiranike të sistemit klaustrofobik e impulsiv dhe inferioritetit të individit si palcë e tij. Personazhet tragjike të Llosës realizohen në dy situata që konceptohen edhe si përcaktuese të personit të tyre që janë: klaustrofobia dhe tëhuajësimi. Secila prej tyre modelohet si konsolidim i atributeve specifike të figurave që shfaqin në raporte diversive inferioritetin ekstrem brenda politikave destruktive.

Binomi internal-eksternal: katalizator i ndërtimit të personazhit

Me “Pesë qoshet”, Llosa ka ndërtuar një roman multifunksional në reprezentimin e aspekteve diversive te njeriut që nga provokimi i tij si qenie me impresione të përjetimit fizik në stade të sfidimit të initimes gjerë në orgji e deri te impulsiviteti dhe revolta e tij ndaj shtrëngimit psiqik e cenzurës.

Torza socio-politike determinon raportet kauzale midis personazheve, sado që realizimi i saj nuk ruan strukturën analoge nga kapitulli në kapitull, ku vazhdimisht këmbehen individi, shoqëria dhe sistemi në raporte të ndryshme. Lexuesi përballet me gjithë fytyrat e njeriut si dashuria, nënshtrimi ndaj epshit, servilizmi, refuzimi, kundërvënia, hipokrizia, e që në thelb secila prej tyre shfaq intencën e njeriut për të mbijetuar, për të ruajtur indentitetin brenda strukturës që rrezikon qenësinë e tij.

Imperfeksionimi i shoqërisë elitare si ideologji që ani pse rrënohet përmes skandalit, ka për tendencë ta interferojë kaotikën e njeriut brenda strukturave jetësore. Përballë represivitetit të përfaqesuesit të sistemit sadist vihet individi që nuk nënshtrohet, por si reaksion ndaj ketij represiviteti përdor mendjemprehtësinë e tij dhe për konsekiencë bëhet indikator i rrënimit të diktaturës, ëlirimit psikik e fizik.

Gjatë tipologjizimit të personazhit venerohet kalimi nga shpirtërorja te materialja, nga mungesa te plotësimi, nga pakënaqsësia te kënaqësia. Realizimi i këtij tranzicioni i shërben nevojës së individit që të eskalojë gjendjen amorfe të qetesisë për të konstituar nje ambient më fleksibil të veprimit dhe përjetimit emocional.

Erosi si atribut krucial në determinimin e natyrës së personazhit del si ndjenjë që njësohet me përjetimin fizik, tendencën e individit qe ta ruajë autoritetin në tjetrin dhe të eksplorojë me këtë potencial në shkallë të ndryshme të adrenalinës së përjetimit intim. Në diskordancë me të ndërtohet tipi romantik introvert, gjenerues i një dashurie parimisht shpirtërore, për të derivuar edhe tërheqjen fizike si konsekuencë të kësaj ndjenje. Nga ana tjetër identiteti totalitar i sistemit me metodat sadiste, cenzurën, ushtrimin e pushtetit permes frikës ani pse brumoset nga realiteti, një fakt historik, ndërton modelin universal të autoriteve sunduese diktatoriale në kohën zero.

Karakteri i personazhit emetohet në një bashkërenditje me kontekstet e jashtme, eksternalen (sistemi politik) dhe si situim i të brendshmes që lidhet më tepër me ekzotizmin e ndjenjës së erosit. Në përgjithësi derivohen personazhe që veprojnë të shtyra nga instiktet e brendshme dhe në këtë pikë ata gjithmonë dalin si përfitues të kënaqësisë me tejkalimin e situatës që i privon ato nga kjo përmbushje e idealit.