KOSOVARE RAMADANI MEHMETI-STUDIM MBI VEPRËN STUDIMORE “NAIM FRASHËRI” TËSABRI HAMITI
Studiuesi Sabri Hamiti e nis veprën e tij “Naim Frashëri” duke cekur veçantinë
e shkrimtarit tonë, shkrimtar i cili merr epitetin poet kombëtar, për të cilin
thotë se “poezia e Naimit është gjuha shqipe e shpirtëruar me pamje të
dashurisë”. Studiuesi përfundimisht e lidh Naimin me gjuhën, lidhje e cila
nuk mund të shkëputet dhe e cila bëhet frymëzim për autorët tjerë. Kjo
padyshim na dërgon tek Platoni, tek dialogu i tij për gjuhën, në të cilin
diskutohet se a është gjuha e motivueshme apo arbitrare (marrëveshje). Dy
mendimet, njëra e Kratilit dhe tjetra e Hermogjenit marrin përgjigje nga
Sokrati, që është alterego e Platonit, i cili i jep të drejtë Hermogjenit se gjuha
është marrëveshje, pra merremi vesh që një sendi t’ia vendosim atë emër, dhe
ik nga mendimi i Kratilit, i cili thotë se gjuha është e motivueshme, mendim
të cilin e merr letërsia.
Sabri Hamiti na krijon një pasqyrë të detajizuar të poetit kombëtar, duke
udhëtuar nëpërmjet veprave të Naimit dhe duke gjetur gjitha pikat kryesore
apo çelësat që na duhen për ta njohur Naim Frashërin, apo më saktë veprën e
tij.
“Himnizimi Naimian” kalon në temat e përjetshme të poetëve romantikë, si:
Atdheu, Dashuria dhe Heroi kombëtar, pra studiuesi na qartëson tri
himnizimet e Naimit, himnizimi i atdheut, himnizimi i dashurisë dhe
himnizimi i heroit nacional.
Tek himnizimi i atdheut, studiuesi veneron se në veprën “Bagëti e Bujqësija”
se himnizimi poetik i Naimit në këtë vepër, nga njëra anë është subjektiv, i
shkrimtarit, dhe kushtëzohet nga këndimi i tij individual, nga ana tjetër është
ideologjik dhe atdhetar, i autorit, dhe lidhet me funksionin e veprës poetike, të
shkruar në kohë e në rrethana të caktuara shoqërore .
Tek himnizimi i dashurisë, Sabri Hamiti veçon poemën “Bukurija”, sipas së
cilit Dashuria është një konstante, një fuqi e përgjithshme, një ndjenjë
tejindividuale, kurse në jetën e individit shfaq një trajtë të manifestimit të saj.
Sipas këtij konstatimi, ky konceptim ka qenë ndikues edhe tek autorët e më
vonshëm që nga modernizmi deri tek autorët bashkëkohorë.
Tek himnizimi i heroit, studiuesi merret me veprën epiko-lirike “Histori e
Skënderbeut” për të cilën na jep dy arsye, e që lidhet me Rilindjen Kombëtare,
si epokë mjaft ndikuese për kohën.
“Biografia e Naimit” është kapitulli vijues, në të cilën studiuesi, si gjithë të
tjerët e ka pikë referimi tekstin e Midhat Frashërit apo Lumo Skendos, tekst
që na jep të dhënat më të mëdha për jetën dhe veprën e Naimit. Sabri Hamiti
për tekstin e Lumo Skendos thotë se u citua më shpesh e gjerësisht për të parë
idetë e tij dhe për të krijuar një pamje të shkrimit kritik të shqipes në fillim të
shekullit njëzet.
Në kapitujt e radhës, “Naimi i fundit”, “Naimi personal” dhe “Poeti shekullor
i shqipes”, Hamiti merret konkretisht me disa nga vjershat e Naimit, duke
prekur pikat thelbësore dhe duke zbërthyer e sqaruar çdo paqartësi të
mundshme që kemi pasur deri më tani tek shkrimet e poetit kombëtar.
Studiuesi na thotë se Naimi këlthet gjuhë, etni, mitologji e histori kombëtare,
pra na bëhet e ditur se Naimi dëshiron t’i forcojë këto ide dhe t’i ngulit në
mendjen e secilit. Njohuritë e përgjithshme dhe të zgjeruara që kishte Naimi
na shpien tek epiteti poet shekullor i shqipes, sepse për një shekull qëndron në
ballë të kësaj letërsie.
“Bioletra e Naimit” është teksti pothuajse më emocionues, tekst që na lidh
edhe me studiuesin dhe na tregon diçka nga jeta e tij se si “u njoh” me Naimin
dhe se si po ky Naim ndikoi në formimin e tij intelektual dhe ndikimi që pati
për të filluar për të shkruar. Nga poeti kombëtar, studiuesi mësoi se si të dallojë
kuptimin e të folurit dhe kuptimin e të shkruarit. Problematika e shkrimit na
kthen sërish tek Platoni, më saktë tek dialogu i tij “Fedri” në të cilin diskutohet
se a është më mirë që është zbuluar shkrimi apo është më keq, sepse shkrimi
do të dëmtojë kujtesën. Po ashtu tek “Shteti” i tij ai thotë se duhet të ketë
cenzurë të shkrimit, të letërsisë. Hamiti në këtë tekst dëshiron të na tregojë se
do të kalojë në rrafshin e gjuhës së koncepteve letrare.
Në vazhdim “Figura e dashurisë” tenton të vihet në pah, si njëra nga figurat
kryesore, që është pjesë e pandashme e krijimtarisë së Naimit, figurë kjo që
shkon deri në adhurim, e që ky adhurim ka elementet e pashkoqshme të tij, si
mëshira e dashuria.
“Parajsa tokësore” titullohet kështu për shkak të dëshirës së Naimit për të parë
një atdhe të lulëzuar, e që studiuesi na sqaron se pse ky vend quhet vend i
dëshirave duke bërë krahasimin e dy utopive, të dy vëllezërve Frashëri, Samiut
me traktatin politik si utopi nacionale dhe Naimit me veprën “Bagëti e
Bujqësija” si utopi poetike. Hamiti thotë se vepra e tyre në botën shqiptare dhe
historia dëshmojnë që kryetema e tyre njerëzore e krijuese është një Shqipëri
e ëndrrave dhe e dëshirave. Ata janë tashmë në ballin historik të idealistëve
shqiptarë. Të idealistëve dhe të utopistëve.
“Fletore e Bektashinjet” është ideologjia e Naimit të cilën e gjejmë në secilën
vepër të tij, por që këtu Sabri Hamiti e sheh në dhjetë vjershat e tij: Besa,
Perëndia, Njeriu, Gjithësia, Të mirëtë, Mirësija, Vdekja, Vetëdija, Ditë e
shënuar, Falja. Ai analizon secilën vjershë veç e veç duke shpalosur idetë
themelore të Naimit dhe se si i shfaq ai këto ide në shkrimet e tij. Po ashtu e
kemi edhe idenë se njeriu nuk vdes por transformohet dhe se Zoti gjendet
kudo. Idetë për shpirtin janë diskutuar qysh në Antikë, ku i kemi idetë e
Plotinit i cili diskuton për pavdekësinë e shpirtit, e që vjen edhe ideja e
pavdekësisë së artit. Njëshi transcendental i Plotinit ka ndikuar më vonë tek
disa religjione, po ashtu nga kjo ide ka marrë edhe letërsia.
“Naimi i trashëguar” sipas Hamiti është poeti i cili u trashëgua në botën letrare
të pasardhësve, gegë e toskë, bashkë. Me Naimin u morën shumë kritikë,
shkrimtarë, me ç’rast kemi një Naim të trashëguar e që është ndikues.
PËRFUNDIM
Libri “Naim Frashëri” i profesorit, studiuesit Sabri Hamiti është një punë
shumëvjeçare e tij, i cili u mor thellësisht me veprat e tij dhe marrja me
studimin e tyre ishte në vazhdimësi. Pra, nga kjo punë, sot kemi në dritë këtë
vepër e cila është sqaruar hollësisht, krijon pamjen e qartë dhe është shpjeguar
në mënyrë të thjeshtë, e cila shumë lehtë mund të kuptohet.
Vepra studimore “Naim Frasheri” ka për qëllim hedhjen në dritë të ideve të
Naim Frashërit, të cilat para se të bëhen ide letrare, janë ideologji nacionale,
të cilat përkonin edhe me Rilindjen Kombëtare, lëvizje e së cilës ishte prijatar
vetë autori. Sabri Hamiti në dallim nga studiuesit e tjerë, Naim Frashërin nuk
e cilëson vetëm si shkrimtar të lëvizjes nacionale, por edhe si shkrimtar që një
pjesë të madhe të krijimtarisë ia kushtoi edhe aspektit shpirtëror.
Studimi “Naim Frashëri” është mbase studimi më i plotë për veprën e Naimit,
pasi që kemi studim të Frashërti gjitha temave dhe motiveve që autori i ka
lëvruar.
/RevistaUji-9/