0 Comments

Ve Kuunuu Rabbanijune (Kuran)
E pyetën një të urtë: A shihet drita?
U përgjigj: Drita nuk shihet, por me dritë shihen gjërat.


Biseda në lidhje me miqtë e Zotit nuk është punë e kollajtë. Është e vërtetë se në lidhje me ta mund të rreshtojmë fjali të tëra të cilat i përftojmë nga bibliotekat plot histori e legjenda në lidhje me personalitete të tilla. Mirëpo, të tregosh në lidhje me personalitetin, karakterin, karizmin e ndonjërit prej tyre kërkon angazhimin intelektual të Niçes kur ai shkruante Mbinjeriun, apo Irfanin e Ibn Arabiut kur shkruante Perlat e Urtisë, apo ashkun e Mevlanës kur i recitonte dervishëve Divanin e Shemsit.
Sa herë mendoj për miqtë e Zotit më kujtohet fjala e Pejgamberit të Zotit, i cili thoshte se: “Shokët e mi janë si yjet, cilindo që ta ndiqni do ta gjeni udhëzimin.” Për të lexuar yjet ka dy “mënyra”: ose duhet të jesh astronom i mirë me sy të mprehtë shkencor, ose duhet të jesh i dashuruar me qiellin.
Miqtë e Zotit janë trashëgimtarët e këtij brezi të jashtëzakonshëm të cilët kanë qëndruar përreth pejgamberit dhe kanë ndriçuar botën. Njëjtë si ata, miqtë e Zotit janë yje të shtrira të çdo kohë dhe hapësirë të cilët udhëzojnë dhe orientojnë këdo që hedh shikimin drejt tyre, secili prej tyre është një mbinjeri, një ferd-un rabbanijjun, njeri i përzotshëm, i cili megjithëqë është njerëzor, personalitetin e tij e ka ngritur në përzotshmëri. Në karakteret e tyre është e realizuar porosia profetike: “Moralizojuni me moralin e Allahut” (tehal-laku bi ahlaki’l-lah).
Për këtë arsye, atij që nuk është i zhytur në detin e tyre i mbetet vetëm të magjepset me ta dhe shkëlqimin e dritës së tyre ta përcjellë përmes vexhdit personal që ka pasur takimi me ndonjërin prej tyre. E solla këtu fjalën vexhd për shkak se në rrënjën e saj gjendet edhe magjepsja edhe gjetja. Domethënë, prania me miqtë e Zotit, personin e hedh sa në detin e magjepsjes me personalitetin e tyre të lartë, aq sa të thuash se po e sheh pejgamberin e Zotit para teje, ndërsa nga ana tjetër njeriu e gjen pranë tyre vetveten dhe paqëtohet me të. Në këtë prizëm mund të themi se miqtë e Zotit janë personalitete metahistorike, të cilët megjithëse fizikisht i përkasin një momenti historik, shpirtërisht janë tej-kohorë.
Këtë do të mundohem t’ua paraqes me shembullin konkret të njërit prej miqve të Zotit me të cilin kam pasur mundësinë të takohem për një kohë të shkurtër/të gjatë, shejhun e Shujuhëve Omer Tuğrul Efendiun, i cili para disa ditësh kaloi në botën e Vërtetë. Këto rreshta nuk janë një nekrologji, për shkak se në traditën Islame ne nuk besojmë se miqtë e Zotit vdesin, bile për të thënë diçka të tillë është e ndaluar edhe prej verdiktit Kuranor, i cili thotë se: “mos thoni se kanë vdekur ata të cilët largohen nga kjo botë duke qenë në përpjekje në rrugën e Allahut, përkundrazi ata janë të gjallë…”
Për miqtë e Tij, Zoti thotë në Kuran se: “për ata nuk ka as brengë, as mërzi.” Pra, ata nuk i brengos e ardhmja dhe çka ajo fsheh, as e shkuara dhe çka mbetur në të, pasiqë janë të nënshtruar tërësisht vullnetit të Zotit. Unë besoj se shejh Tugrul Efendiu ishte në këtë pozitë. Këtë nuk e them për shkak se mendoj se jam i aftë të imagjinoj pozitën e tij shpirtërore, pasiqë diçka e tillë e tejkalon kapacitetin tim dhe pohimi i diçkaje të tillë nuk është në edukatën time. Por, këtë e them për shkak se një rreze e ngrohtë e kësaj përvoje më ngrohte sa herë isha në praninë e tij. Çdo herë që ishim në praninë e tij, dukej sikur koha ndalej, sikur bota nuk rrotullohej më dhe sikur vetëm ai moment ishte i vërtetë. E harroja botën, brengën që ajo shkakton, luftën e madhe ndërmjet të mirës dhe të keqes. Dukej sikur vetëm e mira Është. Me të vërtetë në atë çast mund ta përjetoje se ku e kishte fjalën shoku i pejgamberit a.s kur i thoshte: “o i dërguari i Allahut, kur jemi me ty mendojmë vetëm për gjëra të mira dhe vepra të mira, ndërsa kur largohemi në mendje na vijnë gjëra të këqija…”
E ndjeja se shejh Tugrul Efendiu ishte Ebu’l-Vakt dhe qëndrimi në prani të tij ishte proces drejt përsosurisë së vetes, drejt të qenit Ibnu’l-vakt. Ibnu’l-vakt (bir i kohës) është personi i cili tashmë nuk brengoset për të shkuarën dhe të ardhmen, pra mik i Zotit, ndërsa Ebu’l-Vakt është udhëzuesi, edukatori i cili tashmë është në këtë pozitë dhe të merr përdore edhe ty për të arritur aty.
Nuk mund të them se jam i biri i kohës sime, mirëpo mund të them se në praninë e këtij miku për mua koha, sikurse dhe vendi, nuk kishte më vlerë. Në praninë e tij unë isha si pika e rrezes së rrethit, e cila është afruar te qendra.
Për miqtë e Zotit thuhet se hijen e kanë të rëndë, ndërsa zemrën shumë të butë. Pikërisht këtë e gjeje të mishëruar në personalitetin karizmatik të shejh Tugrull Efendiut. Si duket dashuria ndaj Pejgamberit s.a.v që gufonte në zemrën e tij, e kishte bërë t’i ngjajë shumë të dashurit të vet. Në bisedë me të ishte aq i thjeshtë saqë ta impononte përuljen dhe modestinë aq sa nëse dikush i panjohur do të vinte në prani nuk do ta dallonte dot se kush është shejhu dhe kush nxënësi, ndërsa në adhurim ndaj Zotit i vihej re hija e rëndë, serioziteti me të cilin angazhohej në adhurim. Kjo ma kujton fjalën e shokëve të Pejgamberit a.s që thoshin se: “gjatë bisedës me ne, i dërguari i Zotit qeshte dhe bënte shaka, ndërsa kur ngrihej për t’u falur bëhej krejtësisht i huaj për ne.” Kjo për shkak të seriozitetit dhe përkushtimit të lartë ndaj urdhëresave hyjnore.
Kjo hije e rëndë që binte mbi shejhun e dashur gjatë adhurimeve, apo gjatë hallkave të zikrit, të bënte të mendosh se je në praninë e një sulltani të botës, në prani të të cilit të vjen turp të qëndrosh për shkak të brendisë së kalbur të vetvetes. Fjalët e tij ishin të pakta, po sikur zbulonin lakuriq të gjitha të vërtetat e struktura në brendi të zemrës. Një herë e pyetën një të urtë: “a shihet drita?” Ai u përgjigj: “drita nuk shihet, por me dritën shihet.” Shejhu ynë i dashur është pikërisht si kjo dritë, e cila na mundësonte të shihnim veten tonë, ta njohim atë me rrënjë e dhëmballë.
Njeriu shpesh e urren atë që ia thotë të vërtetën në sy. Por kjo e vërtetë e vetes që zbulohej në prani të mikut, në fakt, më shtynte që ta dashuroj atë akoma edhe më shumë. Arsyen nuk arrij ta shpjegoj, por mendoj se shkak i kësaj është ngrohtësia me të cilën trokiste drita e tij në brendinë time, ashtu si ngrohtësia e gjakut që nis ta ngrohë trupin, i cili është mpirë nga i ftohti i acartë.
Shejh Omer Tugrull Efendiu është modeli tipik sesi në periudhën bashkëkohore, në të cilën njeriu është objekt më tepër sesa subjekt, mall tregu më tepër sesa individ, Njeriu/Njerëzorja është ideal i arritshëm. Me jetën e tij ai tregoi se me gjithë shtrëngimin që bota e kaplon njeriun, ky i fundit mund të jetë rabbanijj, i përzotshëm, që ta vendosë Zotin në qendër të jetës së tij dhe ashtu dëshirat e ulëta të përbotshme do t’i vijnë nën këmbët e tij.
Në një kohë në të cilën për Njeriun bisedohet si një rast i dështuar për ta ndërtuar paqen botërore, shejh Tugrull Efendiu, me kultivimin e diturisë dhe individëve të virtytshëm gjatë gjithë jetës, na fton edhe njëherë ta ridimensionojmë qasjen për botën, duke e vendosur Zotin në qendër dhe njeriun si krijesën e Tij modeste dhe të pajtuar me Të. Sepse “shpresën e humbasin vetëm të zhyturit në errësirë.”

Related Posts

Botohet numri 5 i revistës“Uji”

Është botuar numri i pestë i revistës “Uji”, revistë e cila përbëhet nga shkrime letrare, kulturore e historike. Ky numër është më i veçantë se të tjerët, ngaqë i dedikohet Shejh Ömer Tuğrul Inançer efendisë,…

IZRI REXHA-VARFËRIA TË NDAL FRYMËN

Atë paradite u kthye Denisi për në dhomën e tij, i cili banonte në qendër të qytetit si qiramarrës ditor që ishte vendosur aty qe disa javë. Edhe këtë ditë nuk kishte mundur të gjente…

ALBIN MEHMETI-KONCEPTET ESTETIKE TË PLATONIT

Platoni, ashtu si edhe filozofët tjerë të antikës greke shqyrtoiproblematika të shumta shoqërore duke filluar nga ato më të thjeshtat deri tekato më komplekse si ajo për (mos)ekzistencën e Zotit dhe problematika tjerametafizike, tema të…