PERPARIM BLAKAJ-BUKA E NANËS

PERPARIM BLAKAJ-BUKA E NANËS

0 Comments

Buka e nanës është më e mira. Padyshim, më e ëmbla nga të gjitha duart e njerëzve të kësaj bote. Nëse sot këtë ditë e ke kaluar në pikëllim e brengosje, kujto çastet e bukës së dalë nga furra, buzëqeshjen e nanës gjersa ti je duke e ngrënë dhe shqetësimin e saj se a të pëlqen ty apo jo!
Të gjithë jetojmë vetëm sot, në fund të ditës ose të natës, të gjithë vdesim nga pak për pak nostalgji të së shkuarës. Disa nga ne, kanë vdekur që ditën kur nënat e tyre vdiqën. Disa vazhdojnë të presin. Disa gëzojnë çastet e fundit. Disa tjerë kujtimet.
‘’Pse pikëllohesh me bukën e djegur, nano?’’
‘’Pse pikëllohesh nëse nuk kam ngrënë akoma?’’
‘’Pse pikëllohesh nëse nuk kthehem deri vonë në shtëpi?’’ ‘’Pse pikëllohesh nëse jam larg në Turqi?’’
Pikëllohem, sepse jam nënë.
Ata që kanë pirë qumështin e nënës, e dinë shijen e jetës. Nëse në shpirtin tuaj është mbjellë vullneti i pathyeshëm nga nëna, pranohet fakti që nëna, nëna, nëna, pastaj babai. Kjo, pa dashur ta rrëzojmë figurën e babait në jetën tonë. Nëse sot do të ishte dita e fundit me të afërmit tuaj të zemrës, si do të ishte a thu?
Ditë pa u pikëlluar, duke zënë çdo sekondë me ta dhe duke nxjerrë çdo fjalë të mirë nga goja. Vetëm për atë ditë do jetonim. Në të vërtetë ne vetëm për të sotmen jetojmë, andaj edhe përpiqemi të tregojmë nga brenda se jemi sot. Si je sot? Si kalove sot? Sot, po, e sotmja. Kur të zgjohesh, mos prit mbrëmjen të vijë, por jetësoje atë moment. Në të kaluarën, bashkë me njerëzit e saj, askush nuk mund të jetojë, përveçse me kujtime. Pastaj, çfarë mund të rikthehet nga ajo kohë përveçse çaste e mira dhe të këqija? Asgjë tjetër.

Atëherë, të vdekurit nuk ngritën nga varrezat për të qarë me ne ose për të na ngushëlluar. Nënat që sot ziejnë supën, përgatisin bukën, janë sot. Dielli me siguri vetëm sot do të ngrohë. Prandaj, jetoje momentin. Të sotmen.
Buka e nanës është e pakrahasueshme. E ngrohtë si duart e saj, e mirë si shpirti i saj, më e ëmbël se nga duart e gjithë kuzhinierëve. Atë që e ka paracaktuar i Larti, mbi qiell, do të ndodhë, ne nuk mund ta nxitojmë e ta përshpejtojmë. Ne frutat e papjekura, nuk mund t’i shtyjmë të piqen vetëm pse neve na duhen. E nesërmja, megjithëse është e pasigurt që do të vijë, vjen me të ‘shkruarat e saj’. E sotmja është reale. Në këtë mjedis ku jetojmë ne, e sotmja është me ne, e djeshmja iku, e nesërmja është nën kurthin e së panjohurës. Ne ndërtojmë ura drejt së ardhmes, por ndërtojmë mure me njëri-tjetrin. Para se të arrijmë tek synimet tona, vdesin disa nga ne. Para se të jetësojmë ëndrrat, vdesin qëllimet e pastërta. Para se ta hamë bukën e nënës, hamë vrerin e armiqve.


Zemërgjerësia, paqja shpirtërore dhe qetësia kur vendos kokën në nënkresë. Sa me kuptim është jeta e atyre që jetën e kanë kuptuar para se të hidhen nga urat. Sëmundja i ka lodhur nënat, puna i ka munduar baballarët, brengosja dhe borxhet i kanë stresuar të rinjtë, fama i ka mbytur adoleshentët. Por, jeta ka qenë më e mirë për atë që e kanë njohur herët ndërgjegjen, që ishte i arsyeshëm, zemërgjerë, që në kopshtin e zemrës së tij kultivoi besim, lule xhenneti, fisnikëri e bamirësi.
Vetmia është nëna e ideve të mëdha.
Shoqërimi me njerëz të vegjël i vret edhe idetë e vogla.

/RevistaUji-VII/