ADELINA XHAFERI-LIRIZMI NË VARGUN E ESAD MEKULIT
(Vështrim mbi përmbledhjen poetike “Për ty”)
“Njeriu asht lëvizje e pandalshme – klithmë gjaku që vlon” (Mekuli,1963:25)
Përmbledhja:
Punimi në fjalë do të tregojë se sa vlerë ka për letërsinë shqipe vepra e Esad Mekulit, njëri ndër poetët më të veçantë të shkrimeve që vijnë nga territori i Kosovës e që bëhet përfaqësues i periudhës së Letërsisë Bashkëkohore Shqipe. Ky poet, nisur nga koha e vështirë në të cilën lindi vargu i tij, arriti që shqiptarin, subjektin e tij lirik, ta fuste brenda veprës letrare dhe ta jepte jo vetëm me bindje të reja socialiste, por edhe me shpresën për një të nesërme më të mirë kombëtare. Në këtë mënyrë ai edhe në gjendje të rënduar shpirtërore, larg trojeve të gjyshërve e me sëpatën në dorë, do të këndojë për të nesërmen e lirë dhe për fëmijën e vogël që është i uritur, por që sërish qeshën dhe i gëzohet një gjykimi që do të bëhet nga brezat e mëvonshëm.
Fjalët kyçe: Mekuli, vargjet lirike, njeriu i ri, e nesërmja e lirë, shoqëria shqiptare
Abstrakt:
The current work, will point out how valuable is for Albanian literature, the work of Esad Mekuli, one of the most special poets of writings, who come from Kosovo and in meanwhile becomes representative of the Contemporary Albanian Literature period. This poet, from the difficult time that his verse was born, managed to introduce the Albanian, and his lyrical subject, within the literary work, and give the same not only the new socialistic conviction, but, also a hope of a national tomorrow. In this way, he, even in a bad state of mind, away from his grandparents lands, with an axe in hands, will sing for the free tomorrow, and for the young child that is hungry, but who again, smiles, and is happy for the verdict to be made from the later generations.
Key words: Mekuli, lyrical verses, the young man, the free tomorrow, Albanian society
Duke pasur parasysh faktin se letërsia është një botë e madhe brenda së cilës gjenden një mori e madhe fjalësh, të cilat me fuqinë dhe natyrën e tyre shprehëse arrijnë që të shprehin po ashtu një mori të madhe ndjenjash, atëherë po brenda asaj bote është e nevojshme që të shihen jo vetëm mënyrat se si subjektet lirike a personazhet funksionojnë në rrethana të caktuara nga autori, por edhe atë se si pranohen nga lexuesit dhe se si për to bëhen të pavdekshëm. Kjo e fundit nuk ndodh vetëm me atë pjesë që u takon shkrimeve prozaike, por edhe atyre poetike, të cilat po ashtu përveç shprehjes së lirshme të ndjenjave të poetit, tregojnë dhe për lashtësinë e tyre si krijime artistike njerëzore. Me këtë rast krijimet e ndryshme letrare si bota të mëdha fjalësh siç kanë thënë edhe studiuesit janë të ndryshme, po përmbajtja e tyre është tërësia e asaj që poeti a prozatori ka perceptuar në jetën e përditshme. (Wellek,Warren,2015:86)
Po të shihet vetëm në atë që quhet poezi bashkëkohore shqipe, duhet theksuar fakti se ajo është njëra ndër më të veçantat në historinë e letrave dhe mendimeve shqipe, jo vetëm për faktin që tashmë dihet se brenda vetes trajton tema dhe motive nga më të ndryshmet, por edhe për vetë strukturën e saj të jashtme dhe rrjedhën e natyrshme që fund e krye arrin të depërtojë në botën e lexuesve. Këta të fundit tashmë nuk lexojnë vetëm vargje, fjalët e të cilave në të kaluarën mëtonin të thërrisnin për mbrojtje të vendit dhe çlirime nga sunduesit e huaj, por edhe vargje të cilat brenda vetes qenien njerëzore e ngrijnë në piedestal, duke ia vënë mbi gjoks ndjenjën e dashurisë së dëlirë, mallit të pashuar, hidhërimit të pasosur, gëzimit të panumërt, dhimbjes së trashëguar etj. Me këtë rast ata nuk njohin vetëm poetë që këndojnë për dashurinë, por edhe vargje elegjiake. Dhe vetëm në këtë mënyrë është e pranueshme ajo që ka thënë me kohë Aristoteli, se: “Njerëzit, poezinë e lidhin ngushtë me masën e prandaj i quajnë një palë poetë elegjiakë, një palë të tjerë poetë epikë, duke dhënë titullin e poetit jo sipas farës së imitimit, por sipas masës”. (Aritoteli,2006:18)
Kjo periudhë letërsie po të shihet vetëm për atë se çfarë veprash poetike (nisur nga ajo që thoshte Aristoteli, se poezia gjithmonë është një imitim) nxori në dritë botimi, nga studiues të ndryshëm u nda në tri etapa të caktuara, duke bërë që letërsia shqipe të merrte një pamje të re, jo vetëm për nga tematika dhe ideja, por edhe për nga fryma e rrëfimeve. Dhe në këtë mes u njohën: etapa e parë (vitet ‘39 -‘45), e cila nxori në pah tonin thirror të poezive, për të kaluar më pas te tonet elegjiake dhe bam-bumet e shumta; etapa e dytë (pas viteve ‘45) me natyrën e agjitacioneve dhe propagandave të ndryshme, si dhe etapa e tretë (ajo e viteve ‘60), e cila solli frymën e veçantë shpërthyese dhe krijimin e poezive të veçanta lirike. Poetët e viteve ‘60 siç ka thënë edhe autori “do të trajtojnë tema e motive të larmishme nga realiteti jetësor, historia, mitologjia etj., por njëkohësisht që do të zbatojnë edhe një strukturë të re poetike, si nga fjalori dhe ligjërimi, ashtu edhe nga ritmi dhe vargëzimi” (Selmani,1996:19).
Në këto vite të caktuara krijuan njerëz të shumtë, duke dëshmuar në këtë mënyrë se vargu edhe pse mund të kishte rregulla krijuese, sërish do të agonte i lirshëm. Me këtë rast ashtu siç tashmë dihet, brenda asaj që zënë kornizat e letërsisë sonë, “kjo brezni poetësh i bëri me dije opinionit të lexuesve se një letërsi mund të përparohej e të zhvillohej seriozisht vetëm duke e vënë në funksion secili krijues prirjen dhe aftësinë e tij, intuitën dhe imagjinatën, ndjenjën dhe mendimin etj, sigurisht pa pranuar asnjë lloj nënshtrimi e imponimi të jashtëm”. (Selmani,1996:20)
Brenda një morie të tërë vargjesh, të shkruara dhe të përfaqësuara nga një numër i madh poetësh lirikë e të caktuara në tri etapa të kësaj periudhe, nuk mund të lihet anash dhe pa u vërejtur as vargu i ndjeshëm dhe mjaft i thellë i Esad Mekulit, frymës përfaqësuese së lirizmit të hapësirave të Kosovës. Një personalitet dhe figurë e tillë e fuqishme tashmë te bota e lexuesve shqiptarë nuk njihet vetëm për dëshirën jetike dhe të pashterur që popullin e Kosovës ta shohë të lirë, si në mendim ashtu edhe në veprim, por edhe për vetë krijimin e veçantë të vargut shqip.
Ky i fundit me një natyrë të tillë, fund e krye shihet në përmbledhjen e tij poetike “Për ty” -1955, në të cilën lexuesi nuk lexon vetëm poezi (a)strofike me vargje të lehta dhe në të njëjtën kohë edhe simbolike për vetë shqiptarët dhe dheun e tyre, por edhe poema të tëra. Vepra në fjalë duke i kënduar njeriut të ri, dashurisë për të, rëndësisë së bukurisë së fjalës dhe shpresës së madhe për lirinë e nesërme të mbarë popullit, merret si vepra e parë poetike në Kosovë. Me të tashmë nuk njihet vetëm Mekuli si krijues poetik, por edhe risia poetike, e cila duke u trashëguar brez pas brezi, do të bëhej mjet krijues edhe për poetët e mëvonshëm.
Vargjet lirike të Mekulit të përfshira në një vepër të vetme e me një titull mjaft simbolik që duket se i kushtohen çdo lexuesi që e ndjenë dhimbjen e (ri)shtuar nga sunduesit, janë të ndjekura nga një rrjedhje e lehtë dhe e natyrshme e thirrjeve për të nesërmen në mënyrë që kjo e fundit të mos u vinte me natyrë të errët dhe shenja të hidhërimeve, por e ndritur dhe me natyrë të qeshur, për vetë faktin që sipas bindjeve të tij dhe të shumë poetëve të tjerë, një popull i kudondodhur e meriton lirinë e kësaj jete. Në këtë mënyrë, toka e tyre tashmë nuk do të ishte një simbolikë rreth së cilës do të silleshin dhe do të numëroheshin dhimbjet, por një vend në të cilin ëndrrat do t’i kishin po aq të bardha, njëjtë siç paraqitej dhe dëshira e tyre e moçme.
Poezitë e këtij poeti (të cilat njeriun e ri e kanë me bindje socialiste, që e lufton të keqen duke kërkuar barazi, dashuri dhe paqe) shihet se brenda vetes dalin me tematika dhe me motive të ndryshme letrare (siç është motivi shoqëror, ai politik, motivi i dashurisë), për të dëshmuar larminë e tyre të natyrshme, por edhe vetë fuqinë krijuese të Mekulit. Ky i fundit edhe në një kohë me trazira për popullin shqiptar, arriti që me poezitë e tij, që në thelb kanë anën filozofike të dëshmonte se ‘për poetin fjala nuk është kryesisht një “shenjë”, një banak transparent, por një “simbol” i vlefshëm në dy anë – në vetvete dhe si përfaqësues, fjala mund të jetë madje një “objekt” ose një “send” i dashur për tingullin ose, pamjen që ka’. (Wellek,Warren,2015:89)
Nëse brenda këtij punimi ndalohet në pika më të hollësishme të poezive të caktuara, shihet se secila nga to me një natyrë edhe më të fuqishme se e para, arrin të përfaqësojë një mendim të vetëm dhe ndryshe nga vargjet e poezisë paraprake, meqë udhëhiqet nga ndjenja e fortë e poetit, e cila ashtu siç i ka hije poezisë bashkëkohore, është e përshkuar me krahasime të shumta, epitete të ndjeshme, metafora (parimi kryesor) të gjetura dhe simbole të fuqishme brenda tyre. Të gjitha këto nuk dëshmojnë vetëm për ndjenja të njëpasnjëshme të poetit, ngase në anën tjetër tregohet edhe ndikimi i madh e i thellë i poezisë te zhvillimi i gjuhës. (Wellek,Warren,2015:179)
Duke pasur parasysh faktin se poetë të caktuar pavarësisht periudhave letrare arrijnë që të krijojnë elemente të veçanta, me të cilat edhe njihen brenda një letërsie me korniza të caktuara, e që u bëhen “të pavdekshme” varësisht kalimit të kohës, të tilla dalin edhe nga pena e Mekulit. Ky i fundit tashmë nisur nga vetë ajo që del brenda vargjeve të njëpasnjëshme, shihet se e ka të pandashme thirrjen e zëshme për liri, vargun për zymtësinë e popullit të vuajtur shqiptar, dritën e shuar, agimin e kaltër, shqiptarin e një katundi të harruar, ose edhe më keq, bërtitjen e pashterur të kullave të mbetura pa djem luftëtarë.
Nëse shihen në veçanti vetëm disa vargje të poezisë “Pa titull” brenda së cilës edhe lexuesi më i thjeshtë e kupton se poezia në fjalë, e cila nisën me metaforë dhe më pas ndiqet nga nota të dukshme e të thella dhembshurie, në tërësi i kushtohet qytetit të errësuar të poetit, prapa të cilit me simbolikë të fortë, sërish nën muzgje të natyrshme mund të fshihen të gjitha qytetet shqiptare (dhe jo vetëm) me fat të tillë. Në asnjë poezi, si te kjo nuk del pohimi më i gjetur dhe i bukur i poetit, se muzgu i rënë në heshtje mbi të dhe netët e vendit të tij, për të kishte kuptimin e shërimit të vazhdueshëm, ndonëse për dikë mund të ishte vuajtje dhe ankth. Ja si e thotë poeti këtë:
“…E dashtuna heshti e muzgut
ndër netët e vendit tim!
Ti je ma i miri bar
për shpirtin tim të plagosun”. (Mekuli,1963:15)
Nga këto vargje del se Mekuli, ndryshe nga bota e zakonshme, heshtjen e qytetit dhe rënien e muzgut të përnatshëm e pranonte me natyrë pozitive, meqë sipas tij vetëm në një gjendje të tillë, ai do të arrinte të krijonte vargje të bukura lirike, me ndjenja të vëna në pah, e herë të tjera po në atë gjendje të mendonte edhe për të mirën e vendit dhe popullit të tij.
Me një fuqi të madhe artistike dhe ndjenja që përjetohen edhe nga lexuesit është edhe poezia me titull “Dashunija ime”, e cila për dallim nga të gjitha krijimet tjera lirike, lexuesin e njeh me motivin më të lashtë të botës, atë të dashurisë. Dhe duke pasur parasysh se një motivi të tillë nuk ka mundur t’i ikë e t’i bëjë ballë asnjë njeri i letrave (kombëtare e të huaja), edhe Mekuli ndaj saj doli i dorëzuar, duke dëshmuar se vetëm në një mënyrë të tillë, do të arrinte të thoshte, se ndjenjën e tillë e mbante në gji, njëjtë siç e mbante nëna fëmijën me përkëdhelje. Edhe në këtë poezi prapa nuk mbetet përmendja e netëve, të cilat nuk merren vetëm si simbolika bartëse për shprehjen e ndjenjave të thella, por edhe si ndjekje e vazhdueshme e shoqërisë shqiptare.
Të shprehurit në vetën e parë (vënia në pah e unit personal) dhe guximi për thurjen e vargjeve të rrjedhshme, ndonëse me kapërcime të vogla, e bëjnë këtë poezi një lirikë të fuqishme përfaqësuese për dashurinë, sepse siç ka thënë vetë Mekuli ajo jeton thellë në zemër:
“-Dashuni e ime,
të kam ndry
thellë
në zemër
që kurrkush t’mos i shofë vuejtjet tona,
që kurrkush t’mos i ndiejë dhimbjet tona
dhe çdo natë,
ndërsa jashtë gjinkallat këndojnë –
të përkdhel,
të mbaj në gji…” (Mekuli,1963:16)
Në raste të tjera duhet thënë edhe ajo se, ajo që e bën të dukshëm dhe në interes leximi vargun bashkëkohor të Mekulit, është edhe ngjashmëria e tij me krijimet poetike të Migjenit, me të cilin, nuk e lidh asgjë tjetër më fuqishëm se sa vetë vargu me nota të dhimbshme për një varfëri të skajshme të njeriut shqiptar. Andaj jo më kot brenda krijimeve të këtyre dy krijuesve shqiptarë, lexuesi takon fatin e një fëmije që ka frikë të ëndërrojë për të ardhmen, e një njeriu që horizontin nuk e sheh për shtrirje të ëndrrave, por për ikje të vazhdueshme, ose një njeri tjetër që i mësuar me dhimbjen e vazhdueshme të shpirtit, këmbët i urdhëron t’i ecin vetëm në rrënoja.
Këtë gjë shumë mirë e thotë poezia me titull “Unë”, e cila fund e krye paraqet rrëfimin e thellë të subjektit lirik, duke u lidhur në këtë mënyrë me subjektin lirik të vuajtur e të dhimbshëm të Migjenit, njërit ndër përfaqësuesit kryesor të periudhës së realizmit shqiptar. Në mesin e shumë vargjeve dalin edhe ato të cilat lexuesin e njohin me fatin e keq të poetit, i cili në shumicën e rasteve, i ndodhur në gjendje të rënduar shpirtërore e ka shumë të lehtë të mishërohet me një tjetër shqiptar të mjerueshëm, që nuk njeh lumturi, që ka mbetur i vetëm e i këputur, që njeh dhimbjen e një njeriu të uritur e që mbi të gjitha, në çastet e hidhura e të dhimbshme të jetës, mundohet të gjejë një grimë shpresë. Ja si del kjo në poezinë në fjalë:
“Jam dhimbj’ e t’vorfnit, pa bukë e n’ujë mbetë.
Lot’ nane që mbi tryezën e shprazët lëshohet…
Jam mall i skllavit, në ndjekje për jetë,” (Mekuli,1963:17)
Në përmbledhjen poetike në fjalë prapa nuk mbeten as poezitë, të cilat brenda vetes jo vetëm që dalin me vargje të shkurtra, por edhe ato me vargje të gjata, duke e dërguar lexuesin në këtë mënyrë, jo vetëm te shprehjet e pakta të ndjenjave dhe mendimeve për botën në të cilën Mekuli ishte i predestinuar të jetonte e të krijonte art, por edhe tek ato që dalin në formë të rrëfimeve. Shpeshherë brenda këtyre poezive, subjekte lirike bëhen fëmijët e vegjël, trashëgimtarët e familjeve të mjerueshme, të cilët nga (pa)fati a jeta, detyrohen të dalin rrugëve për një kafshatë buke. Figurat e tilla ndonëse të brishta e të rrahura nga jeta, në poezinë e letërsisë bashkëkohore janë vazhdimësi e figurave të periudhave të mëparshme letrare shqipe, për të dëshmuar në këtë rast, jo vetëm forcimin e rrënjëve, por edhe bartjen e vazhdueshme të mjerimit të brezit shqiptar. Të tilla janë poezitë “Djaloshi” dhe “Lypsit”, nga të cilat rrjedhin edhe vargjet e mëposhtme:
“Ata janë fëmijët e mashtruem t’shpresave t’jetës s’pashtjellueme,
që për ‘i kore buke vuejnë e enden kot.” (Mekuli,1963:19),
ose:
“M’helmuen sonte sytë e tij t’vegjël plot mundime,
gropat e t’cilve hapen si humnerë;
që për ‘i troh’ bukë thurin lutje plot vner,
për ‘i kore të thatë buke derdhin mija bekime”. (Mekuli,1963:21)
Duke pasur parasysh faktin se shumica e poezive të këtij bardi të poezisë shqipe dalin në tërësi si filozofi jete dhe mënyrë e jetesës së djeshme, është e nevojshme, që edhe në këtë punim të shkurtër të shihen disa prej poezive të tilla, të cilat ndonëse përfshijnë brenda vetes më shumë pjesë, ndarje dhe programe të caktuara, sërish janë të pavdekshme për sa i përket krijimit të bukur lirik. Si vargje të fatit të një jete të njëjtë e të zakonshme për të gjithë, nuk mund të ishin të tilla për këtë poet, ngase nëse të gjithë mund të ishin vrojtues, Mekuli qe ai që jo vetëm se i ndjeu më thellë, por arriti që çdo rrethanë të jashtme ta fuste në korniza letrare.
Në këtë mënyrë, duke u nisur nga fati i hidhur i shqiptarëve të shumtë, të cilët detyroheshin që të shkonin në kurbet për të fituar një kafshatë buke duke bërë punë nga më të ndryshmet e nga më të rëndat, lindën dhe vargjet e ndjeshme të poezisë antologjike “Kush i pari bani”, në të cilën në pjesën e tretë, të titulluar “O vlla me sharrë në krah” ta vajtonte dendur fatin e një shqiptari tjetër të njëjtë si ai, që në pamundësi për të dalë nga ajo që u ishte caktuar të gjithëve e që prej tij do të prisnin sërish brezat e shumtë të një familjeje të vetme, sharrën dhe sëpatën (nga bishti i së cilës, i varur në pantallona, shqiptarët i quajtën “njerëz me bishta”) në dorë e shihte si mjet të pandashëm jete. Ja se si e thotë poeti këtë fakt:
“Po të shof prap – me duer t’mërdhime nën sjetull,
me sharrën e stërlashtë mbi krah dhe sopatën e
mpreftë të rrasun në shokë (…bishti i saj ka dalë
mbrapa setrës dhe duket… Vallë, mos për këtë na
quajtën “njerëz me bishta”?!)” (Mekuli,1963:33)
Ndryshe nga të gjitha poezitë paraprake të cilat u panë në këtë punim në pika të shkurtra dhe nga të gjitha ato që përmblidhen në veprën poetike “Për ty”, ajo që dallohet dhe njihet për fuqinë e saj shprehëse është poezia me titull “Gjykimi”, në të cilën lexuesi tashmë nuk njihet vetëm me ndjenjën e veçantë të poetit, por edhe mbi frikën e tij për të ardhmen, ngase kjo e fundit tashmë për të nuk ka të bëjë vetëm me lindjen e diçkaje të re, por edhe me atë se si brezat e ardhshëm do ta gjykojnë veprën e të parëve të tyre dhe sa për to do të kenë çaste nderimesh. Në këtë poezi, i bukur nuk del vetëm vargu në të cilin poeti pohon se ai dhe të gjithë ata që ndodhen rreth tij, duke qenë pjella të një kohe e dite të re, do të gjykohen drejtë nga brezat pasardhës, por edhe vargu në të cilin ai, po me atë sinqeritet dhe rrjedhshmëri të natyrshme, thekson se asnjëri në atë mes nuk ka faj për atë se të parët nuk u kishin lënë më shumë gjëra, e mbi të gjitha që nuk kishin arritur t’i mbronin nga padija dhe errësira ndjekëse e popullit shqiptar. Kjo del në vargjet:
“Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë
dhe do të dijnë për ne – për gjyshat e tyne të famshëm
se jeta ma e mirë filloi prej nesh, me ne
dhe nuk do t’na dënojnë, e dij, për belbëzimet tona, shtetëzimet,
për gabimet – t’vogla e të mëdha për mbërrihet tona…
Pse – kush ka faj që të parët s’na lanë gati kurrgjë
-posë vorreve dhe padijes;
kush ka faj që shekuj me rradhë – errësija dhe vetmija – si mrazet e pranverës kanë mbytë filizat mu në farë?!” (Mekuli,1963:101)
Nga kjo del se e veçanta e kësaj poezie refleksive e të shkallëzuar për nga struktura e jashtme, nuk është vetëm në faktin se e ardhmja/e nesërmja si kohë mendohet për veprime të reja, por edhe për atë se ky poet (që brenda poezisë e përfaqëson kohën e sotme), duke synuar një kohë të re dhe me ngrohtësi dielli për të gjithë, mendon edhe për brezat e ardhshëm (do të thotë veprimin e kalon tek ata që do të vijnë pas, të cilët si gjithmonë e përfaqësojnë të nesërmen), të cilët në të mirë a në të keq, do të ishin të parët me të cilët do ta lidhte jeta, e kjo e fundit edhe për ta nuk do të ishte asgjë më shumë se një çast gjykimi.
Nga të gjitha këto vargje, shihet se pena e këtij poeti, përfaqësues i begatë për vargun bashkëkohor shqiptar, dha te bota e lexuesve një përditshmëri të ndjerë jo vetëm nga ata që e kishin fatin ta përjetonin kohën e tillë dhe të keqen që i ndiqte shqiptarët kudo ku shkonin, por edhe për lexuesit, të cilët sot e njohin të kaluarën dhe çdo varg që e përfaqëson atë.
Referencat:
[1]. Aristoteli, (2006), Poetika, Botime Çabej, Tiranë;
[2.] Mekuli, E., (1963), Për ty, Rilindja, Prishtinë;
[3]. Selmani, A., (1996), Poezia dhe individualiteti, Flaka e vëllazërimit, Shkup;
[4]. Wellek,R., Warren, A., (2015), Teoria e letërsisë, Onufri, Tiranë;
/RevistaUji-VII/