KOSOVARE RAMADANI MEHMETI-KRITIKA PËR PROZËN E ERNEST KOLIQIT
Tregimtari modernist i Sabri Hamitit
Studiuesi, ligjëruesi i letërsisë moderne shqipe Sabri Hamiti (1950), në veprën e tij Letërsia moderne, s’ka se si të mos e trajtojë në librin e tij, edhe modernistin e parë apo ndër të parët në letërsinë shqipe. Ai thotë për Koliqin se është vazhdues i Gjergj Fishtës, po nga shkollimi që ka marrë kërkon një stil të ri. Po ashtu, ai shton se në veprat e tij më të mira letrare Koliqi ka arritur të bëjë pajtimin e dy kërkesave të veta, në dukje, të papajtueshme. Studiuesi, do të ndalet në tri veprat kryesore në prozë të Koliqit, duke na zbërthyer për secilën kodet që ia ka mveshur shkrimtari modernist. Ai arrin të gjejë thelbin e secilit tregim, dhe në mënyrë shumë të qartë na bën që të kuptojmë botën, idetë, pikëpamjet e Koliqit. Madje Hamiti na tregon edhe karakteristikat e novelave të Koliqit, dhe si karakteristikë themelore e sheh se është thellimi në botën psikologjike të personazheve. Ambienti intim dhe real, hyrja në thelbin e tregimit që në fazat e para, shqipja vendase që bëhet gjuhë e tregimit artistik, janë disa nga karakteristikat tjera që studiuesi i dallon në prozën e Koliqit.
Tek “Hija e Maleve”, Sabri Hamiti duket që e dallon më shumë novelën “Gjaku”, me të cilën merret më shumë, dhe e cila duket që është thelbi i gjithë veprës, vepër e cila trajton tema që kanë rrënjë në moralin e Malësisë, siç thotë studiuesi, por më e ndërlikuara na del novela “Gjaku”, ku studiuesi shton se në të është derdhur mjeshtëria e tij e shkrimit, ashtu si janë shprehur pikëpamjet themelore mbi botën shqiptare duke ndërtuar personalitetin e personazhit kryesor të veprës. Në këtë vepër shfaqen idetë për transformimin e kësaj jete, ashtu si pengesat e pakalueshme për këtë transformim. Pra, studiuesi na bën të ditur se Koliqi na ka shpalosur botën shqiptare në të cilën ka shumë diversitete, dhe që të bëhet një ndryshim duhet të kalojë shumë kohë dhe duhet bërë shumë punë.
Për librin tjetër “Tregtar flamujsh”, Hamiti e sheh dallimin që kanë këto novela me novelat e librit “Hija e Maleve”, pasi që këtu trajtohet më shumë jeta e qytetit të Shkodrës, dhe jo si tek e para, jeta e malësorëve. Megjithatë, edhe këtu e kemi një realitet të ashpër, ku kemi përballje të mentalitetit, apo siç na tregon studiuesi se këtu jeta shkodrane paraqitet me realitetin e vet të ashpër, duke zbuluar botën e fshehur të ambicieve të njerëzve, shpirtin e çelur po edhe shpirtin e mykur që përkundet në errësime të së kaluarës. Tek novela “Djepi arit” studiuesi na bën të ditur se autori po tallet me një botë të tërë, e me këtë rast pothuajse e gjithë vepra ka ca pika thumbuese, me një ton humori.
Sa i përket veprës “Pasqyrat e Narcizit”, këtu Hamiti thotë se Koliqi krijon autobiografinë e shkrimtarit, e cila kërkon për shenjat që e identifikojnë me botën shqiptare, shenja të cilat i shohim në shtatë prozat poetike. Tutje Hamiti thotë se Koliqi prozën e tij e mbështet në shkollën simboliste prandaj, edhe përdoret këtu “myti i Narcizit në kuptim simbolik si kërkesë e fytyrës së shpirtit nëpër valët e jetës”.
Nga kritika e profesor Hamitit, e kuptojmë një Koliq tradicional, një Koliq që ka ide të mëdha, një Koliq që sjell diçka të re, një Koliq që mund të zbërthehet dhe që mbetet ndër modernistët më të mirë.
Robert Elsie për prozën e Ernest Koliqit
Studiuesi kanadezo-gjerman Robert Elsie (1950-2017), në librin e tij Histori e letërsisë shqiptare, Ernest Koliqin e quan si inovator dhe prijatar të prozës moderne shqiptare, së bashku me Kutelin. Më tej, Elsie thotë se Koliqi ishte ai që u largua nga sentimentalizmi romantik, për të shkuar drejt një pasqyrimi psikologjik të personazheve dhe pasqyrimit të realitetit shqiptar, pa mistifikime. Në analizën për librin Hija e maleve, Elsie veneron trajtimin e ndeshjes së qytetërimeve brenda Shqipërisë, pra një ndeshje mes Perëndimit dhe Lindjes, si dhe ndeshja e mentaliteteve, asaj të kaluarës që pasqyrohet me gjakmarrjen, si dhe mentalitetit përparimtar që pasqyrohet me shkollimin dhe avancimin para së gjithash kulturor. Elsie thotë se kritika e ka konsideruar librin “Tregtar flamujsh” si ndër librat më të mirat e prozës shqiptare në periudhën e paraluftës. Në këtë libër, gjithmonë sipas Elsiet kemi një analizë psikologjike më të thellë, saqë e krahason me shkrimtarin sicilian Luixhi Pirandelo. Sa i përket romanit “Shija e bukës së mbrûme”, Elsie u përqendrua më shumë në tematikën e tij, ku studiuesi e quan si thekse të dukshme politike, dhe se kjo vepër, sikurse edhe veprat të tjera të autorit ishin të panjohura në Shqipëri për shkak të rrethanave që tashmë dihen.
Sali Bashota për prozën e Ernest Koliqit
Sali Bashota (1959) në veprën studimore Proza e filleve të modernitet që trajton katër autorë (Konica, Kuteli, Koliqi dhe Migjeni) fillon me studimin e novelës Gjaku, për të cilën thotë se autori vë përballë dy situata, atë të instinktit të brendshëm që e identifikon me dashurinë dhe instiktin e jashtëm që e identifikon me gjakmarrjen. Kjo, sipas Bashotës, situatën e parë e përcakton uni apo personalja, ndërsa situatën e dytë rrethi shoqëror apo mentaliteti. Në vijim të studimit, Bashota vëren se Koliqi, në një pjesë të madhe të tregimeve të tij, kodin zakonor të shqiptarëve e realizon në praktikë, gjë që shihet edhe në tregimin Se qofsh, pleqnofsh.
Bashota vëren edhe se dashuri-gjakmarrje është binomi i pranishëm në rrëfimet e Koliqit, pra ndeshje e personales me kolektiven, e cila në shumicën e rasteve merr përmasën e tragjikes. Dashurinë në prozën e Koliqit, Bashota e vëren si një dashuri të parealizuar, për shkak të rrethanave, të cilat paraprakisht i ka caktuar shoqëria.
Gjithashtu, Bashota vëren edhe ndikimin që letërsia popullore konkretisht miti ka në veprën e Koliqit, në të cilat mbizotëron gojëdhëna dhe legjenda, e cila shprehet përmes mendimeve të narratorit dhe të personazheve. Në këto tregime bëhet bartja e informatave kallëzimtare, të cilat i bashkon kujtesa, që më pas bëhet si vizion i jetës. Ajo çka i veçon tregimet e Koliqit, sipas Bashotës është se kemi një bashkëdyzim të besëtytnive e misticizmin me sferën njohëse.
Përveç që ndalet në analizë ideore e tematike, në një pjesë të studimit të tij, Bashota ndalet edhe në analizën strukturore të narracionit. Ai e çmon lart ndërtimin narrativ të tregimeve, ku kemi një ndërthurje dhe inkorporim mes narratorit dhe të personazheve. Studiuesi thekson se Koliqi e thyen monotoninë e narracionit të zgjatur e plot detaje me zërin e brendshëm të narratorit.
Bashota vëren se Koliqi nuk është kundërshtar i traditave shqiptare, siç ishte Migjeni, por ai kërkonte që ato tradita të formoheshin, apo autori kërkonte që të kishim “zbutje” normash e rregullash, ligjesh e kanunesh që e përtërijnë ndjenjën e kënaqësisë e të lumturisë. Me fjalë të tjera, kërkohej një realitet shoqëror ndryshe, pa ndërrime të mëdha normash, të cilat do të mund të dërgonin drejt një asimilimi nacional.
Koliqi impersonal i Kujtim M. Shalës
Ndonëse Koliqin e gjejmë edhe në vepra të tjera të Kujtim Shalës (1974), ne ndaluam tek “Vepra e vetmisë”. Këtu Shala shpalos një Koliq personal që është në kërkim të identitetit. Studiuesi dëshiron të na tregojë se kur kemi një Koliq personal dhe kur impersonal, çfarë kode tematike kemi tek secili libër, çfarë diskurse janë përdorur dhe si na jepen ato, a kemi palimpsest të pastër, statusi kategorial i tyre, sidomos tek “Pasqyrat e Narcizit”, a duhet të quhet tekst apo metatekst dhe kështu kemi një mendim për secilin libër, me ç’rast studiuesi thotë se te libri i parë, Koliqi afrohet me Shkollën letrare françeskane; e, pse të mos thuhet haptas, me Gj.Fishtën. Aty Ernesti është autor “struktural”, zbulues i strukturave e i temave. Te libri i dytë, temat etnike sikur marrin një shenjë personalizimi, për t’u zhvilluar këto shenja plotësisht te “Pasqyrat e Narcizit”. Tashmë, ai hyn në gjiun e jezuitvet, për ta pranuar mësimin e N.Mjedjes, për të vdekur për format. Pra, Shala në këtë rast na dërgon tek ndarja që e ka bërë vetë Koliqi, tek ndarja e dy shkollave të mëdha françeskane dhe jezuite, me dy përfaqësuesit e tyre më të mëdhenj, Fishta e Mjedja, e që këto shkolla po vihen në praktikë nga vetë autori.
Shala na mëson ecjen e shkrimit të Koliqit, duke na treguar se Ecja nga Hija e maleve te Pasqyrat e Narcizit, është ecje nga shkrimi impersonal tek ai personal; për t’i pasur bashkë, të kryqëzuar, te Tregtar flamujsh.
Duket se studiuesit më shumë i intereson libri “Pasqyrat e Narcizit”, për të cilin flet që nga fillimi deri në fund, dhe ndoshta ky tekst është burimi më i madh i nxjerrjes së të dhënave që i interesojnë Shalës. Shala, këtë tekst e dërgon në të gjitha aventurat e kritikës, për të na dhënë pamjen e qartë në fund. Ai thotë se Pasqyrat e Narcizit, pra, është vepër e kërkimit të identitetit në jetë. Një “ecje” nga zbulimi i fytyrës së vërtetë të krijuesit. Është “një lloj biografie” Studiuesi thotë se autori që ka marrë mitin e Narcisit, kërkon identitetin e tij nëpër këto shtatë shfaqje të jetës, dhe identitetin e vet e gjen tek në fund, jo si Narcisi që përfundon me tragjedi, por që fundi i gjetjes përkon me lumturi, e të cilën e gjen tek vepra letrare.
Amëza letrare e Nysret Krasniqit
Për prozën e Koliqit ka shkruar në veprën e tij “Autori në letërsi” edhe Nysret Krasniqi (1976). Sikurse disa nga studiuesit edhe Krasniqi e sheh Koliqin si trashëgimtar, apo më mirë të themi lozë fishtjane. Ai për krijimtarinë e Koliqit thotë se Kanuni i maleve “pasqyrohet” në letërsi.
Krasniqi na jep nga një pamje pothuajse për secilën novelë duke situr të gjitha paqartësitë dhe duke na dërguar tek Koliqi i vërtetë. Por, ndër të tjera studiuesi gjurmon në novela dhe sheh se titulli na mbanë pezull deri në fund të novelës, por që me përfundimin e saj e kuptojmë edhe intencën e titullit. Si elemente përbërëse të prozës së Koliqit, e që gjenden pothuajse tek secila novelë, Krasniqi thotë se ndërlidhen e vargëzohen elementet e humanes, tradicionales dhe intencionales.
Studiuesi bën një dallim se kur zbulohet autori tek “Hija e Maleve”, dhe kur tek “Tregtar flamujsh”, me ç’rast tek libri i parë autori zbulohet atëherë kur ideja shtrihet në strukturën e tregimit, kurse tek libri tjetër autori zbulohet nëpërmjet personazhit, po ashtu sa i përket personazhit, ai në tregimin e tij është krijesë e autorit e kurrsesi krijesë e kolektivitetit, ai nuk e tipizon shoqërinë, por bëhet bartës i filozofisë së unit modernist, shton tutje Krasniqi.
Sa i përket librit të tretë “Pasqyrat e Narcizit”, na pasqyrohet vepra me të gjitha pamjet e saj, deri tek përfundimtarja, të cilën studiuesi e sheh se kjo vepër është bioletra autoriale e Koliqit, që shkon kah poezia, e që nënkuptojmë se është më filozofike. Studiuesi, termin bioletra, term që është marrë nga Sabri Hamiti, e sheh si bashkëdyzim të jetës me letërsinë, e që më së miri i shkon për shtati kësaj vepre. Krasniqi shton se Koliqi e gjen “vdekjen” e vet, jo në ujët e lumit sikurse Narcizi i Mitologjisë, por në valët e Poezisë, e cila është imanenca e ekzistencës dhe inekzistencës së tij në Botë.
PËRFUNDIM
Për prozën e Koliqit, është shkruar e do të shkruhet ende, si njëra ndër prozat më me vlerë dhe që kemi se çka të marrim nga ajo. Në këtë punim janë analizuar kritikat e disa studiuesve, si të Sabri Hamitit, Robert Elsie, Sali Bashotës, Kujtim M. Shalës dhe Nysret Krasniqit. Secila kritikë arrin të vë në pah pikat themelore të prozës së Koliqit, e që në radhë të parë na vjen lidhja e tij me traditën e deri tek idetë e tij moderniste. “Hija e maleve” është hija e malësorëve e që mbetet përgjithmonë e lidhur me traditën, rrënjët e së cilës nuk shkëputen edhe nëse gjethet ndryshojnë, siç është rasti tek tregimi “Gjaku”. Një problematikë të qytetit e hasim tek libri “Tregtar flamujsh” e që përafrohet më shumë me pikëpamjet e autorit, ku kemi një alterego që në tregimin e parë. Kalimin nga “fishtjanizmi” në “mjedjanizëm” mund të themi se e kemi tek libri i tretë, për të cilin, kritikët tanë, kanë shkruar mjaft shumë, pra për “Pasqyrat e Narcizit”.
Në këtë punim u munduam t’i veçojmë pikat kyçe, të secilit kritik dhe në fund të arrijmë të krijojmë mozaikun e prozës së Koliqit, prozë e cila mbetet si njëra nga më të mirat në letërsinë shqipe.
/RevistaUji-VII/