MENTOR HAJRIZI-PËRDORIMI I FJALËVE TË HUAJA NË RAPORTIMET E GAZETËS EPOKA E RE

MENTOR HAJRIZI-PËRDORIMI I FJALËVE TË HUAJA NË RAPORTIMET E GAZETËS EPOKA E RE

0 Comments

Gazeta Epoka e re, gjatë raportimeve të veta u jep hapësirë fjalëve të huaja. Këtë e vërejmë qartë edhe në shkrimet e botuara të kësaj të përditshmeje të pavarur, me nr. 4 059. Nga kjo gazetë kemi shkëputur disa fjalë të huaja dhe ato po i paraqesim me shembuj konkretë:
Shembulli I: 12 vjet pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje Ahmeti ka thënë se është arritur progres në shumë fusha për shqiptarët e Maqedonisë… (Epoka e re, 14 gusht 2013, f. 2)
PROGRES, ~ I m. Kjo fjalë, që zë fill nga kjo temë e burimit latin, përdoret kryesisht në gjuhën librore. Fjalën progres, të cilën FGjSSh e shpjegon: Prirje e përgjithshme zhvillimi, ecje përpara, kalim në një shkallë më të lartë, përparim, e zëvendëson fjala shqipe përparim, të cilën edhe FGjSSh e jep si sinonim pas shpjegimit, p. sh.: Përparim ekonomik(shoqëror). Në rrugën e përparimit (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:112).
Shembulli II: Vlerësohet angazhimi i OSBE-së për zgjedhjet në veri. (Epoka e re, 14 gusht 2013, f. 6)
ANGAZHIM, ~I m. sh., ~E, ~ET. Është fjalë e ligjërimit libror me temë nga frëngjishtja. FGjSSh i ka përfshirë por, sipas kuptimeve e përdorimeve, herë i ka çuar te fjalët shqipe, herë i ka shpjeguar e herë ka dhënë për to sinonimet gjegjëse. Emri foljor angazhim në kuptimin themelor është zëvendësuar tashmë me zotim, p. sh.: Marr zotim. Plotësimi i zotimeve (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:16).
Shembulli III:… Ka vlerësuar se kjo periudhë paraelektorale është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin dhe shoqërinë, për faktin se për herë të parë këto zgjedhje mbahen në territorin e Kosovës. (Epoka e re, 14 gusht 2013, f. 7)

ELEKTORAL, ~E mb. Është fjalë e huazuar nga gjuhët neolatine. Si term është zëvendësuar me fjalën shqipe zgjedhjesor, ~ e, që e ka edhe FGjSSh dhe me emrin zgjedhje në rasën gjinore, p. sh.: Fushata zgjedhjesore (e zgjedhjeve). E drejta zgjedhjesore (e zgjedhjeve).
Edhe TERRITOR, ~ I m. Është fjalë me prejardhje nga gjuhët neolatine. Këtë fjalë e ka edhe FGjSSh dhe FShS por, veç shpjegimit, japin edhe fjalët gjegjëse në gjuhën tonë: truall, tokë për territor, ndërsa tokësor për territorial, p. sh.: Truall kombëtar. Ujërat tokësore (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:55-133).
Shembulli IV: Thaçi pret pjesëmarrje solide të serbëve në zgjedhje. (Epoka e re, 14 gusht 2013, f. 7)
SOLID, ~E. Këtë fjalë me prejardhje nga gjuhët neolatine FGjSSh dhe FShS nuk e kanë. Për mbiemrin solid shqipja ka, sipas rastit, fjalët i fortë, i qëndrueshëm, i shëndoshë, i thellë, i ngurtë, p. sh.: Dije të qëndrueshme (të thella, të shëndosha). Mbështetja e shëndoshë (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:124).
Shembulli V:… Destinacione kanë Portin e Tivarit në Mal të Zi. (Epoka e re, 14 gusht 2013, f. 9)
Fjalët e huaja si destinoj, destinohet, destinim, i destinuar dhe destinacion nuk kanë asnjë arsye që të përdoren në mediat tona, ose në gjuhën tonë amtare sepse, sipas autorëve të librit, Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, kuptimin e tyre e japin fare mirë fjalët shqipe, si: paracaktoj, përcaktohet, përcaktim, i përcaktuar dhe caktoj, i caktuar.
Përdorimi i fjalëve të huaja në raportimet e gazetës Zëri
As në gazetën e përditshme Zëri nuk mungojnë fjalët e huaja. Kjo gazetë, siç kemi vështruar në numrat e saj të botuar, nr. 4 335 dhe nr. 4 339, ka përdorur fjalë të shumta, të cilat janë të marra nga gjuhë të ndryshme, pa pasur aspak nevojë të përdoren. Nga këta dy numra po të kësaj gazete, kemi marrë pesë shembuj dhe, si të tillë, edhe i kemi veçuar:
Shembulli I: I dërguari special i Gjermanisë për Europën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s, Erns Reichel. (Zëri, 14 gusht 2013, f. 2)
Sa i përket mbiemrit SPECIAL, sipas një Cikli leksionesh dhe përmbledhje leximesh (Prishtinë), si botim i parë, në gusht të vitit 2005, kuptojmë se në shqip kjo fjalë e ka kuptimin veçantë (i/e) dhe posaçëm (i/e).
Shembulli II:… alarmojnë se produktet… (Zëri, 14 gusht 2013, f. 7)
ALARM, ~I m, ALARMOJ kal. Këto janë çerdhe fjalësh me temë të huazuar nga italishtja. Në FGjSSh pasqyrohen me disa kuptime e njësi frazeologjike. Alarm, si term ushtarak që mbart edhe kuptimin fillestar të fjalës, po zëvendësohet me fjalën shqipe kushtrim, p. sh.: Kushtrim luftarak. Kushtrim ajror. Si term ushtarak me kuptimin “jap kushtrimin, ngre në kushtrim” mund të përdoret edhe folja kushtrimoj. Në kuptimin e figurshëm shumë herë mund të zëvendësohet me togun shqetësim i madh, p. sh.: Shkaktoi (ngjalli) shqetësim të madh.
Edhe fjalët alarmoj, alarmohem, i alarmuar, që janë formime të shqipes me temë të huazuar, mund të zëvendësohen me fjalë e shprehje të shqipes, si: shqetësoj ose shqetësoj shumë; shqetësohem ose shqetësohem shumë; i shqetësuar ose shumë i shqetësuar, p. sh.: Kushtrimoj gjendjen. Shqetësohem për shëndetin. Dukej i shqetësuar (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:13-14).
Shembulli III: Disa madje i merrnin certifikatat nga nëpunësit komunalë edhe përmes dritareve. (Zëri, 14 gusht 2013, f. 8)
CERTIFIKAT/Ë, ~A f. Është fjalë e stilit zyrtar me prejardhje nga gjuhët neolatine. FGjSSh (1980) e shpjegon, kurse FShS (1984) e jep vetëm me dy sinonime shqipe, që e mbulojnë atë në të gjitha kuptimet e përdorimet: vërtetim, dëshmi, p. sh.: Dëshmi shkollore. Dëshmia e lindjes. Në Fjalorin e termave të së drejtës fjala certifikatë është zëvendësuar, sipas kuptimeve të saj, me fjalët dëshmi dhe vërtetesë (p. sh.: vërtetesë trashëgimie). Fjala vërtetim është më mirë të përdoret me kuptimin e veprimit të foljes përkatëse, p. sh.: Vërtetimi i një dokumenti (i një pohimi). Vërtetimi i teoremës (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:35).
Shembulli IV:… në komunën e Pejës janë duke vazhduar aktivitetet për përgatitjen e shkollave për të pritur nxënësit e tyre në muajin shtator (Zëri, 14 gusht 2013, f. 15)
AKTIVITET, ~I m. Edhe pse me burim të huaj, ka ende një përdorim relativisht të gjerë sidomos në letërsinë politiko-shoqërore. Në njëjës po përdoret me sukses fjala shqipe veprimtari, por në numrin shumës përdoret ende fjala e huaj aktivitetet. Edhe në shumës nuk ka asnjë arsye që ta përligjë fjalën e huaj, prandaj duhet të zërë vend fjala shqipe. Pra, mund të thuhet e të shkruhet fare bukur: Veprimtaritë kulturore etj. (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:12).
Shembulli V: PDK nuk preferon kamera në vendvotime. (Zëri, 19 gusht 2013, f. 3)
PREFEROJ kal. Folja preferoj (preferohem), me temë të huazuar nga gjuhët neolatine, FGjSSh e cilëson si fjalë librore dhe në vend të shpjegimit jep fjalët dhe shprehjet shqipe parapëlqej, pëlqej më shumë, p. sh.: Parapëlqen (pëlqen më shumë) mendimin tënd. Parapëlqejmë (pëlqejmë më shumë) lojërat me dorë (Kelmendi, 2000:4).
Përdorimi i fjalëve të huaja në raportimet e gazetës Koha ditore
Fjalët e huaja gjejnë përdorim jashtëzakonisht të dendur edhe në njërën prej gazetave më të lexuara, e njohur në shtypin ditor të Kosovës si gazeta me nivelin më të lartë në veprimtarinë përkatëse, Koha ditore. Për t’i zbërthyer fjalët e huaja në këtë të përditshme, i kemi marrë po dy numra të botuar të kësaj gazete, numrin 5 817 dhe numrin 5 820. Shembujt e marrë nga kjo gazetë tregojnë edhe më tepër për përdorimin e fjalëve të huaja:
Shembulli I: Ai ka mohuar që hezitimi i OSBE-së ka ardhur… (Koha ditore, 2 shtator 2013, f. 3)
HEZITIM, ~I m. Është fjalë me temë të huazuar nga gjuhët neolatine. Sipas FGjSSh, në vend të fjalës hezitim dhe hezitoj, përdoren prej kohësh fjalët shqipe ngurroj, ngurrim, p. sh.: Ngurroj ta marr. E bën pa ngurruar. Një çast ngurrimi. E bëri pa ngurrim (Kelmendi,2000:29).
Shembulli II:… me një vendim “ad-hoc” nga ana e KQZ-së. (Koha ditore, 2 shtator 2013, f. 3)
Zbërthimin e fjalës “ad-hoc” në shqip e shpjegon Cikli i leksioneve dhe ai me përmbledhje leximesh (Prishtinë), si botim i parë, në gusht të vitit 2005, ku kuptojmë se në shqip kjo fjalë e ka kuptimin për këtë qëllim, aty për aty dhe posaçëm.
Shembulli III: Edhe për lirimin e trotuareve… (Koha ditore, 2 shtator 2013, f. 5)
TROTUAR, ~I m.sh. ~E, ~ET. Vjen nga frëngjishtja. Në vend të saj sot ka filluar të përdoret fjala shqipe këmbësore, që e këshillon edhe FGjSSh, p.sh.: Këmbësore e gjerë. Këmbësore e shtruar me pllaka. Ecnin në këmbësore. Zbriti nga këmbësorja (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:136).
Shembulli IV: Lëvizja për Bashkim e ka prezantuar të dielën Muratin… (Koha ditore, 2 shtator 2013, f. 6)
PREZANTIM, ~I m. Fjalë me temë të huazuar nga gjuhët neolatine. Përdoret pa nevojë sidomos në ligjërimin bisedor. FGjSSh nuk i ka këto fjalë dhe në vend të tyre jep fjalët dhe togjet e fjalëve shqipe, përkatësisht: paraqit, njoh me; paraqitem, njihem me; paraqitje, njohje, p. sh.: Po ju paraqit (po ju njoh).Të paraqitemi (të njihemi) (Kelmendi,2000:44).
Shembulli V:… Pas përfundimit të afatit për aplikim…(Koha ditore, 5 shtator 2013, f. 3)
APLIKIM, ~I m. Është fjalë me temë të prejardhur nga gjuhët neolatine. Folja aplikoj përdoret me kuptimin vë në jetë, vë në veprim, përdor në një rrethanë të caktuar. Këtë kuptim e shpreh me përpikëri fjala shqipe zbatoj, po kështu kuptimin e emrit aplikim e shpreh plotësisht fjala zbatim, p. sh.: Po zbatojnë një metodë të re. Zbatimi i ligjit. Në disa raste, nën ndikimin e gjuhëve të huaja, fjalët aplikoj, aplikim përdoren gabim me kuptimin e fjalëve ushtroj, ushtrim. Në gjuhën shqipe thuhet të ushtrohet noti dhe ushtrimi i notit dhe jo të aplikohet noti, aplikimi i notit etj. (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:18).
Përdorimi i fjalëve të huaja në raportimet e gazetës Kosova sot
Përkrah gazetave Epoka e re, Zëri dhe Koha ditore qëndron edhe e përditshmja informative dhe e pavarur Kosova sot. Përdorim të njëjtë, sikurse edhe te gazetat e përmendura më parë, fjalët e huaja kanë zënë vend të rëndësishëm edhe në gazetën Kosova sot. Numri 5 045 i botuar i kësaj gazete sjell disa nga fjalët e huaja të përdorura, të cilat po i trajtojmë me shembuj, siç vijon:
Shembulli I:… për t’u verifikuar… (Kosova sot, 7 shtator 2013, f. 2).
VERIFIKIM, ~I m. Është fjalë me temë të huazuar nga italishtja. Prof. A. Xhuvani ka dhënë mendimin që të zëvendësohet me foljen vërtes dhe me çerdhen e saj. Meqë kuptimi themelor i fjalës verifikoj është të provuarit e vërtetësisë së diçkaje, për ta zëvendësuar çerdhen e saj mund të formohet një çerdhe fjalësh nga tema e fjalës vërtetësi. Atëherë do të kemi: vërtetësoj, vërtetësohet, vërtetësim, i vërtetësuar dhe i pavërtetësuar, me të cilat nënkuptohet veprimi që bëhet për të provuar vërtetësinë e diçkaje, p. sh.: Vërtetësoj një çështje. Vërtetësimi i dokumenteve. Janë shifra të pavërtetuara (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:40).
Shembulli II: Gazeta ka kontaktuar edhe zyrtarë nga organizatat joqeveritare. (Kosova sot, 7 shtator 2013, f. 3)
KONTAKT, ~I m. ~E, ~ET. Është fjalë e ligjërimit libror, e huazuar nga frëngjishtja. FGjSSh dhe FShS e kanë por, veç shpjegimit, japin edhe fjalët gjegjëse të shqipes takim, madje, sipas kontekstit, edhe fjalën lidhje, p. sh.: Pikë takimi. Takime (lidhje) miqësore. Takime (lidhje) me popullin. Edhe si term në elektronikë ka filluar të zëvendësohet po me këto fjalë të shqipes, p. sh.: Takim (lidhje) elektrikë (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:86).
Shembulli III: Ekziston një hetim lidhur me pohimet e bëra nga Dick Marty. (Kosova sot, 7 shtator 2013, f. 4)
EKZISTENC/Ë, ~A f., EKZISTOJ jokal. Këto janë fjalë të huaja, të huazuara nga gjuhët neolatine. Emri ekzistencë përdoret me kuptimin “qenia në jetë e diçkaje, qenie, jetesë” dhe mund të zëvendësohet fare mirë me këto fjalë të shqipes, p. sh.: të qenët e botës (në vend të: ekzistenca); mjetet që kemi ose që janë (në vend të: që ekzistojnë); luftë për jetën (në vend të: për ekzistencë). Folja ekzistoj mund të zëvendësohet me fjalët e shqipes jam, jetoj, p. sh.: janë kushtet; nuk jeton më. Pra, kjo fjalë e huaj dhe rrjedhojat e saj mund të mënjanohen duke përdorur në vend të tyre sipas rastit fjalët shqipe qenie, jetesë, jetoj (Kelmendi, 2000:24).
Shembulli IV: Janë vërejtur divergjenca të ndryshme në vendime. (Kosova sot, 7 shtator 2013, f. 5)
DIVERGJENC/Ë, ~A f. Fjalë e huaj që ka hyrë në gjuhën shqipe nga gjuhët neolatine. E ka edhe Fjalori i gjuhës së sotme shqipe. Kuptimi kryesor i kësaj fjale është “mospërputhje e mospajtim në mendime dhe në veprime ndërmjet dy a më shumë njerëzve, ndryshim mendimesh a pikëpamjesh për një çështje, mosmarrëveshje”. Në këtë kuptim kjo fjalë zëvendësohet me fjalët e shqipes mospajtim, mosmarrëveshje, mospërputhje. P. sh.: Mospajtim teorik. Mosmarrëveshje ideologjike (politike). Kanë mosmarrëveshje. Kemi mospërputhje mendimesh etj. (Kelmendi, 2000:21).
Shembulli V: Ndërkaq, ka gjasa të ketë implikime…(Kosova sot, 7 shtator 2013, f. 6) IMPLIKOJ kal., IMPLIKOHEM vetv. Këto fjalë me temë të huazuar nga gjuhët neolatine nuk janë përfshirë në FGjSSh. Në vend të tyre prej kohësh përdoren fjalët ngatërroj a përziej, ngatërrohem a përzihem, p. sh.: Deshën ta ngatërronin (ta përzienin) edhe atë në atë punë. Nuk është ngatërruar (nuk është përzier) në atë çështje. Në stilin bisedor në vend të fjalës së huaj implikohem, mund të përdoret edhe shprehja frazeologjike ka gisht, p. sh: në këtë çështje ka gisht edhe ai (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:71).
Përfundim
Për ta parë gjendjen e shtypit të Kosovës u volën fjalët e huaja të përdorura në të përditshmet tona ditore (Epoka e re, Zëri, Koha ditore dhe Kosova sot) dhe u dhanë shembuj konkretë nëpërmjet të cilëve u përpoqëm t’i japim shpjegimet e nevojshme për fjalët që duhet të përdoren në mediat e shkruara. Hulumtimi është bërë përgjatë muajve gusht–shtator të vitit 2013. Ky hulumtim botohet për herë të parë në revistën shkencore Akademia.
Përdoren fjalët e huaja: progres, angazhim, paraelektorale, territor, solid, destinacion, special, alarm, certifikatë, aktivitet, preferim, hezitim, ad-hoc, trotuar, prezantim, aplikim, verifikim, kontakt, ekzistencë, divergjencë, implikim etj.
Duhet të përdoren fjalët shqipe: përparim, zotim, parazgjedhjesore, truall (tokë), i fortë (i qëndrueshëm, i shëndoshë, i thellë, i ngurtë), përcaktim (caktim), veçantë (posaçëm), kushtrim (figurativisht: shqetësim i madh), vërtetim (dëshmi), veprimtari, parapëlqim (pëlqim), ngurrim, për këtë qëllim (aty për aty, posaçëm), këmbësore, paraqitje (njohje), zbatim, vërtetësim, takim (lidhje), qenie (jetesë, jam, jetoj), mospajtim (mosmarrëveshje, mospërputhje), ngatërrim (përzierje) etj.
Literatura
Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i
Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Prishtinë, 1989
Kelmendi, Shaban, Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, [s. n.], Mitrovicë, 2000
Krasniqi, Milazim, Hyrje në gazetari, Rozafa, Prishtinë, 2002
Mohl-Russ, Stephan, Gazetaria – tekst didaktik e praktik, K&B, Tiranë, 2010
Murati, Qemal, Kulla babilonike dhe përzierja e shqipes, Shoqata e Shkrimtarëve
Shqiptarë, Shkup, 2000
Rugova, Bardh, Gjuha e gazetave, Koha, Prishtinë, 2009
Thomai, Jani, Leksikologjia e gjuhës shqipe, ShBLU, Tiranë, 2002

/RevistaUji-VII/