METIN IZETI-NGULFATJA E LETËRSISË
Jeta në epokën e “autokracisë digjitale” duket se e zhduk përgjithmonë kulturën. Skllevërit e Rendit
të Ri përpiqen me ngulm ta përshpejtojnë vdekjen e letërsisë, së shpejti nuk do të nevojiten as ata
– transhumanizmi, me shumë mjeshtëri na ofron shfuqizimin e njeriut letrar si të tillë. Rendi global
në zhvillim synon, “të likuidojë njeriun e letërsisë”, “njeriu i letërsisë nuk është dikush që jeton
vetëm në botën e letërsisë dhe jo në botën reale”. Përkundrazi njeriu i letërsisë është më i pranishëm
në botën reale sesa njeriu i “zakonshëm” pikërisht sepse mjeshtërinë e interpretimit e zbaton në
vetë botën, prandaj njeriu i letërsisë nuk sheh vetëm të dukshmen në botë, por ka fuqinë të shohë
e kuptojë të padukshmen ose mezi të dukshmen. Kështu bota bëhet për të një pyll shenjash që
interpretohen dhe që e çojnë në shumë sekrete. Ata shpesh nuk janë të këndshme, por, intenca e
njeriut të letërsisë është koncepti “është mirë t’i zbulosh ata”. Kështu jeta bëhet më e bukur, më
kuptimplotë, më intensive dhe e gjithë kjo nuk varet aspak nga paratë në llogari, por nga aftësia e
interpretimit që njeriu ka përvetësuar me ndihmën e letërsisë.
Shkathtësia e interpretimit e bën atë njeri rezistent ndaj teknikave të manipulimit të ndërgjegjes
dhe propagandës, pasi është në gjendje t’i ekspozojë ato, ndërsa ndjenja e krenarisë, e cila lind
pavarësisht nga paratë, e bën atë rezistent ndaj mundësisë së komprometimit dhe magjepsjes nga
dritat e shoqërisë konsumatore. Prandaj njeriu i letërsisë “duhet të likuidohet”, në rendin e
robotizimit dhe denatyralizimit të njeriut.
Së pari, skllavi i ardhshëm duhet të ndahet nga letërsia. Ka një fjali që i atribuohet Adolf Hitlerit:
“Skllevërit e Rajhut duhet të privohen nga çdo arsim dhe art i lartë”. Mjafton që ata të dinë
alfabetin, të lexojnë dekretet tona, mjafton një melodi e thjeshtë dhe nevojat fiziologjike, për t’i
kënaqur ata”. Sot, sigurisht, askush nuk do ta thotë këtë me zë të lartë dhe qartë sa Hitleri, por,
mjetet në fushë si duket përpiqen ta sendërtojnë të njëjtën gjë. Telenovelat, emisionet e stërzgjatura
të sistemit “të mbijetesës”, të “vëllait të madh” dhe të ngjashme jemi duke i përjetuar edhe ne në
shoqërinë shqiptare. Pronari “në hije” i tyre është mbreti i mendimeve dhe imagjinatës tonë të
mbrapshtë.
Por e vërteta është më e fortë se gënjeshtra dhe do të fitojë një herë. Aleksandër Solzhenicini, duke
shkruar për gënjeshtrën e komunizmit, pati guximin t’i ftonte lexuesit e tij të mos jetonin në
gënjeshtër: “Ata do të na thonë: çfarë mund të bëjë letërsia kundër sulmit të pamëshirshëm të
dhunës së pa maskuar? Dhe të mos harrojmë se dhuna nuk jeton e vetme dhe as nuk është e aftë të
jetojë vetëm: është pashmangshëm e ndërthurur me gënjeshtra. Midis dhunës dhe gënjeshtrës
ekziston lidhja më e afërt, më e natyrshme dhe më e thellë. Nuk ka asgjë tjetër që mund të fshehë
dhunën më mirë se gënjeshtra dhe nuk ka asgjë më të mirë për të mbështetur gënjeshtrat sesa
dhuna. Kushdo që dikur deklaron dhunën si metodë, duhet të zgjedhë në mënyrë të pashmangshme
gënjeshtrën si parim të tij. Kur lind, dhuna duket e hapur dhe madje krenare për veten. Por, sapo
forcohet, ngrihet në këmbë, ndjen hollësinë e ajrit rreth saj dhe nuk mund të mbijetojë ndryshe
veçse duke gënjyer, duke u mbuluar me fjalën e ëmbël të gënjeshtrës. Ajo nuk do të mbyllë gojën
e njerëzve vazhdimisht, nuk do të detyrojë gjithnjë, por, shpesh do t’u kërkojë subjekteve vetëm të
betohen për gënjeshtra, vetëm të jenë bashkëpunëtorë në gënjeshtra.
Dhe një hap i thjeshtë i një njeriu të patrembur është parimi: të mos marrësh pjesë në gënjeshtra,
të mos mbështesësh veprime të rreme! Pra, lë të vijë në botë kushdo dhe madje të sundojë botën –
por jo përmes meje. Letrarët dhe artistët kanë akses në çështjen më të madhe dhe më të rëndësishme
për njerëzimin: të mposhtin gënjeshtrën! Në të vërtetë, në luftën kundër gënjeshtrës, letërsia dhe
arti fituan gjithmonë, më drejt, fitojnë gjithmonë! Një gënjeshtër mund të qëndrojë kundër shumë
gjërave në botë – por jo kundër letërsisë dhe artit. Dhe posa të tretet gënjeshtra – do të zbulohet
lakuriqësia e neveritshme e dhunës – dhe ajo do të shembet nga dëshpërimi. Një fjalë e vërtetë
peshon më tepër se e tërë bota…
Mendimi agnostik në filozofi dhe letërsi gjithmonë përpiqet të provojë se shpresa e pastër njerëzore
është e mundur, pa Zotin. Shpresa nga arsyeja dhe në arsyen (shkencore), shpresa në veprimin
njerëzor për të ndryshuar botën, shpresa në rebelimin e përhershëm kundër drejtësisë dhe dhunës,
shpresa në veprën njerëzore të lënë pas që e kalon njeriun pas rrugëtimit të tij të pakthyeshëm në
hiç. Por le të pyesim tani dhe këtu: a nuk është një paradoks? Domethënë, nëse shpresa është
gjithmonë diçka që e tejkalon njeriun si mund të ekzistojë ajo në pasojat e egos së tij, e veçanërisht
në sferën e materialitetit?
Si të gjesh kuptimin dhe vlerat e vërteta në një univers në të cilin ka gjithnjë e më shumë
informacion dhe gjithnjë e më pak kuptim? Si t’i vlerësojmë ato dhe si t’i përshtatim ato ekzistueset
me gjeneratat e reja? Si t’i kthjellim brezat që nuk njohin asnjë media tjetër veç atyre digjitale, për
të cilët interneti është baza e të gjitha marrëdhënieve, sociale, ekonomike, politike, kulturore, në
të cilat nuk ka dallime klasore, gjinore, racore dhe ku gjithçka duket e aksesueshme dhe e lehtë për
t’u kuptuar? Në kushtet e kulturës së argëtimit dhe kulturës së ngjarjeve, në kohët e estetizimit të
vazhdueshëm të botës lëndore, interneti është një fenomen unik në fushën e kulturës digjitale që
lejon takimin dhe ballafaqimin e ideve, ideologjive dhe kulturave të ndryshme, një arenë ku të
gjithë kanë mundësi të publikojnë dhe komentojnë, dhe e gjithë kjo nën ombrellën e hapjes,
objektivitetit, lirisë, por të gjitha këta të lira, si “pazar i teshave të përdorura”. Dhe në fakt është
një treg kaotik i komunikimeve masive. Praktikat subversive dhe modelet dekonstruktive tregojnë
se sa e rëndësishme është kjo fushë për të kuptuar kontekstin socio-politik, si dhe identitetet
kolektive dhe individuale. Me rritjen e numrit të përdoruesve, ajo ndryshoi fushën e veprimtarisë,
si dhe metodat e saj.
Mediat, në një shoqëri të rrjetëzuar, kanë ndryshuar kuptimin tonë për botën, komunikimin,
përhapjen dhe marrjen e informacionit përmes internetit. Ato janë bërë jeta jonë virtuale apo një
simulim, në të cilin “informacioni shteret në inskenimin e komunikimit, në inskenimin e kuptimit”.
Në të cilën vihet në skenë dëshira e shikuesve dhe e lexuesve, më saktë e konsumatorëve. Diskursi
i mediave të reja është njëkohësisht bartëse e ideologjisë së kapitalizmit dhe të liberalizmit, ai
përfshin si prodhuesit ashtu edhe konsumatorët. Dhe teknologjia e informacionit bën fitimet më
fitimprurëse. Mediat e reja me ideologjinë dhe diskursin e tyre nxitën pranimin e mënyrës së jetesës
dhe të mënyrës së prodhimit. Personi kyç në industritë kulturore është ai që “mbikëqyr
shpërndarjen, dhe jo ai që bën prodhimin”. Në epokën e rrjeteve sociale, merr një ndërlikim shtesë
të të kuptuarit e të marrëdhënies midis njerëzve, sepse punëtori i kulturës është në krye të prodhimit
dhe të shpërndarjes. Pra po zhvillohen modele të veçanta të industrisë kulturore.
Tregu global është gjithmonë i uritur dhe i hapur për çdo gjë që mund ta ushqejë atë, në kontekstin
se kultura postmoderne ka tronditur kufijtë midis kulturave të mëdha dhe të vogla, ndërmjet
qendrës dhe periferisë. Dominimi i kulturës populiste, të cilën e prodhoi dhe shpërndau përdorimi
i mediave është tipar i postmodernizmit, kushtëzohet nga hibriditeti, fragmentimi dhe fluiditeti.
Postmodernistët treguan interes për kulturën masive dhe kiçin, fshirjen e kufijve modalë dhe
gjinorë ndërmjet teksteve, në mënyrë të barabartë në prodhimin e tyre dhe në reflektimin mbi to.
Kultura populiste, rrjedhimisht letërsia shpesh i përshtat karakteristikat e veta me nivelin kulturor
apo përvojën letrare të lexuesit, prandaj letërsia populiste e ngulfatur përbëhet nga vepra të
skematizuara, të aksesueshme, të lehta për t’u lexuar, diçka që do të karakterizohej si kiç dhe junk,
por, që nga ana tjetër ka një sukses të madh tregtar. Duke marrë parasysh që fushat bashkëjetojnë,
ndërthurin njëra-tjetrën dhe kriteret e vlerës që ne perceptojmë shndërrohen në “fenomene”.
Kultura populiste në epokën moderne merr rolin e krijimit të vetëdijes kolektive si një rrëfim
lehtësisht i pranueshëm dhe i kuptueshëm për të gjithë anëtarët e komunitetit. Nën këtë lehtësi,
aksesueshmëri dhe kuptueshmëri fshihen modele të sjelljes, të moralit, të etikës, të ideologjisë, të
cilat janë të përgatitura për komunitetin dhe të cilat duan t’ua imponojnë anëtarëve të tij.
Letërsia është dukuri sa shoqërore edhe kulturore (dhe filozofike, psikologjike e politike), e
pandashme nga koha dhe hapësira në të cilën realizohet. Në një kulturë ku çdo gjë është e lidhur
në rrjet, as letërsia nuk mund të mbetet jashtë ngatërresës globale “fantastike”. Duam apo jo, në të
gjithë jemi të lidhur dhe të përfshirë. Është vetëm çështja e poetikës, si të rrjetëzohet dhe etikës,
në emër të cilave synime të bëhet.
Tipari themelor i rrjeteve sociale është se të gjithë mund të postojnë në to. Kështu, veprat letrare
botohen pa recensues dhe botues, me faktin se të gjithë mund të kritikojnë dhe lavdërojnë, si dhe
të marrin pjesë në krijimin e veprës. Është pikërisht shfaqja e letërsisë në rrjetet sociale ajo që do
të çojë në zhdukjen e hierarkisë brenda kulturës, deri te kolapsi i mëtejshëm i vlerave dhe i kulturës
elitiste, dhe decentralizimi i saj. Letërsia është një veprimtari krijuese që realizohet në gjuhë, por
edhe një veprimtari e vëzhguar përmes një “sistemi të diferencuar praktikash prodhimi, konsumi,
riprodhimi kritik, pedagogjik dhe shkencor të teksteve, i cili përfshin një numër të caktuar
teknikash, rolesh institucionale (autor, botues, kritik, lexues, interpretues, shkencëtar) dhe
pozicioni si shtytës për vetëruajtjen e saj.
Rrjetet sociale kanë ndryshuar në përgjithësi mënyrën e jetesës, kulturën, e për rrjedhojë edhe
letërsinë, më saktë, kanë kontribuuar në paraqitjen, prezencën dhe humbjen e karakterit të vërtetë
të saj. Në kuadrin e rrjeteve sociale, edhe letërsia zhvillohet, ndryshon dhe zgjeron mënyrat e
krijimtarisë letrare, kryesisht, populiste. Rrjetet sociale janë produkt i konsumizmit dhe i
ideologjisë kapitaliste, dhe letërsia në atë kontekst shihet si një mall, që çon në hiperprodhim,
mungesë kritike si dhe autokritike, ku kriteret e vetme janë pëlqimet. Për brezat e rinj që kërkojnë
mënyra të reja shprehjeje, struktura të reja ndjenjash, rrjetet sociale janë hapësirat e vetme, të
vazhdueshme të komunikimit dhe gjithnjë e më shumë, promovimi i diskursit të pamenduar thellë,
i humbjes së kulturës së thellë, që ndikon dukshëm në ngulfatjen e letërsisë. Realiteti i ri letrar
tregon se kanë ardhur në moshë gjenerata, për të, cilët funksioni i letërsisë është kryesisht argëtimi
dhe përfitimi komercial. Jemi dëshmitarë të shfaqjes së poetëve të rinj – “instapoetëve”. Ata flasin
një gjuhë të re, dhe kjo sigurisht nuk ka asgjë të përbashkët me poezinë.
Vëzhguar nga këndvështrimi i mediave të reja, veprat letrare janë më të aksesueshme, prodhimi
është më i gjerë dhe në atë hapësirë pafundësie dhe simulimi mbizotëron sasia, ndërsa cilësia
shpesh mbetet e humbur në oborr të vet.
Gadamer la një tregues të shkurtër të drejtimit në të cilin ishte orientuar letërsia, në fund të tekstit
të tij, duke thënë: “Në kohët kur teknologjia e informacionit dhe teknologjia e riprodhimit thjesht
i pushtojnë njerëzit me stimuj të panumërt, realizimi i një vepre arti po bëhet një detyrë e vështirë.
Artisti i sotëm duhet të luftojë kundër rrëkesë që errëson të gjithë ndjeshmërinë e veprës letrare,
por edhe vetë aktin e krijimit dhe të “bashkimit” me veprën. Sikur në këtë shekull kjo është bërë e
pamundur. Lojërat gjuhësore të shkrimtarëve të sotëm, të cilat prej kohësh janë bërë manierizëm,
kanë çuar në një konsumim, “zbrazëti” fjalësh gjithnjë në rritje, ndaj shpeshherë na duket se
përmbajtjet që lexojmë na janë përtypur shumë herë, të zbrazura në kuptimin e tyre të plotë, ato
bëhen banale.
Nga e gjithë kjo lind nevoja e krijuesit bashkëkohor për t’u kapur me rrymat e mënyrës
bashkëkohore të krijimit, për të qenë ndërhyrës, për të ndjekur gjendjen e gjërave dhe për të krijuar
në të njëjtin çelës, sepse vetëm kështu do të njihet, pranohet dhe paguhet. Kjo pagesë u referohet
të gjithë atyre që me këmbëngulje shkruajnë dhe shesin të njëjtën letërsi, edhe pse jo pa vetëdije
se si duket, duke u përpjekur të mbijetojnë prej saj, por edhe të krijojnë një letërsi të madhe.
Megjithatë, duket se në këtë shekull nuk do të ketë më letërsi të madhe. Ka disa arsye për këtë: e
para është sigurisht që letërsia e madhe gjendet në kultura që mund të krijojnë personalitete të
mëdha nga individët, të cilët do të jenë në gjendje të krijojnë letërsi të madhe. Arsyeja e dytë është
pikërisht se në këtë shekull njerëzit thellohen gjithnjë e më pak në thelbin e letërsisë, që është
esenca e ekzistencës njerëzore. Efekti i sipërfaqësisë është arsyeja e tretë pse letërsia e madhe
ndoshta nuk do të ekzistojë më, ose do të ekzistojë në ndonjë formë tjetër. Si krijuesit ashtu edhe
lexuesit bëhen gjithnjë e më pak të zhytur në përmbajtjen që transmetohet, ata gradualisht
shmangin përmbajtjen që i bën të ndalojnë, të gërmojnë dhe të nxjerrin diçka nga ajo për veten e
tyre. Këtu bëhet një kthesë prapa, sepse lexuesi modern duket se ndjek vijën e rezistencës më të
vogël duke zgjedhur leximin më të lehtë, por në këtë mënyrë prish aktin e të shkruarit të atij që
krijon, sepse shkrimtarët do të përpiqen të imponohen në një rreth sa më të madh të lexuesve, sa
më shumë që të jetë e mundur, kështu që ata deri diku do të përpiqen të përmbushin dhe justifikojnë
atë që pritet prej tyre. Të shkruarit nuk është më vetëm një moment intim krijimi, por edhe nevojë
dhe dëshirë për të qenë prezent në treg, për të afirmuar vetën dhe për të reklamuar në një audiencë
sa më të gjerë dhe për të qenë mjaftueshëm shpikës për t’i interesuar ata. Kjo i jep letërsisë një
aspekt të ri dhe ka shumë mundësi që në të ardhmen të kontribuojë rrënjësisht në ndryshimin e
vlerave që ne i konsiderojmë thelbësore kur themi se një vepër i përket letërsisë së madhe. Kjo
mund të lexohet edhe nga përfundimi i tekstit të Gadamer-it, i cili thoshte si vijon: “Nuk do të vijë
fundi i artit dhe fundi i vullnetit vazhdimisht aktiv për të formësuar ëndrrat dhe dëshirat njerëzore,
derisa njerëzit të përpiqen të formësojnë jetën e tyre.” Mbetet për t’u pyetur se deri në çfarë mase
ngulfatja e vlerave të natyrshme dhe humane të njerëzimit do të ndikojë në asgjësimin e vlerave të
një vepre letrare…
/RevistaUji-X/