EJMEN ISMAILI-MËSUES…
Gjithmonë ka qenë një lloj paradoksi të flasësh për shpirtrat fisnikë. Arsyeja e paradoksës është; sepse ata na mësojnë udhën e shpirtit, sa do që fjala ta posedojë lartësinë e tij të bartjes, gjithmonë tek shpirti pëson ngecje. Kjo paradoksë lind; sepse mbi fjalën është gjendja/të përjetuarit. Kujtimi i këtij lloji të njerëzve, duhet të shfaqet nëpërmjet gjendjes, por dhimbja e largimit të tyre, na shtynë që edhe fjalët të lindin për ta. Kryesisht këtë herë dua t’i thur ca fjalë, për të dashurin k.s., i të Dashurit tonë (s.a.s.), që kur përmendej emri i tij (s.a.s.) shihej ndriçimi tek sytë e Omer Tugrull Efendiut k.s.
Prej fëmijërisë sime, ose ta them më qartë; si 10-11 vjeçar, kryesisht pas vazifes së haxhit me prindërit e mi, kam pasur një lidhje me tefsirin dhe te’vilin e Kuranit Famëlartë. Në këtë drejtim patjetër ishte edhe ndikimi i prindërit, që kur kishte kohë të lirë, në shtëpi na fliste për Kuranin Famëlartë, shpjegimin e ajetit, përkthim-përshtatjen në shqip, në një nivel që do ta kuptojnë fëmijët. Kjo gjë mbeti aq fuqishëm, sa që në çdo periudhë të jetës, në çdo lexim (çfarëdo llojshme), në çdo ditë – pa mësuar diçka për ndonjë ajet nuk mund të kalonte. Këtë gjë e thash, sepse kur e shihja Omer Tugrull Efendiun k.s., më kujtoheshin ajete të sures Enfal:
Besimtarë janë ata që, kur përmendet All-llahu, u dridhet zemra dhe, kur recitohen dëshmitë e Tij, u shtohet besimi e te Zoti i tyre mbështeten. (2) Ata falin namazin dhe, nga ç’u kemi dhënë, kontribuojnë. (3) Ata janë besimtarë në të vërtetë. Kanë pranë Zotit të tyre përparësi, falje dhe një pjesë bujare. (4) [Përkthim-përshtatje të Myfti Salih Ferhat Hoxha]
Patjetër, kjo që thashë është te’vil, në të vërtetë përjetim, që gjithmonë kur e shikoja, kur e ulja kokën para tij në shenjë respekti, kur fliste për Allahun xh.sh., ai (k.s.) kishte respekt të thellë, e kur fliste për Pejgamberin s.a.s. që i ndriçonin sytë, nuk mund ta harroj, kur fliste për familjen dhe shokët e tij (s.a.s.) se si kishte dashuri për to, nuk mund ta harroj… Përveç tyre, ta them drejtën edhe shumë gjëra që i tha nuk mund t’i harroj, i kujtoj këtu në nder të tij, bile të jem ndër njerëzit që i bartë fjalët e tij.
E mbaj mend njëherë kur fliste për jetën e Pejgamberit s.a.s., i përmendi nënat e besimtarëve (r.a.) me emër, nofkat dhe informata nga biografia e tyre, kurse shtoi një gjë në fund, që asnjëherë nuk mundem ta harroj sa që mbeta shtang aty për aty, humbjen e kuptimit tonë si besimtarë e sqaronte, mosvetëdijes së bartjes së imanit e sqaronte, me një pyetje retorike: ‘Si mos t’i dimë emrat e tyre (?!), mos ta dimë jetën e Pejgamberit s.a.s., si mund një besimtar mos ta njoh nënën, çka i thuhet vallë fëmijës që nuk e njeh nënën e tij?!’…
Ndër tjera, përjetimet dhe përkujtimet me Shejhun, çdo herë do të jenë për mua pak, por të thella dhe të paharruara, ishte ndër ata njerëz që thuhet: ‘S’kam fjalë për shpjegim, duhesh me taku.’ Po edhe ne patjetër që e presim takimin. Siç e thashë edhe në hyrje, është e rëndë të shkruash e të flasësh për këso lloj njerëz, sepse gjendja e tyre është më e lartë se fjala jonë. Por disa fjalë të tij na japin imazhe ta njohim Shejhun, siç tha edhe në muajin e Ramazanit, në atë muaj që rikthehemi në vetëdijen tonë: ‘Burrnia mësohet nga Muhammed Mustafaja. Të gjithë ata që marrin për shembull, që e zgjedhin për prijës, lider, dikë tjetër përveç tij, si dhe ata që vrapojnë pas dikujt tjetër domosdoshmërisht janë të dështuar. Si rrjedhojë, këtë muaj të Ramazanit të bekuar ta vlerësojmë për ta rinjohur dhe për ta marrë për model Pejgamberin tonë të nderuar.’
Tugrull Efendiu k.s., si i dashuri i të Dashurit tonë (s.a.s.), që kur përmendej emri i tij (s.a.s.) shihej ndriçimi tek sytë, ishte mësues i lëmisë më të rëndë; të përjetimit dhe dashurisë, bile dashurisë ndaj Allahut xh.sh., dhe Pejgamberit të Tij s.a.s., mu për të është e paaftë këtë herë fjala…