DY COPËZA MBI MEVLANËN DHE TËTASHMEN-Prof. METIN IZETI

DY COPËZA MBI MEVLANËN DHE TËTASHMEN-Prof. METIN IZETI

0 Comments

Gjendja e njeriut modern – njeriu në epokën e teknologjisë së informacionit – mund të përshkruhet si e distancuar nga një pjesë e rëndësishme e realitetit të tij shpirtëror. Është një mënyrë ku përjetohet koncepti “të qenit jashtë kontaktit me realitetin.”
Kjo gjendje e njeriut është rezultat i asaj që disa e kanë quajtur “vetëdije të rreme”. Kjo gjendje lind nga përvetësimi i besimeve që nuk janë në përputhje me realitetin. Si e tillë, kjo gjendje ndoshta mund të përshkruhet më mirë si “vetëdija e gënjeshtrës”. Besime të tilla, zakonisht të paraqitura si “dije” dhe të shpërndara nga institucionet mësimdhënëse si dhe masmediat, propagandohen nga palë të ndryshme por me qëllim të mbrojtjes së interesave të tyre.
Megjithatë, viktima e parë në të tilla përpjekje të gabuara, siç është evidente, nuk është asgjë tjetër veçse e vërteta. Problemet mund të lindin edhe si rezultat i adoptimit të një metodologjie të gabuar të ndjekjes së të vërtetës. Në raste të tilla, keqkuptimi i formës së çlirimit kërkon miratimin e një qasjeje më të mirë. Pra, ajo që kërkohet është gjetja e së vërtetës. Ajo që nevojitet nuk është vetëm e vërteta në kuptimin e zakonshëm, por edhe e vërteta në kuptimin transcendental, shpirtëror. Me fjale te tjera, njeriu duhet të
gjejë kahjen e tij. Ai duhet të orientohet. Për të ndihmuar njeriun në kërkimin e të vërtetës, Zoti e
pajisi njeriun me inteligjencë (akl). Duke supozuar se njeriu do të përfitojë nga kjo dhuratë, zbatimi i intelektit të tij duhet ta ndihmojë njeriun të dallojë të vërtetën nga e pavërteta.
Gjithashtu, ka edhe shumë sinjale të Zotit në natyrë, në brendinë e njeriut dhe në zbulesën hyjnore që do t’ia ndriçojnë rrugën njeriut drejt të vërtetës. Sfida është t’i marrësh parasysh ato dhe të veprosh në përputhje me rrethanat. Të sipërpërmendurat gjithashtu i vinë në ndihmë njeriut edhe për të rivendosur lidhjen e tij me realitetin shpirtëror dhe për të rivendosur ekuilibrin midis ekzistencës së tij shpirtërore dhe materiale. Veçanërisht në këtë pjesë të fundit veprimtaria e Mevlana Xhelaluddin Rumiut, edhe pse
ka jetuar para shtatë shekujve, mund të jetë shumë e dobishme për njeriun modern.

Rritja e tjetërsimit shpirtëror shpesh i atribuohet ardhjes së “modernitetit” dhe aftësisë së kufizuar të njeriut për të përballuar realitetin që ndryshon me shpejtësi. Një numër i madh i studiuesve e kanë identifikuar “tëhuajsimin” si një tipar dallues të qytetërimit perëndimor. Konstatimi është se
ndryshimi marramendës po prish mënyrat “tradicionale” të jetës. Njeriu është bërë i pasigurt për veten. Ai ndjen jo vetëm tjetërsim, por edhe pasiguri. Jeta e tij karakterizohet nga pasiguri, jo vetëm në kuptimin financiar por që është më e rëndësishmja në përmasën shpirtërore. Shfaqja e fshatit global, bota pa kufij, copëtimi i komuniteteve dhe zëvendësimi i tyre me ato dixhitale përfaqësojnë të gjitha zhvillimet e reja lëndore të cilat në asnjë mënyrë nuk janë ndjekur nga ndonjë rrugë e shtruar shpirtërore. Përpjekjet e spiritualizmit pa religjion janë treguar tepër shterpe në ndërtimin e individit të qetë në shoqërinë bashkëkohore. Spiritualiteti pa religjion është një prej problemeve kryesore të feve të shpallura. Kjo kështu për shkak se një pjesë e madhe e njerëzve kanë dëshirë që të “krijojnë zotin e vet” dhe ti besojnë atij në mënyrë që t’i kënaq lakmitë dhe kërkesat egoiste të njeriut. Por, nga ana tjetër dixhitalizimi
dhe ndryshimet marramendëse të bëra kërkojnë prej njeriut që t’iu përshtatet atyre. Ndërsa një huti ekstra krijojnë edhe sfidat tradicionale të papërpunuara me sensin e të tashmes.
Gjithashtu edhe kjo çështje është një burim i rëndësishëm i hutimit.
Për disa, ritmi i ndryshimit duket se e tejkalon shumë aftësinë për ta përballuar dhe si pasojë krijon stres dhe depresion në mesin e popullsisë. Ndërhyrja e perspektivave të kësaj bote në hapësirën e pushtuar më parë nga bindjet fetare e kanë shtuar hutimin e njeriut modern. Përballë një çorientimi paraqiten një sërë zgjedhjesh, nuk është e çuditshme që disa e kanë të vështirë ta përballojnë. Nga ana
tjetër tëhuajsimi i njeriut nga vetja ka shkaktuar një dëshirë të zjarrtë për ngushëllim. Për disa, ky mall manifestohet në një dëshirë për një shoqëri e cila në teori do të ishte e përsosur dhe pa gabime, ndërsa në praktikë e parealizueshme.
Qëllimi është të krijohet një utopi në imagjinatë se si mund të bëhemi të pagabueshëm dhe të përkryer. Kjo dëshirë për perfekcionim në teori e bën të pamundshme veprimin praktik dhe afërsinë me adhurimin esencial në relacion me Zotin. Pikërisht për këtë edhe shumica e koncepteve të tilla janë të parealizueshme për masat e gjera të popullsisë botërore. Në realitet ata trumpetohen nga qarqe të ndryshme, por ama ngelin të izoluara në grupe të vogla. Në të shumtën e rasteve dështimi dhe mossuksesi është për shkak se shumica e fetarëve dhe njerëzve që kanë dëshirë ta rrokin të vërtetën nuk e kuptojnë, ose , nuk dëshirojnë ta kuptojnë se nevojat më të thella të njeriut modern janë ata shpirtërore. Njeriu i tashëm ka krijuar një greminë të thellë shpirtërore në tre shekujt e fundit dhe ajo humnerë duhet të plotësohet me tokë pjellore për të lulëzuar njerëzimi. Kjo greminë nëse mbushet me fe të materializuar ose me shpirtëri pa religjion atëherë eksplodon si depotë e mbeturinave që nuk janë të recikluara. Për të kapërcyer tjetërsimin, njeriu duhet të heqë atë që qëndron mes tij dhe Zotit. Kjo pengesë ndërmjet tij dhe Zotit, mund të jetë një ideologji e rreme, një botëkuptim i shtrembëruar, fuqia, pozita, por në esencë perdja kryesore është padroni i të gjitha këtyre që u përmendën, egoja njerëzore. Kjo është e vërteta që nuk guxojmë ta kamuflojmë me akcidenca dhe relativitete të tjera. Njeriu mund të fitojë njohuri dhe të pozicionohet në ekzistencë duke u bërë i vetëdijshëm për të vërtetën. Njeriu arrin njohurinë për të vërtetën më të lartë duke arriturvetëdijen për Zotin (takva). Kur njeriu bëhet i vetëdijshëm
për Zotin, ai kupton se nuk është vetëm, se ekziston një Fuqi më e lartë se ai vetë. Kjo Fuqi më e lartë është Dëshmitar i gjithçkaje që bën njeriu. Në këtë mënyrë njeriu kupton se ai përgjigjet për veprimet e tij. Kjo i mundëson atij që të bëjë ndryshim për mirë: të bëhet i mirë. Ai fillon të “shohë qartë”
Procesi i çlirimit nga iluzioni lëndor ia rrit aftësinë e njeriut për të ndjerë. I mundëson të ndjejë dashuri, mirësi dhe dhembshuri, por edhe poshtërim, keqardhje dhe pikëllim. Ai fillon të shohë dallimin midis së drejtës dhe së gabuarës, së mirës dhe së keqes dhe mes asaj që është e hijshme dhe ajo që është e turpshme. Ai e kupton se e mira dhe e keqja nuk mund të krahasohen. Ai zhvillon një shqetësim (ndjenjë
detyrimi) për të tjerët. Ai e kupton nevojën për këshilla të mira dhe urdhërim për të mirë dhe ndalim nga e keqja, me fjalë tjera e varros egoizmin dhe egocentrizmin e tij. Kërkimi i të vërtetës mbështetet nga dashuria për të vërtetën. Mevlana shpeshherë na kujton nevojën për të dashuruar të vërtetën (hakikatin). Dashuria për të vërtetën manifestohet jo vetëm në një kuptim subjektiv, por edhe në
formë transcendentale, si e vërteta apo e Vërteta më e lartë.
Dëshira për ta gjetur të vërtetën tregon një kërkesë të konsiderueshme për zgjimin shpirtëror. Qëllimi i këtij “zgjimi” është që t’i mundësojë njeriut “të rikarikojë bateritë e tij shpirtërore “, për të rivendosur ekuilibrin e tij mendor dhe shpirtëror. Veprimtaria dhe në veçanti poezia e Mevlanës e ndihmon njeriun të rilidhet me realitetin dhe mund t’i tregojë atij se ku mund të gjejë ngushëllim.
Ndërsa Mevlana i thërret lexuesit e tij në të vërtetën, ai gjithashtu u ofron atyre një metodë reale pragmatike për zbatimin e saj. Metoda përbëhet nga edukimi i shpirtit përmes religjiozitetit, jo vetëm obligativ, por edhe atij vullnetar dhe shtesë. Dashuria dhe afërsia me Krijuesin, ku edhe qëndron e vërteta transcedentale arrihet me adhurime shtesë dhe vullnetare. Kujtimi/zikri i formave të ndryshme është një kontemplacion dhe formacion pedagogjik shpirtëror që i mundëson personit të njeriut të mund të
absorbojë dhe receptojë të vërtetën. Problemi kryesor me të vërtetën nuk qëndron në faktin se ajo nuk ekziston në afërsi, përkundrazi valët e të vërtetës janë gjithandej por dobësia e receptorëve e bën të pakapshme dhe e humb atë nga ekrani i vetëdijes njerëzore. Me anë të kërkimit të të vërtetës në këtë
trajtë, njeriu pajtohet me Zotin dhe, duke pranuar të vërtetën, e mposht tjetërsimin dhe tëhuajësimin. Mevlana, si shumë të tjerë para dhe pas tij, e gjeti rrugën për tek e vërteta, në veçanti e Vërteta më e lartë, me anë të shpalljes, veçanërisht Kuranit. Kurani e lajmëron njeriun për shumë shenja të Zotit, si brenda njeriut ashtu edhe në botën përreth tij. Kurani i referohet Zotit si “Drita e qiejve dhe e tokës”
dhe mëson se ” me përmendjen e Zotit zemrat gjejnë prehje.” Sfida është të gjesh rrugën e kthimit në rrugën e drejtë. Kjo kërkon “përkujtimin” e Zotit (zikrin) dhe ndjekjen e udhëzimit të Tij. “Shenjat” e Zotit janë kudo dhe janë aty për ta ndihmuar njeriun të “kujtojë”, pasi njeriu nga natyra është harrestar. Shenjat mund të gjenden në botën e jashtme si dhe në botën “brenda nesh”. Edukimi shpirtëror që e paraqet Mevlana Xhelaluddin Rumiu në veprën e tij është një traditë perenniale që ekziston për të mundësuar këtë “kthim” ose “ribashkim” me realitetin. Siç thotë edhe vetë Mevlana në Mesnevi: “Ai që qëndron larg shtëpisë së tij është gjithmonë i përmalluar për ditën kur do të kthehet”.
Ashtu si edhe shumë poetë tjerë sufi Mevlana përdori “licencë poetike”. Kjo licencë i lejon poetit të marrë disa liri që zakonisht nuk janë të hapura për të tjerët, veçanërisht për juristët. Kjo kështu për të përcjellë kuptimin dhe gjithashtu për të arritur bukurinë e të vërtetës. Poetët e arrijnë bukurinë
duke përdorur fjalë me rimë, simetri, masë. Ata e mundësojnë katarzën dhe shkarkimin shpirtëror.
Megjithatë, kjo paraqet rrezikun që një poet mund të zgjedhë një fjalë që rimon në preferencë ndaj një fjale që mund të shprehë kuptimin e synuar me një shkallë më të lartë saktësie. Ndërsa, Kurani është cilësuar si i paimitueshëm për shkak se e paraqet veten si Libër “i qartë” dhe “libër që i sqaron gjërat” . Kur’ani vërtet e komunikon mesazhin e tij me një shkallë të lartë saktësie, por edhe rime dhe bukurie.
Mesnevia e Mevlanës është udhëhequr nga ajetet e Kur’anit dhe porositë e Pejgamberit a.s.. Megjithatë, për shkak të diskursit poetik dhe me potencë metaforike, përderisa dikush has shumë bukuri në të, dikush mund të ndeshet edhe me disa paqartësi. Një shembull mund të jepet nga përdorimi i termit “i dashur” nga Mevlana. Mevlana i shkroi tre mijë poezi “të dashurit” të tij. Ai me “të dashur” herë e nënkupton Zotin, herë Pejgamberin e herë udhërrëfyesin e tij shpirtëror në periudhën e dytë, Shemsi Tebriziun. Pikërisht për këtë dashuria e Mevlanës nuk mund të nënkuptohet pa praninë e Zotit dhe Pejgamberit. Ai edhe natës së fundit në këtë botë i ka thënë,“ nata e takimit me të Dashurin”…..