Shtatorja-Albin Mehmeti

Shtatorja-Albin Mehmeti

0 Comments

Kam dilemë. Jam nën trysninë e dilemës hamletiane. Mbase, nuk është sintagma e duhur. Dilemë hamletiane! Çfarë kam lidhje unë me Hamletin. Unë narrator e ai personash. Mbase, kam dilemë narrative. Nuk e di se nga t’ia filloj rrëfimin, nga fillimi, mesi apo fundi. Nëse do të filloj nga fillimi, atëherë, mbase fundi do t’iu duket dikujt larg, dhe nuk do ta dëgjojë rrëfimin tim. Nëse do të rrëfej nga fundi, mbase, do të krijohet distancë e largët nga fillet e ngjarjes dhe shumë ngjarje do të më jenë fshirë nga kujtesa ime prej një narratori. Mbase, më mirë është të rrëfej nga mesi, ashtu siç fillonin tragjeditë greke, in medias res.

***

Aspo ta dëgjoni emrin Dashamir, menjëherë do të iu shkojë mendja për vrasje e dhunime, për vjedhje e kidnapime dhe për krime që ta kallin datën. Ajo që tani do të rrëfej s’ka të bëj me vrasje. Them vrasje në kuptimin klasik, privimin nga jeta. Mbase, edhe kjo që do të flas është një lloj vrasje. Ndoshta, kjo është më e rëndë se sa privimi nga jeta. Hm! Po ndalem këtu të pushoj pak. Jam duke u bërë emocional e patetik. Më prisni pak, sa të më kalojnë emocionet…

***

Në kafenenë “Brilliant” ishte qetë. Pak njerëz ishin aty atë ditë. Në qoshe të kafenesë, me zë të ulët bisedonin Agroni me Logarin. Ç’rastësi! Dy shokë që mbartnin emra të mbretërve ilirë. Dy shokë që bartit emra historikë që po flisnin për histori.

  • Qysh bre, edhe Zejnën e shpallën hero, a?! Po, ai ka dek në luftë, po jo prej plumit, po prej zemrës. E ka leshu zemra prej tute.- iu drejtua Longari Agronit.
  • Po, po, hero. Nesër a mbasnesër po ia zbulojshin edhe shtatoren.- i tha me zë të ulët Agroni.

***

Nga larg vëreheshin tridhjetë e tri shtatore të reja. Të gjitha ishin të mbuluara me një pëlhurë të kuqe dhe pritnin që të zbuloheshin nga kryetari i Dashamirit. Në një billbord të madh shkruhej MIRË SE VINI HERONJ!.  Pati zëra kundër këtyre shtatoreve, por që u shuan shpejt, pasi kush fliste kundër tyre, akuzohej për tradhti.

***

Kishin kaluar vite që nga inaugurimi i tridhjetë e tri shtatoreve. Një ditë, nga kurbeti erdhi Mal Kalaja. Kishte tridhjetë e tre vite që nuk kishte ardhur në vendlindje. Në Dashamir s’e kishte askënd, por e kishte marrë malli për Dashamirin. Pasi gjeti një bujtinë, doli në shesh. Filloi t’i shihte një nga një shtatoret gjigande. Sytë i mbusheshin me lot, dhe me vete thoshte: Lum këta! Sikur të isha në vendin e tyre.  Ende pa e mbaruar mendimin u shokua, dhe tha: O Zot! Si m’u plotësua dëshira kaq shpejt. I ra të fikët. Qytetarët e morën dhe e dërguan në ambulancë.

***

Me shumë vështirësi iu kthye vetëdija. Sapo u këndesh, e liruan. Doli nga ambulanca dhe turr e vrap shkoi tek sheshi, ta shihte çudinë që e alivanosi. Deshi të vërtetonte se a kishte halucinacione apo ishte e vërtetë. Iu afrua shtatores së njëzet e pestë dhe me sytë e vet pa një shtatore që i ngjasonte atij, dhe ku shkruante Heroi Mal Kalaja. Për çudi, aty shkruhej edhe datëlindja e tij e saktë. Mendoi se i kishin ngritur statujë për së gjalli, për ta nderuar për kontributin ekonomik që kishte dhënë për ta ngritur Dashamirin. Por, aty shkruhej edhe data e tij e rënies në betejë. Preku dhe vetën dhe e pa se ishte gjallë.

***

Mal Kalaja u mundua ta ngritë zërin për këtë gabim historik. U mundua të dëshmojë se ishte gjallë. E shanë, e anatemuan e shpallën tradhtar dhe e përzunë nga Dashamiri.

****

Tani janë komplikuar gjërat. Mbase është faji tek unë që fillova të rrëfej nga mesi i ngjarjes. Unë nuk fillova pa një shkak nga mesi, ashtu si tragjeditë greke, pasi edhe ngjarja që rrëfeva ishte tragjedi e llojit të vet. Hm! Po ndalem përsëri për t’u mos u bërë patetik e emocional. Pusho pak, dhe do të rrëfej se çfarë ka ndodhur…

***

Gjithë kjo nisi me deklaratën e kryetarit të Dashamirit që deklaroi se çdo heroit do t’i ngritët shtatore. Kjo deklaratë zgjoi nga gjumi Shoqatën e Skulptorëve të Dashamirit. Ata bën marrëveshje të fshehtë me Shoqatën e Historianëve të Dashamirit që të gjenin sa më shumë heronj. Një hero më shumë do të thoshte shumë. Një hero më shumë do të thoshte një shtatore më shumë. Një hero më shumë do të thoshte para më shumë. Kështu, hero u shpall trimi e frikacaku. Hero u shpall i vdekuri dhe i gjalli.

 A ke qenë ti në sheshin e Dashamirit?

Mbase, aty e ke edhe ti shtatoren. Ku e di?