Nëna “Ajkë e dashnisë” që rrjedh mbi ne-Metin Izeti

Nëna “Ajkë e dashnisë” që rrjedh mbi ne-Metin Izeti

0 Comments

Recenzion për librit e autorës Ferdane F. Sahiti.

Nëna është ekzistenca më gjithpërfshirëse e dashnisë në jetën fizike të njeriut. Krahas përmasës fizike, afërsia emocionale e njeriut, që nga fëmijëria, me nënën e bën atë edhe burim të ndjenjave të tij. Si rrjedhojë, dashnia e parë e foshnjës në këtë botë është me nënën e cila e ushqen me qumësht por edhe me ngrohtësinë e prehërit të saj. Pikërisht për këtë ka të drejtë Ferdane Sahiti, që përmbledhjen e poezive të saj për nënën e ka titulluar Ajka e dashnisë. Autorja përmbledhjen ia kushton konceptit të nënës në përgjithësi, por flakadani i ndjenjave të saj është ndezur nga dashnia dhe përjetimet me nënën e saj. Nëna, në poezitë e Ferdanes, paraqet një cikël që fillon nga fëmijëria dhe vazhdon deri në pavdekshmëri. Nëna jep emocione, edhe kur të jetë e gjallë në këtë botë, por edhe kur të lindë në botën tjetër. Intensiteti i frymëzimit amnor nuk ndërpritet me ndërprerjen e frymës së saj në këtë botë të përkohshme. Nëna, edhe në letërsinë e shenjtë është koncept epiqendror, prej ku dalin valët e të mirës, sigurisë dhe të bukurës. Edhe qyteti i lindjes së profetit Muhammed, Meka, në zbulesën hyjnore është i emërtuar si “nënë e vendbanimeve”, edhe Profeti Muhammed është nënor (ummi), ai është nënë e ndjenjave tona. Të gjitha poezitë e këtij koleksioni të Ferdane Sahitit, shkrihen në një këngë të madhe për nënën, në një simfoni që buçet në zemrat e njeriut etik, e Havvasë brenda nesh. Për Ferdanen, nëna është një qenie unike që ndriçon fëmijërinë e të gjithëve, dashuria e saj na ngroh në mënyrë mbrojtëse dhe miqësore gjatë gjithë jetës. Ashtu si një nënë që nuk mund të ndahet dhe mbetet e plotë, askush nuk mund ta tregojë plotësisht historinë e një nëne, sepse ajo nuk ka fund, thotë poetja. Nënat janë gjithmonë nëna, thotë ajo në mes të rreshtave. Dhe kjo është gjëja më e madhe në botë. Sepse si do të ishim ne nëse nuk do të kishim nëna pranë nesh. Fëmijët janë gjithnjë fëmijë. Kjo do të thotë: fëmijët janë të vegjël, dhe unë jam e vogël, sepse kam një nënë. Unë kurrë nuk u rrita për nënën time. Nëna, në poezitë e Ferdanes, nuk flet, ajo thur, gatuan, fal, ledhaton, fle… Kjo sepse historia për të rrjedh vazhdimisht. Poetja i këndon dashurisë së padepërtueshme, por edhe kujdesit dhe vuajtjes së nënës. Nëna është një krijesë e butë, e butë si buka, e butë si pamuku, që do të bënte gjithçka për të vegjlit e saj. Ajo kurrë nuk është e inatosur dhe nervoze, nuk është kurrë e padurueshme. Shumica e poezive nisin me qetësinë e nënës dhe më pas vijon aksioni. Poetja dëshiron të na thotë se pavarësisht gjithçkaje, puna kryesore e nënës është dashuria. Ajo nuk është nënë vetëm këtu me ne, në tokën ku jeton. Kush e di se ku enden mendimet e saj. Kujt i referohet? Çfarë do të thotë? Largohu pak dhe shiko, nënat janë njerëzit më të zhytur në mendime në botë. Dhe ndërsa ju e shikoni atë në një pozicion kaq modest: balli i saj i bukur, me rrudha të buta kujdesi, ndriçohet nga një dritë e pazakontë. Atmosfera kthehet në heshtje. Ajo po ju ndjek në një rrugë të ardhshme që nuk e prisni. Ajo, gjithnjë, vjen në drejtim tuaj. Ose është pjesë e juaja. Impulsiviteti i autores flet për një shpirt të gjerë, i cili frymëzohet për të shkruar një poezi të re në një moment. Shpirti i saj i gjerë flet përmes vargjeve për afërsinë me nënën, ngjarjet e përditshme rreth saj, por edhe brenda vetes. Në bazë të krijimtarisë së saj është dashuria për gjithçka që e rrethon, për nënën, por duke e lënë që ajo ajkë e dashurisë të rrjedhë edhe tek njerëzit që kanë nevojë për një dorë dashurie, ndjeshmërie, gatishmërie për të ndihmuar, humanizëm dhe filantropi. Në poezitë e saj plot dashuri ndaj nënës, ajo shpreh besimin në dashurinë e përjetshme, të cilën ne e ruajmë në thellësi të shpirtit tonë. Të cilën e kemi thurur në vetvete si ind, por shpesh na tundon jeta, ndaj del në sipërfaqe diçka pa shpirt, materiale. Në poezitë e poetes, nëna është strumbullari i dashurisë, patriotizmit dhe mirësisë. Poetja është një qenie besimtare dhe humane, të cilën e vërteton edhe në shumë nga poezitë e saj. Veçoritë e vargut të Ferdane Sahitit, përplot me aludime, duke hyrë në thellësi të nëntekstit, i japin tekstit të saj origjinalitet të vërtetë. Heroina e poezive të Ferdanes, pra, nëna, në realitet është objekt imagjinar përballë subjektit të saj, prandaj ajo së shpeshti flet me veten në një gjendje nxitjeje, gjysmë deliri ose ekstaze, natyrisht nuk e konsideron të nevojshme dhe nuk mund të shpjegojë dhe interpretojë shtesë gjithçka që ndodh. Ajo i transmetohen vetëm sinjalet kryesore të ndjenjave, pa dekodim, pa koment, me nxitim, sipas alfabetit të zënë të dashurisë. Nënkuptimi është se një shkallë e caktuar intimiteti do të na ndihmojë mrekullisht të kuptojmë si hallkat që mungojnë ashtu edhe kuptimin e përgjithshëm të kryepersonazhit të dramës së saj, nënën. Prej këtu lind përshtypja e intimitetit të skajshëm, ndershmërisë së skajshme dhe hapjes së sinqertë të këtyre teksteve, që duket e papritur dhe paradoksale, nëse kujtojmë subjektivitetin e rrëfimit. Autorja nuk na jep as mundësinë më të vogël për të hamendësuar dhe gjykuar situatën specifike të jetës që i diktoi asaj këto vargje. Por, ndoshta pikërisht për këtë arsye – për shkak të, si të thuash, ekzaltimit dhe enigmës së saj – vargjet fitojnë një kuptim të aplikuar për shumë fate të tjera, e ndonjëherë edhe për situata krejtësisht të ndryshme. Gjëja kryesore në poezi është ajo që kap tensioni i pasionuar i ndjenjave, ahengu, spontaniteti, si dhe vendimet e padiskutueshme që zbulojnë një personalitet të jashtëzakonshëm dhe të fortë para syve tanë. Poezitë e vërteta zakonisht “bluajnë” jetën e përditshme, kishte shkruar Ana Ahmatova, ashtu si një lule, e cila na kënaq me bukurinë dhe hirin, harmoninë dhe pastërtinë e saj, “bluajnë” edhe tokën e zezë. Ngjashëm edhe në vargjet e Ferdanes, ajo që na rrëmben është intensiteti pasionant i ndjenjave, uragani i saj, si dhe vendimet e padiskutueshme që nxjerrin në pah një personalitet të jashtëzakonshëm dhe të fortë, si në aspekt të kryepersonazhit, nënës, ashtu edhe në aspekt të vetë autores…

Tetovë, 08 Mars 2023