Aziz Nesin-Kujtimet e një të internuari

Aziz Nesin-Kujtimet e një të internuari

0 Comments

Përktheu nga turqishtja: Fatijona Bajraj

Në fushën e Bursës ngadalë po zbret pranvera. Jemi dy shokë të internuar. Kur dalim nga shtëpia në të cilën qën­drojmë me qira, shkojmë dhe vijmë duke u dridhur rrugës së asfaltuar, e cila gjendet në mes të Setbashit dhe çarshisë së sta­cionit policor. Çdo mbrëmje shkoj në stacionin policor të çarshisë dhe nënshkruaj fletoret që gjenden aty.

Një mbrëmje dola nga stacioni policor së bashku me shokun tim. Atypari ndodhej një njeri rreth moshës njëzetvjeçare. Fillimisht mendova se është i njohshëm i shokut tim. E pyeta shokun tim se kush është duke i bërë isharet me sy. Ai duke ngritur njërin krah dhe duke rrudhur buzët tha: nuk e di.

Ne kemi paksa ngurrim. Nuk na pëlqen shumë të flasim me të huaj ngaqë nuk e dimë kush dhe çfarë janë. Djaloshi kishte një shikim shumë të mprehtë, sikur përpiqej ta lexojë brendinë e tjetrit.

– Ju, a mos jeni filani? – më pyeti.

– Po – i thashë.

Më pas e pyeti edhe shokun tim. Edhe ai i tha po.

Ne jemi të internuar këtu, dhe rreth nesh kanë dalë shumë thashetheme, për këtë shkak djaloshi na mendon se jemi shefa të një organizate të fshehtë. Të them të drejtën, në sytë e tij unë jam në krye të një bande të fshehur të përhapur në Turqi, të cilët e kanë gjoksin e mbushur me fishekë, dhe ka komitë nën urdhrat e tij. Çfarëdo që t’i them, s’po mund ta bind djaloshin.

– Natyrisht, më thotë, organizata juaj është e fshehtë. Ju punoni tejet fshehur – më tha.

– Sigurisht që nuk mund t’ia shpjegojmë që ne punojmë fshehurazi – i thashë.

– Edhe unë dua të punoj në organizatën tuaj! – më tha.

I betohem e stërbetohem: për Zotin nuk ka një gjë të tillë! As organizatë, as punë fshehurazi nuk ka bre vëlla! Shikoje njëherë gjendjen tonë.

Assesi nuk bindet.

– Natyrisht, natyrisht… sigurisht që duhet të visheni kështu në mënyrë që askush mos të dyshojë te ju.

Një bela e tillë që nuk mund të përshkruhet. Herët në mëngjes vjen papritur. Ne, në kohën kur ai vjen, jemi duke ngrenë mën­gjes. Pyet:

– A merrni para?

– Çfarë parash?

– A nuk ju vijnë para nga jashtë?

– Çfarë parash, bre vëlla?

– Për ta udhëhequr organizatën…

– A nuk e sheh se çfarë jemi duke ngrenë? A ha kështu ai që ka para?

– Natyrisht, natyrisht! – thotë. Duhet të dukeni kështu në mënyrë që mos ta kuptojnë të tjerët.

Në fakt, kishim edhe një tjetër arsye që nuk e donim atë. Mbase është turp ta them por, po e them. Djaloshi na bashkë­ngjitet në ushqimin tonë dhe ka apetit të shtuar. Ullinjtë, të cilët ne i ndajmë për katër ditë, ai i ha në një mëngjes të vetëm.

Një ditë prej ditësh erdhi njëri nga Stambolli. Përmes tij, një mik yni na ka dërguar një pako. Sapo hapëm pakon, çfarë të shohësh! Një pulë e skuqur dhe një kuti bakllavë.

Derisa ne po shikonim me lakmi trokiti dera. Teksa unë po fshihja bakllavën dhe pulën në frigorifer, pronarja e shtëpisë e hapi derën. Djaloshi po ngjitej shkallëve.

– Përshëndetje! – na tha.

– Përshëndetje! – i thamë.

Djaloshi ndaloi dhe vështroi me kujdes.

– Ka diçka te ju! – tha.

– Çfarë ka?

– Keni diçka ju sot. Çfarë keni?

– Për Zotin nuk kemi asgjë!

– Keni, keni, por po e fshihni nga unë.

– Jo, për besë!

– Ju nuk më besoni mua. Sot ka një ndryshim te ju.

Edhe pse kundërshtuam, assesi nuk bindej. Mendjen e kisha te pula dhe bakllava. Më rridhte lëng nga goja. Mendoja çfarë të bënim që ta largonim djaloshin nga shtëpia. Mbase për herë të dhjetë na tha ju po fshihni diçka nga unë. Duke bërë gjeste sikur me të vërtetë isha shef i një organizate të fshehtë, i thashë: Po, ka diçka që jemi duke fshehur nga ti. Shoku im i kishte zmadhuar sytë dhe po më shikonte.

– Por, sot do të të sqarojmë diçka – i thashë me zë kum­bues, me fytyrë të rrudhosur e me vetullat e ngritura.

– Deri më sot nuk të kemi dhënë detyrë në organizatën tonë të fshehtë. Sepse deri më tani organizata jonë të ka kontrolluar – hetuar. Tani ne të besojmë ty – i thashë.

– Faleminderit! – tha.

Këmbë e kokë ishte i koncentruar.

Tani do të të jap një zarf. Këtë zarf duhet ta lësh në zgavrën e blinit që gjendet në kopshtin e Xhamisë Jeshil. Edhe do të kthehesh pa shikuar mbrapa. Mos gabo ta hapësh zarfin dhe të shikosh mbrapa. Nuk është punë e shakasë. Kjo është organizatë nëntokësore. Mund të ketë edhe vdekje – i thashë.

Në zarfin e zbrazët që e mora mes librash që gjenden në korri­dor, vendosa një letër të pashkruar, e mbylla dhe ia dhashë.

– Vazhdo mos prit! Kjo punë është punë sekondash – thashë.

E mori zarfin dhe shkoi fluturimthi. Ne shtruam tavolinën dhe menjëherë i përfunduam pulën e bakllavanë. Nuk e kujtoj që ndonjëherë në jetën time të kem ngrenë ushqim kaq të hare­shëm. /Revista “Akademia”/