Elif Shafak-Natë
Përktheu: Fatijona Bajraj
Nëna ime në të katërmbëdhjetat u bë nuse, në të nëntëmbëdhjetat u bë kurban.
Nëna ime e bukur, që kishte buzëqeshjen si shkëlqim dielli, u ther me thikë para syve të mi, në dyzet e shtatë vende. Ishte natë. Ishte errësirë. S’ishte askush. Por, nuk ishte heshtje. Bërtiti nëna ime. Qau vëllai im. Ende ishte foshnjë, vetëm një vjet e gjysmë. I ishin zmadhuar sytë nga frika. Bërtita edhe unë. Sipër sokakut, shtëpive, çative, stacionit policor, gurëve të kalldrëmeve jehoi vaji im.
A nuk e keni dëgjuar?
Duhet të mos e keni dëgjuar, pasi nuk keni ardhur, asnjëri nga ju.
Askush nuk erdhi. As fqinjët, as xhaxhallarët policë. As politikanët që vizitonin lagjen tonë në kohë të zgjedhjeve, as gazetarët që shkruajnë nga larg, as pronarët e patundshmërive që na fusin çmime si të duan shtëpive të stërprishura.
Askush nuk ishte.
Thonë që Stambolli është më shumë se 10 milionë banorë. Ashtu i madh. Si mund të jetë kaq i vetmuar, i braktisur si shkretëtirë një qytet që është kaq i banuar me njerëz në çdo hap?
S’mund t’i bie në fije.
Që nga orët e para të mëngjesit nëna ime po hante dajak. Në praninë tonë, babai e kapi për flokësh dhe ia përplasi kokën për tavoline.
Për habi, doli një zë i trashë.
Thua se u ça toka. U ça dhe hyra në të, nga turpi dhe nga dhimbja ime. Zemra mu në mes m’u thye. Një pikë gjaku rrodhi nga balli i nënës. Garnitura e bardhë sipër tavolinës u përlye. Mendja më ngeci aty për një çast. Si do ta heqë atë njollë nëna?
Do të mundohej përsëri me sapun, detergjent, me ujëra të vakëta, duar e gishta të plasaritura. Në fustan e çorape, nëna ime vetë i pastronte njollat e gjakut të vet.
Unë u struka në një qoshe. Kafshova gjuhën. M’u bllokua gjuha.
Babai e shkelmoi nënën, i mëshoi në bark e në shpinë. Në bark kishte shpirt. Mbante vëllanë a motrën tonë. Po të ishte vajzë emrin do ta kishte Gylizar, po të ishte djalë emrin do ta kishe Jusuf. Babai më pas nxori shkopin. Shkopin të cilin e kishte sjellë në shtëpi për të na vënë në rend neve. Kur lazdroheshim na mëshonte në shpinë. Në majë të shkopit ishte një copë lëkure e nënës dhe flokët e saj ishin të kapura ende.
Përse policët nuk e morën babanë tim?
Si nuk ndërhynë fqinjët? Shitësi i dyqanit, kasapi, tezet, xhaxhallarët…
Ku ishin? A kaq shumë u frikësuan nga çmenduria e një njeriu të vetëm?
Do të thotë, tërë qytetin një njeri i vetëm mund ta tretë?!
Ashtu vallë?!
Koha u errësua. Babi nuk diti të ndalej.
Edhe tiktaket e orës së varur në mur u ndalën e babai jo.
Ishte natë. S’ishte askush. Por, heshtje nuk ishte. Nëna rënkoi shumë derisa ra për vdekje në kolltuk. Mbeti ashtu duke mos mundur as frymë të merrte. Një ditë e pata parë një foshnje kukull të shtrirë në mbeturina. Krahun e dalë vendi, këmbët e këputura. Mu si ajo ishte nëna ime. I luhateshin duart në hapësirë.
Vëllai im qante shumë.
Babi shante si mos më keq.
A s’e keni dëgjuar?
A aq të forta qenë muret që ju ndanë nga ne?!
Më pas babai na kapi për dore dhe na tha ecni përpara.
Erdhëm në stacionin policor. Vëllai im kishte urinuar në vete, këmbët i kishte pis dhe barkun e uritur. Edhe unë isha uritur, por nga frika nuk mund ta thosha.
Në stacionin policor xhaxhallarët policë i thanë babait: Çfarë ke bërë? A nuk është gjynah për këta fëmijë? Kush do të kujdeset për ta tani?
Vetëm atëherë e kuptova. Kuptova që nëna ime kishte vdekur. Nëna ime e bukur, që kishte buzëqeshjen si shkëlqim dielli, në të katërmbëdhjetat u bë nuse, në të nëntëmbëdhjetat u bë kurban. /Revista “Akademia”/