0 Comments

Recension mbi librin: Mjeshtria e kuptimit nga poeti turke Abdurrahim Karakoç.

Përmbledhja poetike, “Mihriban”, në përkthimin e shkëlqyer të Fatijona Bajraj, na sjell në gjuhën shqipe një nga zërat më të thellë dhe më prekës të poezisë turke moderne. Abdurrahim Karakoç nuk është vetëm një poet, ai, njëkohësisht, është një arkeolog i shpirtit njerëzor, i cili me çekiçin e fjalës dhe dalçinë e ndjenjës gërmon thellë në shtresat e padukshme të dashurisë, të mallit, të mungesës dhe të kërkimit spiritual. Vepra e tij krahas një koleksioni vargjesh, është edhe një hartë e plotë e lëvizjeve të brendshme të një njeriu që e ka bërë dashurinë- si njerëzore, si hyjnore- qëndrën ekzistenciale të vetëdijes së tij.

Vlera e Abdurrahim Karakoç’it, qëndron pikërisht në këtë aftësi për të shndërruar ndjenjat më universale dhe më personale njëkohësisht në imazhe të përhershme, në simbole që i kapërcejnë fjalët. Ai nuk shkruan për dashuri, ai jeton dashurinë në çdo rrokje. Siç na tregon edhe biografia e tij, jeta e tij ishte një pasqyrim i drejtpërdrejtë i parimeve të veta poetike: një ekzistencë e lëmuar nga bujaria e shpirtit, larg parazitëve të famës dhe të rremes. Karakoçi është poeti që e bën të pamundurën e dashurisë të mundshme përmes gjuhës, duke e ngritur atë nga niveli i ndjenjës individuale në atë të mitit kolektiv. Mihribani i tij nuk është një femër e dashur, por një arketipe, një “Lejlë” e botës së shpirtit, një projektim i njerëzimit, i dashurisë ideale që çdo njeri e mban të fshehur dhe të paprekur në arkivin e shpirtit.

Ndërsa vlera e përkthyeses, Fatjona Bajraj, është aq e dukshme saqë bën të mundur që ky univers poetik të mos humbasë një gjë nga intensiteti dhe delikatësia e tij në kalimin në gjuhën shqipe. Përkthimi i saj nuk është një transkriptim mekanik, por një ripërtëritje e ndjenjës, një “përtërirje” e vargjeve në një medium tjetër gjuhësor, duke ruajtur muzikalitetin, lirizmin dhe thellësinë filozofike të origjinalit. Fatjona nuk i përkthen fjalët, por përkthen dridhjen e tyre emocionale, duke na lejuar ne, lexuesit shqipfolës, të përjetojmë njësoj dehjen e dashurisë së Karakoçit, ankthin e tij dhe shpresën e tij.

Kjo është një vepër dashurie e dyfishtë: dashuria e poetit për objektin e tij, dhe dashuria e përkthyeses për fjalën e poetit.

Brenda këtyre faqeve, poezitë e Karakoçit ofrojnë një shëtitje sentimentale, ato paraqesin një traktat filozofik në formë lirike mbi natyrën e dashurisë si forcë e jonë-kufizuese, si fenomen që shkatërron kufijtë midis unit dhe tjetrit, midis kohës së shkuar dhe asaj të ardhshme, midis tokës dhe qiellit. Poezia “Duart m’i mbaj” është një manifesto e bashkësisë ekzistenciale. Tek, “Më e hollë se Sirati është ura e dashurisë”, Karakoçi ndërlidh dashurinë njerëzore me simbolin më të lartë të kalimit në metafizikë në kulturën islame. Dashuria bëhet një provë, një kalim i rrezikshëm, por i domosdoshëm, një urë që, edhe pse më e hollë se një fije floku, është e kalueshme vetëm nëse duart mbahen së bashku. Kjo është filozofia e tij thelbësore: vetmia është një mihrab vetëm në lidhjen me Tjetrin (Dashurinë, Zotin) dhe aty gjendet shpëtimi dhe  kuptimi.

Në vargjet si “Je ti” dhe “Ti”, poeti zbërthehen tërësinë në të dashurën. Ai nuk flet për objekt të dashurisë, por për substancën e vetë ekzistencës, ujin esencial të shishes së quajtur jetë. Vargjet “burim i shpresës, djersë e ballit” paraqesin një lartësim romantik dhe njëshmëri (vahdet) emocional. I Dashuri është në çdo grimcë të krijimit, nga “kalli që zverdhet në fushë” tek “ylli në qiell”. Karakoçi shkrin dualitetin midis dashurisë profane dhe dashurisë shenjtërore. Të dashurit janë hija e Zotit në tokë, dhe dashuria ndaj Tij është një formë adhurimi. Kjo arrinë kulmin në poezinë “Drejt Dostit”, ku të gjitha rrugët, të gjitha ndjenjat, deri edhe vështrimi në tabut, drejtohen kah i Dëshiruari i Pafund, kah Zoti.

Por ky udhëtim spiritual nuk është pa dhimbje. Thelbi i poezisë së Karakoçit është malli – një dhimbje ekzistenciale, një mungesë që ushqen vetë krijimtarinë. “Të presësh” dhe “Turp” janë himne të ankthit të pritjes dhe të shkatërrimit që sjell ndarja. Malli është emocion, por edhe një “hanxhar i ngulur thellë në zemër”, një plagë e gjallë që gjakos pa pushim. Karakoçi e quan veten “lum i shteruar i dashurisë” dhe “plagë që vazhdimisht gjakos”. Ky realizim i vetë-plagosjes është pika ku takohet dashuria njerëzore me atë mistike: si në tesavvuf, dhimbja e mungesës është parakushti për kërkimin dhe gjetjen.

Në “Mihriban”, poemën kryesore, të gjitha këto tema ndërthuren. Mihribani është një dashuri e parealizuar, një simbol i të gjithë atyre që “çdo njeri e ka”.  Është dashuria e pamundur që bën të mundur krijimtarinë, që e lë njeriun “të lidhur për flokët” pa mundësi  shpëtimi.

Poetit i vjen “në mendje nganjëherë”, por e di se “njeriu nuk mund ta harrojë kurrë”. Këtu, Karakoçi na ofron një paradoks të bukur: harresa është e nevojshme për shërim, por ajo është e pamundur. Dhe pikërisht në këtë tension ndërmjet harresës së dëshiruar dhe kujtesës së pashmangshme qëndron tragjedia dhe bukuria e jetës.

Nga ana tjetër, poezitë e tij më të shkurtra, si “Ke kujdes” dhe “Poeti dhe poezia”, janë si aforizma të mprehta që shpojnë iluzionet. “Një zemër të njollosur, as dhjetë lumenj s’mund ta pastrojnë”, thotë ai, duke na sjellë përballë përgjegjësisë së paluajtshme për veprat tona. Poezia, për të, nuk është dekoratë, por është një zjarr që digjet brenda, një bimë që rritet edhe “brenda në borë”. Është një mision, një mënyrë jetese.

Përfundimisht, Karakoçi na flet edhe për çlirim. Në “Kthim” dhe “Përgjërim”, shohim një lëvizje nga vetmia dhe ankthi drejt dorëzimit dhe pranimit. “E lash urrejtjen dhe mllefin / U bëra një farë e mëshirës”. Rruga “drejt dostit” është një rrugë e vetë-harrimit, e largimit të egos dhe e gjetjes së paqes në dorëzimin ndaj një Force më të madhe. Nuk është një dorëzim i pasiv, por një kthim aktiv në thelbin e vetvetes, i cili përputhet me thelbin e Gjithësisë.

Përmbledhja “Mihriban”, në përkthimin e Bajrajt, na jep, pra, jo vetëm bukurinë e fjalëve, por një udhëzim jetësor. Abdurrahim Karakoç na tregon se dashuria, në të gjitha format e saj, është ura e vetme që na lidh me kuptimin. Është një forcë shkatërruese dhe krijuese njëkohësisht, një plagë dhe një melhem. Ai e bën filozofinë

të këndojë dhe e bën këngën të mendohet.

 Ky libër është një ftesë për të ecur mbi këtë urë të hollë, duke mbajtur duart e poetit dhe të përkthyeses, duke u dehur në oqeanin e tyre të përbashkët të ndjenjave, ku çdo rrokje është një hap drejt vetvetes sonë më të thellë, drejt asaj Mihribani të brendshëm që na pret të zbuluar.

                                                                                                                                    Fani

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts

Bardha Kolukaj-Ti nuk ishe më ti

T’pashë mbramë. Ishe më ndryshe se herën e fundit që t’kam pa, Prej larg sikur dojshe me m’bërtit e me m’sha, S’munda me t’prek, veç erën ta kam ndi... Erë, që s’ke e jotja se…

HYRË H. FAZLIJA-XHELOZE…

Si del natën, vetëm?! Kur heshtjet bien mbi sy, copëton retë, grisë qiellin... Vjen! Ulesh n'prehërin e ëndrrave, në buzë kujtimesh shton mallin: do të pi dhe një gotë për ty, le të jenë dy,…