Një udhëtim në shpirtin njerëzor të Majlinda Shaqirit

Një udhëtim në shpirtin njerëzor të Majlinda Shaqirit

0 Comments

Shkruan: Kosovare Ramadani Mehmeti

Libri “Mozaik qëndrese” nga Majlinda Shaqiri është një paraqitje e thellë e emocioneve dhe e ndjenjave, e
shprehur në formën e poezisë. Stili i shkrimit i autores, Majlinda Shaqiri, është i ndjeshëm duke përshkuar rrugët e thella të shpirtit dhe ekzistencës njerëzore. Ajo shfaq një aftësi të jashtëzakonshme për të kapur thelbin e ndjenjave dhe për t’i shprehur ato në mënyrë të fuqishme dhe të ndjeshme.
Poezia “Mozaik qëndrese”, titullin e së cilës e mban edhe libri sugjeron një imazh të ndërtuar nga shumë pjesë të vogla, por së bashku krijojnë një pamje të plotë, e që ky mozaik e ka forcuar edhe më shumë qëndresën. Poezia fillon me një thirrje për mosgjykim, duke kërkuar një mirëkuptim më të thellë. Përshkrimi i rrugëve sugjeron një kalim të gjatë kohor dhe përballje me sfida. Stinët që kapen me gishtin e hënës dhe durimi që derdhet në oqean përdoren si metafora për ngjarje të rëndësishme dhe momente vendimtare në jetë. Ky përshkrim tregon se si autorja ka përjetuar kohën dhe ka mbajtur shpirtin e saj.
Autorja fton lexuesin të vështrojë më thellë në shpirtin dhe jetën e saj. Imazhet e flokut të artë dhe shpirtit që shkëlqen sugjerojnë një pasuri të fshehur që duhet vlerësuar.
Pallatet dhe kullat që ndërtohen mbi një mozaik shfaqin harmoninë e ndërtuar mbi sfida dhe përballje. Poezia përdor një gjuhë të pasur me imazhe dhe metafora për të përshkruar jetën dhe përballjet e saj. Ajo nxit lexuesin të reflektojë mbi kohën, përballjet dhe vlerat që ndërtojnë karakterin dhe jetën e një njeriu apo një kombi.
Nëpërmjet poezive të saj, autorja eksploron tema të ndryshme, duke filluar nga lufta personale dhe përballja me vështirësitë e jetës, deri te dashuria, vetmia, humbja dhe dëshpërimi. Poezia “Lamtumirë nuk të thashë” është një lamtumirë ndaj babait dhe trajton temat e humbjes dhe
kujtesës. Autorja shpreh dhimbjen dhe respektin ndaj prindërve, duke treguar se si humbja e të afërmve lë
gjurmë të pashlyeshme në jetët tona. Tema e humbjes së dashurisë dhe të kujtesës vjen në pah, duke shtyrë lexuesin, të reflektojë mbi rëndësinë e lidhjeve familjare dhe vlerat që trashëgonim nga të parët.
Autorja gjithashtu trajton temat e identitetit dhe kërkimit të vetes, duke iu drejtuar lexuesit në një udhëtim të brendshëm të reflektimit dhe njohjes së vetvetes. Motivet e natyrës, kohës dhe elementeve simbolike përdoren gjerësisht për të forcuar ndjenjat dhe për të krijuar imazhe të fuqishme. Në poezinë “Aktorë teatri”, Majlinda trajton temën e performancës shoqërore dhe rolin që luajmë në jetën tonë. Autorja krahasoi jetën me një skenë teatri, duke e përdorur metaforën për të ilustruar se si të tjerët shikojnë dhe gjykojnë veprimet tona. Tema e identitetit dhe ndikimi i perceptimeve të të tjerëve vjen në pah, duke shtyrë lexuesin të reflektojë mbi rolin dhe ndikimin e tyre në jetën e tyre personale. Poezia “Aromë mjegulle” trajton temën e melankolisë, temë e pranishme thuajse tek të gjithë autorët. Aromat e mjegullës dhe trëndafilat shërbejnë si motive simbolike për të shprehur humbjen dhe vetminë. Tema e humbjes së dashurisë dhe ndjenjave të fshehura vjen në pah, duke shtyrë lexuesin të reflektojë mbi marrëdhëniet dhe ndjenjat e tyre të fshehura. Më tej, në poezinë “Akoma”, autorja shpreh dashurinë dhe
përkushtimin ndaj një personi të dashur që ndodhet në vështirësi. Ajo flet për ndihmën dhe mbështetjen që duhet t’u ofrohet atyre që janë në një rrugëtim të vështirë, duke i kujtuar lexuesit për rëndësinë e solidaritetit dhe vetëdijes së përgjegjësisë ndaj të tjerëve.
Poezitë e Majlindës përmbajnë rima dhe ritëm të bukur, duke krijuar një melodi. Pjesa strukturore e poezive është e rregullt dhe e përpunuar me kujdes, duke krijuar një harmoni të veçantë në tekst. Përveç kësaj, autorja e paraqet poezitë në një rend të caktuar, duke i bërë ato të lidhura në një mozaik të plotë që përcjell mesazhin e saj.
Një mesazh i rëndësishëm që vjen nëpërmjet këtij libri është qëndresa dhe forca e shpirtit njerëzor për të
përballuar sfidat dhe vështirësitë e jetës. Autorja inkurajon lexuesin të mos dorëzohet para trysnive dhe të
mbetet i fortë në kohërat e vështira. Ajo gjithashtu shpalos nevojën për dashuri, mirëkuptim dhe emocionet e ndjera si shpërblim për jetën e vështirë të çdo njeriu.