0 Comments

Përktheu nga turqishtja: Samet Vata

Në kohën e hz. Omerit ishte një muzikant që i binte shumë bukur harpës. Kur atë e dëgjonin zogjtë duke
luajtur, marroseshin pas tij. Nga meloditë që dilnin prej instrumentit, njerëzit që dëgjonin ndonjëherë
gëzoheshin, ndonjëherë dalldiseshin dhe sodisnin botën e imagjinatës.
Kaloi koha, ecën vitet dhe burri u vjetërua. Për shkak se iu prish zëri, i humbi edhe fama në mesin e njerëzve. Tashmë nuk mund të fitonte të ardhura dhe ishte nevojtar qoftë edhe për një kafshatë buke.
Një ditë, iu lut me zjarr të madh Allahut xh.sh: “O Allah! Ti më dhe jetë të gjatë të mbushur me mundësi. Nuk e ndërpreve asnjëherë mirësinë tënde nga robi yt. Për shtatëdhjetë vite të kam kundërshtuar duke bërë gjynahe. Megjithatë ti nuk ma ndërpreve rriskun asnjëherë.
Tashmë nuk kam me se të fitoj të ardhura. Sot jam mysafiri yt. Si i ftuari yt do të luaj në harpë vetëm për
ty.” E mori harpën e tij dhe shkoi në varreza. Nisi t’i bjerë harpës në varrezat e Medines me ngashërim të madh. Më pas e vendosi harpën poshtë kokës dhe e zuri gjumi. Në të njejtën kohë hz. Omerit i kishte ardhur një gjendje gjumi. Nuk e mbajti dot veten dhe në atë orar të pazakontë ra të flerë. Në ëndërr dëgjoi një zë: “O Omer, shpëtoje robin tonë nga nevoja që ka. Në varreza kemi një rob tonin të zgjedhur. Merr nga kasaforta e mallrave 700 dinarë dhe dërgoja atij. Thuaji atij: Momentalisht mbylli nevojat e tua me këto. Kur të të mbarojnë paratë eja përsëri.”

Hz. Omeri u zgjua nga zëri që i foli në ëndërr. U përgatit menjëherë dhe u nis për te varrezat. I shetiti varrezat nga të gjitha anët, mirëpo nuk pa askënd tjetër aty rrotull përveç muzikantit të moshuar. Nuk ia mori mendja se robi i zgjedhur mund të ishte muzikanti i moshuar, prandaj i kontrolloi edhe një herë varrezat. Kërkoi por nuk gjeti askënd. Në atë moment i tha vetes: “si është e
mundur që muzikanti i vjetër të jetë robi i pastër i cili ka nevojë për t’i shërbyer?”
E shëtiti edhe njëherë mirë e mirë varrezën sikur luani kur kërkon në shkretëtirë prenë e tij, deri sa u bind se aty rrotull nuk ishte askush tjetër përveç muzikantit të moshuar. Iu afrua të moshuarit duke thënë me vete: “Brenda errësirës gjenden shumë zemra plot me nur.” U ul me kujdes dhe duke u kollitur i bëri me dije se kishte ardhur. I moshuari brofi menjëherë. Kur pa përballë tij prijësin e besimtarëve u habit dhe nisi të dridhej nga frika. I iku çehreja dhe deshi të largohej prej andej, por nuk mundi.
Nga brenda tha: “O Zot! Më ndihmo!” Hz. Omeri i tha: “Mos u frikëso prej meje. Të kam sjellë përgëzim nga Allahu xh.sh. Të dërgon selam dhe të pyet për nevojën tënde. Të dërgoi këto para për të përmbushur nevojat e tua dhe tha të vish përsëri kur të të marojnë paratë.”
Kur muzikanti i vjetër dëgjoi këto u turpërua dhe nisi të qajë duke u dridhur. Pasi qau për një kohë të gjatë, e theu harpën duke thënë: “për një kohë të gjatë je bërë perde mes meje dhe Zotit tim.” Duke qarë e përgjëruar iu drejtua Zotit me këto fjalë: “O Allah! Jam i lënduar për jetën e kaluar në shthurje. Nuk e kam vlerësuar si duhet asnjë ditë të saj duke e shpenzuar në gjëra të kota. E shterrova veten time duke kënduar dhe harrova se do të ndahem nga kjo botë. Turp më qoftë. Dita shkoi dhe erdhi mbrëmja! Po të ankohem ty për unin tim të pakënaqur me mirësitë e tua dhe pendohem para teje për gjithçka kam vepruar.”

Përkushtim
Arti dhe dija duhet t’i shërbejnë të vërtetës dhe në asnjë mënyrë famës dhe botës. Qëllimi final në analizë të fundit në çdo art duhet të jetë shërbimi ndaj të vërtetës. Koha, rinia, fama, bukuria kalojnë, vetëm vlerat e shpirtit dhe udhëtimi drejt të vërtetës janë të përhershme.

Prof. Metin Izeti

Related Posts

Këngë burgu III – Sabahattin Ali

Përktheu nga turqishtja: Fatijona Bajraj Këtu lulet nuk çelinAs zogjtë s’fluturojnëAs yjet s’ndriçojnëDitët s’kalojnë, s’kalojnë Në oborr shëtitem pa ndalNë mendime i zhytur ulem, ndalojShoh mijëra imagjinataDitët s’kalojnë, s’kalojnë Jashtë qenka pranverëTë tjerët po u…

AMIR VELIU-LIBRI I PALEXUAR

Një libër flet mbi dollap, I mbuluar me pluhur që s’është bërë nga koha, Por nga harresa. Askush s’e hapi, Askush s’pyeti ç’fshihej aty. Ndoshta një jetë më e mirë, Ndoshta një rrëfim që shpëton.…

Gozhda- “Edhe kjo kalon”

Përktheu nga turqishtja: Fatijona Bajraj Njëherë na ishte një djalosh shumë gjaknxehtë dhe i mllefosur. Edhe nëse mërzitej pas reagimeve që bënte prapëseprapë nuk mund ta merrte vetën lehtë nga mllefi.Një ditë, pas një problemi…