0 Comments

A ka ndonji vend në tokë që ka mbetë i pabanuem me shqiptarë? – pyeta, ma
fort tue dashtë me e pyetë veten. Depresioni që i rrodhi prej syve, m’u duk
sikur ra në pellgun e kafes që e gjerba.
-Po ka! – më tha.
Ishte diçka që nuk e prita.

S’asht e mundshme, ku asht ai vend?Xhenneti! – tha dhe u zgërdhi në të thatë, se në fakt, sytë i lotuen.
Mue më erdhi me qeshë. Aty kurrë s’ka me pasë!
-Pse?Paj, rrencat nuk hyjnë aty.
Në kafeteri u hapërdanë tingujt e kangës ‘I need a dollar’, interpretue prej Aloe
Blacc. Nën atë dehje dëshpëruese kundrova kryet e tij prej gjeniu të vdekun.
Kudo tjetër, thashë me vete, emni i tij kish me u përmendë gjatë. Xhaketa e tij
e vjetër, e zbardhulët nga lamja e shpeshtë, tehet e jakës së këmishës së brejtun
dhe rrudhat e shpeshta në qafën e djegun prej rrezesh dielli e përtha prej ernash
të forta, ma forcuen bindjen. Njeri i ashpër, për kohë të ashpra.

Dje e mora përsipër me ia ble Arjanës nji palë këpucë të reja, po tue dalë, më
shkoi ndër mend që kovja e bunarit asht shtjerë. Bleva nji kove të re dhe ia
sigurova nji palë këpucë të vjetra, po të mbajtuna mirë, çikës sime. Por, duelën
të padobishme me gjithë gëzimin e saj të madh, për shkak të numrit, që ish ma
i vogël se përmasat që i shkonin për kambësh. Po rritet shpejt mik, edhe atë
para syve të mi, e unë nuk po e shoh!
Kur u ktheva, ata të KEDS-it po e këputnin për herë të dhetë linjën elektrike
për te shpia ime. Nuk bëzana. Ndonjanin prej tyne e kam marrë me dhetë euro
me e rilidhë në mënyrë ilegale, po ka shekuj që s’kam mbërritë me fitue ndonji
kacidhe, prandaj… Nejse, u ktheva në shpi dhe punën e parë që e bana, shkova
me e lidhë koven e bunarit me konop. Thashë, kanë mbetë pa ujë.
Gjerbi pak kafe nga filxhani i tij, mori frymë dhe vijoi risht:

Arjana më duel para, ia dhashë këpucët me i provue. Grueja hapi perdet e
dhomës së ndejës, më pa ftohtë. Shekujve të fundit po flasim pak me njanitjetrin. Arjana duel ma vonë me lot në sy dhe ma dha lajmin e hidhun se
këpucët nuk po i banin, po megjithatë, m’u lut mos me i kthye. Heshti pak.
Rrudha të imta nën kapakët e syve. Rrudha në ballë. Bulëza djerse.
Më tha:Babi, mos i kthe, kështu due me i mbathë, me ua tregue shoqeve në shkollë!
Kovja më ra n’bunar bashkë me gjysmën e konopit të kalbun që u këput.
Gjerbi kafen dhe shtoi si për fund të bisedës:Krejt i shita, po e di që i kam shitë me çmim të lirë. Due me ikë larg dikah,
kahdo. Në nji vend ku nuk ka shqiptarë.
-Në Xhennet?
-Haha, po se unë nuk jam shqiptar! – shtoi tue qeshë, kësaj radhe me gjithë
zemër.
Dy javë ma vonë më erdhi lajmi pikëllues që kish ndërrue jetë diku në kampet
hungareze për të ikunit. I pikëlluem, thashë me vete se jeta s’qenka veçse nji
kangë e trishtë.

/RevistaUji-9/

Related Posts

ALBIN MEHMETI-DASHTUNIA JONË ASHT TJETËR DASHTUNI

Dashtunia jonë a’ tjetër dashtuniU takuem si n’kohë t’moçmeKur t’dashtunuemit takoheshin te kroniE shkëndijat e dashtunisë kanë lé n’gurgullimën e ujitEh, Tjetër krue asht kroni jonë i takimitNa s’u takuem me shu’ etjen e ujitU…

Mustafa Bilal Karaosmanoglu-A dashurohet pa frikë?

(Përktheu nga gjuha turke: Fatijona Bajraj)A dashurohet pa frikë?I fshehur pas roletave të mbyllurame frikë të kam dashur gjithmonëUnë çdo here jam firkësuar të humbasedhe nëse në dukje aryse për tu frikësuar s’kam pasNdërsa edhe…

Botohet numri 4 i revistës“Uji”

Është botuar numri i katërt i revistës “Uji”, e cila përbëhet nga shkrime letrare, kulturore e historike, transmeton Fol Drejt. Edhe në këtë numër lexuesit mund të gjejnë larushi krijimesh si studime, ese, recensione, tregime,…