RAMAZAN FETAHU-DISA REFLEKSIONE RRETH ROLIT TË UDHËRRËFYESIT NËRRUGËN PËR TE ZOTI
Allahu xh.sh e ka krijuar njeriun në formën më të përsosur i cili në brendinë e
tij i përmban të gjithë emrat dhe cilësitë e Zotit dhe për këtë arsye ai quhet
Halife i Zotit në tokë. Njeriu i parë dhe prototipi i llojit njerëzor Ademi a.s u
krijua në formën e Zotit(1) dhe në të njëjtën kohë mori formën njerëzore dhe
kështu u shndërrua në urë lidhëse mes qiellit dhe tokës apo linjë kontakti mes
njeriut dhe Zotit. Në një aspekt ai ka realitet hyjnor dhe në aspektin tjetër ai
është njeri dhe i vdekshëm.
(1) Hadith: “Allahu xh.sh e ka krijuar Ademin a.s në formën e tij” kjo mund
të kuptohet në dy forma: 1. Në formën e tij pra formën njerëzore specifike të
Ademit a.s. 2. Në formën e Zotit sepse atij i është dhënë realitet i brendshëm
ontologjik që është në gjendje të kapë të gjithë realitetet e gjërave në esencën
e tyre.
Kështu fjala “Adem” në gjuhën arabe do të thotë ”hiç”, mosekzistencë sepse
Ademi a.s në relacion me Zotin nuk ekziston dhe është hiç vetëm se është
entitet në dijen e tij. Në raport me botën dhe me krijesat Ademi a.s konkretisht
lloji njerëzor është “diç” pra ka ekzistencë të kufizuar të cilën e merr nga
ekzistenca absolute e Allahut xh.sh. Kështu njeriu mund të konsiderohet si i
varur i përhershëm nga Zoti dhe i varfër absolut në vetvete. Për këtë arsye në
literaturën e Tesavufit përdoret shprehja fakir lil-lah (i varfër tek Allahu) apo
Dervish, që vie nga gjuha persiane që do të thotë i varfër. Varfëria e përdorur
tek sufitët nuk nënkupton varfëri materiale por varfëri shpirtëroreekzistenciale. Ademi a.s është i varfëri i parë kuptimor dhe me të drejtë mund
të konsiderohet dervishi i parë i shfaqur në ekzistencë.
Ademi a.s është ai i cili e përjetoi për herë të parë dobësinë karshi Allahut
xh.sh me rastin e mëkatimit në pemën e parajsës ku na lajmëron Kurani.
Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali
(gabimin), Ai është Mëshirues dhe pranues i pendimit. (El- Bekare 37)
Vullneti i lirë i njeriut është i prirur drejt gabimit dhe të keqes dhe për këtë
arsye çdo herë i nevojitet udhërrëfyes i cili do ta drejtojë në rrugën e drejtë.
Allahu xh.sh ia mësoi Ademit a.s disa fjalë të cilat përveç se kanë dimensionin
e dijes kanë edhe dimensionin e adhurimit sepse përmes atyre fjalëve Ademi
a.s iu lut Allahut xh.sh dhe iu pranua pendimi. Në këtë raport Shejhu i parë
është Allahu xh.sh dhe Dervishi i parë Ademi a.s, prej aty rrjedh zinxhiri i
vazhdimit të dijes dhe shpirtërisë nga zemra në zemër dhe nga mendja në
mendje. Ibn Arabiu ishte i pari i cili e institucionalizoi fakr-in (dervishlëkun)
shpirtërore, vetveten duke e barazuar me zero dhe duke u shkrirë në qenien e
Zotit.
Dija nuk është subjekt i cili merret dhe përvetësohet por është pjesëmarrja e
njeriut në dije e cila është e shpërndarë në çdo vend pasi që bota është
formësim i intelektit sublim. Kështu çdo dije është edhe një mjet afrimi drejt
Zotit. Shejhu në Tesavuf shihet jo vetëm në raportin mësues-nxënës por edhe
si pishtarë dhe udhërrëfyes drejt Zotit. Pasi që përveç dijes ai përcjell edhe
shpirtërinë.
Në literaturën e Kuranit hasim se të gjithë Pejgamberët kanë pasur të dërguarin
e tyre nga ana e Allahut që ua ka sjellë dijen dhe urtësinë. Xhibrili a.s ka sjellë
shpalljen nga ana e Allahut xh.sh dhe njëherit ka qenë edhe shejhu dhe
udhërrëfyesi i secilit Pejgamber.
Gjithashtu në suren Kehf hasim ngjarjen e Musait a.s me Hidrin, ku ai Hidri
a.s u bë Shejhu dhe Musau a.s Dervishi i tij në rrugëtimin e dijes së brendshme
(ilmi batin) e cila nuk shikohet me syrin e ballit dhe me mendje por vetëm me
syrin e ndërgjegjjes dhe me intuitën e brendshme të dhuruar nga ana e Allahut
xh.sh. Aty përveç dijes shpjegohet edhe edukata e sjelljes dhe heshtjes ndaj
dijetarit të dijeve të fshehta. Raporti shejh-dervish ndërtohet mbi tregimin e
Musait a.s me Hidrin a.s.
Edhe në jetën e Pejgamberit a.s e hasim metodën e edukimit internë dhe të
veçantë. Në ndërtimin e mesxhidit Nebevije, kemi shoqërinë sufiste (ashabu
sufeh) të cilët ishin pjesa elitare e shoqërisë e cila merrej me dijen dhe
shpirtërinë islame. Ata nuk merrnin pjesë në xhihad të vogël, por ata merreshin
me xhihadin e madh në edukimin e nefsit. Ebu Hurejre lajmëron se Pejgamberi
a.s i kishte lënë 2 enë me dije dhe vetëm njërën prej tyre e kishte shpërndarë
dhe tjetrën nuk e shpërndante dhe thoshte se po ta shpërndante kishte frikë se
do t’ia hiqnin kokën.
Pejgamberi a.s po e përgatiste një shoqëri të fortë shpirtërisht dhe
ideologjikisht prandaj dijen dhe urtësinë e kishte shpërndarë tek njerëzit
eminentë për këtë punë, sepse jo çdo njeri është në gjendje të bartë barrën e
hakikatit prandaj edhe sufitë e vjetër kanë thënë se sheriati është për të gjithë
kurse tarikati vetëm për të zgjedhurit, për elitat e shoqërisë.
Gjithashtu metodën e besatimit të dervishit ndaj shejhut e mësojmë nga
sahabët, të cilët e mësuan nga Pejgamberi a.s i cili në ”bejatu-ridvan” e
rifreskoi besatimin e dhënë në botën e shpirtrave në “elestu birabikum”. Dhe
kjo vazhdon edhe sot e kësaj dite ku shejhu llogaritet si baba i dervishëve të
tjerë dhe dervishët si vëllezër mes vete sikurse Pejgamberi a.s në një hadith që
thotë: “Unë jam në pozitë të babait tuaj dhe ju mësoj juve. (Ebu Davud –
Tahare 4.)
Në mesin e sahabëve më i shquari sa i përket dijeve mistike dhe të brendshme
ishte Imam Aliu për të cilin Pejgamberi a.s kishte deklaruar: Unë jam qytet i
dijes dhe Aliu është dera e tij. Për t’u futur në qytetin e dijes dhe të urtësisë
rruga më e lehtë është përmes urtësisë së Aliut dhe Ehli Bejtit sepse Aliu ishte
i pari i cili kishte marrë mësim nga Pejgamberi a.s.
Gjithashtu edhe Ebu Bekri ishte i shquar në dijen rreth kuptimeve të
brendshme të Kuranit. Ai ishte i cili e shoqëroi Pejgamberin a.s gjatë hixhretit
dhe e përjetoi halvetin dhe izolimin në shpellë pasi ishin të ndjekur nga
mushrikët e Mekës. Për të Pejgmbari a.s kishte deklaruar se Ai është besniku
i umetit, pasi që fuqia e besimit të tij bëri që të pranojë Miraxhin akoma pa e
takuar Pejgamberin a.s.
Pas vdekjes së Pejgamberit a.s filloi dija të përcillej nga gjenerata në gjeneratë,
fillimisht gojarisht më vonë edhe me shkrim dhe në mënyrë të sistemuar.
Tanimë dija ishte në dy forma: Dija e jashtme e cila kishte të bënte me anën
praktike të fesë, e cila përcillej përmes autoritetit të Abdullah Ibn Mesud, Ibn
Omer, Ibn Abbas etj., dhe dijet e brendshme shpirtërore të cilat përcilleshin
përmes autoriteteve si Imam Aliut r.a, Ebu Bekri r.a, Selman Farisi r.a, Ebu
Dherr El-Gifari r.a etj.
Pasi Kurani ishte tubuar dhe shumuar qysh në kohën e sahabëve, në kohën e
emevitëve filloi të tubohej hadithi dhe të formoheshin shkencat islame.
Tubimi i haditheve është bërë përmes transmetimeve gojore dhe të cilat
njiheshin si silsile-zinxhirë të hadithit. Tubimi i hadithit dhe kultivimi i tij bëri
që më vonë të formoheshin edhe shkencat islame si fikhu, hadithi, tefsiri, etj.
Por përveç tubimeve silsileve gojore të haditheve në këtë kohë është përcjellë
edhe metoda e edukimit shpirtëror, e përcjellë nga Pejgamberi a.s përmes
Imam Aliut dhe Hz.Ebu Bekrit. Këto rrugë të transmetimit shpirtëror i dhanë
shpirtin haditheve të transmetuara gojarisht dhe kështu u kompletua
trashëgimia Pejgamberike dhe ndër shkencat e tjera u radhit edhe tesavufi
Islam.
Sot brenda Tesavufit ka dy rryma kryesore: Rryma apo lidhja që shkon deri
tek Imam Aliu dhe lidhja tjetër që shkon deri tek hz.Ebu Bekri. Njëjtë sikurse
shkolla e fikhut Hanefi që zanafillën e ka te Abdullah Ibn Mesud apo ajo e
Hadithit te Omer b. Hatabit ose shkolla e tefsirit te Ibn Abasi.
Pas shek. XIII- me kanalizimin e shkencave filluan të zgjerohen secila në
drejtimin e vet. Brenda Tesavufit u përhapën Tarikatet e para të cilat ndoqën
metodën klasike dhe hierarkinë dhe etikën e edukimit, thelb i së cilës ishte
mirësjellja dhe respekti ndaj Shejhut.
Tarikatet e para të formuara zyrtarisht dhe të cilat kanë ardhur deri në ditët
tona janë tarikati i formuara nga Abdulkadir Gjejlani (261,1166) dhe Ahmed
Rifaiut (575-1179) Më vonë u themeluan edhe tarikatet e tjera si Halveti,
Bekashi, Mevlevi etj.
Kështu tarikatet përmes autoritetit të shejhit si udhërrëfyes shpirtëror dhe
dervishëve besnik kanë arritur deri tek ne dhe vazhdojnë të praktikojnë
ndikimin e vet në vendet aziatike, në Turqi dhe në Ballkan