ALBIN MEHMETI-ËNDËRRIMTARI
Kishte kohë që Mëhalla e Urës kishte marrë emër tjetër. Nuk kishte
ndodhur ndonjë betejë atypari që lagjja të kujtohej në emrin e asaj beteje. Për
kongrese diturie e ngjarje kulturore as që bëhet fjalë. Kishte kohë që në
Dashamir s’kishte ardhur asnjë akademik e asnjë artist. Si, tek e pse, askush
nuk e di! As ndërtesë e re, qoftë njëkatëshe apo rrokaqiell nuk është ndërtuar,
jo pse nuk donë kompanitë e ndërtimit, por nuk lejon ligji i trashëgimisë
kulturore. Por, ç’e veniti namin e urës e ç’re krijuan hije dhe ia morën
shkëlqimin urës? Si u bë që Mëhalla e Urës, sa hap e mbyll sytë u bë Mëhalla
e Ëndërrimtarit?
***
DONI TË SHIHNI ËNDRRA?
NA VIZITONI!
Kështu shkruhej në tabelën e vendosur, aty ku më parë shkruhej tabela:
MËHALLA E URËS
***
Ferik Teni u bë emri më i përmendur në Dashamir. Dikush e quante mjek
e dikush tjetër hoxhë. Tek-tuk kishte të tillë që e quanin fallxhor, por ata
kritikoheshin, shaheshin e sulmoheshin nga dashamirasit të tjerë. Feriku ishte
nga Shkabanistani dhe ishte i pari nga ky vend që erdhi të banonte në
Dashamir. Dashamirasit e donin dhe adhuronin në gradën e Perëndisë. Ai ishte
i paprekshëm, shto këtu dashurinë që ata kishin për vendin e tij të lindjes. Ai
nuk pandehte se ishte hoxhë e as mjek, madje ngrysej në fytyrë nëse i thoshe
në njërin nga emrat. Thoshte se s’kam të përfunduar as mjekësi e as teologji.
Veten e konsideronte dhe e quante, thjesht shërues shpirtëror.
***
Ferik, e kam ëndërr të shoh ëndrra! – tha Agim, profesori i historisë, që
gjithë qyteti kishte dëgjuar për historinë e tij që nuk shihte ëndrra.
(Shënim i autorit: Po e lë këtu këtë shënim për narratorin: KUJDES NË
FORMULIMIN E FJALISË. SI MUNDET DIKUSH TË KETË
ËNDËRR DIÇKA, KUR NUK DI SE ÇKA ËSHTË ËNDRRA DHE NUK
KA PARË KURRË ËNDËRR?)
Ëndrrën do ta bëj zhgjëndërr, profesor! Së bashku do t’i zhvillojmë disa
seanca. Në fillim ëndrra do të mund të shohësh vetëm tek unë. Cila do të jetë
ëndrra jote e parë që do ta shohësh?
Dua t’i shoh prindërit e mi. Ka kohë që kanë vdekur.
A ke fotografi të tyre?
Po, kam.
Merri me vete, nesër. Je në seancat e para, andaj nevojitet që t’i shohësh
para gjumit. Truri yt nuk është mësuar me ëndrra dhe nevojitet që t’i ketë para
syve imazhet para gjumit.
***
Sytë e profesorit shkëlqenin nga lotët. Në të pesëdhjetat e tij s’e kishte
parë kush të qante. Nuk qau as kur e mbrojti tezën e doktoratës e as kur botoi
librin e parë. Nuk qau kur i vdiqën prindërit e as kur i lindi djali i parë. Nuk
qau për lindje, vdekje e suksese, por qau për një ëndërr.
I pe prindërit?
Po, i pashë. Isha përmalluar për ta.
Cila është ëndrra tjetër që do ta shohësh?
Ende e mbaj në mend që nga fëmijëria një gjë. Kur mblidheshim në
sokakun e lagjes, të gjithë fëmijët tregonin se kishin parë ëndrra duke fluturuar.
Atë kohë edhe unë sajoja ëndrra të tilla. Më dukej turp që nuk shihja ëndrra.
Nuk doja të ndahesha nga shokët.
Edhe atë ëndërr do ta bëj realitet, profesor!
***
Profesori i historisë po fluturonte. Vetëm një lëvizje e duarve dhe ai
ngrihej lart e më lart. Nga lart shihte qytetin. Shihte nxënësit e kolegët, miqtë
e armiqtë. Nuk i njihte qartë se kush ishin, por ai i emërtonte si të donte. Ishte
ëndrra e tij tek e fundit. Shihte shtatore heronjsh që në moment bëheshin prej
mishi e gjaku dhe fluturonin. Heronj historie e heronj këngësh folklorike vinin
dhe e përshëndesnin profesorin.
***
Sot isha tek Feriku. Ishte seanca e dytë. Sot realizova dëshirën e
kamotshme timen, fluturova e ëndërrova, të dyja në të njëjtën kohë. Me mua
fluturuan gjithë heronjtë e Dashamirit. Me ta bisedova gjatë e për shumë
gjëra. U kënaqa shumë.
Nesër kam seancën e tretë dhe përfundimtaren. Nëse do të kem sukses, më
pas mund t’i shoh ëndrrat nga krevati im.
Feriku më tha se nesër do të shoh një ëndërr lucide, ku do ta di se jam në
ëndërr dhe do të shëtis në qytet.
***
Profesori në makinën e policisë? Jo nuk është e mundur. Sot është 1 maji
dhe jo 1 prilli.
***
30 nëntor
Sot është hera e parë që po shkruaj pas shumë muajsh. Kanë kaluar plot
shtatë muaj që s’kam shkruar. Nuk është që s’doja të shkruaj, por Gjykata e
Krimeve të Rënda të Dashamirit ma kishte konfiskuar ditarin në ditën e
arrestimit tim. Fletët e ditarit u përdorën si dëshmi ndaj meje. Pro a kundër,
s’e di ç’të them!
Tani, këtij ditari do t’i përkushtohem më shumë. Do të shkruaj gjatë.
Madje më gjatë se herëve të tjera. Tash kam kohën e lirë e të pafund. Tash kam
kohën e qenit, do të thoshte im atë. S’kam çfarë të bëj tjetër në burg, pos të
lexoj e të shkruaj. Njëzet vjet janë të gjata. Shtatë mijë e treqind ditë nuk sosen
asnjëherë.
Gjykata vërtetoi akuzën ndaj meje. Vrara njeriun pa e njohur. As tash s’e
di saktë se kush ishte dhe çfarë bënte. Vrava njeriun pa faj, apo siç do të
thoshte nëna ime e ke vra njeriun pa bigajri hak.
Më 1 maj kisha seancën e fundit për ta realizuar ëndrrën time, për t’u
bërë ëndërrimtar si gjithë të tjerët. Feriku më priste tek dera. Fytyra i qeshte.
Sapo më uroi mirëseardhje, tha se sot në ëndrrën time do të jetë edhe ai me
mua. Unë do të isha në dijeni se po ëndërroja. Rashë e fjeta. Më mori gjumi
më shpejt se herëve të tjera. Pas pak veten e gjeta në mes të qytetin. Isha në
këmbë. Si e tek nuk e di. Isha në ëndërr tek e fundit. Në brezë mbaja një revole.
(Shënim i autorit: Mos harro teorinë e Çehovit, se nëse shfaqet një armë
në aktin e parë të një drame, ajo duhet të kërcasë në aktin e tretë.)
Feriku ishte pranë meje. Ecnim e kuvendonim në qytet. Për një moment,
Feriku më tha: Shihe atë burrin me këmishë bojëgjaku. Shikoje me kujdes!
Paramendoje sikur ai ta kishte tradhtuar Livdohovën e Shkabistaninë. Ti, si
profesor historie, si një trim e atdhetar, çfarë do të bëje?
Për një moment, pa menduar, nxora revolen dhe gjuajta tre herë.
TREPLUMBA PËR TRADHTINË… Sa mirë do të shkruante në gazetën kryesore të
Dashamirit! Fillova të ëndërroja bre ëndrrës, por… ende pa ia ngriturlapidarin e lavdisë vetvetes, u kapanga policët. Provoja të dilja nga ëndrra etë zgjohesha, por kot. Aty e pashë që s’isha në ëndërr. Në të vërtetë s’kishaëndërruar kurrë, as në seancën e parë, as të dytën e lëre më tani që po më
dërgonin në mbajtje.
Unë asnjëherë s’ëndërrova. Feriku s’më bëri ëndërrimtar, por kriminel.
Dy ëndrrat e para i kishte realizuar falë teknologjisë tredimensionale, të tillë që s’kisha parë e madje as s’ishte dëgjuar në Dashamir. Përmes kësaj teknologjie unë shihja njerëz e shihja objekte, shihja të gjallë e të vdekur. Në ndërtesën trekatëshe që kishte marrë me qera, ai kishte instaluar një teknologji që largonte gravitetin e të dukej sikur po fluturoje. Më injektonte serum për të më vënë në gjumë e më pas më zgjonte, ku dukej sikur po ëndërroja. Ndieja dhimbje e luhatje, por ku ta dija unë se çfarë ishte ëndrra. Mendoja se ëndrraishte një formë realiteti. Më thoshte se në ëndrrat lucide, e di se je në ëndërr.
Në seancën e tretë rashë viktimë e Ferikut, për ta shkaktuar një viktimë që ai
kishte synim për ta vrarë.
Sot gjendem në burg kurse ai iku në Shkabistani. Ndoshta, unë s’jam viktimë e Feriku, por viktimë edashurisë ndaj Shkabistanisë. Sa mirë do tëishte që dashuria ndaj Shkabistanisë të mbetej vetëm nëëndrra… në ëndrrat eatyre që munden të ëndërrojnë.
/RevistaUji-VIII/