RIINKARNIMI I VARGUT TË MISTIKËVE NË VARGJET E FATIJONA BAJRAJT-ALBIN MEHMETI
Punën dhe emnin e Fatijonës, tashma e njohin të tanë, jo vetëm në Dardaninë e saj të dashtun, por edhe përtej kufijve të kësaj toke t’bekueme. Fuqia e vargjeve që ajo krijon kanë ba që njerëzit m’u lidh ma shumë rreth fjalës së shkrueme, mbasi vargjet e saj etabloojnë nji histori njerëzore, të mbushun me dashni hyjnore. A thue, kush asht ai njeri që s’e do këtë dashni? Fatijona Bajraj, tash po vjen me divanin e saj të katërt. Ajo tashma ka hy fuqishëm në poezinë mistike, në të cilën figura e Zotit asht determinante për çdo shkronjë, varg, strofë e poezi. Në katërdhjetë poezitë e saj, ajo bahet ashike e përvuejtuen, e djegun nga malli që ka për takimin dhe mungesën në prani, të cilën autorja e përmend përmes metaforës pranga e mallit. Kjo metaforë asht e pranishme çdo kund e në çdo vend, pasi që ashiku edhe pse asht në
mesin e njerëzve asht i vetmuem, mbasi malli për takimin e kërkuem ban që jeta e ashikes të jetë veç me frymu, e assesi me jetu. Kjo gja, ngrit edhe nji pyetje e dilemë jetësore të Fatijones, se çka e ban njeriun njeri. Në pyetjen retorike, të shtrueme disa herë se çka e ban insanin insan, ajo vë në spikamë se a e ban njeriun njeri vuejtja, sabri a dashnia. Mbase në atë poezi, Fatijona nuk jep përgjigje, por nji lexues i vëmendshëm, përgjigjen e kësaj pyetje ka me gjet në tridhjetë e nandë poezitë të tjera të saj, ku
njeriun njeri ka me ba veç dashnia e sinqertë për Hakkun, Krijuesin Absolut. Mungesën në prani e gjejmë edhe në poezitë e tjera të Jonës, por që këtë temë shpeshherë e pasqyron përmes metaforave të vjetra të mistikëve të parë. Në njanën prej poezive të saj, ajo përdor metaforën e kallamit. Tani, ai kallam që dikur ka rrëfy për dashni, tani ka mbet veç nji kallam që ka mbetun në kallamishte i vetmuem, pa za me rrëfy për vuejtjen e dashninë. Në vargjet e Fatijones, prej fillimi e deri në fund keni me pa këtë gja. Ajo, dashninë për Zotin e paraqet në disa forma, që nga mbështetja e deri tek sakrifica për hir të dashnisë ndaj Tij. Në kohë të turbullta, ku dashnia ndaj Zotit manifestohet me vrasje e eliminim të tjetrit, poetja hedh poshtë këto hipoteza e ideologji të humbuna se duhet me vra në emnin e Atij që ka kriju çdo gja. Simbas autores, e cila vetëm vazhdon rrugën e mistikëve të parë, dashnia ma e madhe ndaj Krijuesit asht mbështetja në Të,
pasi që Ai asht vetë Dashnia. Në njanën prej vargjeve, ajo shprehet: Edhe nëse emnin tem harroj; Ti madhninë Tande, përkujtoma mu. Përmes këtyne vargjeve, ajo shpjegon se edhe nëse ne jemi harrestar e harrojmë edhe veten tonë, kthimi ynë tek Krijuesi na ban me njoftë vedvedin. Ku ka ma madhështi se njeriu ta njohë vedin, se mbasi duke njohur vedin, njeriu e njeh edhe Krijuesin Dashninë Supreme të Botnave. Ma tej, në njanën prej vargjeve, Jona shprehet se n’vena m’rrjedh ashk, jo gjak, në të cilën pasqyron atë, që asht thelbësore për nji njeri, me jetu e zemra me rrah veç për dashni. Nëse dashnia duhet m’u quejt dashni, ajo s’bahet pa sakrifiku. Në njanen prej vargjeve, Jona shprehet se duke e tërheq dynjanë, duert m’gjakojnë e unë nuk rënkoj. Kjo jep shembullin ma të mirë se deri ku mundet me arrit sakrifica
e dikujt që e do Atë që e ka kriju, se deri ku mundet me mbërri niveli i dashnisë. Duke e njoftë Jonën, e di që ky asht veç fillimi i nji krijimtarie të bujshme. E di se nuk kanë me mjaftu shkronjat e alfabetit për m’i emnu divanat që kanë me ardh. Shpirti dhe delli krijues i mistikëve të vjetër asht riinkarnu në shpirtin krijues të Jonës që ban që vargjet me rrjedh pafund, shto këtu se vargjet e shkrueme në dialektin e saj të dashtun, ban që vargu me kanë varg i vërtetë. E kur bashkohet gegnishtja e mistikja, s’ka qysh me dalë
ndryshe përveç melodi zemre që rrah në zemrën e çdo ashiku.