0 Comments

Të desha
as vetë nuk e dita pse
as sot nuk e di

Befasisht Vrima e Zezë u mbush me dritë
hapësira u çel brenda masës
koha filloi të numërojë hapat

bota pastaj u krijua rastësisht

pastaj edhe unë e kuptova se ti ishe gabimi im
kur më the “s’të dua se kështu na doli zari”
teksa i numëroje fletët e bagremit
“të dua, s’të dua”

e pashë veten në sy
ti sytë nuk i ule

asnjë trohë faji nuk ngarkove në shpinë
nga ato copat e thyera të jetës
sall më urdhërove “çohu e rindërto!”
mbill fije të kaltra bari në kopsht
po mos i numëro dashuritë e gabuara

atëherë të desha deri në mëkat
rashë në humnerën e thellë të vetvetes
aty ku koha nuk ecën
aty ku materja është aq e dendur sa nuk ka hapësirë të lëvizë asgjë

u bëra vetë vrimë e zezë
me lotët e mi ta rinis edhe njëherë universin
kohën ta bëj të ecën me tjetër tik-tak
elektronet të rrotullohen rreth teje

dije
edhe protonet me neutronet paqtohen

fotografisë sate do të doja t’ia vidhja të qeshurën e syve
atë të qeshurën kur gjërat shkojnë keq
e unë të bëhem Ti

të desha
as vetë nuk e di pse
as sot nuk e di

ngjarja e dashurisë nuk zhvillohet në tru
një kangë dhe qindra gjamë
jam unë.

Related Posts

METIN IZETI-TË JETOHET ME DRITË

Mjeku i projekton pacientit komplikimet e tij pseudo-ekzistente, ai dëshiron të likuidojë rastin e tij më të vështirë me rastet më të lehta dhe më të thjeshta. Ndërkohë, lëndimet e veta ia bart pacientit dhe…

FATIJONA BAJRAJ-PA MANA

Nuk i mbetë mana kurgjafitVeç plaga u thellu deri n’áshtAsnji gja ma s’ka shijeMa as loti i njelmët s’asht A thu t’ranat e vjeshtësPrapë n’bahar kanë me lulëzuVallë tash t’frymuemit përgjysmëKam me i thanë “me…

SYLVIA PLATH-PASQYRË

(Përktheu nga portugalishtja: ELVI SIDHERI) Jam prej argjendi, jam e saktë. Nuk kam asnjë paragjykim kurrsesi.Gjithçka shoh, e gëlltis menjëherëMirëfilli siç është, pa e ngatërruar me dashuri e mospëlqim.Nuk jam aspak mizore, thjesht e çiltër,Jam…