0 Comments

Roli pozitiv i Islamit te kombi ynë është i shumanshëm dhe shtrihet përtej konceptit kohë. Pra, ka pasur, ka dhe do të ketë rol pozitiv në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, fetar, bashkëjetesës midis besimeve të ndryshme, familjes dhe individit. Shqiptarët religjionin e përdorën si mjet të sinqeritetit dhe të fisnikërisë shpirtërore dhe janë aq fetar sa që religjionin kurrë nuk e përdorën si mjet antihuman, si mjet keqpërdorimi, por vetëm për interes të mirëqenies së përgjithshme njerëzore. Pra, islamin e përdorën edhe për ta pajisur familjen me vlera fisnike dhe të palëkundura përmes së cilave, familja i rezistoi pushtimeve të një pas njëshme në shekujt e fundit.

Familja, fal rolit të Islamit, i cili e kishte mbjellë dashurinë ndaj Zotit dhe ndaj Kombit, ka qenë celula bazë e ngritjes sonë kombëtare, intelektuale, patriotike dhe fetare. Kosova që nga viti 1912 ka rënë në pushtimin e egër dhe gjenocidial serb e cila i ka rrënuar edhe ato pak institucione të trashëguara si vilajet, i ka dëbuar qindra mijëra shqiptar nga këto troje dhe ka synuar ta zhbëjë çdo vlerë të trashëguar. Në këtë luftë sistematike midis shqiptarëve dhe serbëve familja ishte ajo e cila e ruante besimin në Zot, dashurinë ndaj atdheut dhe motivin për liri. Familja, është ajo që për një shekull e ruajti dhe e kultivoi motivin për luftë, sakrificë, liri dhe çlirim, pa marrë parasysh pasojat dhe vuajtjet. Familja, jo vetëm që ishte kultivuese dhe mburojë e vlerave kombëtare në mungesë të institucioneve por ajo ishte edhe mburojë e Besimit në Zotin e Madhërishëm. Sllavizmi dhe komunizmi në Kosovë, ky i fundit edhe në Shqipëri, nisi rrënimin sistematik të vlerave të trashëguara të Besimit në Zotin e Madhërishëm. Familja ishte ajo e cila e ruajti Besimin, namazin e agjërimin, përderisa në jetën private dhe publike, shkolla dhe institucione ndalohej agjërimi, falja, shamia dhe feja në përgjithësi. Në Shqipëri gjatë komunizmit të egër, në luftën kundër fesë, familja ishte ajo e cila e ruajti Besimin, i cili u shpërfaq dhe gufoi direkt pas rënies së komunizmit.

Islami në kontekstin e bashkëjetesës midis feve, nisur nga parimi hyjnor, se nuk ka dhunë në fe, e ka luajtur edhe një rol shumë të rëndësishëm, atë të kultivimit dhe raporteve të mira midis familjeve të besimeve të ndryshme, midis myslimanëve dhe të krishterëve. Noel Malcolm thotë, familjet e besimeve të ndryshme i kanë ruajtur raportet e mira me njëra-tjetrën, kanë hy e kanë dal me njëra tjetrën, i kanë respektuar festat e njëri tjetrit dhe kanë qenë mbështetje për njëra-tjetrën. Ajo që ka rëndësi këtu për bashkëjetesën shoqërore të krishterëve dhe myslimanëve, nuk është ekzistenca e dy besimeve në qytete apo zona të vendit, por bashkëjetesa e ngushtë e njerëzve që jetojnë në një familjaritet të tillë shoqëror, saqë nuk mund të shmangnin eksperiencat, e në njëfarë mënyre ndarjen midis tyre të ritualeve ose praktikave fetare të besimit. Trajta më e zhvilluar që mori kjo, ishte bashkëjetesa e feve brenda së njëjtës familje”.

Islami, në të kaluarën por edhe sot, fal konceptit të drejtësisë dhe barazisë midis bashkëshortëve, ka mbjellë dashurinë, bashkëpunimin dhe komunikimin e mirë midis tyre, duke e rrënuar konceptin e njohur si patria potestas apo patriarkalitetit. Studiuesi turk Ilber Ortayli, thotë, ndryshe nga çfarë mendohet, autoriteti i babait në familje është i kufizuar dhe e drejta islame, edhe në teori, edhe për sa u përket traditave, qëndron larg veprimit për ti dhënë babait statusin e patria potestas – patriarkalitetit, që është institucioni themelor i së drejtës romake. Ky është një dallim shumë i rëndësishëm nga ana juridike, midis autoritetit të babait dhe “pushtetit absolut të babait” (sistemit patriarkal). Për këtë, pejgamberi s.a.s. e nxiti raportin e ngushtë dhe plotë mëshirë midis prindërve dhe fëmijëve, madje edhe mëshirën e Zotit ndaj robit e la në varësi të mëshirës së prindit ndaj fëmijëve. Në transmetimin e Ebu Hurejres, thuhet se njëherë një beduin, njeri periferik, erdhi të Muhamedi s.a.s dhe i tha: unë kam dhjetë fëmijë dhe asnjëherë nuk e kam përkëdhelur ndonjërin prej tyre. Pejgamberi s.a.s. i tha: Zoti i Madhërishëm nuk do t’i japë mëshirën e Tij personit që nuk ka mëshirë ndaj tjerëve. Në kontekst të kësaj, islami luan rol të fuqishëm në krijimin e ambientit të mirë dhe të ngrohtë familjar, duke vënë ekuilibrin midis moshave të reja dhe atyre të shtyra, përmes thënies së Muhamedit s.a.s: Ai që nuk është i mëshirshëm ndaj të vegjëlve tanë dhe nuk i respekton pleqtë tanë, nuk është prej nesh.

Islami, ka rol të fuqishëm në ruajtjen dhe forcimin e familjes përmes nxitjes së vazhdueshme për dije dhe edukim, nisur nga mësimi kuranor, lexo në Emër të Zotit tënd i cili krijoi. Familja në ditët e sotme si rezultat i rreziqeve të mëdha që i ekspozohet dhe ndikimeve të shumta mediatike, ideologjike e sociale, shpëtimin e saj e gjenë tek edukimi dhe mësimi i fëmijëve. Tradita e mësimit të fëmijëve nuk ka munguar asnjëherë, është interesant se në një përshkrim të një pastori gjerman, Salomon Schëeigger të vitit 1578, vë në pah kujdesin e prindërve myslimanë në mësimin e fëmijëve, duke thënë; Ata kanë një zakon që të bën të turpërohesh, i vendosin fëmijët pranë vetes dhe lexojnë së bashku me zë të lartë duke ngatërruar njëri-tjetrin. Ndërkohë, nuk janë të qetë. Gjatë leximit ata lëvizin trupin nga një anë në një anë tjetër dhe kështu mësojnë së bashku përmendësh Kur’anin.

Familjen tani më e cenojnë një tërësi rreziqesh të natyrave të ndryshme. Ndikimi i madh dhe i sforcuar i rrymave liberale që manifestohen në mendimin politik, në diskursin publik e në hartimin e legjislacionit që prek familjen. Kalimi i shoqërisë nga përgjegjësia kolektive në të drejtën e sforcuar individuale, përvetësimi i pa përzgjedhur i vlerave moderne e materialiste, emigracioni, gjendja ekonomike dhe mungesa e edukimit përmbajtësor fetar kanë ndikuar që të preken dhe cenohen funksionet bazike të familjes. Tradicionalisht e drejta i ka njohur katër funksionet bazike të familjes, funksioni i riprodhimit njerëzor, funksioni ekonomik, funksioni i rritjes dhe edukimit të fëmijëve, funksioni shoqërues i familjes dhe funksioni mbrojtës i familjes.  Po ashtu,  edhe në të drejtën islame një nga pesë qëllimet kryesore të legjislacionit islam është edhe ruajtja e pasardhësve, rrjedhimisht, martesës, ruajtjes së gjeneratës dhe kultivimit të llojit njerëzorë, pra, qëllimi kryesor është ai natyror, i cili është vazhdimi i gjinisë njerëzore përmes krijimit të familjes. Në të njëjtën kohë islami i jep edhe karakter të theksuar moral martesës, si në kuptim të ndikimit të martesës në ruajtjen e moralit individual po ashtu edhe në atë kolektiv. E drejta islame në vazhdimësi e ka nxitur martesën si mburojë e moralit duke u bazuar në thirrjen e Profetit Muhamed (a.s), i cili thotë: “Ai që është martuar, ka plotësuar gjysmën e fesë (imanit) së tij, andaj le të ketë frikë Zotin e Madhërishëm, për pjesën tjetër të mbetur.

Shqiptarët janë të vetëdijshëm për parimin hyjnor, ruajeni veten dhe familjet e juaja, prandaj edhe janë të kujdesshëm sa i përket vlerave të familjes. Familjen e ka ndërtuar dhe ruajtur një tërësi vlerash të nxitura edhe nga feja, tani, është koha që ky themel i vlerave islame në kuadër të familjes të shërbejë si kapital i fuqishëm për ruajtjen e familjes. Pra, është koha e funksionimit të një raporti unik midis vlerave që i ka absorbuar dhe kultivuar familja dhe nevojës së vënies në funksion të këtyre vlerave për ruajtjen e vetes nga këto rreziqe që po i imponohen.

Në fund të kësaj konstatoj se familja shqiptare ka një tërësi vlerash kombëtare dhe fetare të kultivuara për shekuj te ajo të cilat kanë ndikuar që ajo ti rezistojë dhe të dal triumfuese përballë çdo sfide që cenon vlerat, interesat dhe funksionet e saj. Falë këtyre vlerave të kultivuara për shekuj besojmë se familja është mburoja e fundit e vlerave kombëtare dhe fetare, prandaj jemi vu në funksion të mbrojtjes së familjes.

Related Posts

BLERINA TËRBUNJA-TË KAM HARRUE PAK

Të kam harrue pakstinën e dimrit e kam lanë me shkuepa ja qëndisë me borë kurorën dashnisëe me marue me frymë fronin e dielltëpak të kam harruepërtej qiellnash kam ikë shpirtine topitun në mirazhet e…