ALBIN MEHMETI-PREMTIMI
Në burgun e Zallishtes kishte probleme elektrike, dhe ftuan kompaninë “Elektrika” që të evitonte problemet. Pasi Adnani ishte elektricisti më i mirë në kompani, e dërguan atë. Kjo ishte mundësia më e mirë për realizimin e planit të tij. Pasi mori vesh se në cilën qeli ishin dy kriminelët që vranë mikun e tij Argjendin, ua la një letër tek dera. Ai u tregoi se në një pjesë të oborrit do t’i linte shkallët me të cilat punon, ku përmes tyre mund ta kalonin murin rrethues, e të arratiseshin. Ai u tregoi edhe vendin se ku i priste ata, pasi të iknin nga rrethojat.
***
Në kohën e shëtitjes së mbrëmjes, Milaimi dhe Fatosi filluan zbatimin e planit të ikjes. Tinëzisht morën shkallët, dhe në një pjesë ku muri është më i ulët i vendosën ato. Pa u vërejtur nga rojat, u ngjitën lart me shpejtësi. Pasi u hipën të dy në majën e murit, tërhoqën shkallët, i vendosën në anën tjetër të murit, zbritën dhe ja mbathën.
***
Dy kriminelët u nisën drejt vendit ku u kishte thënë Adnani se i priste. Sapo i pa që po aftoheshin, ndezi veturën. Të dy hipën në veturë. Adnani drejtoi veturën drejt malit që ishte afër, me arsyetimin se mund të iknin më lehtë nga policia. Në kasollen e vjetër të pylltarëve, u ndalën të pushojnë.
Të tre flenë menjëherë.
***
Dikur kah mesnata, Adnani u zgjua. Mori ngadalë revolen më jo-zhurmues. Zgjoi të parin Fatosin, dhe qetësisht i tha “për Argjendin” dhe ja shkrepi revolën në ballë, aty ku kishte Argjendi plagën e parë. Më pas ju kthye Milaimit, të cilin e zgjoi, dhe duke i thënë qetësisht “për Argjendin”, e gjuajti drejt në zemër, aty ku Argjendi kishte plagën tjetër.
Pasi vërtetoi se të dy kishin vdekur, u nis drejt qytetit.
***
Lajmi për arratisjen e dy kriminelëve më të rrezikshëm të vendin more dheun. Qytetarët paralajmëroheshin, që mos të dilnin në rrugë, vetëm se për punë të rëndësishme. Policia ofronte shpërblim të madh për informatorët. Presidenti doli me një dekret, i cili s’u dëgjua kurrë më parë, se kushdo që vret kriminelët, s’do të ketë dënim.
***
Pranë morgut të qytetit ishin mbledhur forca të mëdha të policisë dhe gazetarë. Dy trupa të pajetë ishin gjetur në mal. Pas ekzaminimeve mjeko-ligjore, u zbulua identiteti i të vrarëve, ishin dy kriminelët e arratisur nga burgu i Zallishtes.
Tani qyteti do flinte i qetë!
Ishte çliruar nga frika e krimit!
***
I shtrirë në kolltuk, Adnani shikonte edicionin e lajmeve ku lajmërohej për vdekjen e dy kriminelëve. Teksa shikonte lajmet, atij ju kujtua miku i tij Argjendi, i cili ishte vrarë pa asnjë faj, pesë vite më herët. Ai u betua tek varri i tij se do hakmerrej.
Argjendi për të ishte më shumë se mik, ishte vëlla i shpirtit.
***
Të nesërmen, në derën e Adnanit trokiti policia, të cilët e shoqëruan në stacionin policor. Prokurori kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për tri vepra penale: vrasje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe ndihmesë në arratisje.
***
Gjyqi ndaj Adnanit zgjoi interesim të madh. Gazetarë e qytetarë të shumtë ishin në sallën e gjyqit. Akuza për vrasje të rëndë ra, pasi Dekreti i Presidentit parashihte lirim nga dënimi për vrasësin e kriminelëve. Adnani ju shqiptua dënimi prej pesë vjet burg për ndihmesë në arratisje dhe tre muaj për armëmbajtje pa leje.
Askush nuk e kuptoi se pse njëherë u ndihmoi të iknin, më pas i vrau.
Teksa e shoqëronin për në burg, ai kërkoi që t’ia lejonin që t’i vizitonte varrezat qytetit, të cilat s’i kishte vizituar që pesë vjet, që nga ajo ditë kur ai e kishte dhënë një premtim!
/Revista UJI XII/