NURIDIN AHMETI-JEHONA E KONGRESIT TË DREJTSHKRIMIT NË KOSOVË SIPAS DOKUMENTEVE TË KOHËS

NURIDIN AHMETI-JEHONA E KONGRESIT TË DREJTSHKRIMIT NË KOSOVË SIPAS DOKUMENTEVE TË KOHËS

0 Comments

Hyrje

Sikurse edhe për jubiletë e tjera me rendësi kombëtare, Institucioni ynë ka organizuar aktivitete shkencore. Edhe ky përvjetor i rëndësishëm, i një ngjarje me peshë kombëtarë siç është Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, punonjësit e këtij institucioni janë prezantuar me kontributet e tyre në lidhje me këtë organizim.

Duhet potencuar, se nga hulumtimet tona, na rezulton se edhe atëherë kur ishin rrethanat e tendosura politike në vendin tonë, më 1992 punonjësit e Institutit Albanologjik, se bashku me drejtorin e atëhershme Prof. dr. Sadri Fetiun, u kujdesën që ta shënojnë njëzetvjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit dhe, përkitazi me këtë, se bashku me drejtuesit e Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë së Tiranës dhe koleget tjerë albanologë nga Maqedonia e Veriut, në qershor të vitit 1992 në Tetovë në Popova Shapkë, siç raportonte shtypi i kohës, ishin mbledhur anëtaret e Këshillit Organizues nga Tirana, Kosova dhe Maqedonia, për të diskutuar në lidhje me konferencën shkencore, që pritej të mbahej në nëntor të atij viti me temën “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot”. Nga Instituti Albanologjik në këtë mbledhje kishin marrë pjesë Prof. dr. Sadri Fetiu dhe Prof. dr. Shaqir Berani. Gjithashtu, në këtë mbledhje, ishte propozuar që të formohej një shoqatë e përgjithshme e gjuhëtareve shqiptarë dhe për këtë u caktua një grup i punës për hartimin e statutit dhe të rregullores. Ky grup kishte këtë përbërje: Akademik Idriz Ajeti nga Prishtina, Prof. dr. Jorgo Bulo nga Tirana dhe Prof. dr. Remzi Nesimi nga Shkupi.  Për aq sa ne jemi në dijeni, konferenca u organizua në Tiranë nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë siç quhej atëherë në bashkëpunim me Institutin Albanologjik nga Prishtina , ndërsa Shoqata e gjuhëtarëve u formua vite me vonë në Prishtinë.

Në vështrimin tim, nuk dëshiroj të ndalëm te aspektet profesionale drejtshkrimore, sepse është shkruar dhe ende po vazhdohet të shkruhet në këtë drejtim, por unë do të ndalëm në disa materiale e dokumente të kohës që flitet për qëndrimet e disa pushtetarëve të kohës në Prishtinë ndaj kësaj ngjarje, dhe disa organizime në lidhje më këtë ngjarje, por pak ose aspak të përmendura tek ne. 

Tryezë “Kongresi i drejtshkrimit te gjuhës letrare shqipe”

Para mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë për të cilin ishin bërë përgatitjet, në Prishtinë u diskutuan për vite të tera rregullat e drejtshkrimit të shqipes (projekt) siç e quajtën atëbotë. Njëra nga tryezat në fjalë, që ka tërhequr vëmendjen tonë, është edhe ajo, e organizuar nga drejtuesit e revistës së njohur, e cila merrej me probleme arsimore dhe pedagogjike “Shkëndija”  dhe botohej në Prishtinë. Nuk i dimë arsyet, por aq sa ne jemi në dijeni, shumë pak është përmendur ky organizim nga ata të cilët e kanë trajtuar këtë tematik.

Tryeza, duhet t’i ketë zhvilluar punimet nga mesi i dytë i muajit tetor të vitit 1972, por këto diskutime u publikuan në revistë  më 1 nëntor të vitit 1972

Siç thuhej në artikullin e kësaj reviste, të ilustruar edhe me disa fotografi të pjesëmarrësve, redaksia e revistës “duke e marrë parasysh rëndësinë e këtij Kongresi, vendosi të shtrojë një Tryezë, kësaj radhe, me temën e këtij Kongresi” . Për këtë qëllim thuhej në këtë artikull ”u ftuan njohës dhe dashamirës të gjuhës, të cilët edhe me këtë rast, dhan kontributin e tyre në të mirë të disa zgjidhjeve më të përshtatshme dhe folën në përgjithësi, mbi rëndësinë e Kongresit” .

Pjesëmarrës të kësaj tryeze ishin: Mehmet Gjevori, Sulejman Drini, Isa Bajçinca, Mehmet Shala, Sadri Alaj dhe Faik Shkodra. Këtë tryezë e organizoi dhe e udhëhoqi, redaktori i atëhershme i kësaj reviste Jusuf Selimaj.

Të pranishmit në këtë tryezë vunë në dukje se “në Kosovës menjëherë pas Konsultës, më 1968, filloi të përdoret gjuha letrare shqipe e njësuar dhe kontributi është i madh i gjithë shqipfolësve në shkolla, në radio, në televizion, në shtyp, tekste shkollore e kudo. Nuk kanë munguar edhe tubime të posaçme për t’u diskutuar dhe për t’u vuar në jetë “Rregullat” -thuhej në këtë artikull.

Në këtë tryezë, nga të parët që e kishte marr fjalën ishte mësuesi veteran, Mehmet Gjevori i cili kishte deklaruar se edhe Ai ishte i ftuar në Kongres dhe do ta përcillte me vëmendje. Në lidhje me rregullat të cilat po diskutohen Mehmet Gjevori kishte deklaruar, se ai ishte paraqitur shumë herë në shtyp për këtë çështje dhe me rastin e shkuarjes në kongres, ai do të mbroj mendimin “që së bashku me Rregullat, që do të marrin trajtën përfundimtare, të botohet një udhëzues dhe një fjalor ortografik. Këto dy botime janë të domosdoshme në aplikimin e gjuhës letrare të njësuar” – deklaronte Gjevori. Pra, z. Mehmet Gjevori kishte marr pjesë në kongres, dhe ishte njëri nga diskutuesit në Sesioni B siç ishte bërë ndarja aso kohe. 

Sulejman Drini, bashkëpunëtor shkencor në Degën e Gjuhësisë të Instituti Albanologjik në këtë kohë, deklaroj se përmes Institutit Albanologjik, ai i ka dërguar disa vërejtje me shkrim në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe, në këtë kongres, ai do të flas për shkrimin e derivateve, kompozitave, shkronjave të mëdha, fjalëve në fund të rreshtit dhe fjalëve të huaja. Për me tepër Profesor Drini vlerëson se “tani, jemi në momentin e volitshëm historik shoqëror e kultural dhe shkencor që çështjet të trajtohen në tërësinë e tyre edhe nga pikëpamja teorike të shkencës materialiste gjuhësore që të jepen zgjidhje praktike të gjuhës sonë e të bëhet sa me funksionale” – theksonte në mes tjerash Profesor Drini. Për aq sa jemi në dijeni Sulejman Drini nuk ishte pjesëmarrës në këtë kongres.

Faik Shkodra, studiuesi i letërsisë për fëmijë tërheq vëmendjen se si duhet të bëhet shumësi i disa emrave. Ai nuk ishte dakord rregullat të cilat ishin caktuar në projekt se si duhej për disa fjalë të behej shumësi. Në faqen 48, pika e 8 të rregullave të cilat ishin dërguar për diskutim nga Tirana, për disa fjalë thuhej se në pajtimin me shqiptimin më të përgjithshëm do të shkruhen me “nj” e jo me “j” , si bie fjala të emrat femëror me nj në trup të fjalës dhe shumësi i emrave mashkullorë si arinj (ari), barinj (bari) etj., për të cilët emra Profesor Shkodra theksonte se “emrat e shënuar, duhet ta bëjnë shumësin me j dhe jo me nj, përndryshe do të kishim një analogji me flamur-flamunj, lepunj për lepur etj.” – theksonte në mes tjerash Profesor Shkodra. Sadri Alaj, kishte diskutuar në lidhje më atë se si duhet të shkruhet fjala “kilometër-km”, apo “metër-m”, të shkruhet me pikë apo pa të, dhe sipas tij, praktika e shumë gjuhëve botërore është që të shkruhet pa pikë.  Në lidhje me shkrimin e titujve të librave shkollorë, nëse duhet të shkrihet në trajtën e shquar a po të pa shquar, bie fjala Fizikë apo Fizika, në këtë drejtim kishte diskutuar Mehmet Shala.

I fundit në këtë diskutim siç paraqitjen në këtë revistë e kishte marr fjalën gjuhëtari i njohur dhe njëri nga firmëtaret e rezolutës të kongresit, Profesor Isa Bajçinca. Ai kishte treguar se do të marr pjesë në këtë kongres dhe do të diskutoj për përdorimin e shkronjës “ë” te mbiemrat e prejardhur, mbajtja apo mos mbajtja e shkronjës “ë” dhe aoristin e foljeve “u mbuall, u muar etj.” Profesor Isa Bajçinca, nuk fsheh gëzimin e tij në lidhje me përfundimin e punimeve të këtij kongresi, ai nuk hezitonte te shprehej se “Kongresi i drejtshkrimit po mbahet në kohë të duhur dhe rezultatet i presim me gëzim të madh të gjithë” -thoshte në këtë tryezë Profesor Bajçinca. Për të qenë me korrektë me lexuesin, ne po sjellim tekstin e revistës në tërësi, pa shtuar dhe pa larguar asgjë, sepse mendojmë se botimi edhe në këtë formë, mund t’i shërbej të interesuarve në të ardhëm.

“ Tryeza e redaksise ”Shkëndija”. Kongresi i drejtshkrimit te gjuhës letrare shqipe. Rregullat e drejtshkrimit të shqipes (projekt), u pritën me interesim të veçantë dhe u përshëndetën, më të drejtë, si një ngjarje e shënuar në jetën tonë kulturore dhe arsimore, në lëvizjen mendore shqiptare. Ato plotësojnë një kërkesë të ngutshme të shkollës sonë, të shtypit dhe të letërsisë. Këto “Rregulla” janë një faktor i rëndësishëm në kristalizimin e gjuhës sonë kombëtare, në stabilizimin e njëzimin e mëtejmë të saj. Në këto “Rregulla” ruhet e zhvillohet më tej tradita drejtshkrimore e gjuhës sonë, që ka ndikuar e shërbyer njëzimit të shqipes letrare dhe kështu, këto, të ndihmojnë për njëzimin e mëtejmë të normës letrare kombëtare. Krejt kjo, është kurorëzim i përpjekjeve tona të parreshtura e kjo është njëkohësisht edhe e mundshme dhe e domosdoshme për kohën tonë, për përpjestimet tona të zhvillimit arsimor, kultural dhe shoqëror që problemi mbi vendosjen e normave të njësuara e me karakter të qëndrueshëm të shkrimit të gjuhës letrare, të jetë realitet i gjallë. Drejtshkrimi i shqipes, i cili zë fill disa shekuj më parë, është përpunuar duke kaluar nëpër shumë etapa dhe, çdo formulim i ri i rregullave, ka qenë një hap përpara. Prandaj, Projekti i Rregullave të drejtshkrimit të shqipes, që së shpejti merr trajtën e prerë, është një sukses i madh për arësimin dhe kulturën tonë kombëtare. Ai ka, gjithashtu, edhe rëndësi shkencore, sepse përvijon shumë ligje të zhvillimit të shqipes së sotme dhe mbi bazën e këtyre ligjeve dhe të këtij zhvillimi bën përgjithësimet, sistemin dhe trajtimin e materialit. Kongresi që mblidhet më 21-25 nëntor është i nevojshëm dhe në kohë të duhur. Ky do të marrë përsipër detyrën e madhe e të nderuar që të miratojë vendimet për të sotmen dhe për të nesërmen e shqipes letrare. Redaksia e “Shkëndijes”, duke marrë parasysh rëndësinë e këtij Kongresi, vendosi të shtojë Tryezën, kësaj radhe, në temën e këtij Kongresi. Për këtë qëllim u ftuan njohës dhe dashamirë të gjuhës, të cilët edhe me këtë rast, dhan kontributin e tyre në të mirë të disa zhgjidhjeve më të përshtatshme dhe folën në përgjithësi, mbi rëndësinë e Kongresit. Në Tryezë morën pjesë shokët: Mehmet Gjevori, Sulejman Drini, Isa Bajçinca, Mehmet Shala, Sadri Alaj dhe Faik Shkodra. Tryezën e organizoi dhe e udhëhoqi, Jusuf Selimaj, redaktor.

Kongresi mbyllë një pesëvjeçar diskutimesh. ”Rregullat e drejtshkrimit të shqipes” po diskutohen ka që pesë vjet dhe është kohë e mjaftueshme për t’u diskutuar për ndryshimet dhe ndreqjet që do të miratohen në Kongres. Ky Kongres, do të merr vendime të prera mbi shumë çështje gjuhësore edhe për ato ku ka pasur dilema. Dilema prapë do të mbetën, por në masë më të vogël, sepse gjuha zhvillohet e ato që mbetën janë çështje të veçanta që shkojnë në përputhje me vetë zhvillimin e gjuhës. Në Kosovë, menjëherë pas Konsultës, më 1968, filloi të përdoret gjuha letrare shqipe e njësuar dhe kontributi është i madh i gjithë shqipfolësve në shkolla, në radio, në televizion, në shtyp, tekste shkollore e kudo. Nuk kanë munguar edhe tubime të posaçme për t’u diskutuar edhe për t’u vuar në jetë “Rregullat”. Këtu ndër ne, menjëherë pas çlirimit, përdorej në tekste shkollore, në shtyp e në botime të ndryshme një gjuhë letrare e mesme e kjo ka ndihmuar mjaft që të kalojmë lehtë në letrarishten e njësuar. Në Kongres jam i ftuar dhe do ta përcjell me vemendje. Lidhur me “Rregullat” jam paraqitur disa herë në shtyp dhe besoj se ato do të merren parasysh. Do ta mbroj idenë që së bashku me Rregullat, që do të marrin trajtën përfundimtare, të botohet një udhëzues dhe një fjalor ortografik. Këto dy botime janë të domosdoshme në aplikimin e gjuhës letrare të njësuar (Mehmet Gjevori).

Ka gjëra për t’u diskutuar në ortografinë tonë. Kongresi i drejtshkrimit që do të mbahet në Tiranë, do të kurorëzojë përpjekjet e lavruesve të shqipes dhe, sipas letrës që kam marrë nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në Tiranë, “do të bëjë një analizë të thelluar të problemeve kryesore të drejtshkrimit të shqipes dhe do të përcaktojë vijat themelore për hartimin përfundimtar të tij”. Në Institut, sigurisht, janë grumbulluar mjaft vrejtje lidhur me projektin e ortografisë e do të jenë studjuar mirëfilli. Nëpërmejt Institutit tonë albanologjik, i kam dërguar vrejtjet e mia në Univerzitetin shtetëror të Tiranës. Në Kongres do të paraqitem në diskutim në temën: 1. Shkrimi i të gjitha derivateve; 2. Larmia e shkrimit të disa kompozitave (gjithshka, diçka, shumë-shumkush etj; 3. Shkrimi i shkronjave të mëdha; 4. Ndarja e fjalëve në fund të rreshtit dhe 5. Shkrimi i fjalëve të huaja me r apo me rr. Me sa di, kështu kanë bërë edhe shumë shokë nga Kosova e Maqedonia e po ashtu edhe në Shqipëri, kështu që është grumbulluar një material i mirë e kjo e bën të mundur që Kongresi të diskutojë mbi bazën e tyre shkencore dhe do të merr vendime të prera. Tani, jemi në momentin e volitshëm historik shoqëror e kultural dhe shkencor që çështjet të trajtohen në tërësinë e tyre edhe nga pikëpamja teorike të shkencës materialiste gjuhësore që të jepen zgjidhje praktike të gjuhës sonë e të bëhet sa me funksionale (Sulejman Drini).

Kongresi, pa çështje të mbetura pezull. Për Kongresin e drejtshkrimit që së shpejti do të mbahet në Tiranë, e shoh të arësyeshme t’i jap ca propozime lidhur me ca trajta të cilat janë paraparë në projekt e si të tilla shkaktojnë vështirësi të mëdha te nxënësit, studentët dhe te dashamirët të tjerë të gjuhës. Në “Rregulla” thuhet se te fjalët me Ë të theksuar, i përgjigjen zakonisht një A-je hundore, do të shkruhen me Ë, si: ëma, kënga, nxënësi etj. Emri mashkull ka filluar të shkruhet me e të çelët-meshkull dhe shumësi, meshkujt. Dihet mirëfilli se këtu nuk mund të vie në konsiderim metafonia, kur e marrim parasysh burimin e tij. Po ashtu, këtu s’mund të bëhet anaologji me kategorinë e emrave: dash-desh; plak-pleq; asht-eshtra; natë-net. Nëqoftëse e marrim këtë emër në këtë formë, duhet kështu të shkojnë edhe emrat: lak-leqe, bark-berqe, hark-harqe e jo laqe, barqe, harqe. Prandaj, edhe mashkull, duhet të shqiptohet edhe të shkruhet vetëm me a e jo me e-mashkull e jo meshkujt. Në faqen 48, pika 8, të Rregullave, thuhet se në pajtim me shqiptimin më të përgjithshëm do të shkruhen me nj e jo j, emrat femërorë me nj në trup të fjalës dhe shumësi i emrave mashkullorë si arinj (ari), barinj (bari) etj. Emrat e shënuar, duhet të bëjnë shumësin me j dhe jo me nj, përndryshe do të kishim një analogji me flamur-flamunj, lepunj për lepur etj. Dihet se j-ja në gjuhën tonë mund ta kryejë pa kurrfarë vështirësie funksionin e shumësit. Mandej, do të jetë mirë kufijtë dhe jo kufinjtë, psiqik dhe jo psikik, nëndë dhe jo nëntë. Në shkrimet tona si dhe në projekt ka marrë përpjestime të gjera përdorimi i trajtës së foljes Patur. Në bazë të eufonisë dhe argumenteve shkencore, do të ishte me vend që trajta patur të përdoret në trajtën Pasur. Nga kjo trajtë formohen fjalë të reja: pasuri, pasurim, i pasur etj., dhe kështu s’mund të themi: Paturi të mëdha ka Kosova, por: Pasuri të mëdha ka Kosova, etj. Për këto dhe fjalë të tjera që janë çështje të pazgjidhura mirë, në Kongres do të marrin formen përfundimtare (Faik  Shkodra).

Roli i madh i redaksive, i shkollave…U bë mirë që filluam menjëherë që nga viti 1968, ta përdorim gjuhën letrare të njesur. Një lehtësim ishte se kaluam prej një gjuhe të mesme letrare në këtë të sotmen të njësuar. Në këtë, në aplikimin e normave të drejtshkrimit, rol të madh kanë luajtur redaksitë e ndryshme të shtypit të përditshëm dhe atij periodikë, shtëpia botuese, shkollat, administrata dhe institucionet të tjera kulturore. Mund të thuhet, se diskutimi i organizuar ka munguar, këtu në rend të parë, mund të merret Instituti albanologjik dhe Katedra e gjuhës shqipe pranë Fakultetit filozofik në Prishtinë. Në Kongres, sigurisht, do të gjejnë zgjidhje më të mirë edhe disa çështje si: kilometër-km., metër-m, etj., me pikë apo pa të: kilometër-km, m etj. Praktika është, që të shkruhet pa pikë në shumë gjuhë botërore (Sadri Alaj).

Pas aprovimit të rregullave, udhëzuesi si të përdoren këto, i domosdoshëm. Enti i teksteve dhe i mjeteve shkollore ka arritur që të sigurojë të gjitha tekstet në gjuhën letrare të njësuar dhe si i ka pasur “Rregullat e drejtshkrimit” (projekt). Në Rregulla janë disa çështje të pazgjidhura mirë apo lënë dilemë si duhet të përdoren më drejt. Për shembëll, Fizikë për kl. III apo Fizika për kl. III, d. m. th., të përdoret trajta e shquar apo e pashquar kur është fjala për shkrimin e titujve të librave. Pas aprovimit të Rregullave të drejtshkrimit, është më se e nevojshme të pasojë botimit i një udhëzuesi se si të përdoren rregullat. Jam i bindur, se këto porosi do të gjejnë zgjidhje në Kongresin e drejtshkrimit (Mehmet Shala).

Do të diskutoj në Kongres mbi tri çështje. Gjuha letrare është një dukuri shoqërore historike, ajo lind si nevojë e domosdoshme në një shkallë të caktuar të zhvillimit ekonomik, kultural, shkencor. Pra, Kongresi i drejtshkrimit po mbahet në kohë të duhur dhe rezultatet i presim me gëzim të madh të gjithë. Jam i ftuar në Kongres dhe do të diskutoj mbi tri çështje: 1. Përdorimi i ë-s te mbiemrat e prejardhur të formuar me anë të prapashtesës-të e që bëhet-ët: i hapët, i çelët etj; 2. Mbajtja apo mosmbajtja e ë-s te ër, ërr dhe ël, varësisht nga pozita etj; 3. Aorisit i foljeve –u mbualla, u muar etj. Kongresi do të merr të merr vendime të prera edhe mbi disa çështje gjer më tani të pazgjidhura mirë. Ai do të punojë 5 ditë dhe sigurisht kjo punë do të pasqyrohet me anë të një rezolute dhe kështu vendimet e marrë do të jenë të detyrueshme e të gjitha rrethanat dhe kushtet janë që këto t’i zbatojmë plotësisht. Në Kongres nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, janë ftuar të marrin pjesë afër 60 shkencëtarë, njohës dhe dashamirë të gjuhës shqipe (Isa Bajçinca)”. 

Është për tu potencuar se në botimin e muajit dhjetor të vitit 1972, pas përfundimit të punimeve të Kongresit të drejtshkrimit,  revista e lartcekur do t’i botojë si shtojcë të veçantë, konkluzionet e Kongresit, me disa ilustrime dhe në fund do ta botojë edhe rezolutën e Konsultës Gjuhësorë të Prishtinës të mbajtur në vitin 1968 në Prishtinë.

Kongresi i drejtshkrimit sipas disa dokumenteve

Përveç disa shkrimeve në gazeta e revista të kohës, për të cilat bëmë fjalë me lartë, gjatë hulumtimeve tona për këtë teme, kanë tërhequr vëmendjen tonë edhe disa dokumente të kohës, dhe sipas hulumtimeve tona të gjertanishme, këto dokumente janë të pa publikuara. Njëri nga dokumentet që ne jemi referuar në këtë punim, është ai i datës 27 tetor të vitit 1972, i cili është një shënim nga biseda e dr. Syrja Pupovcit, prorektor i atëhershëm i Universitetit të Prishtinës dhe Profesor Pajazit Nushit, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës. Biseda zhvillohet në zyrën e Profesor Pajazit Nushit dhe dokumenti mban emrin e tij si përpilues. Dokumenti është në gjuhën serbokroate siç quhej atëherë, dhe është i rrahur me makinë shkrimi. Që në fillim, të këtij materiale thuhej se vetë nënkryetari Pajazit Nushi “ka shprehur dëshirën që të na informojë lidhur me bisedimet që kanë pasur me përfaqësuesit e Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe mbi ftesën e drejtuar nga rektori i këtij universiteti përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës që të marrin pjesë në Kongresin e Albanologëve në Tiranë” , dhe siç shihej, Kongresit të Drejtshkrimit këta i referohen me  “Kongresi i Albanologëve në Tiranë”. Në këtë takim, ata flasin mbi plotësimin protokollit, i cili do të nënshkruhet në mes të Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, dhe sipas tyre, duhet të plotësohet. Por, sipas shënimit në fjalë, shqetësimi i dy bashkëbiseduesve është se, studiuesit shqiptarë, e posaçërisht ata nga Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilët kanë marrë pjesë në Konferencën shkencore mbi ilirët dhe gjenezën e tyre “e ka gëzuar” organizatorin dhe sikundër të gjitha delegacionet e tjera, sipas tyre, gjatë kohës së pauzës, studiuesit shqiptarë nga ish-Jugosllavia janë përshëndetur edhe nga funksionarë më të lartë të partisë dhe të Shtetit shqiptar.

Pra është fjala për Kuvendin e parë të studimeve ilire të mbajtur në Tiranë nga 15 deri më 20 shtator 1972.  Përpiluesi i këtij dokumenti ve në dijeni  se “Universitetit të Prishtinës i është bërë ftesë që të marrë pjesë në Kongresin e Albanologëve, në të cilin do të vendosen bazat e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe. Kongresi do të mbahet në Tiranë nga data 20-25.11.1972. Nëpërmjet Universitetit (në frymën e protokollit) ftesa u është dërguar: Dervish Rozhajës, Syrja Pupovcit, Dr. Idriz Ajetit, Hilmi Aganit, Dr. Latif Mulakut, Mehdi Bardhit, Dr. Gazmend Zajmit dhe Isa Bajçincës. Në këtë shënim theksohet se Idriz Ajeti është përfshirë në Komisionin Redaktues. Ftesa ende nuk është shqyrtuar nga Komisioni i veçantë për marrëdhënie ndërkombëtare i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Shokët e Universitetit të Prishtinës theksojnë se në Kongres do të marrë pjesë rektori, ose prorektori, ose asnjëri. Kanë shprehur edhe pikëpamjen sa i përket karakterit të përfundimeve. Në të vërtetë, ato duhet të përmbajnë vetëm elemente shkencore pa primesa politike. Kanë shfaqur edhe gatishmërinë për kontributin e tyre në këtë kongres” – thuhet me tej në këtë shënim.

Siç del edhe nga shënimet tjera, pjesëmarrësit nga Kosova në këtë kongres, duhet të kenë pasur konsulta të thelluar në rektoratin e Universitetit të Prishtinës, para se të nisen për Tiranë, sepse siç ve në dukje Profesor Rexhep Qosja në ditarin e tij, dy ditë para se të fillonte punimet Kongresi, me datën 18 nëntor të vitin 1972, si pjesë e Komitetit Organizues të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe se bashku me Profesor Idriz Ajetin, kishin mbajtur mbledhje në zyrën e drejtorit të atëhershëm të Institutit të Gjuhës dhe të Historisë Profesorit Androkli Kostallarit. Në ditar shkruan se “Profesor Idriz Ajeti, i cili dha disa sqarime në lidhje me këshillimin që ne, delegatët nga Kosova, kishim pasur para nisjes, në Rektoratin e Universitetit të Kosovës. Mund të merret me mend, tha profesori, se ai konsultim në të cilin kishte edhe ndonjë zyrtar krahinor, kishte karakter politik” – shkruan në mes tjerash Profesor Rexhep Qosja.

Shqetësimi i bashkëbiseduesve Nushi e Pupovci, se gjatë kohës së pauzës, në Konferencën për ilirët që u mbajt në Tiranë, studiuesit shqiptarë nga ish-Jugosllavia janë përshëndetur edhe nga funksionarë më të lartë të partisë dhe të Shtetit shqiptar, për mendimin tim, kanë qenë sinjale, se duhet marr masa në këtë drejtim, ndaj delegatëve nga Kosova që do të marrin pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit, një dukuri e tillë mos të përsëritet edhe me ata. Në lidhje me këtë, dëshiroj të i referohem përsëri Profesor Rexhep Qosjes, i cili në ditarin e tij shkruan, se pas leximit të referatit kryesor nga Androkli Kostallari, “u dha pushim. Delegatët dhe mysafirët dolën në hollin e Kuvendit, ndërsa disa prej tyre hynë në salla më të vogla e në kabinete zyrtarësh. Një numër i vogël, fare i vogël, i delegatëve u ftua të takohej me Enver Hoxhën, që ishte një kabinet afër Sallës në të cilën zhvillonte punimet Kongresi. Nuk isha ndër ta. Mjerisht” -shkruan Profesor Qosja. Mesa dihet deri me sot, delegatët nga Kosova nuk kishin pasur takime me njerëzit e byros politike gjatë punimeve të Kongresit, me një fjalë ishin treguar të vëmendshëm. Kjo, ilustrohet edhe me një fakt tjetër, të cilin e shënon Profesor Qosja, se gjatë pushimeve të punimeve të Kongresit, ishte afruar një kushëri i largët i Profesor Qosjes, i quajtur Sadik Bekteshi i cili jetonte në Shqipëri dhe, në bisedë e sipër e kishte ftuar Profesor Qosjen në shtëpinë e tij, por Profesori në konsultim me Profesorët Ali Hadrin dhe Akademik Idriz Ajetin, konkretisht Profesor Ali Hadri, do ta këshillonte Profesor Qosjen duke i thënë: “Mund të shkosh me të, por mbasi t’i shkosh në shtëpi, mos u nis për në Kosovë. Ambasada jugosllave këtu e merr vesh menjëherë dhe i njofton ata atje” – kështu e këshillonte Profesor Ali Hadri, Profesor Qosjen e më të cilën këshill ishte pajtuar edhe Profesor Idriz Ajeti. Pra, delegatët nga Kosova, këshillimet e marruar në rektorat, siç duket do t’ju përmbahen me kujdes maksimal.     

Për hir të korrektësisë, në këtë dokument po botojmë në tërësinë e tij, të përkthyer në gjuhën shqipe.

“Shënim nga biseda e dr. Syrja Pupovcit, prorektor i Universitetit të Prishtinës dhe Pajazit Nushit, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv. I cili ka shprehur dëshirën që të na informojë lidhur me bisedimet që kanë pasur me përfaqësuesit e Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe mbi ftesën e drejtuar nga rektori i këtij universiteti përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës që të marrin pjesë në Kongresin e Albanologëve në Tiranë. Bisedimet janë bërë në kabinetin e nënkryetarit më 27.9.1972. Bisedimet për formulimin e tekstit të protokollit janë bërë të njohura në kuadër të orientimeve të përcaktuara. Ndër vërejtjet, ndryshimet dhe plotësimet tona, dy prej tyre meritojnë vëmendje të posaçme: a) Disa nga fushat shkencore të cilat Universiteti i Prishtinës ia kishte ofruar për specializimin e kuadrit të Universitetit të Tiranës, do të përcaktohen më vonë, marrë parasysh përgatitjet e Universitetit Shtetëror të Tiranës për nënshkrimin e prorokollit me Universitetin e Shkupit; b) U pranuan vërejtjet tona për zgjerimin tematik të ligjëratave që do të mbaheshin nga profesorë të Universitetit të Prishtinës në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe që kanë të bëjnë me poezinë shqipe në RSFJ, dhe jo vetëm në Kosovë, bazuar në aspektin e barazisë së gjuhëve në RSFJ. Gjatë punës së verifikimit të disa pikave të përbashkëta, përfaqësuesit e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës kanë kontaktuar me ambasadën tonë në Tiranë. Ata kanë marrë pjesë në tubimin shkencor mbi ilirët dhe gjenezën e ilirëve. Bashkë me shkencëtarët e kombësisë shqiptare të RS të Maqedonisë dhe RS të Mali të Zi kanë qenë posaçërisht të theksuar, sepse pjesëmarrja e tyre “e ka gëzuar” organizatorin. Sikundër të gjitha delegacionet e tjera, gjatë kohës së pauzës, ata janë përshëndetur edhe nga funksionarë më të lartë të partisë dhe të shtetit shqiptar. Universitetit të Prishtinës i është bërë ftesë që të marrë pjesë në Kongresin e Albanologëve, në të cilin do të vendosen bazat e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe. Kongresi do të mbahet në Tiranë nga data 20-25.11.1972. Nëpërmjet Universitetit (në frymën e protokollit) ftesa u është dërguar: 1. Dervish Rozhajës; 2. Syrja Pupovcit; 3. Dr. Idriz Ajetit; 4. Hilmi Aganit; 5. Dr. Latif Mulakut; 6. Mehdi Bardhit; 7. Dr. Gazmend Zajmit; 8. Isa Bajçincës. Idriz Ajeti është përfshirë në Komisionin Redaktues. Ftesa ende nuk është shqyrtuar nga Komisioni i veçantë për marrëdhënie ndërkombëtare i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Shokët e Universitetit të Prishtinës theksojnë se në Kongres do të marrë pjesë rektori, ose prorektori, ose asnjëri. Kanë shprehur edhe pikëpamjen sa i përket karakterit të përfundimeve. Në të vërtetë, ato duhet të përmbajnë vetëm elemente shkencore pa primesa politike. Kanë shfaqur edhe gatishmërinë për kontributin e tyre në këtë kongres. Pajazit Nushi, d. v.”

Përfundim

Nga materialet dhe dokumentet e ndryshme të shfletuara në lidhje me këtë ngjarje, na rezulton se pjesa dërmuese e intelektualeve në Kosovë, nismat për këtë organizim dhe vendimet e këtij Kongresi i mirëpriten.

Edhe pjesëmarrësit e tryezës, për të cilën bëmë fjalë më lartë, nga ato deklarata që prezantohen në shtyp, duket se nismën për organizimin e Kongresit të Drejtshkrimit, e presin me dashamirësi dhe nuk hezitojnë të flasin me admirim. Njëri prej pjesëmarrësve në këtë tryezë Profesori Isa Bajçinca, siç dihet do të jetë edhe njëri nga pjesëmarrësit e Kongresit të Drejtshkrimit dhe firmëtaret e rezolutës së këtij kongresi. Pjesëmarrësit e kësaj tryeze, nismën për standardizimin e gjuhës sonë letrare,  e vlerësuan si ngjarje e shënuar në jetën tonë kulturore, arsimore dhe mendore shqiptare, faktor të rëndësishëm në kristalizimin e gjuhës sonë kombëtare.          

Institucionet shkencore të vendit tonë, posaçërisht Instituti Albanologjik dhe drejtuesit e këtij Institucioni, vepruan në dobi të këtij organizimi dhe ju ofruan ndihmë organizatoreve. Kjo gatishmëri e punonjësve të Instituti Albanologjik në përkrahje të kësaj nisme, shihet që nga rithemelimi i këtij institucioni më 1967 dhe më pastaj me organizimin e Konsultës gjuhësore të Prishtinës më 1968. 

Edhe pse në emër të Universitetit të Prishtinës, kishin arritur për një numër të konsiderueshëm të profesorëve ftesat, siç dihet nuk morën të gjithë pjesë, por vetëm disa prej atyre, si: Idriz Ajetit, Hilmi Aganit , Latif Mulakut, Isa Bajçinca e rektori Dervish Rozhaja.  

Elita politike e Kosovës së atëhershme e priten me skepticizëm këtë nismë, duke pasur rezerva se ndoshta ky organizim, mund të ketë edhe prapavijë politike, edhe porosit nga ata ishin që ky organizim “duhet të përmbajë vetëm elemente shkencore pa primesa politike”.   

/Revista Uji XII/