METIN IZETI-TË JETOHET ME DRITË

METIN IZETI-TË JETOHET ME DRITË

0 Comments

Mjeku i projekton pacientit komplikimet e tij pseudo-ekzistente, ai dëshiron të likuidojë rastin e tij më të vështirë me rastet më të lehta dhe më të thjeshta. Ndërkohë, lëndimet e veta ia bart pacientit dhe në këtë mënyrë e infekton pacientin deri në atë masë sa ai nuk mund ta durojë. Është e qartë se një pacient nuk ka nevojë për një mjek, por një mjek ka nevojë për një pacient. Sigurisht, jo që ndonjëri prej tyre të shërohet por që të dy të përjetojnë ndjesi të reja sëmundjeje. Psikologjia nuk kërkon moral, por eksitim. Dikush mund të eksperimentojë me vite, mund të dëgjojë biseda, dhe askush të mos flet për asgjë tjetër – vetëm për kushte. Madje, njerëzit janë mezi të dashuruar. Ndoshta fëmijë janë ndonjëherë, por rrallë. Gjithmonë biseda është vetëm futboll, modë dhe margarinë. Të punosh, të bësh gjithmonë diçka që të keshë diçka, dhe ajo që e ke as që përmendet. Në fund, gjithçka humbet në atë që bëhet për të fituar para, një apartament më i madh dhe më shumë mobilje, më shumë rehati dhe më shumë argëtim, dhe një makinë, disa perde, një llambadar, udhëtime dhe aktiviteti i tepruar i mahnitshëm çon në gjithnjë e më shumë dëshira.  Sa më i madh të jetë arsenali i nevojave, aq më shumë rritet uria për jetë, sepse vetë jeta është gjithnjë e më e avulluar dhe njeriu është gjithnjë e më i etur. Kërkesat janë vazhdimisht në rritje, çdo ditë më shumë najlonë dhe vitamina, telefona, televizorë dhe frigoriferë. Gjithmonë nevojitet diçka pa të cilën nuk mund të fillohet.

Sot, asnjë shenjtor nuk doli nga luftërat botërore dhe kampet e përqendrimit. Nga të gjitha llogaritë, kjo është ajo që shënon më thellë mesin e shekullit të njëzetë.

Duhet jetuar këtu me fytyra të skuqura, të braktisur në të pavërtetën dhe të larguar nga e vërteta. Duke parë se si askush nuk mund të bëjë shakatë e tyre të përgjakshme dhe asgjë nuk do t’u ndodhë atyre. Njerëzit e thjeshtë bëjnë gabim dhe askush nuk do t’i godasë. Pjesa tjetër, nga ana tjetër, keqtrajtohen dhe mund të persekutohen, ndonëse të gjithë njëlloj dëshirojnë të mirat e një jete të mirë. Ata hodhën themelet e ligjit të gënjeshtrave dhe krimeve dhe e përhapën atë në të gjithë botën, dhe gjithë njerëzimi ankohet, por asgjë nuk ndodh. Prishja është e lejuar. Këtu duhet jetuar i braktisur në të pavërtetën dhe i larguar nga e vërteta.

Nëse e vërteta më ka lënë në baltë, mbrojtja ime e vetme është t’i qëndroj besnik asaj.

Çdo diktator është dikush që zotëron një fuqi më të lartë, ai nuk është njeri, por përfaqësues i kolektivit. Nga auditori mund të jetë bindës, nga afër është mjaft komik. Para së gjithash, sepse ky lloj arketipi kolektiv që shfaqet në një formë individuale është një kimerë fantazmagorike arrogante. Në shoqëritë njerëzore, kjo mënyrë e të menduarit në arketipe është shumë e rrallë dhe është karakteristikë e komuniteteve primitive. Një njeri të paktën mund të durojë gjërat e pabindura. Është e padurueshme nëse i bie diçka mbi kokë dhe nëse prek një hekur të nxehtë, i djeg dorën. Njeriu bën përpjekje kolosale për të rivendosur fuqinë e tij, dhe qytetërimi, shkenca dhe teknologjia nuk janë në fund të fundit asgjë më shumë se një përpjekje për të rifituar fuqinë e pakushtëzuar që zotëronte fillimisht, por që humbi… Njeriu në një nivel më të lartë shpik gjithmonë formula të reja për nënshtrim, dhe në një shkallë më të ulët, nëse sendi i reziston, ai betohet. Ai më së shumti qorton Zotin (formula e dytë kërkon ndihmën e Zotit), sepse është i bindur se Zoti i ka hequr pushtetin mbi gjërat. Si pasojë e prishjes së natyrshmërisë në fillim të shekullit të 20-të, njeriu e humbi pushtetin për shkak të gabimit të tij dhe më në fund mund ta rifitojë atë vetëm në një rast të vetëm, nëse e zhduk prishjen e natyrshmërisë dhe vendos ta jetësojë normalitetin njerëzor dhe të kthehet në rendin e përgjithshëm të botës.

Unë nuk besoj në asgjë përveç dritës. E pranoj mendimin se dashuria është mënyra e vetme e drejtë e jetës, sepse është e vetmja mënyrë e arsyeshme. Marrëzia është ajo që qëndron përtej saj. Fetari i përkushtuar nuk është një mohim universal, por individual i jetës, dhe për këtë arsye nuk i përket vetëm rrethit të arsyes dhe rendit, por edhe në një rendit më të lartë. Është gjithmonë një herë, individuale, gjithmonë e lidhur me aftësinë, gjithmonë një përjashtim. Jo e arsyeshme, thjesht e madhe. Një njeri normal vendoset në rendin universal, nuk ka nevojë për dhuratë, kushdo mund ta marrë dhe ta jetojë, nuk është i rendit më të lartë, nuk është individual, nuk është një herë, nuk është përjashtim, por është një rregull i përgjithshëm.

I ndritur është ai që thyen kufijtë e jetës njerëzore dhe merr pjesë në dritën që është me origjinë më të lartë se jeta. Të gjithë kanë një “teori”, vetëm pak kanë një teori reale, por ndonëse është mjaft si teori, ajo është e mbyllur në vetvete, duke notuar larg jetës, kryesisht mbi jetën. Që të realizohet teoria, që nënkupton realizimin e rendit të imagjinuar të jetës, duhet bërë një hap vendimtar. Përcaktori është: realizimi/istikamet. Në epokën arkaike, hapi quhej shenjtërim/qeramet. Pasoja e shenjtërimit është se një person ka fuqi mbi një forcë të tillë që mund ta transferojë teorinë në praktikën jetësore.

Feja nuk u shkatërrua nga të vërtetat e zbuluara nga Iluminizmi. Iluminizmi nuk e gjeti të vërtetën, por as nuk e kërkoi, sepse asnjë veprimtari e një mendimtari karakteristik të ndritur, e përsëris dhe theksoj, asnjë veprimtari e vetme nuk ishte kërkim i së vërtetës, por një fushatë luftarake hakmarrëse kundër fesë dhe spiritualitetit, dhe çdo mendim (me një numër mjaft të vogël përjashtimesh) i shqiptuar në katërqind vitet e fundit nuk ka lindur në kërkim të së vërtetës, por për hakmarrje ndaj Fesë.

Nën nivelin ekzistencial të njeriut nuk është kafsha, por demoni. Nëse njeriu bie nga niveli i ekzistencës njerëzore, ai nuk do të bëhet kafshë, por demon.

Nuk ka asnjë esencë shtazore çliruese për njeriun. Kur shkatërrohet gjendja themelore njerëzore, njeriu nuk bëhet kafshë, por njeri i prishur. Nën ekzistencën njerëzore nuk hapet bota parajsore e pafajshme Rusoiane, Darviniste, Frojdiane, Tolstojane ose Niçeane e kafshës së padiskutueshme, por ferri i demonëve. Ekzistenca jonë është e lidhur me qenien njerëzore dhe njeriu ka një rend të qenies që nuk mund të ndryshohet.

Të jesh hero do të thotë t’i qëndrosh besnik fatit. Duhet pranuar vuajtjen, luftën, shansin, vdekjen, mëkatin. Nëse dikush me vetëdije e bën këtë brenda vetes, dhe e merr përsipër, ai hyn në një nivel më të lartë, ai dëshiron të zgjidhë gjithçka vetë, ose të paktën të marrë drejtimin, ai nuk i beson askujt jashtë vetes, sepse është e pamundur të llogarisësh në dikë në këtë botë… Lavdia e shumicës së heronjve është në rënien e tyre. Ata e kanë bërë paraprakisht llogarinë e tragjedisë.

Ne e dimë se jeta ka qëllim dhe kuptim. Qëllimin e vendos Zoti, ndërsa kuptimi, nga ana tjetër, vendoset nga vetë njeriu se çfarë lloj jete e konsideron të denjë për veten e tij. Nëse jeta mbetet nën një masë të caktuar, është e pakuptimtë, nëse e shkel masën, vetë jeta fillon të jetë vepër.

Vepra e vërtetë është pas vdekjes. Sa rron Krijuesi, zotërohet edhe vepra, e cila i jepet çdo gjallese si pjesë e jetës. Sepse për sa kohë që dikush jeton, ai ka vetëm jetë, vetëm kur të vdesë do të kthehet në fat. Tema e veprës së jetës është e përfunduar dhe fatale… Nuk ka dallim moshe mes veprave të mëdha. Çdo punë e madhe është e njëkohshme. Çdo vepër e madhe është vazhdimisht e pranishme. Çdo vepër e madhe është bashkëkohëse e jona.

Vepra absolute janë librat e shenjta (shpallja). Themeli i librave të shenjtë është rendi. Ekziston vetëm një rend, paraekzistent, që do të thotë se ai ka qenë dhe ekziston para botës. Rendi rregullon vetveten, e rregullon dhe e mban në mënyrë të vazhdueshme… Kur humbet vetëdija për rendin, krijohen sisteme. Sistemi është ai që dëshiron të jetë rregull, por nuk mundet, diçka gjithmonë shkon keq diku dhe dështon në atë pikë.

Shtetet dhe shoqëritë historike, fetë dhe pikëpamjet e botës dhe filozofitë nuk kanë të bëjnë me rendin, por me sistemet. Në Evropë, me përjashtim të disa mendimtarëve të jashtëzakonshëm, u ndërtuan vetëm sisteme. Mendime arbitrare me seri provash të pafundme (sofiste, dialektike) që të paktën në një vend rezultojnë të paqëndrueshme dhe shemben. Ndërsa sot jetojmë mbi rrënojat e të gjitha sistemeve të prishura.

Rendi i Zotit është një jetë e përditshme e qetë. Islami në formën e tij origjinale, siç zbulohet në Kur’an, nuk është vetëm një fe, por një trashëgimi perenniele (Ulaike humu’l-varithun), dhe sipas të gjitha gjasave ai themel i trashëgimisë që shpreh kuptimin e ekzistencës pa asnjë mbetje. Pejgamberi a.s. është pasqyra e rendit paraekzistues, ai nuk u shfaq për ta shpërblyer apo ndëshkuar njeriun, por për ta liruar atë, për të thyer portën e vdekjes dhe për të hapur nivele më të larta të qenies. Hapjen ndaj të gjithë qenies.

Liria është eksitim vetëm përderisa nuk është aty, ndërsa tek njeriu ka diçka që e ndalon, sapo hapen të gjitha mundësitë dhe zhduken rezistencat që njeriu ka bërë ndaj vetes, befas bëhet e thjeshtë. Nëse nuk mësojmë në mënyrë specifike për të, as nuk do ta vëmë re. Me shumë mundësi kanë të drejtë ata që thonë se toka mund të bëhet lehtësisht parajsë, vetëm ne e kthejmë atë në ferr.

Fillimi i Evropës, thotë Weber, ishte Termopile, ku një grup i vogël njerëzish mbajtën prapa kolosin Persian dhe u zhdukën, por mbrojtën lirinë e grekëve. Kuptimi i betejës është si vijon: ka diçka që është më shumë se jeta, dhe për këtë arsye duhet dhënë më shumë jetë. Ajo që po ndodh sot është një termopile e kundërt. Shumica dërrmuese e njerëzimit për një jetë të pastër dhe të thjeshtë, qoftë kjo një skllavëri e turpshme, do ta shiste lirinë e tyre të lavdishme për paratë më të mira të mundshme. Me lirinë e tij, sigurisht, edhe lirinë e të tjerëve. Ai që jep jetën për më shumë se jetën është i lirë, ai që nuk jep është fillimisht shërbëtor, pastaj Askushi.

/Revista “UJI” XII/