SAMET VATA-PUHIZA E RAMAZANIT SI FTESË PËR NË AUDIENCËN HYJNORE
Kur të të pyesin robërit e Mi për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem…(Kuran, 2:186)
Agjërimi është një prej praktikave më të lashta të shoqërisë njerëzore, e cila nis që me krijimin e njeriut të parë, babait tonë Ademit a.s. Kur Zoti ia fryu shpirtin atij dhe e vendosi në xhennet, i tha që të shijojë të gjitha të mirat e kopshtit me përjashtim të një peme. Kurani nuk e cilëson pemën se e cilit lloj është, për arsye se theksi këtu vendoset te privimi i dëshirës së Ademit vetëm si sprovë për ta merituar kënaqësinë e Allahut xh.sh. Termi që Kurani përdor në këtë fragment është tekrab, që prej arabishtes e ka kuptimin e afrimit. Në këtë prizëm mund të themi se afërsia vjen në dy kontekste. Fillimisht afërsia fizike, pra Ademit a.s iu ndalua tërësisht për ta prekur pemën. Së dyti është afërsia psikologjike, të cilën e mundëson arsyeja diskursive nëpërmjet relativizmit dhe përmbysjes së vlerave, gjë e cila te Ademi a.s paraqitet në fjalët e djallit i cili thotë se pema është burim i përjetësisë. Afrimi psikologjik apo identifikimi me pemën shkaktoi “rënien” e Ademit a.s, pra largimin e tij prej Zotit dhe rënien në masiva. Masiva-ja në këtë rast identifikohet me pemën, pra me atë që e tërheq njeriun prej Zotit, i vendos atij perde me të Vërtetën sublime.
Duhet thënë se sa i përket largësisë së njeriut me Zotin shpallja Kuranore flet gjithmonë në kuadër të një largësie kuptimore dhe asnjëherë të rilidhjes me Të. Kjo pasi në kontekstin Kuranor njeriu asnjëherë nuk e ka humbur lidhjen me burimin primordial, por thjesht është tëhuajësuar prej Tij dhe e ka harruar atë. Prandaj rituali fetar është aty për ta fshirë pluhurin e shkujdesjes ndaj të Vërtetës dhe jo për të rikrijuar një lidhje (rilegare/religion) të shkëputur më herët. Zoti është gjithmonë i Pranishëm (k-r-b) dhe largësia përjetohet vetëm si harresë metafizike. Njeriu e bart në vete kontaktin me hyjnoren dhe kjo lidhje me Burimin i mundëson njeriut që ta ketë habinë filozofike, pra për të medituar mbi realitetin e brendshëm të ekzistencave me qëllim arritjen te e Vërteta absolute. Në një rast dikur e pyeti të dërguarin e Zotit: o Muhammed a është Zoti larg dhe ta thërrasim me zë të lartë, apo është afër dhe t’i pëshpëritim? Ai u përgjigj me shpalljen Kuranore: “Kur të të pyesin robërit për Mua, Unë jam afër.”
Përmes habisë filozofike njeriu i jep zë dhe kuptim qenësisë. Sa herë që njeriu e ushtron habinë arrin ta shohë se e Vërteta është aty, e fshehur në pritje për t’u zbuluar. Asnjëra prej krijesave të tjera nuk e ka këtë kapacitet. Njeriu mund t’i njohë gjërat dhe përmes tij, Heideggeri do të thoshte se Qenia i hapet botës. Kjo hapje i jep kuptim ekzistencës dhe e bën të njohur Zotin në botë. Përmes këtij akti njeriu e realizon Vullnetin Absolut i cili thotë: “Isha thesar i fshehur, desha të njihem dhe krijova botën…” (Hadith Kudsi)
Pas rënies së Ademit a.s dhe vazhdimit të jetës në tokë agjërimi institucionalizohet si ritual fetar për shoqërinë njerëzore për ta përjetuar edhe një herë afërsinë me Zotin. Agjërimi është një proces, i cili siç thotë Kurani shërben “leal-lekum tettekun”, për t’u humanizuar dhe kush është më afër Njerëzores është edhe më afër (Zotit): “Inne Ekrabekum inde’llahi etkakum.” Megjithatë afërsia me Zotin është ngarkesë e rëndë dhe shpirti ka nevojë për përgatitje në mënyrë që ta bartë këtë afërsi. Për këtë arsye ne shohim personalitete të mëdha të gjinisë njerëzore se në rastet kur janë thirrur në afërsinë e Zotit ose kur kanë dëshmuar shfaqjen e ndonjërit prej Emrave të Tij, ata kanë agjëruar si parapërgatitje për ta bartur atë prani. Për shembull, Musai a.s kur do t’i shpallej Tevrati agjëroi për dyzet ditë, apo pejgamberi Muhammed a.s para se t’i zbriste Kurani pikërisht në muajin e agjërimit.
Agjërimi si njëri ndër kulmet e devotshmërisë e ka karakteristikë të tij të posaçme heshtjen. E pyetën Isain a.s për devotshmërinë dhe tha se ndër dhjetë pjesë të devotshmërisë, nëntë gjenden te heshtja. Procesi i agjërimit synon heshtjen e shqisave dhe të dëshirave të cilat i ushqejnë këto shqisa. Në veprën Ihja të Imam Gazzalit ai i kategorizon agjëruesit në tre grupe:
1) agjëruesit e thjeshtë: ata që ruhen vetëm nga ushqimi dhe pija
2) agjëruesit e elitës: ata që ruhen edhe nga shikimi, dëgjimi, dhe të folurit e panevojshëm
3) elita e elitës: ata që ruajnë edhe zemrën e tyre nga mendimet, dëshirat dhe ndjenjat e kota
Elita e elitës janë ata që agjërojnë me tërësinë e qenies së tyre, duke e bërë zemrën të heshtë ndaj dëshirave të masivasë dhe duke e kthyer atë drejt Zotit. Pastrimi dhe zbrazja e zemrës nga e përbotëshmja krijon hapësirën për praninë e Zotit në atë zemër, për arsye se ajo është “hapësira” e cila mund t’i bëjë vend hyjnores në botë. Zoti tha: “Mua nuk më nxënë qiejt dhe toka, por më nxë zemra e devotshme e besimtarit.”
/RevistaUji-VII/