METIN IZETI-TA SHKRUAJMË RRËFENJËN TONË UDHËRRËFYESE!

METIN IZETI-TA SHKRUAJMË RRËFENJËN TONË UDHËRRËFYESE!

0 Comments

Pyetja është nëse dikush mund të shpjegojë me siguri se kur dhe pse njerëzit e urtë i rrëfyen ose shkruan rrëfenjat e tyre. Çdo shpjegim, në një mënyrë apo tjetër, varet drejtpërdrejt nga mënyra se si do të interpretohet natyra funksionale e rrëfenjave dhe qëllimi i tyre kryesor. E megjithatë, rrëfenja është një zhanër filozofik jashtëzakonisht universal por jo aq i zgjeruar i krijimtarisë mendore midis popujve të botës, pavarësisht nga niveli i kulturës dhe qytetërimit.

Kur sqarohet natyra e rrëfenjës udhërrëfyese, për mendimin tim, është gjithmonë e nevojshme të vihet në qendër të vëmendjes fakti që ajo u shfaq si rezultat i përgjithshëm i nevojës së shenjtëruar për të përgjithësuar përvojën jetësore dhe për ta paraqitur atë, më saktë – t’ua kalojë atë pasardhësve. Me fjalë të tjera, me rrëfenjën udhërrëfyese bëhej që në fillim edukimi në kuptimin më të gjerë: shpirtnor, socio-juridik, moral, patriotik, estetik… Dhe ishin pikërisht këto funksione të rrëfenjave që përcaktuan shumë, pothuajse të gjitha rrugët e ndritshme të njerëzimit. Po, efekti më i madh mësimdhënës dhe mësimnxënës mund të arrihej në atë rast, kur mësimi dhe edukimi i silleshin qëllimit sublim për të cilin synohen, në një formë të gjallë, jo standarde të tregimit, duke zgjuar dhe mbështetur kureshtjen gjithmonë. Para së gjithash, kjo është arsyeja pse rrëfenjat udhërrëfyese karakterizohen nga tema magjepsëse, motive jokonvencionale, imazhe të pazakonta, lloje tërheqëse. Përsëri, duke iu nënshtruar detyrave iluministe dhe udhështruese, rrëfenjat  udhërrëfyese pasqyrojnë jetën në format më të larmishme të të shprehurit, por ato tërheqin vëmendjen më së shumti te vështirësitë që duhen kapërcyer dhe kontradiktat që duhen zgjidhur domosdoshmërisht. Pra, si mund të ishte ndryshe? Në jetën reale, thelbi i vërtetë i një personi testohet pikërisht përmes sprovave, sepse në procesin e tejkalimit të pengesave zhvillohen cilësitë e një personi, të nevojshme për një ekzistencë me vlerë të plotë dhe farkëtohet karakteri. Kjo është arsyeja pse në rrëfenjat udhërrëfyese, si rregull, individi testohet “në maksimum” – kur vetë shpirti dhe pasqyrimi shoqëror i tij është nën rrezikun më të madh. Prandaj, është e nevojshme të përgatitet çdo dëgjues ose lexues për problemet më të ndërlikuara ekzistenciale, në atë numër dhe për zgjedhjen midis jetës dhe vdekjes.

Që nga kohërat e lashta, urtarët duhej të thurnin detyrën e tyre maksimale në kuadër të një parimi universal, të krijonin ide të forta për dritën dhe errësirën, të mirën dhe të keqen, të bukurën dhe shëmtinë, për pozitiven dhe negativen në format më të ndryshme, në çdo rrethanë. Një orientim i tillë i përgjithshëm parashikonte që përmbajtja e rrëfenjave udhëzuese nuk kufizohet nga marrëdhënia vetëm me një person. Përkundrazi, ajo kërkon që vepra të merrte sa më shumë rëndësi universale – për njerëzit, dhe sipas një llogaritjeje më të madhe – edhe për njerëzimin në tërësi. Prandaj, sipas të gjitha gjasave, rrëfenjat udhërrëfyese – si një mjet i edukimit të plotë, lëndor dhe tejlëndor, jashtëzakonisht efektiv dhe i pakufizuar – janë përvojë e përbashkët e të gjitha popujve në botë, më drejtë e individëve të urtë nga popujt e ndryshëm të botës.

Përsa i përket pyetjes nëse ka shumë ngjashmëri në rrëfenjat udhërrëfyese të personave nga popujt e ndryshëm, nuk duhet të qasemi rastësisht dhe të nxitojmë në përfundime. Nuk është aq e lehtë të përcaktosh në to tipare të përgjithshme dhe të ndryshme, madje edhe më konkrete universale. Vetë fakti që të gjithë ne, duke shfaqur interes për trashëgiminë udhërrëfyese, i kushtojmë rëndësi mbi të gjitha asaj të përgjithshmes, flet se në të gjitha rrëfenjat ka diçka të përbashkët. Sigurisht, një krahasim i kujdesshëm ndriçon shumë karakteristika – në shikim të parë të padukshme. Tema dhe motive të theksuara, të cilat përsëriten, janë “bredhëse” nëpër botë. Së bashku me këtë, duhet pasur parasysh se tema, motive dhe dukuri të ngjashme të pranishme në krijimin e rrëfenjave të urtarëve  krejtësisht nga hapësira dhe kultura të ndryshme, si rregull, nuk shfaqen aq shumë si rezultat i huazimeve, por ata burojnë nga përvoja parazanafillore e shpirtit dhe më pas të problemeve të jetës. Kjo do të thotë se në çdo rast specifik ngjashmëria subjektive e shpirtit dhe ajo objektive e situatave të jetës është e fiksuar, dhe gjithashtu edhe përgjithësimi i përvojës dhe i vetëdijes bëhet universal. Të gjithë popujt njësoj e dëshirojnë besimin, përkushtimin ndaj Zotit, dashurinë, miqësinë, besnikërinë, mëshirën dhe nuk e dëshirojnë, blasfeminë, rebelimin, urrejtjen, mashtrimin, tradhtinë. Ndërsa, burimi kryesor prej ku është huazuar ideja është në traditën perenniale të zbulesës hyjnore. Kontakti i Fjalës së Zotit me shpirtin e njeriut e prodhon zbërthimin horizontal të vlerave ekzistenciale dhe ajo bëhet përvojë e përbashkët konceptuale e mbarë njerëzimit.

Në të njëjtën kohë, çdo kombi i është caktuar një vend  në tokë me kushte të përshtatshme natyrore, secili është i destinuar për fatin e tij, në varësi të të cilit akumulohet përvoja e tij, formohet mënyra e tij e jetesës, modeli i sjelljes së tij. Dhe më pas, në kuadër të këtyre kushteve aktualizohen në hapësirë dhe kohë, modelet e sjelljes, përmes rrëfenjave udhërrëfyese të veçanta, por në esencë të njëjta, pasi burimi i tyre është Zoti. Kështu, mbi bazën e esencës së rrëfenjave, të cilat janë paraqitur në historinë horizontale të njerëzimit, edhe ne kemi mundësinë të krijojmë një ide për shumë gjëra, të cilat me kalimin e shekujve kanë formuar tiparet e karakterit tonë, duke krijuar për të “formulat” bazë të jetës, lumturisë në përgjithësi, si dhe normat e sjelljes më korrekte në situata specifike.

Rrëfenja udhërrëfyese i pasqyron imazhet, të cilat mishërojnë një sintezë të tipareve të plotnisë në rrethanat jetësore. Ideja e rrëfenjës është bartës i atyre karakteristikave të natyrës njerëzore, të cilat, me llogaritje të mëdha, duhet të manifestohen në të gjitha situatat, gjatë mirëqenies dhe konflikteve më të vështira. Në përputhje me këtë, ato, më vonë kultivohen midis njerëzve, pasi mësojnë një vetëdije të përqendruar, të mbledhur në përvojën e shekujve, për atë që është më e nevojshme për vazhdimin e jetës. Duke theksuar vazhdimisht tiparet më të vlefshme të personalitetit, rrëfenja udhërrëfyese i formon dhe i vërteton ata me idealin. Rrëfenja udhërrëfyese ka qasje jo individualiste, por kolektiviste ndaj njeriut, e cila i përgjigjet njëfarë “zbritjeje” për dobësitë tipike. Gjëja kryesore është formimi i një ideali kolektiv të jetueshëm.

Në këtë rast, vëmendje të veçantë meriton pikëpamja islame e botës, e cila u përjashtua nga rrëfenjat tona gjatë shekullit të kaluar. Dhe, pavarësisht nga kjo, ajo, ende duket se është përcaktuese, gjë që dëshmohet nga shumë gjëra, duke përfshirë edhe orientimin e përgjithshëm botëkuptimor. Rrëfenja udhërrëfyese kërkon mbështetje nga një Qenie absolute, e pashmangshme dhe që është në kontakt të pandërprerë me botën, pasi vetëm Ai mund të mos e lejojë të keqen në analizë të fundit dhe njeriu duhet të jetojë vetëm në përputhje me ligjet e Tij, në mirëkuptim dhe marrëveshje me botën përreth, të cilën Ai e krijoi. Para së gjithash, rrëfenja e përcjell këtë ide brez pas brezi në mënyra të ndryshme. Kur flasim për përmbajtjen ideologjike dhe artistike të rrëfenjave në përgjithësi, nuk mund të mos vërejmë se, si rregull, nuk ka ekzotizëm të futur qëllimisht, sofistikim të dukshëm dhe mençuri të sajuar. Mund të thuhet se mbizotëron një pikëpamje urtare-naive e botës, në të cilën edhe elementi domosdoshmërisht i pranishëm i metafizikës ka njëfarë rëndomtësie. Së bashku me këtë, rrëfenja dukshëm zhytet në psikologjinë e njeriut. Në një mënyrë apo tjetër, urtari nuk i shmanget as arsyetimit për gjendjen e shpirtit; dhe protagonistët zakonisht karakterizohen nga mendimi i tyre në kërkim të zgjidhjes së duhur.

Për të ndërtuar një rrëfenjë udhërrëfyese dhe jetë autentike, na duhen katër dinamika: vlera, çështja, hapësira e interesit, imagjinata. Themeli i një rrëfenje udhërrëfyese janë vlerat, misioni, fushat kryesore të funksionimit dhe vizioni. Një komb është si një botë në vetvete, sepse ashtu si bota, edhe një komb udhëhiqet nga një rrëfenjë. Prandaj, themelet e rrëfenjës së një kombi duhet të ndërtohen mbi vlerat, misionin, synimet në jetë, fushat e veprimit, fushat e interesit, vizionin, synimet dhe ëndrrat afatshkurtra dhe afatgjata.

Kështu që një panoramë e plotë dhe e besueshme e zhvillimit të një rrëfenje udhërrëfyese mund të rindërtohet vetëm me zbulimin e vazhdueshëm të traditës, domethënë kur marrim parasysh vlerën reale të faktorëve shpirtërorë dhe lëndorë. Dhe për këtë, është e nevojshme të kthehemi, nëse jo në jetën e përditshme të asaj kohe, atëherë të paktën në kujtesën kolektive.