Shkruan: Albin Mehmeti
Fatijona Bajraj tanimë nuk është vetëm një emër nga lista e gjatë e shkrimtarëve të rinj që po kultivojnë letërsinë, por me veprat e saj, ajo po arrin që të depërtojë tek elitat intelektuale të shoqërisë, të cilat letërsinë nuk e shohin si propagandë dhe nuk i japin ngjyrim ideologjik letërsisë, por që letërsinë e shohin si art pa marrë parasysh se si kultivohet, me çfarë figuracioni përdor apo kush e shkruan atë. Përmes vargjeve të saj, Fatijona po ngjall traditën e letërsisë alamiado, letërsi, e cila ka dekada që është harruar, madje shpeshherë e anatemuar nga shkrimtarët si shkak i krizës së identitetit, të cilët po e shohim çdo ditë. Fatijona po dëshmon se të shkruash poezi të nevojiten dy komponentë, dija, të cilën e shohim përmes njohjes fondamentale të figuracion të mistikës islame, dhe shpirti poetik, i cili vërehet që nga vargu i parë që hap librin e deri te shkronja e fundit e këtij divani. “Divani Sadis” është vazhdimësi e pesë divaneve paraprake, të cilët u mirëpritën nga audienca letrare, e sidomos nga ata që e duan letërsinë mistike.
Malli si mërgim shpirtëror na del një nga tematikat kryesore brenda poezive të Fatijonës. Ky mall nuk ndërlidhet domosdo me mallin e zakonshëm që ndihet për atë që mungon. Përmes këtyre vargjeve na dalin dy elemente, malli shpirtëror dhe mosprania. Kjo krijon edhe katrorin semiotik të Grejmasit, dy të kundërtave që ndërlidhen me një element të përbashkët: dashurinë. Katrori semiotik i mallit shpirtëror dhe mospranisë në “Divani Sadis” krijon tablon e përjetimit sufist të dashurisë hyjnore. Në këtë strukturë, malli nuk është më një ndjesi anësore, por bëhet qendra, në të cilën përplasen e përbashkohen kërkimi i së djeshmes dhe mungesa e të sotmes. Vetë mungesa, të cilat autorja arrin ta krijojë edhe si kategori estetike krahas së bukurës, bëhet e domosdoshme për të kuptuar mallin. Autorja na jep mesazhin se nëse diku ka mall, aty do të ekzistojë mosprania. Përmes vargjeve të saj ajo mëton të na thotë se nëse ka prani të vërtetë, prani e cila vërehet përmes shpirtit poetik të autores ajo tejkalon mallin tokësor dhe bëhet ekstazë qiellore.
Brenda poezive të Fatijonës kemi vazhdimin e pranisë së hafëzit, i cili shumë lehtë mund të bëhet emër i përveçëm, por që autorja dëshiron të na lë enigmë dhe e përmbledh atë vetëm si personazh lirik, i cili është i pranishëm kudo e kurdo. Ai është dëgjues i mirë e këshillues pa fjalë, ku për autoren është fletorja e pashkruar që hap faqet e veta kurdo që ka nevojë. Hafëzi i Bajrajt është enigmë, ashtu siç janë enigma është vargjet e saj. Hafëzi i Fatijonës që me rastin e botimit bëhet edhe Hafëzi i çdo lexuesi mishëron nevojën njerëzore për të pasur dikë që dëgjon në një botë kaotike. Hafëzi i Bajrajt është zëri i heshtur që kupton dhimbjen e mallit dhe të mungesës. Hafëzi bëhet edhe ura lidhëse mes autores dhe lexuese.
Vargjet e Fatijona Bajrajt, sikurse në divanet të tjera, edhe në “Divanin Sadis” e tejkalojnë përjetimin individual dhe bëhen përvojë e gjithëmbarshme e shoqërore, ku mungesa dhe dashuria bashkëjetojnë njëra pranë tjetrës. Fatijona na kujton se letërsia e vërtetë nuk u nënshtrohet ideologjive, por frymëzon njeriun e lexuesin përmes ndjenjës. “Divani Sadis” është dëshmi se poezia përveç se është art, ajo mund të jetë edhe dialog fizik e metafizik.
