0 Comments

FLIJIMI E RRUGËTIMI

Shqiptarët, këtë muaj e kujtojnë heroin e tyre nacional, Adem Jasharin, flijuesin e personales për dashurinë e universales. Ai, e mbylli një epokë historike të nisur në kohë mitologjike, si kohë e kujtojmë, si sakrificë mësojmë se jeta dhe vdekja e tij ishin kauzë kombëtare e dashuri shqiptare. Jetën dhe vdekjen ia fali Dardanisë së moçme antike, vendit që krijoi histori të përzier me mitologji, por që me veprën e tij heroike, Ademi e mbylli epokën mitologjike dhe atë historike për të hapur kohën e lirisë dhe epokën e pavarësisë, pra një rrugëtim që kërkon bashkim e veprim, dije e dashuri, maturi e mençuri.

Jasharët

Ky emër është shenjë e një jete që ka prodhuar histori, identitet dhe tani është shndërruar në emblemë, shenjë dhe simbol për etninë shqiptare, duke hapur e mbyllur historinë, identitetin, kulturën dhe ekzistencën tonë shqiptare. Kurse figura legjendare e Ademit, si hero dhe sheshi si vendtakim i shqiptarëve është bërë hapësirë nacionale shqiptare, si takim, universale si mesazh e kuptim, duke projektuar të ndodhurën historike nëpërmjet shenjave të gjalla, të cilat kanë mbetur si dëshmi të një kohe që ka prodhuar e projektuar vizionaritetin e pavarësisë në mbrojtje të përhershme të shenjave ambientale (etni, gjuhë ) dhe atyre universale (kulturë e fe). Ademi, tani është shndërruar në simbol kohe, për të gjallët, për të kuptuar jetën si sakrificë sublime që kërkon etnia, andaj etnia shqiptare tani e përgjithmonë identifikohet në shenjat, gjurmët e Ademit dhe sheshit Jasharaj.

Figurat e mëdha

Tani, shqiptarët kanë shenjat e tyre identitare, kulturore e universale, heroin si shenjë historike dhe gjuhën si esencë etnike, jetike për vazhdimësinë tonë me shenjat tona. Shenjën e parë të identitetit të heroit, Ademin, pa të cilin s’ka histori sublime, sepse shenja e parë identitare e një shteti pas gjuhës është heroi, nëpërmjet të cilit ruhet shenja e parë, gjuha. Pra, Ademi tani bëhet jo vetëm heroi i historisë, por edhe i kulturës dhe pavarësisë kombëtare, jo vetëm kosovare, por shqiptare, sepse heroi ynë u flijua si vetëdije nacionale shqiptare, nën të cilën shtrihet Kosova si hije. Ademi, është emërues i të përbashkëtave nacionale (gjuhës, flamurit, atdheut, himnit e ideologjisë). Jasharët, hapin temën e madhe të flijimit, si dëshmi të një kohe tejhistorike, por variojnë ta universalizojnë flijimin si të tashme dhe të ardhme ekzistenciale. Kjo teori ka një praktikë domethënie kur në ekzistencën e të gjallëve do të kërkohet përkujtimi i atyre që dhanë frymën e shpirtin, një binom për ta forcuar edhe më tej jetën, ekzistencën tonë si qëllim. Dëshmorët e Jasharajve janë e sotmja jonë, edhe pse jo të gjallë fizikisht, ata mbesin më koherent e më të fuqishëm se ne të gjallët të sotëm e të nesërm.

Misioni i heronjve

Dëshmorët e kanë kryer misionin e tyre më të shtrenjtë, duke dhënë jetën, kurse ne të gjallët duhet të punojmë vazhdimisht deri në vdekje për kombin, fenë e etninë. Këtë mendim e konstatim duhet ta provojë e lexojë secili lexues, qoftë ai sublim a subtil, nëpërmjet teorisë se edhe fëmija më i vogël i familjes Jashari është më i fuqishëm se sa ne sot, sa të vegjël jemi ne para veprës së tyre flijimtare. Thonë se koha i shëron plagët, por plagët tona  një ditë do të shërohen, por jo dhe gjurmët si dëshmi e kohës që shënjohet si kujtesë, dhimbje dhe kohë Marsi, muaj që sjell jo vetëm gjurmën si dëshmi, por edhe kohën si histori, e historia risjell kujtesën si mos harresë të veprës së përjetshme të komandantit legjendar, Adem Jashari. Toposi, sheshi jasharaj, është shpallur tani emblemë historike që identifikon shtratin e ekzistencës për të gjallët.

Kujtesa e kohës

Sheshi, si figurë e simbol sa vjen e forcohet me të panjohurat e saj të më hershme, kjo për të prodhuar ngjarjen si biografemë të kohës dhe jetës, e koha do të zbulojë misionin e shumë të panjohurave për të rigjetur formulën e përjetshme të konceptit flijim, e që këtë koncept e ka rigjetur e përmbyll heroi nacional, Ademi kurse ne duhet të jemi në kërkim të përhershëm për ta rigjetur vetveten diku në mesin e tyre, sa herë që koha kërkon sakrificë. Koha, nuk do ta përmbyllë të thënën për ta, madje as shkrimi që nënkupton shpesh të pathënën, sepse vepra e tyre nuk matet me dijen e konstatimin e dijes sonë për ta. Ata mbeten Enciklopedi e jetës shqiptare si kujtesë kohore në mesin e të gjallëve.

Simboli

Vepra e familjes Jashari mbetet e pazbërthyeshme deri në fund. Jasharët krijuan histori në formë e përmbajtje, duke e shndërruar sheshin jasharaj në  simbol të takimit, bashkimit, krenarisë, kujtesës dhe dhembjes, sheshi tani ka marrë epitetin e etosit dhe etnosit shqiptar si simbol të bashkimit të identitetit shqiptar, aty ku amanetet rigjejnë shpirtin e humbur në sfondin e jetës së përgjumur.  Ademi e rigjeti historinë e humbur në vorbullën historike e antike, e formësoi tani në modernitetin e historisë shqiptare të vulosur përgjithmonë në formulën e porosisë së ideologut, shkrimtarit dhe enciklopedistit shqiptar Sami Frashëri, i cili në veprën e tij Shqipëria në tri pamje e mbyll veprën me porosinë: Zoti, e Drejta, Kombi, Gjuha Shqipëria, Shqiptarësia.    

Dualizmi si paradoks shqiptar

Ju e mbrojtët gjuhën, idealin dhe tokën tonë, me gjakun tuaj, ne po e tkurrim  atë pa fije turpi, të bindur se jemi në udhën tënde edhe si mision edhe si vizion. Stereotipi “Bac, u kry” ka krijuar tipin e shqiptarit ideal që jeton me ëndrra e shpresa të mëdha, në një jetë që i ngjan agonisë së jetës buzë vdekjes. Tipin e shqiptarit që shpresën e ndërton mbi jetën që e rrënon atë, një paradoks që kërkon zgjidhje pragmatike brenda një Shqipnie etnike, pa kauza e farsë emocionale.  Ne vijmë pranë varrit tuaj për të falënderuar, por në brendinë tonë pëshpërisim cicërimën se kemi humbur diçka udhës së përgjumur, moralin politik apo idealin historik…  

/RevistaUji-VIII/

Related Posts

METIN IZETI-UNË DHE SHPIRTI

Mënyra e jetesës materiale ndryshon nga ajo shpirtnore në këtë mënyrë: njeriu material që e lë iniciativën nga duart e tij ka humbur. Në shpirt, megjithatë, humbet ai që mban iniciativën dhe nuk pushon dot.…

BLERTA FERIZI KRASNIQI

Se s’ka njeri n’këtë jetëQë me hanën derma s’ka ba,Edhe nëse zgjidhje s’ka gjetëHallet, hallet me tà ka ça!Oj hanë!a me ça dert me nanë,a me mbajt veç me ty k’ta?se çka po i thàm…

IMER TOPANICA-USHTARI

Në të aguem, nji çerek ore mbasi pushoi ezani, ndërsa tymnaja s’qe hapërda dhe të dy palët po i pushonin gjymtyrët në istikame, nji za i thekshëm kangëtari i dha ngjyrë trishtimit: Ashtu siç leva,…