0 Comments

Hyrje
Marrëdhëniet në mes shteteve kanë qenë gjithmonë objekt studimi nga studiues, si vendorë njashtu edhe ata ndërkombëtarë. Edhe në vendin tonë nuk kanë munguar studimet e tilla, qoftë në të kaluarën por edhe tani, pra për një rajon si Ballkani, ku marrëdhëniet ndër fqinjësore kanë qenë shumë herë të tensionuara. Mbase, mbizotërimi i gjuhës së urrejtjes dhe tendencat pushtuese në dëm të palës tjetër, jo rrallë subjektet shtetërore të rajonit i zbritën në fushën e armëve të luftës. Rrjedhimisht, gjeografia e re e tensionimeve në përshkallëzimin ekstrem të shteteve ballkanike prodhoi luftëra me pasoja tragjike për të gjitha palët. Në këtë kontekst, studimet brenda vlimeve ndërballkanike do t’i vënë në sprova të mëdha prej një peshe të posaçme vlerësimi objektiv shumë studiues të shkencës së historisë.
Një ambient urrejtjeje dhe shpërthimi deri në suazat e klithmave të luftës nga e kaluara ishte vetë politika zyrtare greke përballë shqiptarëve fqinj, pozicionim ky që me shumë dëshmi jo pak herë është konfirmuar në shkrimet e autorëve të historisë, të djeshme e të sotme, jo vetëm shqiptar, por edhe asaj evropiane. Nisur nga kjo, tensionet në relatat shqiptaro-greke paralajmërojnë pikën e vlimit me projektimin e programit politik “Megali Idhea” (Ideja e Madhe) dhe që në thelb vinte në plan të parë vënien e tërë Shqipërisë së Jugut nën spektrin e Greqisë megali-ideane.
Pavarësisht tendencave të tilla, rilindasit shqiptar, si : Thimi Mitko, Elena Gjika, Jani Vreto, Konstantin Kristoforidhi e shumë figura elitare të jetës kulturore-politike që nga vitet e 60-ta të shek. XIX, shihnin elemente përafrimi tek dy popuj, ndërsa si faktor kryesor zinin ngoje prejardhjen e përbashkët dhe interesat e përbashkëta.
Hasan Prishtina dhe marrëdhëniet shqiptaro-greke
Ideja për prejardhjen e përbashkët dhe interesat e përbashkëta vazhdoi edhe në shek. XX, dhe në vitin 1924, nga Hasan Prishtina, i cilësuar si truri i Lëvizjes Kombëtare, patrioti e nacionalisti. Idetë e tij mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke i shpërfaqi në një editorial të titulluar “Sjelljet e Greqis kundrejt Shqipnis” të gazetës “Dajti”, e cila aso kohe dilte në Tiranë dhe udhëhiqej nga njëri prej figurave të respektuara të Rilindjes Kombëtare, miku i Hasan Prishtinës, Hafiz Ibrahim Dalliu.
Ky i fundit, shih për habi, në bagazhin e tij biografik të Hasan Prishtinës kundron një të penës dhe të pushkës, por jo shumë edhe si njeri të diplomacisë. Pikërisht me këtë kontribut duam të vëmë në pah edhe një anë tjetër të medaljes të personalitetit të Hasan Prishtinës, atë prej diplomati.
Ai niset nga pikëpamja se interesat janë të përbashkëta në mes shqiptarëve dhe grekëve, duke vrojtuar në marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy popujve i sheh edhe në pikëpamje gjeostrategjike, që si dy popuj të lashtë i quan si “equilibirin e Ballkanit” . Në Ballkan potencon Hasan Prishtina “ gjinden dy kombe, qi, nga shumë pikë-pamje, interesat e tyne bashkohen edhe afrimi ndërmjet shoqi- shoqit asht jo vetëm një çashtje me shumë randësi, por një çashtje vitale për të dy anët; si do mos për equilibirin e Ballkanit. Këto dy kombe janë Shqyptarët dhe Grekët” .
Faktori që gjithmonë ka dëshiruar paqe në mes dy popujve është faktori shqiptar për Hasan Prishtinën “ Grekët as pak nuk kanë dashtë me u afrue. Sikundër dihet Dipllomatia Greke deri von, jo vetëm se ka qenë kundra Shqypnis por edhe asht mundue me mish e me shpirt për prishjen edhe për çkatërimin e Shtetit Shqyptar; fatmirësisht nuk ka mujt me e mri këtë qëllim të dobët e të rrezikëshme jo vetëm për ne por edhe për ta vetë” .
Hasan Prishtina nuk përjashton faktin se në mesin e diplomatëve grekë të kohës ka pasur edhe nga ata që kanë dashur përafrim edhe me shqiptarët, por çështja e Epirit ka qenë, siç e quan ai një “ korent” që ata nuk i ka lejuar të dalin haptazi dhe t’i shprehin bindjet e tyre “ me folë të drejtën duhet me dëshmue se midis dipllomatëve të Greqis ka pasë nji pakicë burra Shteti qi kanë ushqye nji dëshirë të nxeht e të sinqertë për me shkue mirë me Shqypninë; por mbassi për “ Epirin” ka pas nji kurent të fortë nuk kanë guxue me dalë sheshit e me punue për realizimin të bindjes tyne” . Të tillët e kanë kuptuar thotë Hasan Prishtina, se çështja e “Epirit” është një ëndërr e cila nuk mund të bëhet realitet dhe punë më e dobishme është afrimi në mes dy shteteve. Edhe në takimet me diplomatet grekë Hasan Prishtina shprehet se ka një gatishmëri të tyre për të shkuar mirë me shqiptarët, bile disa shfaqin edhe mendimin thotë Prishtina për një konfederatë në mes Shqipërisë dhe Greqisë. Për mos përafrimin e dy popujve Hasan Prishtina thotë se është një faj politik që këto çështje nuk i lënë të bëhen realitet, po me rëndësi për shqiptarët.
Por, për Hasan Prishtinën si kusht për të vënë marrëdhënie të mira me Greqinë, është që Greqia duhet t’iu njohë të drejtat e shkollimit në gjuhën amtare, të kenë shkolla të tyre shqiptarët që jetojnë në Greqi, sidomos Çamëve dhe kjo e gjithë të bëhet në kuadër të reciprocitetit, sepse Qeveria Shqiptare e atëhershme, i kishte njohur të drejta maksimale minoritetit grekë në Shqipëri “ Qeveria Shqyptare asht tregue me vepra se asht shumë tolerante kundrejt Grekëvetë qi banojnë në Shqypnië, e as nji Shqyptar Muhamedan a të Krishterë nuk e preferon para ktyneve; të tana të drejtat e pakicave ja u ka dhan qysh me kohë: kanë shkolla në gjuhën e vet, etj. etj. Pra edhe na kena të drejtë me lyp prej Greqisë sjellje reciproke për Shqyptarët qi banojnë në Greqi dhe sidomos për Çamërit. Duhet Greqia me dhanë edhe Shqyptarëve të drejtat e pakicave sikundër qi ja u dha Bullgarëvet që banojn në Greqi”.

Për Hasan Prishtinën kjo është një pikë kyçe në marrëdhëniet bilaterale në mes shteteve “ Sapo të plotësohen këto kushte nga ana e Greqisë kurr nji farë shkak nuk mbetet për mosmarrveshtje midis këtyne dy kombeve, qi janë ma të moçmit kombe të penisulës Ballkanit” .
Në perceptimin e Hasan Prishtinës, është se Greqia e viti 1924 nuk është si Greqi e vitit 1912, për arsye se “ Me shumë punt e provë si do mos me të lëshuemit nga ana e Greqis të 14 katundeve pa kurr një farë kundërshtimi difton çiltazi se Grekët e sotme nuk janë ata qi ishin me 1912. Kjo ndollinë plotësisht difton se Grekët dëshërojnë me qenë në maradhanje të mira e miqësore me Shqypninë” .
Është interesante të potencohet se pavarësisht rrethanave gjeopolitike të kohës, Hasan Prishtina është optimist dhe këmbëngulës në realizimin e kësaj ideje dhe përmes këtij shkrimi Ai i u bënë thirrje dy akteve kryesore të kohës:

  • Intelektualëve dhe
  • Mediave.
    Ai bënë thirrje që të fillojnë një fushatë që këtë ide, nga e pamundura ta kthejnë në realitet dhe gjithmonë sipas tij, duke i pasur parasysh interesat shqiptare “ Un tue marrë para sysh interesat vitale të Shqypnisë, me anën të kësaj po u bëj nji thirrje të nxehtë gjith intelektualëve atdhetarë me hap nji fushatë shtypi e me përkrah këtë mendim deri sa të bindet e të fitohet opinioni publik dhe kështu kjo qi sot duket do njersve andri të bahet zgondrë” .
    Për hir të korrektësisë dhe që mos t’i mbetemi borxh lexuesit apo studiuesve, ne po paraqesim edhe tekstin e plotë pa bërë asnjë ndërhyrje, ashtu siç është botuar në gazetë:
    “Në Ballkan gjinden dy kombe, qi, nga shumë pikë-pamje, interesat e tyne bashkohen edhe afrimi ndërmjet shoqi- shoqit asht jo vetëm një çashtje me shumë randësi, por një çashtje vitale për të dy anët; si do mos për equilibirin e Ballkanit. Këto dy kombe janë Shqyptarët dhe Grekët.
    Shqyptarët gjithmonë kanë pas dëshirë me shkue mirë me të tanë fqinjët; por për fat të keq Grekët as pak nuk kanë dashtë me u afrue. Sikundër dihet Dipllomatia Greke deri von, jo vetëm se ka qenë kundra Shqypnis por edhe asht mundue me mish e me shpirt për prishjen edhe për çkatërimin e Shtetit Shqyptar; fatmirësisht nuk ka mujt me e mri këtë qëllim të dobët e të rrezikëshme jo vetëm për ne por edhe për ta vetë. Për me folë të drejtën duhet me dëshmue se midis dipllomatëve të Greqis ka pasë nji pakicë burra Shteti qi kanë ushqye nji dëshirë të nxeht e të sinqertë për me shkue mirë me Shqypninë; por mbassi për “ Epirin” ka pas nji kurent të fortë nuk kanë guxue me dalë sheshit e me punue për realizimin të bindjes tyne. Ka ca kohë tani qi jo vetëm lark-pamesit por edhe ata qi kujtojnë sipërfaqerisht, e muarrën vesht se puna e “ Epirit” asht nji andrë për Greqinë; pra në vend qi me u kujtue për çkëputjen e tij ose për autonominë e kësajë pjese të pa-ndame të Shtetit Shqiptar gja qi asht e pa mundun e fare e kotë, u bintnë se asht pun ma e dobishme me shkue mirë me Shqypninë e tue marrë parasysh la venirine e Ballkanit e shofin të domosdoshme se lypset me ba nji afrim me Shqypninë.
    Qeveria Shqyptare asht tregue me vepra se asht shumë tolerante kundrejt Grekëvetë qi banojnë në Shqypnië, e as nji Shqyptar Muhamedan a të Krishterë nuk e preferon para ktyneve; të tana të drejtat e pakicave ja u ka dhan qysh me kohë: kanë shkolla në gjuhën e vet, etj. etj. Pra edhe na kena të drejtë me lyp prej Greqisë sjellje reciproke për Shqyptarët qi banojnë në Greqi dhe sidomos për Çamërit. Duhet Greqia me dhanë edhe Shqyptarëve të drejtat e pakicave sikundër qi ja u dha Bullgarëvet që banojn në Greqi. Sapo të plotësohen këto kushte nga ana e Greqisë kurr nji farë shkak nuk mbetet për mosmarrveshtje midis këtyne dy kombeve, qi janë ma të moçmit kombe të penisulës Ballkanit, e qi kanë pas nji lidhje historike prej ma shumë shekujsh: gëzime edhe mjerimet i kanë kalue së bashku. Pra për ç’ka këta fatosa të Ballkanit të mos të bajnë nji lidhje e të punojnë së bashku? Pse të mos të merren vesht? Pse të mos bëjnë një aliance kurse interesat e të dy shteteve shkojnë paralel? Asht nji faj politik mos me i dhanë randësië kësaj çashtje e mos me kërkue rrugën për me e realizue këtë nevojë. Ky mendim e kjo dëshirë, qi sot duket andër, me pak mirëdashje nga dy palët edhe me pak përpjekje e mundim, jam i bindur se ka me u ba zgondrë. Dy- tre muaj ma parë, për nji punë private, shkova në Athinë, e u takova me shumë deputetë qi kanë nji pozitë me randësi në Parlament të Greqis, e me shumë burra shteti, fola gjanë e gjatë për një afrim ngushtë ndërmjetë te dy kombeve. Nga bisedimet që rodhë kujtova se atje ka nji kurent të fortë për me shkue mirë me Shqypninë; bile bile do prej këtyneve shfaqnë mendimin për nji konfederatë ndërmjetë Greqisë dhe Shqypniës. Kur u ktheva në Shqypni u hoqa vrejtjen do Ministrave përmbi këtë kurant e privatisht u luta me u kujdesue për këtë punë qi intereson Shtetin Shqyptar thellësisht.
  • Me shumë punt e provë si do mos me të lëshuemit nga ana e Greqis të 14 katundeve pa kurr një farë kundërshtimi difton çiltazi se Grekët e sotme nuk janë ata qi ishin me 1912. Kjo ndollinë plotësisht difton se Grekët dëshërojnë me qenë në maradhanje të mira e miqësore me Shqypninë.
  • Un tue marrë para sysh interesat vitale të Shqypnisë, me anën të kësaj po u bëj nji thirrje të nxehtë gjith intelektualëve atdhetarë me hap nji fushatë shtypi e me përkrah këtë mendim deri sa të bindet e të fitohet opinioni publik dhe kështu kjo qi sot duket do njersve andri të bahet zgondrë. HASAN PRISHTINA” .
  • Përfundim
  • Nga materiali i shfletuar, kuptojmë se Hasan Prishtina ishte një personalitetet poliedrik, jo vetëm nacionalist, dhe atëherë kur e kërkonte interesi vital, ai dinte ta dëshmonte edhe sensin e tij diplomatik. Marrëdhëniet e mira në mes të dy shteteve, Hasan Prishtina i konsideronte shumë të rëndësishme dhe të domosdoshme, ndërsa për realizimin e marrëdhënieve të një fqinjësie të mirë, ai kërkonte mbështetjen e forcave intelektuale dhe atyre mediale. Ai diti të dallonte ” Greqinë e vitit 1924 nga ajo e vitit 1912” , kur dihej se pas marrëveshjes së Lozanës të vitit 1923 ndërmjet Turqisë dhe Greqisë, kjo e dyta projektoi dhe zbatoi një politikë demagogjike e antishqiptare. Ç’është e drejta shkëmbimi i popullsisë përfshiu pa të drejtë edhe çamët myslimanë me origjinë shqiptare që banonin në Greqi edhe pse përfaqësuesi i Qeverisë greke më 19 janar 1923 në Lozanë deklaroi, se qeveria e tij nuk kishte aspak ndërmend t’i fuste në shkëmbim myslimanët me origjinë shqiptare. A ishte kjo një anashkalim i të kaluarës për hir të marrëdhënieve momentale kur bënë fjalë Hasan Prishtina, apo diç tjetër? Duhet lënë gjykimet e mëtutjeshme. Por, shikuar nga këndvështrimi i sotëm diplomatik, këto ide të Hasan Prishtinës për përafrimin me fqinjët tanë duken të jenë aktuale.

Related Posts

SHEMS, KU JE… – HYSEN BEQA

-Rreth e rreth me mene t’andrrës i rash Iranit qe Persi dikur emnin e ka pas -Prej Konias e n’Stamoll edhe Turqisë Cep e m’cep i rash edhe Rumelisë -Edhe n’Bagdat pazarit vjeter trup i…

DRITA OSMANI – GRUA…

E madhe siç je.Ashtu siç të bëjnë veprate e tuaMe kokën lart.Tregoji botës madhështinë dhe fuqinë tëndeAni se je e brishtëAni se je e bukurAni se ekzistenca e vetë njeriut nis me ty,e mbaron përmes…

FUQIA E MENDIMIT-SEAD AHMETAJ

Fuqia e mendimit është i atillë ku mendimet krijojnë qëllimet. Qëllimet kthehen në veprim. Veprimi krijon zakone. Zakonet arrine përcaktojnë edhe karakterin. Sot, shumë prej nesh, si shoqëri, shfaqim një ndjeshmëri serioze për një trup…