SULEJMAN MEHAZI-QASJE POEZISË ODE, SHPIRTIT, TË LASGUSH PORADECIT
- Shpirti – Lajmërues qiellor për t`u bërë poet
Të japësh mendime të sakta se ç’është shpirti është mjaft rëndë dhe
problematike, sepse kuptimin e vërtetë të shpirtit nuk kanë mundur ta
shpjegojnë edhe shkencat speciale siç janë: filozofia, psikologjia dhe
religjioni; por me shpirtin ka të bëjë edhe poezia dhe artet e tjera në përgjithësi,
sepse janë pjesë përbërëse të pandara të frymëzimeve shpirtërore.
Këtë na vërteton më së miri Lasgush Poradeci në poezinë odë:
“Shpirtit”.
Të lus, o Lajmës qielluar!
O Frym’ e Zotit, Vetë Zot!
Me hirin t’ënd të pashteruar
Që ka mburim përjetësije,
Hirplot, o Shpirt, nër gaze Ti- je. ,
Dhe nër mjerime je hirplot!
Sipas këtyre vargjeve të para, na jep të kuptojmë figurativisht, se thelbi i
frymëzimit poetik është shpirti që për poetin është Zot i poezisë, se pa këtë
shpirt, s’ka poezi dhe art.
Fjala Frymë dhe Shpirt në aspektin metaforik ka domethënien e thelbit të
frymëzimit, apo e erës së freskët që i jep jetë poetit nër gaze dhe nër mjerime,
që i jep qetësi, shqetësime dhe energji lëvizëse, që ka mburim përjetësije,
Shpirti, Hirplot i ndritur ec nëpër trupin e poetit dhe poezisë, ashtu si drita që
shpërndahet në gjithë universin. Pra, shpirti është produkt i këtyre kuptimeve
si Shpallje, Lajmës qielluar, fuqi dhe ndihmë në gaze dhe mjerime.
Po kujt i lutet poeti, Lajmësit qiellor, po kush është ky lajmës?
Mos është “Shpirti i Shenjtë” apo Zoti që shkruan Biblën dhe Kuranin, apo
mos janë hyjneshat në fillim të Iliadës kur Homeri thotë: Këndo hyjneshë,
mërinë e Akilit. Po t’i lutej Shpirtit të Shenjtë apo Zotit, atëherë kjo lutje do të
ishte religjioze-fetare, po t’i lutej hyjneshave të Homerit, atëherë kjo lutje do
të ishte ndaj muzave të Homerit.
Po nëse mendojmë për shpirtin, mendojmë për diçka tjetër, që është më e lartë,
më e fuqishme, më themeltare dhe më esenciale, sepse ky është Zoti i pranuar
nga letërsia e veçanërisht nga poezia; pasi poezia ka të bëjë me të gjitha këto:
me Shpirtin e Shenjtë, apo Zotin, me Biblën e Kuranin, me hyjneshat e muzat,
me dherin e dashurinë, me jetën dhe vdekjen, me shijen dhe ngjyrat, muzikën
e pikturën, me harmoninë e bukurinë, me yjet e përjetësinë. Për ta kuptuar
lajmësin apo gjallërimin e “botës s’onë” do të citojmë vazhdimin e kësaj ode:
“Ti botës s’onë-i prure lajmin
E nj’ëndrimit të pafaj:
Për mallin t’ënd më të pastajmin
Ti kuvëndon që përmi botë,
Dhe në gëzim i bije lotë,
I bije gaz në zi të saj.”
Në bazë të këtyre vargjeve të mësipërme Ti botës sonë-i prure lajmin… shpirti
është krijesë ose pasqyrim i “Lajmësit qielluar”, kjo tregon se nuk është rastësi
dhe cilësi, por është substancë dhe thelb. Përderisa “që kuvendon përmi botë”
dhe bie dhe hyn në trup ai ka jetë, “dhe në gëzime bie lotë”. Mirëpo gjallëria
nuk është prej shpirtit, por prej “Lajmësit qielluar”, kështu që shpirti i poetit
në njërën anë është i drejtuar dhe falënderues ndaj “Vet Zotit”, ndërsa nga ana
tjetër ndaj vetes, dherit dhe vendit të tij:
“Kur del mi male yll’i dritës
E shuhet nata prapa ti,
Ti me vështrim vetëtitës
Çkëlqen në fund të zemrës s’ime
Dh’i bën prej këngës së një grime
Një të përjetshme harmoni.”
Shpirti i poetit sipas poezisë nuk është as trup e as që i përket trupit, nuk është
as brenda as jashtë kësaj bote, as i bashkuar e as i ndarë, sepse bashkimi dhe
ndarja janë cilësi të trupave. Shpirti i poetit i emërtuar si qenie e arsyeshme
është substancë e dritës që nuk mund të përkufizohet që me vështrimin
vetëtitës / Çkëlqen në fund të zemrës së poetit, dhe është një ndër dritat më të
përjetshme që krijojnë harmoni dhe është substancë që i përket botës
harmonike metafizike siç thotë edhe Lasgush Poradeci: “…do të bisedojmë mi
të fshehtat metafizike të krijimit artistik…” , nuk është substancë e errët dhe
komplekse materiale që e përjetojnë ndryshimin dhe vdekjen. Shpirti është
gjithnjë të pranojë frymëzimin dhe asnjëherë nuk lodhet nga ky frymëzim, po
përkundrazi ushqehet nga frymëzimet poetike.
1.1. Tryeza, vendi i frymëzimit dhe krijimit të poezisë
Nëse analizojmë poezinë “Ri mbështetem në tryezë” qartë shihet se në dy
vargjet e para:
Ri mbështetem në tryezë / Ndaj më shpesh e ndaj më rrallë, shihet një vetmi
e poetit, kjo vetmi nuk e ka kuptimin e jetës pasive, pa veprimtari shoqërore,
por kuptohet si veprimtari e cila në thelb ka për qëllim plotësimin e kushtit
kryesor për krijimin e artit poetik. Siç e kemi te poezia “Ri mbështetem në
tryezë.”
Ri mbështetem në tryezë
Ndaj më shpesh e ndaj më rrallë,
Pa vjen malli të më ndezë
Zjarr në zemër, zjarr në ballë.
Cak i vërtetë i mbështetjes në tryezë është Malli i ndezur për poezinë në zemër
e në ballë, ndërsa të gjitha gjërat tjera janë mjete për arritjen deri te ky cak.
Poeti në këtë tryezë në vete përmban analizë të thellë të llogarisë së unit dhe
paraqet rrugën më të sigurt të vajtjes së frymëzimit me” Zjarrin” e ndjenjës,
fantazisë dhe intuitës në “Zemër” dhe “Zjarrit” të arsyes, mendimit dhe
mençurisë në “Ballë” për të vajtur shpirtin e tij në përsosmëri, duke përkujtuar
origjinën e frymëzimit të poezisë. Tryeza e poetit nuk është e mbushur me
lakmitë ushqyese të kësaj bote, por e mbushur prej së larti me yje përjetësie,
me zjarre e malle, me t’ëmbëla në duar, me fjalë të palosura poetike; kjo tryezë
është lakmia ndaj gjërave më të ngritura kuptimisht se ato që posedohen, e ai
është ylli i lartësisë.
“Sbret një yll prej lartësije,
Një të ndritur shkrepëtime.
Posi flakë e posi hije
Ajo ryn në zemër t’ime .”
Si fjalë nocione dhe tematike janë: Sbret një yll / në zemrën time, ylli i zbritur
prej së larti është sinonim i frikës, mirëpo në kontekst të vargjeve përfaqësojnë
edhe gjendje të ndryshme psikologjike dhe metafizike. P.sh. “shkrepëtime”
përdoret në kuptim të shqetësimit të zemrës prej diçkaje që do të ndodhë në të
ardhmen dhe nuk do të jetë sipas dëshirës së poetit. Frika më poshtë është si
trajtë e shtrëngimit:
E kuptoj me shpirt të sosur / si kullon dale-ngadale, pastaj si frikë e tepërt:
Posi flakë e posi hije / ajo ryn në zemrën t’ime.
Pas frikës së madhe gjendet potenciali që paraqet emocionin e zemrës gjatë
vrojtimit të pasqyrimeve eterne dhe poeti bën kalimin e tij prej vetes ndaj
qëndrimit dhe zbulimit të fjalës së palosur poetike, për t’ia hapur kindët fjalëve
poetike.
E si fjalës së palosur
M’i hap kindën e një pale…
Këto fjalë të palosura paraqesin hapjen dhe emocionin e zemrës së poetit gjatë
vrojtimit të pasqyrimeve eterne poetike dhe nxjerrja e tij prej vetes një
psherëtitje apo pëshpëritje të brendshme shpirtërore për të shkruar kur një dit’
e kur një muaj. Si rrjedhim i kësaj psherëtitje:
“Mëndjen t’ime e merr dëshira,
Ndjej në gji një këngë gjaku,
M’i fal syrit plot çudira
Këjo odë varfanjaku:
Këjo oda s’ka mënyrë
Ku të kryhet, ku të nisë
Ndaj më ndrin si një pasqyrë
Drita e Përjetësisë.”
Si rrjedhim i mëvonshëm i psherëtitjes shpirti poetik përjeton një shkrirje
kuptimore poetike, një Zjarr, që djeg në shkrepëtimët / Duke ngjitur për së
nalti / fërfëllon një flakë- e himët…. Kjo gjendje dhe kjo shkrirje që ndrin si
Drita e Përjetësisë është mjet e assesi qëllim sepse qëllimi i frymëzimit poetik
nuk është shkrirja kuptimore, por është shkaku apo vendi deri te i cili arrihet
nëpërmjet saj. Pika e fundit e shkrirjes kuptimore është vërtetimi i harmonisë
dhe njëshmërisë së poezisë:
“Me kullim të pashteruar
Ajo del prej vetes s’ime,
Del nga shpirt’ i përvëluar
Nër një mijë shkëndijime.”
Domethënë njëshmëria apo vërtetimi i harmonisë nuk është inkarnim ose
unjësim poetik, por është njohje e krijimit poetik dhe si rrjedhim kjo njohje
krijuese si rezultat i bukurisë dhe harmonisë krijuese, poetin e abstrahon nga
vetvetja dhe dhoma e varfër që e rrethon dhe ai nuk ndjen asgjë tjetër veç Yllit
vet. Kështu që krijimi, poezia apo Ylli vet është si i vetmi sundues dhe i
pranishëm në universin e ekzistencës së poetit.
“S’është gjë: veç yll’i vetë
Më s’më djeg në kraharuar:
Unë shoh me gas të qetë
Këngëzën e përvëluar:”
/RevistaUji-9/