JETON SALLAHU-NJË BURIM OSMANO-TURK QË PASQYRON 191 KATUNDE TË VUSHTRRISË
Abstrakt
Tema që e kemi “nëpër duar” së trajtuari titullohet Një burim osmano-turk që pasqyron 191 katunde të Vushtrrisë. Kjo do të thotë se burimi ka të bëj me veçoritë e Vushtrrisë, gjersa mendojmë se na vjen kah fundi i shekullit të XIX, megjithatë, prania e këtij dokumenti-burimi në truallin shqiptar, është i mëvonshëm…!
Siç dihet, feja islame ishte e privilegjuar në Shtetin Osman, prandaj edhe burimet që na vijnë nga ajo kohë, qoftë të sferës fetare apo laike, janë të rëndësishme për të ndriçuar më thellë rajonin e Vushtrrisë dhe jo vetëm. Kësisojshëm, përkthimi i këtyre burimeve-dokumenteve apo të literaturës edhe të sferës fetare, janë të rëndësishme për të njohur më mirë kulturën dhe historinë e shqiptarëve dhe vendin e jetesës së tyre.
Fjalët çelës:Burim osmano-turk, kulturë shqiptare, feja islame
Rëndësia e burimeve të proviencës osmano-turke për historinë dhe kulturën shqiptare
Historiografia e folkloristika shqiptare ndër vite ka arritur rezultate të kënaqshme. Megjithatë, duke pasur parasysh intensitetin e zhvillimit të ngjarjeve nga historia dhe kultura shqiptare, ka hapësirë të punohet edhe më shumë në këtë aspekt. Në këtë drejtim, një pjesë e historisë së popullit arbnesho-shqiptar lidhet me prezencën e Perandorisë Osmane në truallin arbnesho-shqiptar. Kjo duhet të kërkohet duke filluar nga kapërcimi i shekullit XIV, gjer kah fillimi i dekadës së dytë të shekullit të XX, respektivisht fillimi i dekadës së tretë të shekullit të sapopërmendur. Këtë po e lidhim nga periudha e fillimit të pushtimeve osmane të trojeve arbërore, gjer me largimin e tyre nga trojet në fjalë, apo edhe pak kohë pas largimit të tyre nga ato troje (kujtojmë këtu kontributin e shqiptarëve në Betejën e Çanakalasë, dhe kontributin e tyre në çlirimin e trojeve osmano-turke pas Luftës së Parë Botërore). Kjo do të thotë se varësisht ngjarjeve e dukurive që janë zhvilluar në trojet arbnesho-shqiptare, por jo vetëm në këto troje, shumë prej atyre ngjarjeve e dukurive janë evidentuar nga Shteti Osman, ndaj edhe hulumtimi i këtyre evidencave dhe botimi i tyre, mund të sjellin rezultate të reja për historinë dhe kulturën shqiptare.
Duke pasur parasysh seç u tha sipri, dhe duke e ditur se arkivat dhe bibliotekat turke kanë materiale të shumëta rreth historisë dhe kulturës shqiptare, ne në vitin 2019 kemi realizuar një ekspeditë me karakter kulturoro-historik në Turqi, dhe kjo na u bë e mundur përmes një instituti turk që vepron në Prishtinë, i quajtur Yunus Emre Enstitusu. Në fakt, qëllimi ynë primar ishte të marrim dokumente në gjuhën osmane nga arkivat turke të cilat trajtojnë çështje nga historia dhe kultura shqiptare, dhe t’i sjellim në arkivat në Kosovë, më saktë duke filluar nga Arkivi i Qytetit në Vushtrri. Këtë e menduam ta realizojmë përmes një punëtorjeje me zë që njihte arkivat turke, zonjës Ayten Ardel, e cila për nga kombësia ishte shqiptare. Megjithëse, siç menduam ne, nuk arritëm qëllimin, megjithatë, diçka kemi kuptuar nga ajo vizitë dhe ca copëza të saj po i prezentojmë këtu, më saktë nga Stambolli i Turqisë: Arkivi Osman për Kërkim dhe Realizim, Republika e Turqisë, Drejtoria e Arkivit Shtetëror, Kulla e Arkivave Osmane, Arkiva Osmane, Zyra e Kërkimit, Vendi i Kërkimit dhe Biblioteka.
Aty kishin qenë rreth 95 milion dokumente, prej tyre, rreth 450.000 kishin qenë deftere. Tutje, aty kishin qenë dokumentet rreth 170 kilometra.
Sipas zonjës Ayten Ardel, apo siç e thërrisnin, Ajtenë Ablla, për dokumentet që kishin të bëjnë jashta territorit të sotëm turk, për Ballkanin kishin qenë rreth 60%. Natyrisht këtu ishte fjala për kohën e sundimit osman në Ballkan. Në këtë kahje, tani do të paraqesim foto me kutitë shumë të hershme, në të cilat janë ruajtur dokumentet, madje sipas zonjës së sapopërmendur, aty janë ruajtur dokumentet e para.
Foto 1.Kutitë e hershme që ruheshin dokumentet, Stamboll, Turqi
E shohim të udhës të nxjerrim edhe një pasqyrim të mënyrës së hulumtimit të sotëm se si realizohet në arkivin që e kemi në trajtim.
Foto 2.Puna hulumtuese në ditët e sotme, Stamboll, Turqi
Ndaj, duke pasur parasysh këtë që thamë deri tani, vlerësojmë se hulumtimi në arkivat turke do të mund të sjellë risi për historinë dhe kulturën shqiptare, megjithëse jemi të vetëdijshëm se nga bashkëpunimi i Turqisë me shtetet shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, ka bërë që shumë dokumente të sillën në arkivat e shteteve shqiptare, përçka i kemi parë edhe nga puna jonë modeste në këto arkiva.
191 katundet e Vushtrrisë/Vulçitrinit sipas një burimi osmano-turk
Gjatë punës sonë hulumtuese në teren, më saktë në Vushtrri, kemi hasur një dokument në gjuhën osmane, i cili titullohet Vulçitrin’in Kura Esamisi, që në shqip bën, Emrat e fshatrave të Vushtrrisë. Gjersa nëntitulli ka këtë emërtim Kaza-i mezkura mulhak 191 kura, që në shqip bën, 191 fshatrat e bashkangjitura Kazasë së Vushtrrisë. Në fakt, atë neve na e mundësoi ta marrim të fotografuar nga fotografi i njohur i qytetit, njëkohësisht ai i cili merret edhe me shkrime, kryesisht me poezi, Nesim Ispahiu. Këtij të fundit, dokumentin në fjalë ia kishte dhuruar një person tjetër.
Foto 3.Dokumenti osmanisht
Ky dokument nuk përmban vitin e as shekullin se për cilën periudhë bënë fjalë. Njashtu, shihet se numri i katundeve prej 191, është më i lartë sesa që sot ekzistojnë në kuadër të Komunës së Vushtrrisë. Nga verfikimi i fundit që kemi bërë në komunën në fjalë, na dalin 65, respektivisht 67 katunde. Këtej, edhe pse dokumenti që po e trajtojmë nuk na tregon për kohën që bën fjalë, ne mendojmë se ai mund të i takonte fundit të shekullit të XIX dhe këtë po e mbështesim nga një punim studimor i studiuesit Skënder Rizajt, i cili titullohet Ekonomia dhe shoqëria e Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XIX sipas burimeve osmane, angleze dhe shqiptare. Domethënë, studiuesi në fjalë gjersa trajtonte çështjet ekonomike e shoqërore, i referohet shekullit të XIX, duke i specifikuar vitet 1313/1314 H. që përkojnë me vitet afërsisht 1895/6 dhe 1896/7, do të thotë, e kishte fjalën për fundin e shekullit të XIX. Dhe midis tjerash, ai përmend se Kazaja e Vushtrrisë kishte 191 katunde.
Atëherë, kohën për cilën bën fjalë dokumenti sikur e ofruam…! Por, duhet shtuar, se ndryshimi territorial e administrativ ndryshonte, ngase vet Perandoria Osmane varësisht gjendjes së saj që kalonte, i bënte edhe këto ndryshime, e këto janë shprehur edhe në territorin e Vushtrrisë/Vulçitrinit, prandaj ne mund të hasim në kohë të përafërt ndryshime territoriale, e pra edhe numrin e ndryshëm të katundeve (ja pra pse më lart përmendet në nëntiull të dokumentit “fshatrat e bashkangjitura”). Duke pasur parasysh këtë, nga analiza që i kemi bërë dokumentit osmanisht, kuptojmë se nga 191 katundet që përmendën në të, krahas atyre katundeve që edhe sot janë në kuadër të Komunës së Vushtrrisë, një pjesë e atyre katundeve nuk janë sot në kuadër të Komunës së Vushtrrisë, porse bëjnë pjesë në kuadër të komunave të tjera.
Një çështje tjetër që bie në sy në dokumentin që e kemi në trajtim, është emërtimi Vulçitrin, e që ka të bëj me Vushtrinë e sotme. Për këtë studiuesi Feti Mehdiu, në një punim të tij studimor që trajton librin disavëllimor të diturakut Sami Frashëri Kamus Al ‘Alam, që bën fjalë afërsisht në periudhën për të cilën flet edhe dokumenti që po e trajtojmë, na bën të ditur në fusnotë numër 28, se Vushtrria në origjinal quhej Vulçetrin, porse ai shton se mund të lexohet edhe pak më ndryshe, pra si Velçetrin.
Nga kjo kuptojmë se në këto kohë edhe pse Vushtrria/Vulçitrini/Velçetrini nuk ishte në ditët më të mira zhvillimore, megjithatë, ajo nuk ishte e parëndësishme, dhe kjo shihet edhe nga numri jo i vogël i katundeve që i përmbante ajo.
Njashtu, ngaqë u tha më lart, kuptojmë se edhe burimet-dokumentet, apo literatura që vijnë nga sfera fetare, në këtë rast thënë kushtimisht nga ajo islame, kanë rëndësi për ndriqimin e zhvillimeve e dukurive në rajonin e Vushtrrisë dhe jo vetëm.
/RevistaUji-VIII/