METIN IZETI: FYELLI I NAIM FRASHËRIT SI ALUZION I NJERIUT TË PLOTË (INSAN KAMIL)

METIN IZETI: FYELLI I NAIM FRASHËRIT SI ALUZION I NJERIUT TË PLOTË (INSAN KAMIL)

0 Comments

Tingulli i fyellit është zjarr dhe i njëjti zjarr kalon edhe tek ata që e dëgjojnë, sodisin. Emocionet që ngjall janë djegëse dhe mbresëlënëse. A është e mundur të dëgjosh fyellin dhe të mos digjesh?

Fyelli, respektivisht, njeriu i plotë (insan kamil) flet për sekretin e origjinës. Ai është i afërt me njerëzit e mirë dhe të ligë brenda popullatës së gjerë dhe sillet mirë me ta. Pasi njeriu në çdo gjendje të tij prezantohet në rrugën e arritjes deri te e Vërteta. Pikërisht për këtë, njerëzit në suaza të diturive dhe ndiesive të tyre afrohen me këta njerëz të ngritur dhe përpiqen të përjetojnë gjendjet e tyre.

Njerëzit me mua rrinë,
Unë qanj’ e mallëngjehem,
Po dufn’ e pshehtë s’m’a dinë
Andaj kurrë s’përdëllehem.

Gjith’ ata që janë ndarë
Fyellit shokë ju bënë,
Shkallët’ e tij disa farë,
Na shkalluan mëndjen tënë.

Unë njerëzve të secilës shkallë ua tregova sekretet e realitetit, mirëpo ata mu afruan në bazë të mendimeve të tyre. Nuk e kërkuan rrugën e arritjes deri te njohja dhe qëllimi i sekreteve të mia të brendshme. Por, për të ecur në rrugën e të ngriturve duhet lëshuar rrugën e spekulimit. Shkurtë, e vërteta hyjnore nuk dihet me spekulim. Deri te të vërtetat arrihet vetëm nëpërmjet të dijes bindëse (jakin) duke lënë prapa çdo lloj të dyshimit dhe dymendësisë. Vetëm nëpërmjet të kësaj rruge ka mundësi të shihet drita në arkat shpirtërore dhe  kuptimi i varrosur në fjalët e evliave. 

Rrëmet i njerëzisë!
Zër’ i fyellit s’ësht’ erë,
Ky ësht’ zjarr’ i dashurisë
Që i ra kallamit mjerë!

I ra qiellit e ndriti,
I ra zëmrësë e nxehu,
I ra verës e buçiti,
I ra shpirtit, dhe e dehu.

I dha erë trëndafilit
I dha dritë bukurisë,
I dha këngëtë bilbilit,
I dha shije gjithësisë.

Ay zjar i ra në qiej,
Edhe duke përvëluar,
U bënë kaq yj e diej,
Që i mba Zoti ndër duar,

Nga ky zjar Zot’ i vërtetë,
Që ka ngehur gjithësinë,
Hoth një shkëndijë në jetë,
Dhe bëri soje njerinë.

Njeriu pasi të kryejë udhëtimin gjysëmharkor të zbritjes së substancës hyjnore dhe të kalohen shkallët e zjarrit, ajrit, dheut, bimës, kafshës e fillon gjysëmharkun e ngritjes drejtë Zotit dhe në hapin e parë të kësaj ngritjeje e përjeton qenësinë. Njeriu është pasqyrimi substancës hyjnore në këtë pikë.

Kur të arrijë në këtë pikë , për tu kthyer drejtë origjinës ka dy rrugë: Nëse e mbaron jetën dhe vdes pa u ngritur. Por në këtë mënyrë ai nuk fiton asgjë prej kalimit të jetës. Ai gjatë jetës së tij në këtë botë nuk e ka ditur se kush është, prandaj edhe në botën tjetër do të jetë në gjendje të paditurisë.

Ndërsa nëse njeriu në këtë botë takohet me një njeri të ngritur, gjegjësisht nëse e dikton substancën e tij me kujdesin e një udhërrëfyesi, ka mundësi të kuptojë se për ku dhe kë e ka përmallimin në brendinë e tij. Së pari e gjen Zotin në botën e tij të brendshme e më pas në atë të jashtmen. Të ndierit e ekzistencës së Zotit në brendinë njerëzore emërtohet si “texhelli” (pasqyrim). Njeriu që ka arritur të përjetojë pasqyrimin hyjnor, gjithësinë e vështron me vështrimin e Zotit dhe bëhet pronar i sekretit me të cilin e sheh Zotin në çdo vend. Kjo gjendje, është ripërtrirje e dijes me Zotin. Por , nuk është takim (visal) i plotë. Njeriu edhe kur të arrijë në shkallën e përsosshmërisë ndien një përmallim të shijshëm për origjinën e tij.

Frymat e ngrohta dashurore  kalojnë në brendinë e fyellit. Kjo frymë, lëvron dhe nxjerr çdo gjë përveç dashurisë prej tij, prej njeriut. Pastaj e sjell në pozitë buzë më buzë me të dashurin. Fillon të rënkojë dhe të vajtojë. Rënkimi dhe vaji që vinë prej brenda njëkohësisht e shprehin edhe sekretin e njeriut, gjegjësisht këndojnë për realitetin dhe lumturinë që e përjeton ai në brendi.

Shkurtë, sekretet e fyellit janë shndërruar në fjalë në gjendje tingullore. Mirëpo ata që i kanë sytë e mjegulluar dhe që nuk u dëgjojnë veshët nuk kanë dritë për të pa dhe nuk kanë arritur gjendjen për të kuptuar realitet për të cilat flet fyelli.

Tingulli i fyellit është zjarr dhe i njëjti zjarr kalon edhe tek ata që e dëgjojnë, sodisin. Emocionet që ngjall janë djegëse dhe mbresëlënëse. A është e mundur të dëgjosh fyellin dhe të mos digjesh? A është e mundur të dëgjosh tingujt e tij të rrënjosura thellë dhe të mos lejosh kujtimet e dhimbshme të vijnë në tru dhe në zemër? A është e mundur të mos kujtojmë dhimbjen e lindjes, dhimbjen e frymës që nxiton në mushkëri? A është e mundur të mos e ndjeni përsëri mundimin në zhvillimin e eshtrave në çdo rritje të trupit? Si mund mos të dëgjojmë ndarjet, poshtërimet, dashuritë, mëkatet… Edhe ne kemi zjarr, zjarri nuk është vetëm tek fyelli. Por ai zjarr herë shuhet, herë bëhet hi. Kjo është zhdukja jonë, rënia jonë në mjerim.

Njeriu është krijuar nga brumi i dashurisë, në çdo grimcë të tij ka gjurmë dashurie dhe mëshire. Ka shenja të mëshirës dhe dashurisë së Krijuesit ndaj robërve të Tij. Njeriut i është dhënë dhurata të dashurojë dhe të dashurohet.  Dashuria është uji i mbetur në të çarën e hollë të një shkëmbi që ngrin në dimër dhe e plas, e copëton, e lëshon nga shkëmbinjtë poshtë. Dashuria është një anije që lundron nëpër një uragan. Dashuria është rihapja e luleve çdo pranverë. Dashuria është historia mijëravjeçare e rrapit të madh. Dashuria është rrotullimi i botës. Dashuria digjet  dhe nxeh si dielli. Dashuria është ana e bardhë e hënës. Tingulli në fyell, është gjithashtu dashuri; edhe dehja kuptimore po ashtu. Njeriu i dashuruar në Krijuesin e humb veten në bashkësinë me Të. Rrushi është i ëmbëlsuar me dashuri.

More zjar i bekuar!
Unë me ty jam përzjerë,
Pa jam tretur e kulluar,
Po të kam shpirt, mos më lerë.

Procesi i çlirimit nga iluzioni lëndor ia rrit aftësinë e njeriut për të ndjerë. I mundëson të ndjejë dashuri, mirësi dhe dhembshuri, por edhe poshtërim, keqardhje dhe pikëllim. Ai fillon të shohë dallimin midis së drejtës dhe së gabuarës, së mirës dhe së keqes dhe mes asaj që është e hijshme dhe ajo që është e turpshme. Ai e kupton se e mira dhe e keqja nuk mund të krahasohen. Ai zhvillon një shqetësim (ndjenjë detyrimi) për të tjerët. Ai e kupton nevojën për këshilla të mira dhe urdhërim për të mirë dhe ndalim nga e keqja, me fjalë tjera e varros egoizmin  dhe egocentrizmin e tij.

Kërkimi i të vërtetës  mbështetet nga dashuria për të vërtetën. Naimi na e kujton nevojën për të dashuruar të vërtetën (hakikatin). Dashuria për të vërtetën manifestohet jo vetëm në një kuptim subjektiv, por edhe në formë transcendentale, si e vërteta apo e Vërteta më e lartë. Dëshira për ta gjetur të vërtetën  tregon një kërkesë të konsiderueshme për zgjimin shpirtëror. Qëllimi i këtij “zgjimi” është që t’i mundësojë njeriut “të rikarikojë bateritë e tij shpirtërore “, për të rivendosur ekuilibrin e tij mendor dhe shpirtëror.

Këto iluminime në poezinë e Naimit na lejojnë të kuptojmë më mirë botën përreth nesh, të ndjejmë ndërlidhjen midis të brendshmes dhe të jashtmes. Dhe ato gjëra që deri atëherë na dukeshin si të pazakonshme gradualisht kthehen në të zakonshme. Nga njëra anë, bota bëhet më e thjeshtë, dhe nga ana tjetër, më e pashpjegueshme por e përjetueshme, sepse një pjesë e konsiderueshme e të kuptuarit të fituar është shumë e vështirë të shprehet me fjalë.

Në poezinë e Naimit, bukuria fizike konsiderohet si pasqyrim i bukurisë shpirtërore. Prandaj, ai, ngjashëm si edhe shumë poetë sufik thekson rregullisht bukurinë e jashtëzakonshme të të Dashurit të tij dhe i kushton shumë vëmendje përshkrimit të tij. Ky ideal i bukurisë nuk është as subjektiv dhe as pasqyrim i personalitetit të poetit, shijes së tij, por është një model i vendosur me anë të të cilit poetët portretizojnë karakteristikat e të Dashurit absolut (Zotit). Karakteristikat fizike më së shpeshti krahasohen me motive nga bota bimore, veçanërisht me lule. Bimët janë një motiv shumë i rëndësishëm i kësaj poetike .Trëndafilat, tulipanët dhe zymbylët dhe të ngjashme paraqesin pasqyrime të koncepteve të ndryshme metafizike. Për shkak të përdorimit të shpeshtë të motiveve bimore, hapësira e dashurisë shpirtërore shpesh krahasohet me një kopsht plot me lule të ndryshme, gjë që thekson se fytyra e të Dashurit është plot me tipare të bukura fizike.

Ndër motivet tjera nga natyra, Naimi ka përdorur edhe erën, ajrin, ujin, dielli, hëna, zjarri, drita. Motivi i erës dhe i flladit të mëngjesit  më së shpeshti simbolizon frymën e Zotit, lajmëtarin e lajmit të mirë dhe frymën që jep jetë. Askush nuk troket në derën e të dashurit përveç erës së mëngjesit dhe nuk ka kush të djegë atë në zjarr apo vuajtje. Ai i këndon ndjenjës së mjerimit, duke pohuar se mungesa e të Dashurit (Zotit) sjell vetëm vetminë dhe trishtimin. Zjarri është një motiv që Naimi  e përdor për të përshkruar ndjenjat e dashurisë dhe djegien për Zotin. Ai flet  për zjarrin e dashurisë që ndezi zjarrin e shpirtit të tij. Ai zjarr i dashurisë është aq i fortë sa flaka e tij ngrihet deri në qiell. Kjo është një figurë ekzagjerimi, por edhe personifikimi, sepse zemra “digjet dhe rënkon”, dhe flaka “ngjitet në qiell”. Në këtë mënyrë Naimi ngjall një ndjenjë të fortë vuajtjeje për të rritur ekspresivitetin dhe për ta freskuar shpirtin e tij. Ai  i këndon një zemre që digjet nga vetmia dhe malli për të Dashurin. Në vargjet e tij për dashurinë ka aq mall sa flaka e dashurisë ia djeg trupin. Ashiku beson se duke u djegur në zjarrin e dashurisë ai arrin unitetin me të dashurin e tij. Kjo djegie dhe bashkim shpirtnor përfaqësohej nga motivi i një fluture dhe një qiri, ku i dashuri është një qiri dhe ashiku një flutur që admiron bukurinë e Tij dhe, i tërhequr nga drita, rrotullohet përreth zjarrit. Momenti kur flutura digjet në flakën e një qirije simbolizon bashkimin shpirtëror të poetit me Zotin.