METIN IZETI: POEZIA MBI TË VËRTETËN
Filozofia e artit, në masë të amdhe, është e mendimit se prapavija ontologjike dhe fenomenologjiko-historike e çdo arti është e përqendruar te “feja” dhe “bota shpirtërore”. Artisti është një qenie që ka lindur dhe vepron në kuadër të një platforme qenësore; ndërsa arti është aftësia që i është dhënë.
Lënda e veprës artistike është e vendosur ose e krijuar që më parë te dukshmëria, dhe si pasojë e këtij realiteti vepra praktike apo intelektuale e artistit është e mbështetur në imitimin e kësaj lënde që ekziston qysh herët në botën e dukshme. Krahas kësaj, edhe vetë subjekti i veprës artistike bën pjesë në grupin e lëndeve të dhëna, pra të krijuara. Aftësia nëpërmjet të cilës artisti nxjer në dukje veprën e tij, nga intelektualiteti te pragmatika, po ashtu është e dhuruar nga Fuqia Krijuese, dhe paraqet dhunti hyjnore. Shikuar nga këndvështrimi njerëzor, vepra artistike është një “takim i përsosur gjërash të dhuruara”. Karakteri i dhuruar i artit është një prej cilësive thelbësore të Artit të Shenjtë dhe zë një vend të rëndësishëm në këtë disiplinë. Arti i bazuar te “dhuntia” ndryshon në thelb nga arti i bazuar te “e arritura”. Për rrjedhojë kjo çështje bën pjesë ndër ato subjekte që janë mjaft të diskutuara në epistemologji, për nga aspekti i “dijes” dhe “nxënies së dijes”. A është dija një gjë që arrihet, fitohet, apo dhurohet? Ndryshimi kryesor mes mistikëve dhe racionalistëve në lidhje me thelbin dhe nxënien e dijes është pikërisht në këtë pikë. Mistikët thonë se dije e vërtetë është dija për të Vërtetën, për Qenien, domethënë, dija hyjnore. Njeriu si krijesë e Zotit është bartës i dhuntive të Tij, dhe për pasojë tek ai është vatërzuar fuqishëm dija hyjnore. Për shkak se subjekti i kësaj dijeje nuk është i ndarë prej objektit, ai që di dhe e ditura paraqiten njëkohësisht. Dija i është dhënë njeriut dhe pret që të largohen ato pengesa që e pengojnë paraqitjen e saj në dukshmërinë njerëzore.
Poezia mbi të vërtetën është melodia e të qenësishmes. Ashtu si Parkeri dhe Bethoveni në muzikë, te kjo poezi përjetohet ritmi dhe ledhatimi i paqtë i gjithësisë. Ndërkohë, kjo nuk bazohet te soditja e dëgjuesve apo lexuesve të mundshëm, për shkakun se është përplot me sensin e krijimit. Kjo poezi e heq në çast vëmendjen e arsyes nga çdo analizë mbi gjërat jashtë nesh, por edhe nga koha dhe hapësira; domethënë, nga lëndorja, dhe e përqendron vëmendjen vetëm te bërthama e të qenurit, ose thelbi i ekzistencës. Kështu pra, kjo na jep mundësinë që të përqendrohemi tek e kulluara dhe te qenësia e zhveshur nga forma. Dihet që poezia, në veçanti ajo shpirtërore, është krejtësisht diçka tjetër nga shkrimet tjera. Poezia nuk mund të përkthehet në asnjë shprehi tjetër. Ajo përthith nga jeta harmoninë dhe qëllimin. Ja se si e ka treguar Fuzuli cakun e vërtetë të saj: “Me dëshirën për të arritur tek e vërteta, u nisa në rrugën e alegorisë dhe sqarova fshehtësitë. Gjoja jam duke rrëfyer ndonjë tregim. O Zot, nëpërmjet Lejlës nisa të shpjegoj cilësitë e Tua, ndërsa me gjuhën e Mexhnunit shpreha nevojën time ndaj Teje, dhe kështu u luta pa pushim. O Zot! Lejla e sekretit të Realitetit u desh të shihej nga pas perdes së njëshmërisë; të zbukurojë gjithësinë lëndore me pasqyrimin e bukurisë, dhe shpirti i Mexhnunit, duke shëtitur nëpër shkretëtirë, të shohë këtë bukuri dhe të nënshtrojë vullnetin e tij përpara kësaj bukurie…”
Të shkruash poezi dhe për poezinë është ndër punët më të vështira. Poezia, në përgjithësi, është djersitje e shpirtit dhe si të depërtosh në shpirtin e poetit dhe të parafrazosh ndjenjat e tij/saj të brendshme kur edhe vetë poezia nuk ka arritur t’i pasqyrojë sa duhet ato. Kjo bëhet edhe më e vështirë kur poeti nuk shkruan me vizore dhe vija të drejta, por ngjashëm si estetika e natyrës, i derdh ndjenjat në letër me vija të lakuara. Pra, poezia kur përpiqet ta parafrazojë Hakikatin/të vërtetën ka një karakter të tillë. Vargjet e poezive, në këtë kontekst,janë përplot me dashuri të thellë, mall, dhembje, brengë, por njëkohësisht edhe didaktike, pasi nga vetë kuptimi i tyre dalin mesazhet që janë pjesë e përvojës mbi të Vërtetën. Përvoja, si ajo lëndore po ashtu edhe ajo tejlëndore, mësohet vështirë, por ama nuk ka qartësi më të mirë për konceptin e zjarrit përpos djegies me të. Në letërsinë metafizike ka tre stadiume të përjetimit të realitetit. I pari tregohet me simbolikën e ecjes në brigjet e detit dhe freskimin e këmbëve në ujin e detit. I dyti, me hyrjen në det dhe notimin në sipërfaqe të ujit, ndërsa i treti me zhytjen në thellësitë e detit dhe përjetimin e prekjes në rërën e lëmuar të sipërfaqes në fund të detit. Kështu është edhe poezia. Dikush e shkruan duke i lagur këmbët në bregun e të vërtetës, dikush qëndron mbi sipërfaqen e vargjeve, ndërsa dikush depërton thellë në ndjenjat dhe krahas asaj që shpesh mund të mbetet pa frymë ekzaltohet nga bukuria e thellësisë. Poezia e Hakikatit/të vërtetës insiston të gllabërojë, të përpijë, të pushtojë hapësirën e pakapshme të ndjenjave dhe që është më e vështira, të njëjtën ta shndërrojë në porosi, në mesazh për të vërtetën e aktualitetit apo edhe të mundësisë.
Vargjet e kësaj poezie deri në fund e shfrytëzojnë përmasën ndiesore për t’u emocionuar, për të vajtuar për (pa)dashurinë, për Zotin, për (jo)njeriun, për hiçin, për boshllëkun, për ngrohtësinë e rrezeve, për vendlindjen dhe kështu me rradhë. Poezia, në këtë rast, flet dhe na e tregon sekretin se dashurisë, edhe pse ne shumë herë nuk arrimë ta gjejmë dhe ta locojmë objektin apo szbjektin e dashurisë. Kjo dashuri nuk ka kurrë një qëllim shfrytëzimi dhe nuk është e ngarkuar me të, vargjet dashurore nuk dëshirojnë të “pushtojnë” dikend , por dëshirojnë të “pushtohen”. Vargjet e poezisë mbi të Vërtetën nuk janë mjet për ndonjë përpjekje praktike, madje as për dashuri lëndore. Me to, nuk mund të arrihet diçka, por me to mund të niset vetëm në një rrugë që përfundimisht do të arrihet gjithçka. Po kështu, poezia është një art elitar. Vizitohet nga një numër i vogël njerëzish, të gatshëm dhe të aftë për të jetuar, përveç shumicës që synojnë të mbijetojnë ose, kur rrethanat historike e lejojnë, të jetojnë sa më rehat.
Plotësia dhe kuptimi i këtij elitizmi të poezisë shfaqet mbase më qartë edhe në poezinë për dashurinë ndaj Zotit . Ajo është në vorbullën më të thellë të thelbit të jetës. Poezia e dashurisë mbi Zotin nuk shfaqet në një kohë kur synimi është të fitosh diçka sa më shpejt, por në një kohë kur janë edhe njëqind të tjerë në një lidhje dashurie. Nga të gjitha llojet e marrëdhënieve midis njerëzve, dashuria ndoshta hap çështjen e së mirës dhe së keqes, të bukurës dhe kalueshmërisë, lirisë dhe kufizimit, sublimitetit dhe banalitetit, të jetuarit dhe të vdekurit. Oh, si do të ishte sikur poezia e dashurisë të ishte dashuri! Do të kursenim mundime të ndryshme, dhe do të kishte emocione të ndryshme në dashuri. Meqenëse nuk është kështu, na mbetet të imagjinojmë dhe pastaj t’i shprehim përmes vargjeve këta emocione dhe të shikojmë me bisht të syrit se si zbehet dashuria. Dhe pastaj, befas, e ndjejmë sagën e dashurisë: kaloi, por nuk u largua.
Ndër poezitë e shkruara për të Vërtetën ka edhe të tilla që flasin për relativitetin e hiçit. Këta vargje, sikur dëshirojnë të debatojnë me ne për (mos)ekzistencën e asgjësë. A ka asgjë nëse ka plotni, nëse ka Zot! Mesazhi është se asgjëja është hipotetike dhe pjellë e mendjes relative.
E vërteta, në poezinë e Hakikatit është simbol i jetës, përjetësisë, ngrohtësisë dhe dashurisë fituese, gjëja më e çmuar, e dashur. Sytë e poetëve përqendrohen te e Vërteta, sikur kërkojnë mbrojtje prej saj. Në këto poezi janë të përmbledhura shumë koncepte ekzistenciale. Aty është feneri (pishtari i dritës), zogjtë (këngëtarët e të përtejmes), foleja (prehëri i qenies), drita (pasqyra reflektuese e Njëshit), dëshmia (prova e ekzistencës), braktisja (largimi nga lakmitë), veza (nukleusi jetës), mëshira (shfaqja e atributeve hyjnore), flaka (këndellja e hakikatit), e vjetra (tradita perreniale), tregimi (rrëfenja nga e përtejmja), dashuria (ashku), nana (pjellorësia, kujdesi, edukimi)… Për fund të them se poezia në mënyrë shumëpërmasore dhe të shtresuar, racionale dhe mbiracionale, të shqiptuar në një figurë ose gjuhë bisedore që i jep gjuhës së poezisë fuqinë e shprehjes së porosisë, entuziazmin dhe ankthin nga të cilat lind nevoja për të tjerët, përpiqqet ta formësojë, për ne, të Vërtetën.