VARGJET E DIVANIT NDËRMJET NDJENJËSDHE TEJARSYES

VARGJET E DIVANIT NDËRMJET NDJENJËSDHE TEJARSYES

0 Comments

Shkruan: Metin Izeti

Për të shkruar poezi, veçanërisht poezi me akçes shpirtnor nevojitet të kalosh andej mendjes, jo në pamendësi, por në mbimendësi. Edhe vet emërtimi Divane rrjedh nga një fjalë perse që do të thotë (ç)mendje, i (ç)mendur, kalim andej arsyes dhe lëshim në protokolin e ndjenjave dhe të zemrës. Vargjet e poezisë së autores së re dhe me shumë perspektivë Bajraj janë të udhëhequra nga diskursi i ndjenjave dhe thellësisë së shpirtit i cili në realitet është i bezdisur nga kafazi i trupit dhe përpiqet të grisë perdet e lëndores dhe të kalojë andej, përtej. Termet e përdorura në poezinë e Jonës janë terme që mbajnë me vete barrën e frymës poetike dhe shpirtnore të poezisë së përshpirtshme në kulturën islame dhe i ngërthejnë cilësitë e përjetimeve shpirtnore të një vargu të poetëve sufik.

Ajo me guxim i përdor termet, mejhane, drandofil, tyxhar, pazar, hi, i dashtun, Jusufi, Zelihaja dhe të ngjashme, por të gjitha këta, jo në trajtën e tyre literale dhe skriptuale, por me barrën e tyre terminologjike dhe përjetuese. Mejhaneja për të është vatra ku dehet nga dashuria dhe ashku për Zotin e Madhnueshëm, drandofili është lulzimi i gonxhës hyjnore në personalitetin metafizik të Pejgamberit a.s., pazari është dynjaja, i dashtuni është andej diku, ka të bëjë me mallin për afërsinë me Krijuesin, Jusufi dhe Zelihaja janë personifikime të dashurisë së lartë e cila nuk ka mundësi të zbresë në përmasën lëndore dhe gjinore.

Nëse me vëmendje depërtojmë në mesin e vargjeve të poeteshës Bajraj atëherë e shohim një lëvizje nga brendia në drejtim të lartësive të mëdha. Ajo ngjashëm si Raxhiu në veprën “Thellësitë e Imagjinatës” të Filibeli Ahmed Hilmiut në përjetimet e saj takohet me shumë persona metafizikë dhe universal që kanë lënë gjurmë në antropologjinë shpirtërore dhe kulturore të gjinisë njerëzore. Ky udhëtim është kënaqësi, është një përvojë.

Dhe çdo përvojë është e lidhur pazgjidhshmërisht me shpirtin dhe trupin. Aisthesis – nënkupton ndjenjën, përvojën, ndjesinë, madje edhe përvojën e menjëhershme fizike. Njohja e vërtetë njerëzore fillon me përvojën shqisore, e cila natyrisht më pas azhurohet, mbindërtohet, transcedentohet, por ama është më se e qartë se njohja jonë me botën e jashtme fillon me përvojën shqisore. Kështu që edhe përjetimi është i lidhur pazgjidhshmërisht me përvojat shqisore. Është kontakti i lëkurës me letrën apo i mendjes me udhën. Është pesha e librit në dorë, pesha e këshillës në mendje.

Ngjyra e kapakut të tij dhe pamja e ballinës. Është përjetim i përvojës së një personi tjetër. Nuk mund të thoni që me të vërtetë njihni një njeri që nuk e keni parë, nuhatur. Nuk mund të thuash se di të notosh nëse nuk ke hyrë në ujë. Përvoja e përjetimit është një nga përvojat themelore të njeriut dhe kjo është arsyeja pse ajo lidhet në mënyrë të pashmangshme me përvojën estetike, dhe është gjithashtu një përvojë kontemplative. Ka njerëz, thotë Heine, që Zoti nuk do t’i falë kurrë ata. Janë ata që mendojnë se do ta njohin më mirë një flutur kur ta gozhdojnë në një fletë letre. Idiotë. Si mund një flutur ta ndajmë nga fluturimi. Por, për të njohur fluturën në tërësi, domethënë bashkë me fluturimin, duhet të ndërtojmë një teknikë të të menduarit që lejon të menduarit individualisht për trupin dhe fenomenet komplekse. Prandaj duhet të heqim dorë nga të menduarit konceptual dhe të zhvillojmë aftësinë për të menduar me trajtë, zemër, përvojë. Ne mendojmë me tërë qenien, por kultura jonë e sotshme përpiqet të na bindë se ne me të vërtetë mendojmë vetëm me kokë dhe atë me kokën që e ka kufizuar veten në koncepte, seri, standarde të industrisë. Ne nuk mund të përkthejmë fenomenet komplekse, si shpirtin, imagjinatën, dashurinë, në koncepte dhe t’i shfaqim ata sipas mendimit konceptual. Një çekiç apo ndonjë vegël tjetër e thjeshtë mund të trajtësohet në koncepte dhe të mësohet përmes të menduarit konceptual, por dashuria ose një person tjetër mund të njihet vetëm nëpërmjet formës së tij të veçantë. Pse gjenezën e gjërave, kryesisht e sqarojmë nëpërmjet të mitit? Sepse nuk mund ta mendojmë atë në kuadër të koncepteve, për ta bërë këtë do të duhet të jemi në gjendje të mendojmë për “asgjë”. Kjo është arsyeja pse ne mund të mendojmë për gjenezën e gjërave nëpërmjet formës, të themi, nëpërmjet një rrëfenje. Ose intelektualët modern do të kishin thënë, nëpërmjet narracionit. Jonna me vargjet e saj na kthen tek Sofokliu, më drejtë tek “Antigona” ku polemizohet përplasja e arsyes së shoqërisë, nga njëra anë, dhe arsyeja e traditës, fesë, familjes, nga ana tjetër. Arsyeja shoqërore nënkupton ligje racionale, një shoqëri e bazuar në ato ligje dhe respektimin e tyre, marrëdhënie ndërnjerëzore të rregulluara nga interesi dhe ligji; e kundërta është arsyetimi i familjes (këtu njerëzit janë të lidhur nga lidhjet emocionale dhe farefisnore, dashuria dhe urrejtja, kujtesa e gjatë patetike dhe lidhjet farefisnore); arsyetimi i fesë (ligji hyjnor e detyron njeriun të varrosë të vdekurit e tij); arsyetimi etik (borxhi ndaj të vdekurve është më i vështiri dhe më i rëndësishmi, sepse ata nuk mund të flasin vetë). Logjika e të qenit nuk mund të varet plotësisht nga logjika e shoqërisë.

Vargjet e Jonës janë të shkruara me guxim dhe ajo nuk e ka shumë dert se si do ta kuptojnë, ose çka do të shkruajnë, por ka dëshirë që t’ia mundësojë lexonjësit të thotë: “Hë”, bash edhe unë këtë e ndjej por nuk e them dot. Kjo është katarza që synohet në çdo vepër artistike apo edhe në adhurim. Ngjashëm si Hajjami, të gjitha poezitë e tij që sulmohen më shumë janë vetëm një bisedë me Krijuesin e tij dhe lutje drejtuar Krijuesit. Ku thotë me përgjërim: të lutem, më ndihmo të të kuptoj. Ai thotë në një poezi: një burrë u ndal pranë një poçari dhe e shikonte duke punuar; dhe poçari mori faqen e vajzës së bukur, e shtypi dhe bëri një sqep në ibrik – balta që ai formësonte ishte faqja e bukurisë për të cilën vdisnin njerëzit anembanë. Në një poezi tjetër ai thotë: çdo poçar do të rebelohet nëse hyni në dyqanin e tij dhe filloni të thyeni, tenxheret që ai bëri me shumë dashuri, vëmendje, kujdes; dhe Ti, Zoti im, krijove qenie kaq të bukura, të cilave tenxhereja as që mund të afrohet, dhe pastaj ti i copëton, i vret. Pse!? Më ndihmo të kuptoj pse! Kini kujdes: ai nuk e vë në dyshim parimin, ai thjesht dëshiron të pajtohet, të kuptojë. Ai me të vërtetë dëshiron të pajtohet. Besimi është pëlqim, nënshtrim. Autorja, në një mënyrë përpiqet ta artikulojë kohën dhe hapësirën e saj personale. Pikërisht për këtë edhe kthehet në botën e brendshme të saj. Sa herë që është në siklet një person, ai strehohet në botën e brendshme, dhe kur sikleti është i padurueshëm, ai strehohet në shpirtëri, në art ose filozofi. Sot, për ne nuk është e lehtë, madje edhe shumë e vështirë është gjendja, pasi ka shumë pak strehimore. Shpirtëria, filozofia dhe arti, gjithnjë e më shumë, reduktohen në performim dhe interpretim. Ka një kohë të gjatë, që për shembull poezia ka hequr dorë nga ambicia e saj për të artikuluar kohën, për ta formësuar atë, zvogëlohet gjithnjë e më shumë në një moment, një incident, një ngjarje. Kjo është një gjë që është relativisht e thjeshtë për mendimin tim – epoka jonë tregon një dëshirë shumë të qartë, një ambicie për kohën e lirë. Ambicie për të ulur gjithçka në këtë moment. Kultura jonë është duke e humbur kujtesën e saj me shpejtësinë e rrufesë, në një trajtë të frikshme.

Humbja e kujtesës e humb të kaluarën. Ka kohë që poezia ka humbur aftësinë për të krijuar imagjinatë, projeksionin e së ardhmes, duke humbur kështu të ardhmen. Gjithçka reduktohet në të tashmen – në çastin.

Kjo ka të bëjë me zhvendosjen e gjithçkaje në digjitale.

Jona me vargjet e Divan’it të saj sikur na thotë: le të shpëtojmë nga koha dhe hapësira. Le ta reduktojmë kohën deri më tani dhe të shfuqizojmë plotësisht hapësirën. Kulturat klasike gjithmonë kanë llogaritur kohën dhe hapësirën si dy kategori me të cilat ekzistenca është e lidhur në mënyrë të pandashme. Ju kujtohet se Kanti shpall kohën dhe hapësirën si kategori themelore të ekzistencës, transcendente, ato që nuk mund të shmangen. Kultura jonë, tash, është shumë teknike, me të përpiqemi ta kapërcejmë kohën dhe hapësirën, për t’i shpëtuar atyre. Me sa duket e tejkalojmë kohën dhe hapësirën, dhe vërtetë shpëtojmë prej tyre.

Ajo që është digjitale nuk ka trup, individualitet të pamohueshëm, asgjë për t’u mbajtur mend, nuk lejon të ndjehet… Kultura duke e humbur zhytjen e saj në kohë dhe hapësirë, gjithashtu e humb mundësinë e prodhimit, krijimit, formësimit. Pra, ne nuk mund të tregojmë një histori, e cila do të ishte një sekuencë e rregullt e ngjarjeve. Ne nuk mund të përbëjmë personazhe që do të artikulonin pikëpamje të caktuara të botës, jemi të aftë vetëm për një ngjarje. Dhe ngjarja është diçka e menjëhershme, e njëhershme, e parregulluar, një incident i tramvajit, një përplasje e dy makinave, ndërsa poezia nuk e duron një gjë të tillë.

Lexoni me ëndje…

Metin Izeti

Tetovë, 02.03.2022