NËPËRMJET POEZISË NË THELBIN E AFËRSISË

NËPËRMJET POEZISË NË THELBIN E AFËRSISË

0 Comments

Shkruan: Metin Izeti

Afërsia me Krijuesin dhe tharmin e ekzistencës ka qenë dhe vazhdon të jetë synimi kryesor i poetëve shpirtnorë në të gjitha hapësirat botnore. Shpirti i poetit të sinqertë vuan për ta gjetur të vërtetën e Qenies dhe më pas përmes derdhjes së shpirtit të tij në vargje synon afërsinë me Hakun/Të vërtetën. Përmbledhja me poezi e Fatijona Bajrajt Divani Thalith që në përkthim të lirë do të thotë
Përmbledhja e tretë me poezi, është vërshim i ndjenjave të dashurisë ndaj Krijuesit dhe të Vërtetës në vargje të stilizuara dhe harmonizuara edhe me emocione personale edhe me teknikat e poezisë. Fatjona në vargjet e saja nuk është e lidhur rreptë për një zhanër të caktuar poetik, ajo shëtitet ndërmjet klasikës dhe bashkëkohores dhe vëmendjen kryesore e ka në çastin frymëzues i cili edhe e shtyn që ta proklamojë dhe nxjerr në pah ndjenjën e dashurisë së lartë që ajo e ka ndaj Zotit.
Përmbledhja e re me poezi “Divani Thalith” e poetes është një lloj vazhdimi poetik i kërkimit të thelbit të gjithçkaje që na rrethon dhe gjithçkaje tek ne, me faktin se në këtë libër poetja e fillon kërkimin e saj nga vetja, përmes ndjenjave, rrethanave shoqërore, dhe së fundi, në frymën e ndjeshmërisë së saj vazhdon kërkimi i dashurisë esenciale me shpirtin e një femre. Poezitë në libër shënjojnë për ne një të vërtetë, edhe atë se ne do ta dimë vlerën e gjërave të vërteta vetëm kur të kalojë normaliteti, zakonshmëria që i grabit poetit dhe çdo njeriu më të çmuarën, kontaktin me qenësinë e përjetshme. Për shembull, poezia e parë e titulluar Britma e Plagëve, si një prolog i kushtohet brengës dhe dertit nga malli për Hakun/të Vërtetën, ajo përfaqëson një lloj rebelimi ndaj vetes ku poetja i jep një formë krejtësisht të re përmes skenave asociative të ringjalljes së saj në një qenie të gjallë, e cila duket se dëshiron t’i mbështjellë plagët me gishtat e saj. Vetmia e saj është shpesh një burim i frytshëm për vargjet, ajo na tregon shpesh për veten, pothuajse gjithmonë e shqetësuar, e mbyllur hermetikisht, por e degëzuar, sepse gjithnjë ringjallet dhe rritet në vargje. Karakteristika kryesore kompozicionale e përmbledhjes është rileximi në kohë dhe identifikimi i shumëfishtë i konceptit të esencës. Thelbi i të jetuarit, i të shkruarit, i dashurisë, i vuajtjes, i thelbit është koncepti i një dukurie të jashtëzakonshme, që përvijon qartë profilin e poetes në këtë libër. Fatijona shtron pyetje nëpërmjet veprimeve poetike me mjete të pasura simbolike akustike. Për të, poezia është një mënyrë jetese, prandaj ajo ndjek gjurmët longitudale drejt vetes, poezia, për të, është
dhimbje dhe ilaç. Çdo gjë për të cilën ajo synon, përpiqet ta shprehë përmes vargjeve.
Në poezitë tjera, poetja kalon në një plan më universal dhe qenësor për krijesën dhe ajo është ndjenja e “pritjes”. Ajo e pret Hakun në stinët që janë brenda njeriut, te bora e kalueshmërisë në ne, elegjia e mallit, epoka e re dhe zbrazëtia, si rrjedhojë, pritja bëhet tipari kryesor i karakterit të saj poetik. Ajo që e bën sublim këtë cikël është nota shpirtnore, ajo shfaqet që në poezinë e parë dhe gjat deri në fund të ciklit. Këndimi dhe vajtimi i mallit për afërsinë me Krijuesin është një moment brenge, por edhe gëzimi që e ngushëllon për të qëndruar në pragun e derës për t’u takuar me të vërtetën. Në vargje shprehet një siguri, sikur autori, për veten, e ka zbërthyer dhe e di sekretin e ekzistencës. Ajo në këtë dynja, siç thotë vetë, është e vetmuar, por ngazëllimi shpirtnor i mundëson të qëndrojë në pemishten e pasur të të mirëve dhe të pastërve. Fryma e të parëve e ka mbërthyer poezinë e saj, ajo rri pezull mbi të dhe e mbikëqyr me frymëzim dhe dhunti.
Njeriu, pikërisht, përmes dashurisë sublime, e konfirmon ekzistencën e vet. Ky konfirmim këtu nuk nënkupton një lloj shprehjeje të vonshme, rastësore të dashurisë njerëzore, por përbën ekzistencën njerëzore. Pra, çfarë duhet të dëshmojë një njeri? Gjithsesi se përkatësinë, origjinën e tij. Njeriu është trashëgimtar dhe pasqyrim dashuror i atributeve hyjnore.
Konfirmimi i përkatësisë në atë “afërsi” bëhet nëpërmjet krijimit të një bote të mirë dhe zhvillimit të saj, si dhe përmes shkatërrimit të së keqes dhe vdekjes së saj. Konfirmimi i qenies së poetes, dhe për rrjedhojë përmbushja e saj e vërtetë, ndodh në bazë të një vendimi të lirë. Ajo e kap atë që është e nevojshme dhe lidhet me kërkesën më të lartë. Dëshmia që i përket ekzistueses në tërësi ndodh si kohë e tashme e pakryer në (pa)kohësinë ekzistenciale.
Poezitë e Fatijonës mund të kuptohen si prani e asaj që mungon dhe padyshim janë një pasqyrim i kësaj epoke në të cilën njerëzimi flet me vetëdije për mungesën e të vërtetës esenciale. E vërteta është e pranishme edhe në mungesë të saj: marrëdhënia jonë me të vërtetën, cilado qoftë ajo, nuk mbaron kurrë. Nuk ka “mungesë të lidhjes me të vërtetën”. Një mungesë relative me të vërtetën është shkaku i “neglizhencës së përsosur”, ose “tjetërsimit absolut”. Poezia, e cila është e mundur (madje e nevojshme) në shfaqjen e të vërtetës, është një konfirmim se kjo marrëdhënie e hakikatit me gjuhën ekziston edhe
në një mosmarrëdhënie të dukshme. Është një konfirmim që prania e njeriut shprehet edhe me mungesën e tij, ose se kjo mungesë është vetëm një paraqitje e pranisë, është një konfirmim i qëndrimit të përgjithshëm të klasikëve të tesavvufit, qëndrimi se nuk ka poezi pa hakikatin, dhe se nuk ka njerëzishmëri jashtë marrëdhënies me dashurinë. Vargu, në realitet, është një fortesë përmes së cilës flet një njeri thelbësor ose një gjuhë thelbësore, sepse ai njeri flet edhe pa gjuhë. Poezitë e kësaj përmbledhjeje janë “prezencë e mbajtur në mungesë”, mungesë në prani.
Duket se diku, në pafundësinë e pareduktueshme të njeriut, autorja e humb përkufizimin e poezisë, por ndoshta kështu me atë humbje ajo e shfaq përkushtimin e vërtetë ndaj poezisë. Në dritën e kësaj poetike të veçantë, rimimi është si një intstrumentalist që i bie daulles së zemrës. Duke lexuar vargjet ndiejmë çdo nerv të poetes, pulsin, ndjesinë e shpirtit. Poetja nuk heq dorë nga forma e poezisë së saj, ajo ka stilin e saj tashmë të zhvilluar të poetizimit, ajo nuk fut ndonjë risi në të. Fatijona, në një mënyrë, jep këshilla
për t’u tërhequr, për të mposhtur mendjen, e çon lexuesin në vetëshqyrtim, zgjon ndjenjën e përgjegjësisë morale dhe nga ana tjetër, ajo kapet në një luftë kur e fillon poezinë në shenjë lartësie, sikur po merr një vendim vendimtar për jetën dhe pastaj në një çast u thotë lamtumirë impulseve lëndore dhe kënaqet me dashurinë dhe pasionin për të vërtetën.
Fatijona është një poete e realitetit të vet, që thuret nga imagjinata, ajo është e prangosur nga kufizimet e veta në cepin e ëndrrave të saj, një shpirt vetëmohues dhe i përzemërt, që ringjall me vargje skenat që percepton drejtpërdrejt nga dritarja e dhomës së saj, në murin e dëshirave dhe mallit, në një shtrat të bërë me zinxhirë, duke përfshirë kështu qenësinë në tërësi. Me këtë libër poetja na kthen te vetvetja dhe që reagimi të ketë karakter estetik dhe të kuptohet hermeneutika e vargjeve, lexonjësi duhet të kthehet tek vetvetja dhe të shikohet në brendësinë e tij.

Fani