Yasar Kemal-Fshesa

Yasar Kemal-Fshesa

0 Comments

Përktheu: Fatijona Bajraj

Njëri quhej Reshid, tjetri Durmush. Reshidi ishte shtatgjatë, i hollë, Durmushi ishte i shkurtër dhe i trashë, aq sa t’i thuhet topolak.

Ishte pranverë. Kishte rënë shi. Në tokë mbizotëronte një ditë e ndritshme. Toka po ndriçonte sikur prej saj shpërthente drita. Kishin ecur deri në mëngjes rrugës nën shi. Tani prej shpinave të tyre dilte avull. Kishin ndaluar në mes të rrugës dhe qëndronin pa folur. Nga beli e poshtë ishin bërë tërë baltë.  Larg, në mes të fushës, sikur pasqyrë shkëlqente zinku i shtëpive të çifligut. Durmushi ngriti kokën ngadalë.

Durmushit i kishin rënë krahët nga lodhja. Dukej sikur të ishte plakur. U shikuan mes vete. Shputat e këmbëve i kishin të sharruara në baltë sa mezi hidhnin hapat. Ecën deri buzë mbrëmjes. Nga ana e jugut errësohej, sepse një re e madhe vinte drejt tyre. Hynë në çiflig. Një gjel i bardhë po çiftohej sipër grumbullit të plehut. Më pas, para u kaloi një qen frikacak. Një mëz që i shkëlqente ngjyra po shtriqej, më pas filloi përsëri të jashtëqiste.

Në hundët e tyre u erdhi era e thartë e plehut. Durmushi ndaloi dhe shikoi Reshidin. Edhe Reshidi u ndal. Më pas vazhduan të ecnin drejt një objekti të madh që ngjante me hambar nga qerpiçi.

Më pas para u doli një person që, po sikur ajo fjala që thuhet mbiu nga toka, ishte i tillë që edhe brenda rrobave i dallheshin këmbët e shtrembra. Ishte edhe i pafuqishëm. Përnjëherë tha: Ndaloni! Zbritni jorganët nga shpina!

Reshidi dhe Durmushi pa thënë asnjë fjalë hoqën jorganët nga shpina dhe i lëshuan afër murit.

Reshidi i tha: Ma thuaj emrin, të lutem, Agë!

Burri tha: Unë quhem Veli. Pas Agës unë vij në këtë çiflig. Këtë dijeni kështu. Unë jam bebëza e syrit të Agës. Çdo gjë është nën mbikëqyrjen time këtu.

Durmushi dhe Reshidi treguan respekt ndaj tij dhe Veliu paksa mburrej me veten: Kush ju ka dërguar juve? Ua ka dhënë emrin tim?

Reshidi: Ne erdhëm vetë.

Veliu u zemërua: Për kë keni ardhur? A vihet në këtë çiflig pa përmendur emrin Veli?

Ata i thanë sërish: Ne erdhëm vetë. S’kemi pyetur askënd. E pamë dhe erdhëm…

Veliu kundërshtoi i nervozuar dhe u tha: Ore! A nuk u ka thënë askush se aty gjendet Veliu dhe ai ju jep punë?

Reshidi heshti.

Veliu insistoi: Më thoni, a nuk ju ka thënë?

Reshidi i tha: Emrin tënd, Agë, e kemi dëgjuar në fshat.

Veliu tha: Përse nuk më thatë deri tash?! Do të thotë, emrin tim e keni dëgjuar në fshat?

Reshidi tha: E kemi dëgjuar.

Veliu, duke u dhënë shenjë me dorë, u parapriu dhe ata të dy ecën pas tij. Ndaluan kur erdhën para një kasolleje të vjetër me baltë, gardhi i së cilës ishte përkulur i tëri.

Veliu ishte sikur karkalec.

Bërtiti vrazhdë: Grua, grua!

Nga dera doli një grua fytyrërrudhur, me flokë të bëra si lëmsh, duke u përpjekur ta mbulojë me duar gjoksin e zhveshur.

Veliu tha: Grua, këta janë mysafirët tanë.

Gruaja u fut brenda.

Veliu bërtiti: Bëji gati dyshekët për ta, këta që nga Allbusta kanë dëgjuar për Velinë dhe kanë ardhur.

Veliu para, ata të dy prapa, hynë brenda.

Gruaja po vendoste dyshekët për ulje sipër baltës së shtëpisë.

Veliu, duke bërë me dorë drejt kryeqoshes së dyshekëve, u tha: Uluni! Pasi që keni thënë Veli dhe keni ardhur, meritoni tërë respektin tim.

Shtëpia ishte e vogël. Kishte krejt një dhomë. Tavani ishte i ulët, por në të thuajse nuk gjendej asgjë që mund të quhej gjësend. Vetëm në qoshe gjendej një jorgan pa këllëf dhe një shilte e vogël. Shilteja ishte aq e papastër saqë, si thonë, as qeni s’fle aty. Ashtu ishte. Kishte edhe një gotë, e përlyer nga mbetjet e ujit.

Veliu tha: Grua, këta kanë ardhur sepse kanë dëgjuar emrin tim. Shpejt bëju nga një kafe.

Gruaja ndezi zjarrin në oxhakun në qoshe të dhomës, pastaj derdhi ujë në një xhezve të madhe dhe e vendosi sipër zjarrit.

Veliu tha: Grua, le të jenë kafet e mira, me sheqer të bollshëm.

Qeni i vjetër, të cilit i kishin rënë gjysma e qimeve dhe gjysma e dhëmbëve, ishte shtrirë në mes të shtëpisë, pranë direkut të mesit, hapi sytë lehtë dhe i mbylli përsëri.

Veliu u tha: Juve duhet t’ju gjejë një punë të mirë.

Reshidi i tha: Ju faleminderit vëlla Veli! Ne dëgjuam namin tënd dhe erdhëm.

Veliu u kthye nga gruaja e vet: Dëgjo, dëgjo grua se çfarë thonë.

Më pas i tha Reshidit: Thuaje edhe një herë le të të dëgjojë edhe gruaja ime.

Reshidi tha: Ne dëgjuam për namin tënd dhe erdhëm që nga vendlindja jonë.

Veliu u tha: Çfarë pune pëlqeni të bëni më shumë?

Reshidi tha: Shërbëtorë.

Durmushi tha: Shërbëtorë.

Veliu u tha: Unë do t’ju jap juve punën që dëshironi.

Reshidi, duke ulur kokën i turpëruar, pyeti: Veli Aga, sa është haku ynë?

Veliu u tha: Sa është i të gjithëve aq edhe juaji. Ju jeni njerëzit e mi. Nuk ju jap pak. Të tillë sikur ju në këtë derë vijnë me mijëra, jo një e dy.

Aga tha: Veli bir, mos të hyjmë në hak të askujt. Zoti më ka dhënë mua aq sa më ka dhënë. Mos më lejo të ha hakun e të varfërve e të hyj në ferr. Nuk ka askund si Aga ynë. Nuk është si agallarët e tjerë që hanë hak dhe që rrahin. Nëse të tjerët japin një, ky jep pesë. Nuk hanë hak. Unë garantoj për të.

Reshidi tha: Shumë mirë vëlla!

Durmushi tha: Mirë, mirë, edhe ne po kërkonim të tillë.

Veliu ia kapi dorën Reshidit: Nuk ka si Aga ynë në Çukurovë. Nuk ka! Mëshira e tij është sa deti. Ka tetë vjet që jam pranë tij, asnjëherë nuk i kam parë ndonjë të keqe. Deri në shtëpi vjen. Besoni që ulet këtu ku ju jeni ulur. Më thotë: Si je biri im, Veli? A të duhen para? – Jo Agë, jo. Falë teje po e kalojmë mirë. Nëse na duhen e di që torba jote është e hapur për ne, vij dhe marr, – i them. Aga edhe gruan time e pyet: Si je bijë, a je mirë? A po mund ta kaloni? A keni ndonjë gjë mangët?

Më pas u kthye nga gruaja e tij: Grua, a nuk është ashtu?

Gruaja: Ashtu, ashtu. Aga çdoherë vjen te ne. Është shumë i mirë. Falë tij nuk kemi mbetur pa kripë e sapun. Ku ka sikur Aga ynë?

Durmushi gojëhapur shikonte me habi. Me kokë bënte sikur miratonte.

Përnjëherë i shpëtoi nga goja: Sa Agë i mirë që qenka! Njeriu flijohet për dikë të tillë. Nëse jep edhe para.

Veliu acarohet: Si thua ashtu. A jep para? A thashë që jam ortak i Agës, ore! Dhe udhëheq tërë këtë vend e i di të gjitha! A më konsideron si shërbëtor? Ky çiflig është në dorën time. Po të mos jem unë, falimenton. Çfarë menduat ju? Çfarë fjale është ajo, a jep? Në dorën time janë të gjitha. Djeg, the, ha, pi! Askush nuk mund të më thotë nga erdhe dhe ku shkon Veli.

Më pas u kthye nga gruaja e vet. Sytë e saj ishin rritur. I thotë: A nuk është ashtu?

Gruaja u thotë: Si mund të thonë ashtu? Ne të dy e rrotullojmë këtë çiflig.

Reshidi tha: Mos u prek, Agë. Nuk i punon mendja më shumë.

Durmushi ishte skuqur, djerset sa nuk i pikonin. I frikësuar, tha: Mos ma shihni për të madhe Agë. Mendja ime është e metë.

Veliu i tha: Të fala! Pra, ju them që ne nuk jemi shërbëtorë. Ky çiflig është nën udhëheqjen tonë. Veproni sipas kësaj.

Në ndërkohë gruaja e tij kishte shërbyer kafet në gotat e çajit.

Veliu u mendua. I ra në mend dhe tha: Grua, fëmijët janë të uritur. Tani shpejt bëje bukën.

Gruaja tha: Me të vërtetë, nuk e mendova fare.

Veliu tha: Që nga vendlindja e tyre kanë ardhur sepse kanë dëgjuar emrin tim. Meritojnë tërë respektin.

Nga jashtë erdhi një zë i trashë gruaje: Veli! Veli! Veli t’u qorrofshin sytë, ende nuk e ke fshirë shtëpinë tonë. Eja shpejt!

Veliu i shtrëngoi grushtet. I ishte zverdhur fytyra dhe tha:

– Kjo grua nuk është e denjë për Agën. Është e pafe. Mua, madje edhe Agën, e detyron ta fshijë shtëpinë.

Ngrihet me shpejtësi në këmbë dhe merr fshesën në dorë, i zemëruar. /Revista “Akademia”/