0 Comments

Mora fletoren. Dola në luadh. Rrezet mëngjesore, të bardha e të lehta, më përkëdhelnin. Shelgjet sikur më përshëndetnin me duart e blerta. Po mendoja se çka të shkruaja. Çka të fusja në tregimin që doja të thurja. Në fillim, thashë me vete, po shkruaj për lulen e vogël, të rrumbullakët. Ajo duket si zile e vogël, e argjendtë. Kur fryn era, ajo luhatet dhe, atëbotë, i gjason lundrës së vogël, të bardhë. Kështu, gjersa mendoja për lulen, dëgjova një zë. Dikush ishte në rrezik. Kërkonte ndihmë dhe bërtiste:
“Ndihmë!… Era po më luhat… Nëse rrëzohem nga kjo lartësi, kushedi se çka do të ndodhë. Toka është e thatë. Mund të më thyhet ndonjë këmbë…
Ndihmë!…”
A thua kush ishte?
Ktheva kokën andej. Ç’të shoh:
Një milingonë e mjerë kishte hipur mbi një fije bari. Mu në maje. Era e luhaste sa andej, sa këndej. Veç sa nuk rrëzohej. E përkula fijen e barit bashkë me milingonën gjer afër tokës. Atë çast ajo zbriti. Fija e barit ngriti kokën sërish përpjetë.
“Të falemnderit!”, tha milingona, duke fshirë djersët e ballit, ca sumbulla
të vogla e të vakta. “Të falemnderit, o njeri, që më shpëtove… Nuk di me se ta shpërblej këtë mirësi?…”
“S’ka nevojë për asgjë…”, u përgjigja unë. “Jam i lumtur që qëllova këtu dhe munda t’ju ndihmoj…”

“Por, së paku, eja gjer te pallati im! Atje do t’ju shohë farefisi im…”
“Mirë”, i thashë milingonës. “Po vij.”
Në të dy anët e rrugës gjendet vargu i mështeknave, që, nga larg duken si princesha të bukura, me fustane të bardhë e flokë të mëndafshtë.
Ajo u nis përpara. Unë e ndoqa pas. Udhëtuam bukur gjatë. Nëse nuk gabohem, tridhjetë kilometra bubu-rrecash. Kjo ishte një largësi e madhe, afër dymbëdhjetë hapa! Kur arritëm në një kthesë, njëfarë buburreci po i grishte kalimtarët.
“Çfarë shet ai buburrec?!”, e pyeta milingonën me një kureshtje të madhe.
“Gazetën e sotme”, tha ajo e qetë.
“Si, edhe buburrecat kanë gazetë?!”, e pyeta i habitur milingonën ?
“Si s’e ditke!”, tha milingona. “Del çdo ditë. Herët në mëngjes zënë të shiten me mijëra copa. Shpërndahet në të gjitha anët. Çdo buburrec e lexon me ëndje. Në të lajmërohet për ngjarjet më të rëndësishme. Ja, edhe unë po e blej një.”
Milingona e nxori një qindarkë prej xhepit të saj. Ia zgjati buburrecit dhe mori gazetën. Filloi të lexonte me radhë, nga faqja në faqe:
“Lartmadhëria e tij, Mustaku, Mbreti i Buburrecave të Zezë, do të vizitojë shtetin e madh e të fuqishëm të Thneglave të Verdha. Ai do të udhëtojë me aeroplan. Aeroplani i tij është një gjethearre e rënë. Përveç mbretit, në atë aeroplan mund të hipin edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë si edhe ca përcjellës. Dita e saktë e nisjes nuk dihet. Por një gjë është e sigurt: ata do të nisen kur të fryjë era e jugut. Ajo, si dihet, e lëviz aeroplanin e mbretit dhe do ta dërgojë në shtetin e madh e të fuqishëm të Thneglave të Verdha…”
“Edhe pesë ditë mbushen plot dhjetë vjet kur buburrecat e zezë shënuan fitore të lavdishme. Ata mundën ca thnegla të murrme që kishin sulmuar kështjellën e tyre, duke dashur të pushtonin pallatin edhe të rrëmbejnë

gjithë pasurinë që kishin brenda, por e pësuan keq. Gjysma prej tyre
mbetën të vrarë. Të tjerët që shpëtuan, ikën të frikësuar dhe u zhdukën si
të mos kishin qenë fare.
Me rastin e dhjetëvjetorit buburrecat e zezë do ta festojnë këtë fitore
heroike. Flamujt e tyre do të valojnë me atë rast në çdo shesh…”
“Mbreti i brumbujve, Grykësmadhi, dje ka dalë nga spitali. Sigurisht është
bindur se nuk duhet të hante dhjetë dardha e të pinte tri fuçi me verë për
një natë…”
“Një buburrec dje hipi mbi një kërpudhë. U rrokullis mbi të, hodhi valle
gjersa u lodh. Pastaj pyeti: Oj kërpudhë! Përse nuk ecën, po rri vetëm në një vend?”

Po a nuk e sheh se kam vetëm një këmbë…”, u përgjigj kërpudha.
“Uh, njëmend!”, – tha buburreci dhe kroi kokën…
Milingona lexoi edhe gjëra të tjera. Dikur u nisëm kah pallati i saj. Atje na pritën me mijëra milingona të tjera. Sapo e kuptuan përse kisha shkuar aty, zunë të më falënderonin, duke brohoritur lëvdata. Më lutën të hyja brenda, por u thashë se nuk kisha kohë. U përshëndeta dhe u ktheva në shtëpi i lumtur.
Tregimi kishte lindur tashmë.

Related Posts

MANJOLA XHEPA-NË ATO PERËNDIMET E MIA

Në ato perëndimet e mia ti vjen pa u ndjerëMë avitesh e m’dëfton shumëçka kjo botë mbanë Më prek mbi supee pa zë më thua “sabër” e dashtunNë gjysëm perëndimeti veç shikime më fal Më…

LAURETA REXHA-ZEMRA E KËRKON SHTËPINË

Nata është e shkurtër përpara kësaj heshtjeje të gjatë zemra është e qetë dhe zhurmën e ka lënë duke u derdhur jashtë Do ta mbaj në duar gjithë durimin që kam kërkuar Do ta ëndërroj…

ALBIN MEHMETI-KONCEPTET ESTETIKE TË PLATONIT

Platoni, ashtu si edhe filozofët tjerë të antikës greke shqyrtoiproblematika të shumta shoqërore duke filluar nga ato më të thjeshtat deri tekato më komplekse si ajo për (mos)ekzistencën e Zotit dhe problematika tjerametafizike, tema të…