NURIDIN AHMETI-HYRJA E PARË E KAFESË DHE DUHANIT NË TURQI DHE SHQIPËRI
Në Shqipëri dhe te shqiptarët një rëndësi të posaçme për mikun që vjen, ka kafjea e duhani dhe që të dyja këto zënë një vend kryesor në nderimin që duhet t’i bëhet mikut. Kafeja dhe duhani për ne, është një temë e pastudiuar për sa i përket rrjedhës historike, futjes së tyre në Shqipëri dhe Turqi.
Islami është përgjithësisht feja që përmbledh të gjitha çeshtjet shoqërore e teologjike, si edhe rregullimin e sjelljevet dhe zakoneve, mënyrën e dietës dhe rrojtjes gjer në vërejtjet e hetimet më të hollësishme e delikate të jetesës së njeriut. Që këtu pra rrjedh dhe arsyeja ndër muslimanët që çdo shpikje e re ose mënyrë rrojtjeje, për t’u pranuar, lipset të ekzaminohet që më parë dhe të provohet gjer në ç’pikë barasohet a njësohet me frymën e Islamit dhe të shihet nëse mund të lejohet ose jo.
Ky ekzaminim e provim bëhet prej dijetarëve sipas disa kanuneve të posaçëm, që caktohen prej ligjit të shenjtë të Islamit (sheriat). Veprimi i këtj ekzaminimi në arabisht quhet teshri, që domethën krahasim me Lgjin e Shenjt.
Historishkronjësi turk Ahmet Efendiu shpikjen e kafes ia njeh dervishit Shejh Omerit, prej grupit të dervishvet të quajtur shazeli, i cili për arsye mosbidjeje ishte nxjerr jashtë grupit dhe ishte syrgjynosur. Në vitin 1258, u arratis në rrethet e Mokkas, në vendet shkreta malore. I arratisur dhe duke mos gjetur ushqim, u mejtua te përdorë kokrrat e një peme, që gjendeshin me shumicë nëpër ato vise dhe për tri ditë radhazi u ushqye me kokrra kafeje që përveç shuarjes së urisë, mbanin edhe shije të këndshme.
Kur u rikthye në teqe dhe u tregoi shokëve për ndodhinë, atyre iu ngjall kureshtja për këtë bimë dhe e provuan. Më pas, kjo gjë u përhap edhe te banorët e Mokkas të cilët kafenë e bënë një pije të këndshme. Për një kohë të shkurtër përdorimi i kafesë u shtri përgjithësisht te banorët e Jemenit, e pastaj u përhap në vende të ndryshme të Arabisë, Persisë, Egjiptit dhe Sirisë.
Në vitin 1555 në kohën e mbretërimit të Sulltan Sulejmanit, dy sirianë, Hukumi dhe Shemsi, njëri nga Halepi e tjetri nga Shami (Damasku), përhapën përdorimin e kafesë në Konstantinije (Stambolli i sotëm), duke hapur dy kafenetë e para në lagjen e qujtur Tahta Kule. Në këto dy kafene filluan të mblidheshin shumë njerëz nga shtresa të ndryshme të shoqërisë se atëhershme, si bejlerë, oficerë e dijetarë të fushave të ndryshme të cilët kalonin shumë kohë duke ia shoqëruar muhabetit pareshtur kafenë.
Kjo gjë shqetësoi shumicën që nuk dinin si ta vlerësonin dhe karakterizonin në bazë të ligjit përdorimin e kafesë, nëse ishte e lejueshme fetarisht, aq më tepër, kur se një pjesë e madhe e dijetarëve të fesë ishte deklaruar si kundërshtarë të kafesë, duke e karakterizuar këtë si të pa lejushme dhe të ndaluar prej Ligjit të Shenjtë.
Me mejtimin e këtyre të fundit u bashkua edhe myftiu i atëhershëm i Stambollit ,Ebu Suud Efendiu, icili nxori (botoi) këtë fetva:
“Çdo shujtje, që, për t’u përdorur( në ngrënie o pirje), dhe që prishet (shkatërohet) që më parë prej zjarit e bëhet në gjendje të thëngjillëzuar, është e ndaluar, pra perdorimi i saj është kundra frymës së Islamit”.
Kjo fetva habiti ulematë (dijetarët) që ishin ithtarë të lejueshmërisë së kafesë, por kjo nuk kënaqi as kundërshtarët e kafesë për arsye se ishte shumë i pacaktuar dhe nuk bazohej në ndonjë thënie të tekstit të Ligjit të Shenjtë. Por edhe kafeja që përdorej si pije, ujdisej thjeshtësisht dhe nuk thëngjillëzohej. Për këtë arsye kjo fetva nuk u vërtetua me ndonjë irade sulltanore. Bisedimi mbi lejimin ose jo të kaffes vazhdoi për një kohë të gjatë dhe në këtë ndërmjete kafenetë në Stamboll po shtoheshin dita-ditës, derisa në kohën e Sulltan Muratit të Tretë kishin aritur gjer në gjashtëqind. Në kohën e mbretërimit te këtij sulltani fitoi pjesa e dijetarëve që ish deklaruar kundra kafesë, dhe baras me këtë mejtim u botua një Irade Sulltanore dhe u mbyllën të gjitha kafenetë. Kjo gjë zemëroi shumë ata që ishin mësuar të pinë kafenë, dhe bisedimet filluan me shumë nxehtësi e pasion. Nga dy palët dokumentohej çeshtja për dhe kundër derisa u arrit një fetva e re e cila vërtetonte se përdorimi i kafesë në as një pikë nuk kundërshtonte Ligjin e Shenjtë, po as që nuk rekomandohej prej tij, dhe për këtë në vetvete përbënte një vepër të paanshme, prandaj përdorimi i kafesë lihet në dëshirën e lirë të çdo muslimani, pa mos u kqyrur përdorimi i saj si vepër e hirëshme a mëkatuese.
Në bazë të kësaj fetvaje u botua një Irade e re Sulltanore që lejonte çeljen e kafeneve.
Duke qenë se edhe pas kësaj, vijoi edhe për shumë bisedimi ndërmjet ulemave, gjejmë ndalime të reja mbi kafenë në bazë të urdhërave të dhëna nga Sulltan Murati IV. Bisedimet pushuan krejt në kohën e Sulltan Ibrahimit të Parë, i cili me një Irade Sulltanore lejoi rihapjen e kafeneve dhe përdorimin e lirë të kafesë.
Gjithë këto pothuajse ngjanë edhe në pordorimin e të tymosurit (duhanit).
Duhani (nikotiani) siç dihet, hyri në Europë pas zbulimit të Amerikës. Në kohën e mbretërimit të Sulltan Ahmetit I, në 1665, hyri në Stamboll përdorimi i tymit. Kjo gjë shkaktoi shumë bisedime ndërmjet ulemave, për lejimin ose jo të tij, dhe mejtimet u ndanë serish.
Në kohën e Sulltan Muratit IV ngjan në Stamboll shumë zjarre, dhe llauzi këtë rrebesh ja ngjiti zemërimit hyjnor dhe gjith atyreve që tymonin. U botua një irade sulltanore që ndalonte dhe dënonte gjithë ata që tymonin, si vepër kundra Ligjit të Shenjtë. Po, me gjithë urdhërat ndaluese, përdorimi i duhanit po përhapej me shpejtësi në të gjitha shkallët e shoqërisë, më në fund, si përdorimi i kafesë, gjithashtu edhe ai i duhanit u deklarua në pikëpamje ligjore si një vepër e paanshme përsa i përket Ligjit të Shenjtë, domethënë se përdorimi i duhanit u la i lirë në dëshirë të secilit.
Këtu na del pyetja se cili ish i pari që solli përdorimin e kafesë dhe duhanit në Shqipëri?
Kësaj pyetje asnjeri nuk mund t’i përgjigjet me siguri, se edhe dokumenta të sigurta nuk kemi, po do të kujdesemi të kënaqim kënduesit tanë në këtë kureshti.
Stambolli, pas shtrimit të gjithë Shqipërisë prej turqve, mori prapë rëndësinë që kish pasur para kryqëzatave për Shqipërinë dhe para shkeljes së Turqve në Ballkan, se atje ish qendra e Mbretit të Madh, Perandorit ose Babës së madh siç e quanin shqiptarët e moçëm dhe shtëpitë ndreqeshin në mënyrën e Stambollit po në formë më të vogël, siç shihet edhe sot në shumë vise të Shqipërisë, domethënë se këto ndaheshin në dy pjesë, në atë ku banonin gjithë meshkujt, të brendshëm dhe të jashtëm, ku ishin edhe zyrat e ndryshme (në rast se familja ish bujare dhe aristokrate) dhe në atë të femrave. E para quhej selamllëk (nga përshëndetja që bënin të huajt të zotit të shtëpisë kur vinin) dhe e dyta haremllëk ( nga fjala arabe harem) ku rrinin gjithë femrat.
Nërmjet këtyre të dyjave gjendej zapanja ose vendi i sherbëtorve dhe i duaxhive. Në këtë pjesë ishte edhe kafehaneja. Në këtë kafehane gjendej kafexhibashi dhe çirakët. Posa vinte miku në shtëpi, pas selamit do t’i jepej cigarja dhe pastaj do t’i ndahej kafeja. Bashkë me të riardhurin (mysafirin pasues) u jepej kafe edhe të gjithë të tjerëve dhe kjo gjë përsëritej disa herë me radhë. Kështu, kafeja u rrënjos thellë bashkë me duhanin në zakonet mikpritjes shqiptare dhe zinte vendin e parë të nderimit. Edhe sot përdorimin e kafesë e gjen edhe në skajin më të fundit të malësisë dhe të fushës gjithashtu. Përdoret prej qytetarit e fshatarit, prej malësorit e fusharakut, dhe zë vendin kryesor të gostitjes së miqve.
Tani le të shohim se qysh u fut në Shqipëri. Dimë se në kohërat e mesme shqiptarët vinin vullnetarë në ushtri dhe e kishin bërë për mjeshtri përdorimin e armëve, kështuqë i shohim në rreshtat e ndryshëm të ushtrive të shteteve të atëhershme dhe muslimanët shqiptar rreshtoheshin në ushtrinë turke, kurse të krishterët në ushtritë napolitane, veneciane, frenge, spanjolle dhe apsburge.
Në ushtrinë turke, shqipëtarët luajtën një rol të madh, dhe shumë prej syresh u ngjitën gjer në shkallët e gradat më të larta si edhe shumë u bënë vezirë të mëdhenj të Babi Alisë, që ndërmjet të tyre po shënojmë disa si: Ajas Pasha që fisvrillohesh prej Vlore, i cili ishte Vezir i Madh ose sadriazem (kryeministër) prej vitit 1536-1539. Ky shkroi edhe kronikat e selxhukëve dhe të osmanlinjëve.
Lutfi Pasha, trashëgimtar në zyrë të vezirisë së madhe pas Ajas Pashës që prej vitit 1539 e gjer më 1541, edhe ky autor i një historie të Turqisë. Sinan Pasha, i lindur në Dibër dhe i famshëm për pushtimin e Jemenit. Pesë herë hipi në zyrë të Vezirisë së Madhe nërmjet të 1591-1596. Ferhat Pasha, dy herë u bë sadriazem, në vitin 1591 dhe 1595.
Gjithashtu të famshëm u bënë sadriazemët të dalë nga familjet e Kyprilive të quajtur kështu prej një vendi të Anadollit Kypryli, po këta siç thuhet se fisvrilloheshin prej Tomorice, prej më të shquarve janë këta: Kypryli Zade Mehmed Pasha prej vitit 1656-1661, i biri këtij Fazil Ahmet prej 1661-1676; Mustafa Pasha prej 1689-1691; Hysein Pasha prej 1697-1701; Nuëman Pasha më 1710 duke u sjell shërbime të mëdha Halifatit Osman. Gjithashtu shqiptarë ishin edhe sadriazemët Mora Husein Pasha 1601-1603, Hasan Pasha 1622 që veziroi 21 ditë. Shqiptar ish edhe veziri fundit, Ferid Pasha Vlora 1905.
Kur ka vizituar Shqipërinë shëtitrari (botëbredhësi) Evila Çelebiu, më 1662 dhe 1670 ka shkruar veprën e udhëtimeve të quajtur Sejahatname (Libri i udhëtimeve) që pa dritën e botimit në Stamboll në 10 volume, shkruhet se e ka gjetur kafenë dhe duhanin në përdorim.
Duket pra se kafeja në Shqipërië u fut për të parën herë në kohë të Vezirit të Madh, Sinan Pashës 1580-1595 dhe të Vezirit Ferhat Pashës 1591-1595, si dhe të Kyprilive me anë të peshqesheve që dërgonin në miqtë e tyre dhe farefisit që kishin në Shqipëri, po veçanërisht, përdorimi i tyre erdhi me anë të Spahive që kur ktheheshin në Shqipërië sillnin edhe nga ndonjë send të ri, për t’u treguar se diçka mësuan. Po ata që e përdorën mirë në Shqipëri ishin Arnaut Sinan Pasha, qeveritar i Vlorës, i vëllai i tij Mustafa Pasha. Laze Pasha nga Palasa e Himarës, qeveritar i Vlorës në vitin 1518 dhe në kohën e luftës detare ndërmjet të flotës otomane dhe të krishtere të përbërë prej fuqive të Papës, Napolit, venecianëve etj.
Si Komandant të këtyre në Flotën Turke përmendet Ali Pasha, Përtef Pasha, Mustafa Kolubi Pasha, Mimur Reiz, Ballabut Seider Bej, Gjahur Ali Pirat, Karahoxha qeveritar i Vlorës e të tjerë është vërtetuar që përdornin kafenë dhe e përhapën këtë në Shqipërië. Ndërmjet të këtyreve ish edhe Mehmet Bej Shiroka më 1570. Duhani u përhap pas kryengritjes që u bë në Toskëri më 1654 prej Mustafa Pashës. Një herë tjetër shpresojmë të kthehemi më gjatë mbi këtë temë shoqërore.
P.S. Ky punim është marrë nga revista “Njeriu”. Revistë e permuejshme shpirtnore kulturore. Nr.3,Shtator,1943. Kjo revistë është botuar në Shqipërinë e asj kohe. Revista ka qenë organ i bektashinjëve shqiptar dhe ka mbuluar një hapësirë kohore nga korriku i vitit 1942 deri në shtator të vitit 1944.