SAMET VATA-FILOZOFIA E DRITËS
Shekulli i 13 është me rëndësi të madhe për disiplinën e filozofisë së lëvruar në gjuhën arabe. Në këtë periudhë vërehet një përhapje e madhe e mendimit filozofik dhe interpretimeve të teksteve antike duke sjellë formimin e shkollave të ndryshme filozofike dhe të mendimit. Prej tyre, shkolla që arriti përhapje dhe ndikim ishte “Shkolla Ishrakite” (përndritëse), themelues i së cilës ishte Jahja Suhraverdi. Në mendimin e tij filozofik-si shkak i të cilit edhe do të vritet- Suhraverdi e bën konceptin e “dritës” si qëndror dhe nëpërmjet tij e ndërton të gjithë sistemin ideor. Ai vetë thotë se me këtë nuk paraqet një mendim të ri, por është thjesht pasues i mendimit të Hermesit dhe Platonit, por me ndryshimin e vetëm se struktura dhe mënyra e qasjes ndaj dritës është personale e tij dhe për këtë nuk ka paraardhës prej të cilëve të mësohet. Për këtë arsye ai është quajtur edhe themeluesi i shkollës së përndritjes dhe jo ndjekës i saj.
Në mendimin e tij, Suhraverdi flet për natyrën, vendet si forma të dritës të cilat qëndrojnë në hierarki duke nisur prej Dritës së dritave e cila është forma më e pastër e dritës, deri në nivelin e fundit që është errësira apo Ademi (truporja).
Ndryshe nga Avicena që i vendos qeniet në hierarki në bazë të qenësisë që posedojnë, te Suhraverdi qeniet dallojnë në bazë të intensitetit të dritës. Kjo dritë krahas të qenit përcaktuese e rendit ontologjik të qenies, është gjithashtu e lidhur ngushtë me procesin konjitiv që qenia ushtron ndaj vetvetes. Pra qenia ka dritë aq sa e njeh vetveten dhe lartësohet ontologjikisht për sa që ka dritë. Këtë Suhraverdi e shpjegon nëpërmjet një vizioni mistik në të cilin takohet me Aristotelin dhe kur e pyet se si mund të arrijë te drita. Aristoteli flet me një gjuhë Sokratike duke i thënë: “Njih Vetveten”. Në kuadër të kësaj njohjeje të vetes, Suhraverdi zhvillon konceptin e “njohjes përmes pranisë”. Në “njohjen përmes pranisë” Suhraverdi bën një shkrirje të binomit subjekt-objekt duke e vendosur në esencë të njohjes njohjes e vetes, për veten, nëpërmjet vetes.
Në qeniet e dritës, ajo që ka rëndësinë më të madhe është “vetja racionale” (nefs-i natikah), e cila për shkak të pastërtisë që ka është e pavarur nga materia. Kjo qenie për shkak se ka arritur të njohë realitetin e pastër të vetes, ka shpëtuar prej burgut të trupit dhe është bashkuar me dritën sipërore. Kjo lëvizje nga poshtë-lart është si pasojë e një marrëdhënieje midis dy dritave. Kështu drita e nivelit të poshtëm duke qenë se nuk ka perde dhe e sheh qartësisht dritën e nivelit sipër saj, përjeton nostalgji dhe dashuri për tu shkrirë dhe unifikuar me të, ndërsa drita e sipërme duke qenë se e ndricon të poshtmen prej vetes së saj në të njejtën kohë e dominon atë. Ky raport dashuri-dominim është i ngjashëm me atë të Empedoklit, te i cili ky raport bën të mundur shfaqjen apo shkrirjen e gjërave. Në krye të zinxhirit gjendet Drita e dritave të cilën Suhraverdi e barazon me Zotin. Këtë ai e argumenton duke u nisur nga verseti Kuranor ku thuhet se: “Zoti është drita e qiejve dhe e tokës…”.
Ashtu si Ibn Sina me llojet e qenies, Suhraverdi e ndan dritën në tre kategori të mëdha:
1. Drita e vetqëndrueshme- Kjo dritë është Drita substanciale, i cili është forma më e pastër e dritës dhe drita shpirtërore e cila qëndron më poshtë në formën e niveleve.
2. Drita e materializuar- kjo formë e dritës është e përzier me materie dhe nuk bart qartësi substanciale. Burimin e saj ajo e merr nga diku tjetër. Kjo ka intensitet të dobët të dritës.
3. Errësira- ose mungesa e dritës, errësira, purgatori.
Secila prej dritave gjatë procesit të formësimit, rrezatohet prej dy burimeve: Drita e dritave, e cila ka kontakt të drejtpërdrejtë me cdo nivel dhe së dyti është drita e dimensionit të mësipërm. Këto dy drita janë në proces përzierje deri në momentin që drita të marrë formën e caktuar dhe të bëhet materializohet- proces ky që është i fundit në nivelin zbritës të dritës. Gjatë procesit të kalimit të dritës nga jo-materia në materie, ndërmjet kalimit Suhraverdi përmend një dritë e cila ndahet në dy pjesë. Njëra pjesë qëndron e lirë, ndërsa tjetra qëndron bashkë me trupin dhe ndjen gjithmonë nevojën për tu bashkuar me gjysmën tjetër. Është kjo nevojë, ajo që shkakton përpjekjen e dritave të trupëzuara që të rikthehen në format e tyre më të larta. Kjo dritë që emërtohet si “Dritë mbrojtëse”, pasqyrohet në eksperiencat mistike të Suhraverdit si Xhebraili apo ëngjëlli i shpalljes në traditën fetare Abrahimike.
Nëse ndodh që “drita mbrojtëse” nuk mbizotërohet nga përmbajtja trupore, do të thotë se dashuria për botën qiellore është sunduese. Dhe kjo dritë vjen duke e rritur intensitetin e saj deri sa të purifikohet kur shkrihet me Dritën e dritave.
Marrë nga: Revista “UJI”