POEZI NGA: LEOTRIM VLADI

EKLIPS
Pse fytyra jote s’bën më dritë si dikur
Andej nga është drejtuar shikimi yt
Ka filluar të shfaqet një hije
Dikush po e mbulon pamjen tënde
Ndoshta po qëndron përballë pasqyrës
Çfarë shikon?
Duket një i huaj që nuk e njeh!
Mos u ndal, vështro…
Do ta gjesh eklipsin tënd
Kush gjithësisë ia humbi shijen
E nektarin e bëri të hidhur
Po ç’të gjeti që u bëre armik i vetes
E ndjenjat tua të prangosën
Hapësira u bë një burg i madh
Që nuk po mund të arratisesh.
Ngjan që krenaria të ka eklipsuar
Edhe pse qëndron në mesin tonë
Pandeh, që s’je duke jetuar
A të ka mbetur pak forcë
Që ta dëgjosh zërin tënd të brendshëm
I cili thërret pandalur
Mos më mbyt, më shpëto…
Nuk të kërkohet
Më shumë se mundesh
Asnjë gjë përtej qenies
Vetëm çlirohu nga robëria
Arratisu prej vetvetes.
***
VDEKJA QË LIND JETËN
Për takimin e fundit a je përgatitur
Ai nuk vonohet, në jetë vjen papritur
Ndërsa jeta të bëri ta harrosh vdekjen
Atë e cila i jep kuptim jetës
Por sado që përpiqesh e orvatesh
Nga vdekja s’mund të ndahesh
Edhe kur të duket që gjithmonë
Në këtë botë do ta jetosh jetën
Mos harro, se ke lindur me vdekjen.
***
MALLËNGJIM
Nuk e dija se dimrin e acartë
E sjell pranvera,
Kur s’kuptoja ç’është lamtumira
Asgjë nuk më mungonte
Se gjithçka përveç teje kisha,
vetëm të të shihja, kjo ishte dëshira.
Ç’më duket se më premtove
Që s’do të vdesësh!
Në udhëtimin tim
Të mos më lësh vetëm,
me mua të ecësh
E lindjet dhe perëndimet
Me mua t’i presësh
Edhe kur të shkosh,
në zemër të mbetesh!
Ëndrrat, këngët dhe ushtrimet
Në gjysmë i lam
Gjithçka në gjysmë,
por në mendje ende të freskëta janë.
A kanë kuptim buzëqeshjet
Nëse pas tyre loti fshehet?
Prezenca jote që i mungon syrit,
me zemër kur ndjehet?
I urrej lulet, sepse aroma e tyre
Nuk e largon më pikëllimin për ty
E urrej edhe dritën
Që na e mundëson shikimin,
se s’mund të shoh më me sy.
Shkove pa na përshëndetur,
ishim duke të të pritur
Nuk i jetova vitet që ecën,
ende se kuptova pse ke ikur.
Thuajse po hynim në pranverë,
kishte mbetur vetëm edhe një ditë
E që nga atëherë,
ty dhe pranverën, jam duke ju prit.
***
PREMTIM
Erdha në kodrën më të lartë
Për të parë se çfarë
I kam premtuar dikujt që deri atje
Ku retë takohen me tokën do të shkoj.
Mbi mua rëndojnë mëkatet e tua
Për të cilat unë s’kam faj,
Lulen nuk dua ta këpus
Edhe nëse i vetëm
Gjallë s’mund ta mbaj.
Por a mund ta zgjoj botën
E cila duke qenë zgjuar
E ëndërron veten fjetur,
Po të mos ishin fjalët qiellore
Gjithmonë do të mbetesha i etur.
Përpiqu që ëndrrën
Në çdo mënyrë ta kapësh
Por ç’vlerë ka ëndrra
Nëse duhet veten ta vrasësh
Për të marrë diçka që s’është e jotja
Gjithçka tënden të japësh.
Jo, helmi nuk e shuan
Etjen që të ka kapluar
Pesha e mëkatit
Sipër botën ta ka rënduar.
Ç’mu kujtuan fjalët e Aristotelit:
“Miku i mirë është një shpirt në dy trupa”
Ditët që vetes ia bëre të errëta
Askush nuk t’i bën të lumtura.
Edhe fjalët e Rumit:
“Ajo që kërkon, të kërkon”
Por i vetmi pushtet n’dynja
Është dituria, a po harron?!
Mbaje mend, kur je i ditur
Gjithçka në botë mund të kesh
Por pa dituri, me gjithçka tjetër
Asgjë mund të jesh.